Saturday, July 04, 2009

Më tepër një instrument në duart e pronarëve - Mediat shqiptare

http://www.dw-world.de/dw/0,,609,00.html

Shoqëria-Kultura | 02.07.2009


Gjatë fushatës elektorale media u bë instrument për të krijuar një realitet virtual, atë që dëshironin partitë politike dhe jo realitetin e vërtetë ku jetojnë qytetarët shqiptarë.

Për një muaj rresht qytetarët e Shqipërisë ndoqën në ekranet e kanaleve televizive të Tiranës programet politike të partive, që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Edhe shtypi i shkruar nuk mbeti pas në dhënien e hapësirës publike për subjektet politike që garuan në këto zgjedhje. Kjo përbën padyshim një dimension pozitiv të medias elektronike dhe asaj të shkruar. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë kur vjen puna për përmbajtjen e informacionit që mediat u servirën zgjedhësve.

"Rreshtimi i mediave me njërën apo tjetrën parti politike bëri qe mediat të bëheshin instrumenta politike për krijimin e realitetit virtual që donin partitë sesa një hapësirë publike ku të debatoheshin vizionet, premtimet, angazhimet e programeve të aktorëve që garonin. Mediat nuk arritën të bëjnë debate politike. Paraqitjet në hapësirën e tyre publike të liderëve përkatës ishin më shumë të inskenuara në kushtet që ata kërkonin sesa momente reale investigative debatesh dhe diskutimesh," - thotë politologu Blendi Kajsiu.

Diversitet i varfër burimesh informacioni

Nëse do të shihej hapësira që ofruan mediat për informimin e publikut, nga pikëpamja e diversitetit dhe shumëllojshmërisë së burimeve të informacionit, atëhere duhet thënë se ajo u shfaq e varfër. Një tregues kuptimplotë është mungesa pothuajse totale e mendimit ekonomik të ekspertëve vendas. "Për fat të keq realitetin në Shqipëri më shumë e shohim përmes raporteve të BE-së, të Bankës Botërore, të Komisionit Evropian, të FMN-së dhe më pak përmes ekspertëve vendas. Në Shqipëri shihen si më të besueshme raportet e ndërkombëtarëve që na thonë se çfarë problemesh kemi edhe pse ne vetë, i jetojmë këto probleme. Dhe, për mendimin tim, krijohen situata paradoksale ku problemet e shqiptarëve i di më mirë Evropa sesa ata vetë." - thotë Blendi Kajsiu.

Realiteti shqiptar një raport tripalësh media - biznes - politikë

Arësyet e instrumentalizimit të mediave të Tiranës janë të shumta. Gjithsesi në krye të tyre qëndron padyshim pronësia mbi mediat. "Mediat në Shqipëri, shpesh, nuk e kanë luksin të ofrojnë një vështrim objektiv të realitetit pasi ato janë më së shumti një instrument në duart e pronarëve. Në mungesë të një kuadri institucional ligjor që të garantojë hapësira mbrojtjeje për biznesin, çdo biznes i vogël apo i madh është i detyruar të lidhet me një media Pas çdo biznesi serioz në Shqipëri ka një media përkatëse," - thotë Blendi Kajsiu. Ky realitet sjell edhe një raport tripalësh media-biznes-politikë. Sipas Kajsiut kjo marrëdhënie po bëhet gjithmonë dhe më problematike. "Politika po bëhet gjithmonë dhe më shumë një sistem marrëdhëniesh me publikun, politika është kthyer nga ide dhe ideologji, në ofertë."

Linja editoriale në media bëhet nga pronarët e tyre

Pjesa dërrmuese e gazetarëve, të cilët janë ata që ia paraqesin këtë ofertë publikut, janë të punësuar, gjë që e bën të vështirë refuzimin e instrumentalizimit të tyre nga pronarët e mediave elektronike apo gazetave. "Që nga kryeredaktorët deri tek gazetari më i thjeshtë kemi të bëjmë me individë të punësuar në një biznes mediatik. Linja editoriale në kanalet TV apo në gazeta bëhet nga vetë pronarët apo drejtorë te mediave që janë edhe pronarët e tyre. Ka shumë pak gazetarë profesionistë në Shqipëri, karriera gazetareske nuk inkurajohet, preferohen ata individë që janë të gatshëm të përshtaten me ndryshimet, me luhatjet e qëndrimit të TV apo gazetave, luhatje këto që nuk nisen nga ideologji apo parime të caktuara por nga interesa shumë të ngushta që lëvizin nga njëri aktor tek tjetri, në varësi nga lëvizja e pushtetit."

Sipas Kajsiut përmirësimii një situate të tillë kushtëzohert në radhë të parë nga zhvillimi dhe prosperiteti ekonomik i Shqipërisë, i kuadrit institucional ligjor për mbrojtjen e biznesit nga padrejtësitë e pushtetit dhe nga ndërgjegjësimi i gazetarëve për misionin e tyre profesional për të informuar publikun në mënyrë objektive dhe për të raportuar të vërtetën.

Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani

No comments: