Thursday, July 23, 2009

Kokëdhima, raportet politikë - biznes: 'Ndarja nga Meta? Kur arrestoi Berishën'

Shekulli Online | 23/07/2009 |

TIRANE- Biznesmeni dhe botuesi Koço Kokëdhima në një intervistë në emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut në TV KLAN flet për marrëdhëniet me politikanet, sfidat si botues, etj.

Z.Kokëdhima besoj te jeni i drejtpërdrejtë, sepse biznesmenët nuk i thonë të gjitha.

Jo, biznesmenët janë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, politikanët nuk i thonë të gjitha ose thonë gënjeshtra.



Çfarë raporti ka një biznesmen me një politikan?

Biznesmenët janë njerëz të hapur. Në vlerësimin tim, politika është përpjekur t'i marketojë biznesmenët në Shqipëri si spekulantë e njerëz informale, te pa kultivuar dhe kusarë. Sigurisht që Shqipëria është një vend i varfër dhe unë nuk pres që populli të dalë në rrugë dhe të brohorasë për biznesmenët. Biznesmenët janë njerëz kurajozë, të hapur, xhentëlmenë dhe të besueshëm.


Nuk besoj se shumë veta besojnë te kjo për biznesmenët. Cili është raporti i një biznesmeni me një politikan, sipas përvojës tuaj 20 vjeçare? Thonë se ka biznesmenë që marrin peng politikanët?


Nuk është e vërtetë, ky është një spekulim. Në Shqipëri politikanët kanë qenë shumë të prirur për t'i anatemuar sipërmarrësit natyralë, sepse shumë herë janë përpjekur të deformojnë tregun, dhe të hyjnë vetë në treg si sipërmarrës dhe biznesmenë të kamufluar dhe të bëjnë në tregje konkurencë të pandershme.


Po a janë përpjekur biznesmenët të ndikojnë në zhvillimet politike?


Biznesmenët dhe njerëzit me interesa janë në të drejtën e tyre te pyeten dhe te ndikojne. Ata nuk e lozin sa duhet rolin e tyre për të ndikuar më shumë në vendimmarrje, të ndikojnë më shumë politikën. Nuk është Shqipëria në këtë fazë kur biznesi dhe media të ndikojnë mjaftueshem politikën. Perkundrazi politika, qarqe të caktuara, politikanë te caktuar marrin peng iniciativat sipërmarrëse, nëpërkëmbin dhe shkaterrojne biznesmenët.


Në ç'fushë?


Në çdo fushë. Sikur të kishte ndodhur e kundërta, punët e Shqipërisë do të kishin marrë për mbroth.


Pra ju e quani legjitime që biznesmenët të futen në punët e brendshme të politikës?

Nuk zbrita këtu në detaje. Fola për lobingjet dhe ndikimet që duhet të bëjnë sipërmarrjet në përgjithësi, ato mediatike në veçanti dhe kjo nuk po ndodh. Qeveria këtu ka gjithë atë arbitrarizëm, nderhyn kudo, ben favorizime te paligjshme dhe pabarazi, cenon lirite ekonomike, konkurencen, mjedisin e sipermarrjes dhe interesat e shtetasve, ben korrupsion diten per diell dhe këto ndodhin për faktin se pushtetet nuk janë të balancuara dhe politikanët e konsiderojne qeverisjen dhe vendimmarrjen pune te brendshme te politikes!.


Flasim për të kundërtën, kur biznesmenët diktojnë politikën?

Kjo nuk ka ndodhur deri sot. Fatosi, Iliri, Saliu dhe Pandi janë katër kryeministrat e Shqiperise. Pandi ka qënë me shumë kryeminister emergjencash, në periudhe lufte herën e parë dhe për katër pesë muaj heren e dyte. Nuk mund të thuhet asnjë shembull konkret se ndonjë biznesmen ka marrë peng Berishen, Nanon apo Metën!.

Thatë se një kryeministër nuk ka qenë peng i biznesmenëve. Por thonë se z. Rama si kryetar bashkie ka qenë nën ndikimin e biznesmenëve, ndër të cilët edhe ju.


Më thuaj një fakt, kush e ka përmendur?


E ka përmendur politika.

Politika. Kush psh?


Kryeministri i Shqipërisë.

Tjetër?

Politikanë të tjerë apo njerëz të shtypit?


Nuk është e vërtetë. Jo më kot ju pyeta se kush janë njerëzit akuzues, dhe çfarë akuzash bëjnë. Këto çështje burojnë nga qeveritarët. Kryeministrat e Shqipërisë, Fatosi, Iliri ose kryeministri aktual mund të kenë përmendur akuza të këtij tipi, jo çështje konkrete, por shpifje per propagandë. Unë ngulmova që ta bënim këtë bisedë bashkë sonte, sepse për shtate muaj rresht qeveritarët dalin këtu dhe përgojojnë një qytetar që është në punën e vet, në jetën e vet, duke thënë budallalleqe. Nuk ndodh në një demokraci kushtetuese që të dalë kryeministri dhe të akuzojë një qytetar, është prokuroria ajo që ngrë akuza, është gjykata që gjykon qytetarët.
Unë jam një person shumë i njohur në Shqipëri. Jetojmë ne një vend te vogël ku e njohim të gjithë njëri-tjetrin. Nuk kam asnjë akuzë në jetën time, asnjë proces penal, asnjë shkelje ligji. S'kam ngrënë në besë asnje njeri dhe s'kam bërë ndonjë vepër të dënueshme. Nuk kam asnjë sipërmarrje të paligjshme. Jam krenar për punët që kam kryer kudo me bashkepunëtorët e mi. Kam të punësuar mbi 1000 punonjës me arsim te lartë. Kam udhehequr me qindra karriera të suksesshme të të rinjve në Shqiperi. Ju e kuptoni se çdo të thotë që një kryeministër, apo ministër rrogetar që paguhet nga taksapaguesit të përgojojë një qytetar e taksapagues duke kenduar neper mitingje e televizione kengen "Koço Buxheti". Çdo të thotë ky togfjalësh?

Keni përfituar ju nga buxheti i bashkisë së Tiranës shuma të konsiderueshme?


Këto janë ëndrra në diell, gënjeshtra banale. Nuk bëhet fjalë, janë histori qesharake dhe të thurura pa parime etike.

Po apo jo?

Janë gënjeshtra të qarta. Kompanitë që kam investuar unë në Shqipëri kanë të drejtë të pa paragjykuar, kanë të drejta që i garanton kushtetuta dhe ligji, të punojnë dhe të konkurrojnë. Këta njerëz, kryeministrat e këtij vendi, janë përpjekur t'iu kufizojne, t'iu zhdukin, t'iu eliminojnë liritë dhe te drejtat organizatave tona te biznesit.

Të gjithë kryeministrat?


Të tre kryeministrat që përmenda.


Si shpjegohet që Nano, Meta dhe Berisha paskan qenë kundër jush?

Mediat tona kanë qenë gjithë kohës opozitare. Këta kryeministra dhe qeveritë e tyre kanë qenë armiq të lirisë së medieve në Shqipëri. Unë jam një person që nuk i kam negociuar liritë e mia, kurrë, as liritë e bashkëpunëtorëve të mi. Sa të jem gjallë nuk do t'i negocioj kurrë keto, me asnjë kryeministër dhe me asnjë person që mendon se mund të kufizojë liritë dhe të drejtat tona që burojnë nga Kushtetuta dhe ligji në Shqipëri.

Si shpjegohet që marrëdhëniet tuaja kanë qenë problematike me Nanon, Metën e Berishën e nuk kanë qenë me Ramën?


As me Majkon nuk kane ndodhur sjelljet e qendrimet ne fjale. Majko nuk i ka bere dhe ne themi se Majko nuk i ka bere. Së dyti të presim që të bëhet edhe Z.Rama kryeministër. Duhet të jenë në pozita të ngjashme që të bëjmë krahasime.

Flas si kryetar i bashkisë së Tiranës
Janë gjëra pa lidhje fare, të pakrahasueshme.


A jeni favorizuar ju nga fakti që jeni një botues?

Unë nuk kam bërë media në fillim. Kam bërë biznes të suksesshëm në çdo fushë dhe kur kam
arritur pjekuri si sipërmarrës kam investuar në media. Në këto 12 vjet që unë punoj në media, nuk kam ndonjë rast që të kem ndonjë akuzë, ndonjë padi, ndonjë pretendim ndaj kompanive. Asnjë pretendim nuk ka sipas ligjeve të shtetit shqiptar nga ndonjë kontraktor, nga ndonjë palë me ne, nga ndonjë klienti ynë. Historitë që vijnë nga ministrat dhe kryeministra janë histori që kanë siklete të tjera, sepse kryeministrat dhe kryetaret e partive nuk i ngarkon ligji te menaxhojnë kontratat e kompanive te mia (!) por, te prodhojnë politika. Një kryeministër nuk është drejtori i mirëmbajtjes së rrugëve. Për çdo buxhet që prokurohet ka ente konkrete qe merren me menaxhimin e kontrates.

A e keni përdorur ju gazetën për përfitime personale?

Në ç'mënyrë imagjinoni ju? E harrojme krejt per nje momente se ç'përfitime kane investitorët dhe pronaret e kapitalit te investuar ne nje biznes. E leme te lire fantazine dhe vijojme. Mundet psh, t'i kemi vënë çorapen në kokë nje killeri nga redaksia dhe ta dergojmë ne kryeministri: "Zoti kryeminister, ju keni bërë këtë vrasje, por ne nuk do tregojmë. Po qe se nuk na dërgon një çantë me para..."


Përse keni hyrë në tregun mediatik?

Edhe diçka për raportin me kryeministrat. Tani ata nuk rrahin më gazetarët, rrahin pronarët. Nuk u djegin më redaksite, u djegin bizneset, shanset, lirite, emrin.U vene gjoba te pamundura, u bëjnë presion, i shantazhojnë në interesat e tyre, i bëjnë pis me propagandën e ulet te partive te tyre, me shpifje. Ti kthehem tani pyetjes se përse kemi hyrë në tregun mediatik?
Tri arsye ka se pse një njeri bëhet sipërmarrës: Eshtë sfidant prej natyre, për të bërë para, ose se dëshiron të jetë bosi, të udheheqe e komandojë njerëz.


Cila nga këto të treja është e juaja?


Unë besoj e para, deri diku ndofta dhe e dyta.


Si shpjegohet që nuk keni qenë kritik me z.Rama?

Rama e ka luften me kryeninistrin Berisha. Është strategji e pushtetit, të zhvlerësojë mediat që mbështesin opozitën nepermjet prodhimit, shperndarjes e nxitjes se paragjykimeve dhe te pavertetave. Nuk është çështja që sulmojnë vetëm Koçon. Qeveria sulmon të gjithë ata që investojnë në media kritike me qeverinë. Kjo jo vetëm që synon të dekurajojë njerëzit dhe mediat kritike, të dekurajojë mbështetjen e opozitës, por edhe të bëjë vunerabël figurën e Rames. Ndofta ka pak paragjykim edhe ne pyetjen tuaj. Përsa i përket qëndrimit tonë kritik ose jo ndaj Rames, mund te them se unë nuk shkruaj artikuj. Në shtypin tonë ka kritika, si për Ramën si për këdo. Politika jonë editoriale ka qenë dhe është në mbështetje të opozitës, specifikisht ne mbeshtetje te Partise Socialiste.

Pse nuk keni qenë në mbështetje të opozitës në vitet '98 apo '99?

Në '98-ën opozita më e madhe ndaj Fatos Nanos ka qenë opozita e "Shekullit" .

Z.Kokëdhima, cila është filozofia juaj në shtyp?

Shtypi nuk duhet të gënjejë. Edhe në opinione e komente, faktet duhet të jenë të vërteta në vetvete. Një shtyp që mbështetet ne gënjeshtra është i shemtuar dhe i neveritshem. E dyta transparenca me lexuesit. Nuk është e nevojshme që politikat editoriale të fshihen, por të deklarohen haptazi se cilin grupim, cilën forcë mbështesin para çdo betejë elektorale.

Ju keni mbajtur qëndrime të qarta në favor të njërës palë..


Është e drejta ime.


Në 2001 mbështetët kandidaturën e z.Malaj përballë kandidaturës së z.Meta, në 2007 mbështetët kandidaturën e z.Rama përballë kandidaturës së z.Olldashi. Mbi ç'bazë niseni kur merrni qëndrim të hapur dhe të prerë të favor të njërës palë ose tjetër?


Ndryshimin ndaj Metës e kemi filluar në 28 nëntor të vitit 2000, në natën që kryeministri i atëhershëm ndaloi shefin e opozitës së atëhershme, e çoi në rajon të policisë dhe e mori në pyetje. Oficeri i qeverisë e pyeti zotin Berisha se si e kishte emrin e babait dhe emrin e nenes!


Ju ishit kundër kësaj?

Absolutisht. Reaguam, ndryshuam plotësisht kursin tonë ndaj një qëndrimi të tillë që e kemi konsideruar një puç, një akt të rëndë kundër demokracisë. Ne e kemi ndryshuar kursin tonë në këtë periudhë, ndaj kryeministrit Meta duke patur një vlerësim racional si për anët e mira të tij, edhe për papjekuritë e një kryeministri i cili në një pushtet të pakufizuar dhe me një opozitë të shkatërruar, zhvilloi një arrogancë të papranueshme. Ne nuk e dhamë mbështetjen për z.Meta. E kushtëzuam mbështetjen për të majtën me nevojën që z. Meta të përfshinte në respekt të plotë kryetarin e partisë së atëhershme dhe te gjithe njerezit qe mendonin ndryshe ne parti. Dhe unë kam plot prova por, këto nuk besoj se janë interesante per audiencen e ketij emisjoni.


Ju keni negociuar për kryeministrin që do të vinte pas z.Meta Me çfarë statusi një biznesmen negocion për të sjellë një kryeministër?

E thame se sot do bisedojme me nje botues dhe jo me nje biznesmen. Qëndrimi ynë ka qenë publik në të gjitha rastet. Në mënyrë të hapur ne kemi shpallur publikisht: ne nuk e mbështesim një të majtë me kryeministër Ilir Metën. Ne mbështesim të majtën për një kryeministër tjetër. Ju si "Klan" zgjodhët të mbështesni Ilir Metën. Pavaresisht se ne zgjedhjet e 2001 mbeshtetem te majten, ne kemi qenë denoncues të akteve manipuluese të zgjedhjeve nga qeveria e atëhershme e majte. Pyeteni zotin Berisha po te doni. Ai mund t'jua pohoje kete gje.

Po me z.Nano, të cilin e ndihmuat të vinte në pushtet në 2002 përse u përplasët?

Ne besonim se një grupim politik i balancuar ku respektohen e perfshihen te gjitha kapacitetet dhe kontributet, mund te prodhoje një qeverisje të besueshme. Dhe e keni parasysh se për çfarë situate politike bëhet fjalë. PS ishte fituese e sapodale nga zgjedhjet. E besueshme per ne do të ishte një maxhorancë ku respektohen kundërshtarët, jo ku përjashtohen dhe eliminohen kundërshtarët. Ne besonim se persona të cilët nuk kanë cilësitë e domosdoshme për një qeverisje të mirë në bashkëpunim me kundërshtarët e tyre mund të jepnin një qeverisje të mirë. Kjo ishte teza.

Nuk kishte ndonjë interes ekonomik?

Absolutisht nuk bëhet fjalë. Të them një gjë pa asnjë lloj kompleksi. Kur unë kisha flotën me 50 e ca makina te levizjes se dherave, kompanitë e tyre nuk kishin karroca.

Të kujt, të politikanëve?

Sigurisht. Unë jam modeli i një personi kritik me çdo kryemnistër . Nuk kam negociuar kurrë sipërmarrjet e mia me ndonjë qeveritar. Kurrë nuk kam negociuar ndonjë çështje që lidhet me interesat e mia. Me askënd.

Z.Kokëdhima! Si shpjegohet që ndërsa keni qenë kritik me të gjithë, nuk keni qenë kritik me Edi Ramën?

Të thashë që per Edi Ramën do të diskutojmë nëse do të jemi kritikë apo jo, kur ai të qeverisë vendin.


Po qeveris Tiranën prej 10 vjetësh.


Kjo është histori që nuk ka kuptim.

Si janë marrëdhëniet tuaja personale me Edi Ramën?


Këto lloj pyetjesh frymezohen nga qeveria.


Po raportet me Ramën ua kanë kritikuar të gjithë..

Po, kete e ka bërë z.Meta bashkë me z.Berisha. E ka bërë LSI-ja me PD-në nga dhjetori i kaluar e ketejë, jo vetëm për shkak te qëndrimeve pro PS të grupimit tonë mediatik. E kane bërë edhe për një arsye tjetër. Kanë dashur të dëmtojne imazhin e Edi Ramës për ta paraqitur këtë si një person kukull në duart e Koços e të nje grupthi sipërmarrësish të tjerë. Kjo është një strategji lufte ndaj Ramës, dhe nuk mbështetet as në fakte, as në të vërteta, por në objektivat politike të kundërshtareve te Rames dhe PS.

Si janë marrëdhëniet tuaja personale me Edi Ramën?

Unë jam dhe mbetem dhe besoj se nuk do të ndryshoj asnjëherë, një person me bindje te qarta të majta. Unë jam një qytetar me bindje të majta, dhe nuk i ndryshoj bindjet e mia nën asnjë lloj presioni. Marrëdhëniet e mia me Ramën në planin politik janë marrëdhëniet e një botuesi dhe një qytetari me bindje të majta me liderin e PS-së. Përsa i përket marrëdhënieve të mia si Koço, kam marrëdhënie vëllazërore me Edi Ramën. Megjithate gjate vitit te fundit, dhe gjatë vitit 2008, për arsyet e mia, nuk kam qenë shumë i lidhur me zhvillimet dhe nuk i kam jetuar shumë aktivisht zhvillimet politike ne vend.

A ndikoni te ai qoftë edhe nëpërmjet analizave tuaja?

Nuk nguroj t'i jap keshillen time ne menyre te ndershme kujtdo qe me pyet. Por të bësh këshillim politik është një çështje që unë nuk e marr përsipër. Unë bëj një jetë shumë të lodhshme sipërmarrësi, bëj menaxherin operacional dhe punoj 14 orë në ditë. Është miopi e madhe t'i thuash njeriut që punon 14 orë në ditë që mund të bëjë jashtë profesionit të tij këshillime te besueshme. Këshillimi është një punë shumë e kualifikuar qe kerkon pune, studim, kohe dhe perqendrimin te madh.

A keni ndihmuar ju z.Rama të bëhet kryetar i PS-së?

Absolutisht jo. Unë nuk i besoj teoritë konspirative në politike.

2 comments:

Anonymous said...

Sikur e egzagjeron ca me te pavertetat qe na thote kokedhima. Tek aktiviteti i tij veme re
1. Mbeshtejtje te pakufishme ndaj edi Rames
2. Lufte te principte te
Vasil Bollanos.

Pra njerin kryetar bashkie e ndihmon, kurse tjetrin e ka vene ne shenjester bombarduese prej vitesh. Vetem gjate fushates se zgjedhjeve pushoi fushata anti-bollano dhe tani ku shihet qe nga koalicioni me PDNJ nuk vjen dot ne pushtet PS, Kokedhuma rifilloi sulmin e tij kunder Bollanos. Pra logjika te con tek perfundimi qe Bollano eshte pengese e mafiozlleqeve te tij ne Himare, perkundrazi Edi Rama i jep tendere. Kokedhima nderton pallate njembedhjete katesh ne himare. Kush ja jep te drejten ketij njeriu me floten e tij te betonoje qiellin e Spilese?

Prandaj cdo njeri do te mendonte (jo pate drejte), se Kokedhima e perdor median ashtu si gjithe afaristet per interesat e tij dhe jo te kombit

zamari

Anonymous said...

Ka qenë e mrekullueshme të dihet se ka dikush atje që di të bjerë poshtë dhe të ngrihet përsëri. Ne gjithmonë qëndrojmë të përulur dhe nuk dorëzohemi kurrë, dhe për ndihmën e Z. Benjamin lee për të më marrë Kredi nga firma e tij për të zgjeruar biznesin tim, në një moment të rëndësishëm. Mbështetja që kam marrë nga firma e tij e kredisë ishte mjaft e sinqertë dhe një normë interesante e ulët në këmbim, Z. Benjamin Lee është një oficer kredie që punon me një grup investitorësh të cilët janë të gatshëm të financojnë çdo lloj biznesi ose të japin hua për përdorim personal për sa kohë që shlyerja e tyre është e garantuar.
Ju mund të kontaktoni me emailin e tyre në 247officedept@gmail.com Ose Whatsapp Mr lee në + 1-989-394-3740