Saturday, July 18, 2009

TE SULMOSH NJE LIDER...

" Po atëherë pse Berisha vazhdon të kërkojë largimin e tij? Përgjigjja vjen vetvetiu: Rama prishi ujërat e vjetra të politikës shqiptare. Ai i turbulloi ato, me shpresën se do të kthjellonte politikën, duke risjellë gjakun e ri. Por Rama nuk është politikan. Në këtë pikë, ai nuk mundi dot të përballonte dallgët e llumit politik." ....


Zamira Çavo (Shqip on line)
Sikundër ndodh në botën e qytetëruar, pas përplasjeve elektorale, përplasje që në postmodernizëm kanë karakter personal, më shumë se partiak, vjen momenti të analizohet fundi. Sigurisht që lideri duhet të shikojë pozicionin e tij në raport me vullnetin e popullit. Partitë tashmë duhet të hyjnë në fazën e analizave. Këtu dhe vetëm këtu, partia rifiton rolin e saj, rol që gjatë fushatës ia besoi liderit. Por Shqipëria, si gjithnjë, edhe në këtë rast bën përjashtim. Anarkia politike, sociale dhe kulturore ngjitet aq lart në politikë, sa i zë frymën dhe vullnetit të popullit.

Pas dy javësh, akoma vendi nuk ka një përfundim të procesit zgjedhor. Duket se psikologjia staliniste, "populli të votojë, ne i numërojmë", është ende e fortë dhe pas 20 vitesh demokraci. Për të disatën herë ne i treguam botës se nuk dimë ta ndërtojmë demokracinë. Por faji nuk është i shqiptarëve. Shqiptarët janë politikanët më të mirë, ndërsa politikanët shqiptarë janë individët më të mjerë. Shkencat politike kanë vërtetuar se vetëm kur dëshira për ndryshim dhe shpresa për të ardhmen nuk është vrarë, populli shkon në votime, ndryshe indiferenca zgjedhore është treguesi më sinjifikativ se shpresat janë të vogla. Shqiptarët e donin ndryshimin. Dhe shpresa ishte e madhe. Pra, populli e bëri "të vetën". Radha i mbetet politikës.

Në fund, çdo lider e pa veten në pasqyrën popullore. Pas kësaj vjen analiza. Kush fitoi? Sigurisht që përgjigjja është te votat e marra. Berisha, Meta, Rama, duhej ta fillonin ballafaqimin pikërisht me këtë.

Ka dy fitues në Shqipëri, sepse gjithnjë ne jemi të dyzuar: një "fitues" i mundur dhe një i "mundur" i fituar. Ky është sërish paradoksi shqiptar (sikur politika të dinte të bënte zgjedhje, do të kishim pasur më parë një rezultat, se sa një nxitim për të bërë qeveri).

Por le ta lëmë mënjanë gjithçka ndodhi, për të parë se ç‘po ndodh realisht. Tashmë, problemi mbeti aty ku u nis: Berisha apo Rama? Cili është fitues? Sipas atyre që shtypi thotë, Berisha është fitues me një mandat më shumë. Pra, është fitues. Zyrtarisht do të na duhet kohë të shikojmë realisht kush është fitues. Por ta marrim të mirëqenë këtë fakt, për të mbyllur gojët e "liga", që do më quanin socialiste të parinovueshme, edhe pse nuk kam asnjë lidhje me këtë parti. Rama është humbësi, sigurisht pas Metës. Llogaritë, është e natyrshme, që Rama duhet t‘i bëjë me partinë e tij. Por ç‘po ndodh? Zërat jashtë partisë janë rritur kaq shumë, sa kanë filluar të krijojnë dyshime. Pse të gjithë kundër Ramës? Pse duan domosdoshmërish që ai të largohet nga drejtimi i PS? Berishës apo dikujt tjetër, besoj, i intereson një parti socialiste e dobët, pra një opozitë e vakët dhe aspak dinamike apo e fortë. Atëherë, pse e kërkojnë me njëmijë mënyra largimin e Ramës? Pse Berisha po përpiqet me të gjitha format ta largojë Ramën nga drejtimi i partisë? Pse kaq shumë diversitet në media, vetëm që Rama të përbaltet si gjithë të tjerët?

Më duket me vend të pohoj se kur "armiku" të kritikon, atëherë duhet të gëzohesh. Por, edhe në këtë rast nuk po gëzohem, sepse pyes sërish: Pse kaq shumë urrejtje kundër Ramës? Nuk besoj se ka njeri tjetër që është anatemuar në vend si Edi Rama! Aq shumë është folur kundër tij, sa populli zgjodhi t‘i hedhë pas krahëve të gjitha dhe t‘i besojë vetëm asaj çka shikonte! Po atëherë pse Berisha vazhdon të kërkojë largimin e tij? Përgjigjja vjen vetvetiu: Rama prishi ujërat e vjetra të politikës shqiptare. Ai i turbulloi ato, me shpresën se do të kthjellonte politikën, duke risjellë gjakun e ri. Por Rama nuk është politikan. Në këtë pikë, ai nuk mundi dot të përballonte dallgët e llumit politik. Jo vetëm kaq. Por duke mos qenë politikan, e duke mos dashur të ishte i tillë, ai besoi në forcën e popullit. E vetmja forcë reale ku ai vazhdon të mbështetet. Po në Partinë Socialiste? Sigurisht i takon asaj partie të bëjë analizën reale. Rama realisht mbetet "humbësi" i fituar i këtyre zgjedhjeve. Por në artikulim, humbja i faturohet atij, si lider. Kjo është politika.

Realisht, Rama solli në politikën shqiptare një shpresë, besimin se Shqipëria do të ndryshonte për mirë. Ai riktheu shpresën se politika e llumit tashmë do t‘ia linte vendin një tjetër vizioni për të ardhmen. Megjithatë ai nuk llogariti thellësinë e rrënjëve të interesave të humbura, që diku, aty nën mbulesën e politikës, rrinë të fjetura, të gatshme për të rrëzuar lisa. Ai prishi interesa dhe shumë prej "ish"-ve të majtë të politikës shqiptare. Pikërisht ata, që faturën e humbjes në vitin 2005 e quajtën të "paguar" me largimin e Nanos, tashmë janë "në këmbë" për të rimarrë pozitat e humbura.

Rama dhe mund të rrëzohet si lider, e kjo do t‘i bëjë mirë atij vetë. Personalisht kam mendimin se ai vetë bën pa Partinë Socialiste. Sot, PS nuk bën dot pa Ramën, sepse asnjë "skuadër" politike, asnjë drejtim "kolegjial" nuk mund t‘i mbajë lidhur interesat e kaq shumë të ndryshmëve në këtë parti. Asnjë lider tjetër nuk do të përbëjë një rrezik real për pozitën qeverisëse. Në Partinë Socialiste kishte kohë që fryma e përgjegjshmërisë politike dhe dëshira për t‘i çuar punët deri në fund, ishte kapitur. Rama i riktheu energjitë. Kjo mjafton për të treguar se vizioni për të ardhmen do të mund t‘i mbijetojë sulmit ndaj liderit.

No comments: