Friday, July 17, 2009

PSEUDOSTANDARDET

Sot, Edi Rama as është provuar dhe as ka dështuar si Kryeministër. Ka humbur një tentativë për t‘u bërë i tillë, paradoksalisht pa humbur as vota, as deputetë, përkundrazi duke fituar më shumë se kushdo tjetër.

...Më 2005-ën, Meta nuk e duronte dot Nanon, sot nuk e duron dot Ramën. Të jeni të sigurt që, kushdo qofte kryetar i PS-së në të ardhmen, Ilir Meta të njëjtin qëndrim do të mbajë...

Mjedisit të ndotur të Tiranës, ku mashtrimi quhet integrim dhe vjedhja standard, ku media manipulon dhe hajduti fiton, nuk mund t‘i bëhet vonë se votat janë ende të panumëruara, e se mbajtja peng e tyre cenon standardin kryesor të demokracisë. Vetëm një standard ka rëndësi tani, vetëm një statut duhet zbatuar, ai i Partisë Socialiste!



Mimoza Dervishi(Shqip online)



Nxitimi për të formuar qeverinë e ardhshme, bashkëngjitur me nxitimin mediatik për fitues dhe humbës, e sidomos për dorëheqjen e Ramës, mori një shpjegim dhe një goditje me mandatin e nëntë socialist në Fier. Nuk u fol fare për këtë mandat, madje vetë Berisha nuk kishte asgjë për të komentuar, megjithëse kutitë u mbajtën fshehur ditën me diell dhe u deshën vetëm 30 minuta nga axhenda e ambasadorit Uithers që ato të numëroheshin. Fieri nuk habiti kënd, sepse dihej që ishte i sigurt mandati i Partisë Socialiste, që po zvarritej derisa në opinionin publik të hidhte rrënjë debati për largimin e Ramës.

Po kaq i sigurt është edhe një mandat tjetër për socialistët në Berat dhe këtë siguri e shton histeria e KQZ-së për mosnumërimin e kutive. Ky numërim lidhet drejtpërdrejt me rrokullimën e konfigurimit imagjinar qeveritar deri më tani, me alibinë e LSI-së për refuzim të koalicionit me socialistët, si edhe me kthimin kokëposhtë të analizës së parakohshme mediatike. Mjedisit të ndotur të Tiranës, ku mashtrimi quhet integrim dhe vjedhja standard, ku media manipulon dhe hajduti fiton, nuk mund t‘i bëhet vonë se votat janë ende të panumëruara, e se mbajtja peng e tyre cenon standardin kryesor të demokracisë. Vetëm një standard ka rëndësi tani, vetëm një statut duhet zbatuar, ai i Partisë Socialiste.

Analistët, të majtë a të djathtë, nuk merret vesh se ç‘janë më, kanë filluar të bredhin me statutin e PS-së në dorë, studio më studio, kur në fakt duhet të shfletonin Kodin Zgjedhor, jo për të qarë se sa shumë është dëmtuar LSI-ja, por për të lexuar me zë të lartë paragrafët që i kushtohen numërimit të votave. Në fakt, është i "florinjtë" mandati i Beratit, po të perifrazonim shprehjen e një eksponenti të LSI-së, që çirret me sa mundet se i kanë vjedhur votat në "bastionin" e vetëshpallur të kësaj partie, vetë Fierin. Një kampion i votave të Fierit (9 kutitë e numëruara në mes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve) na tregoi se LSI-ja kishte nëpër kuti nga 12 deri në 20 vota. Por kjo historia e vjedhjes së votave është, as më shumë e as më pak, pjesë e alibisë se, LSI-ja është e persekutuara e madhe e këtyre zgjedhjeve. Nëse Berati do të shkojë aty ku duhet, LSI-ja rezulton humbësja më e madhe e 28 qershorit. Për shume arsye, por kryesorja është sepse nxjerr zbuluar që, plani për të qeverisur me Berishën ishte një "done deal" para se zgjedhjet të nisnin.

"Me PS-në prodhoj krizë", nxitoi të deklaronte Meta, pa pritur as Fierin, as Beratin. Sot duket sheshit se roli i LSI-së me cilindo koalicion të bashkonte votat, ishte simetrikisht i njëjtë. Eshtë e vërtetë që, me votat e saj, LSI-ja ka të drejtë të bëjë ç‘të dojë, por ama është e drejtë e shqiptarëve të pyesin pse Meta mashtroi elektoratin. Ashtu sikur u pyet Xhuveli dhe u bë tabelë qitjeje, madje u fut si zhargon i ri në fjalorin e shqipes. Ky standard i dyfishtë në trajtimin e LSI-së është një nga arsyet pse kjo parti dhe lideri i saj mund t‘ia hedhin me gjithçka thonë e gjithçka bëjnë.

Mandati socialist i Beratit nuk i intereson as Berishës, as Metës. Të parit, sepse ka krijuar në tavolinë një koalicion që e merr era. Të dytit, sepse vërteton edhe njëherë, që ashtu si në vitin 2005, Meta është shkaktari kryesor për lënien e së majtës në opozitë. Më 2005-ën, Meta nuk e duronte dot Nanon, sot nuk e duron dot Ramën. Të jeni të sigurt që, kushdo të jetë kryetar i PS-së në të ardhmen, Ilir Meta të njëjtin qëndrim do të mbajë, sepse në fund të fundit është posti që i duket se i takon atij dhe ende nuk është shkëputur nga kjo ëndërr e vjetër. Megjithëse të gjithë e kanë të qartë se Meta është dëmtuesi kryesor i të majtës, dy herë me radhë, sot kërkohet vetëm dorëheqja e Ramës. Merret e mirëqenë se PS-ja donte të asgjësonte LSI-në, por e anasjella nuk përflitet fare. Bërtitet se Rama e ka dëmtuar këtë parti, por nuk llogaritet dëmi i madh që LSI-ja, në fakt, i ka sjellë PS-së në 8 vitet e fundit. Po të shohësh rrjedhën e ngjarjeve, arrin në konkluzionin e qartë se, Meta, një ish-socialist që nuk e gjeti kurrë veten jashtë derës së PS-së, krijoi dhe mban ende një parti pa identitet dhe sytë i ka gjatë gjithë kohës nga kreu i PS-së.

Alibia që mban fort në duar Meta, se bëri koalicion me Berishën nga halli dhe për të mirën e vendit, shkërmoqet nëse Berati lexohet sot. Në fakt, i vetmi hall i Metës ka qenë, që nga fillimi, gërryerja dhe zhbërja e Partisë Socialiste që na sjell në pyetjen e radhës: Ku gaboi Edi Rama me LSI-në? A do ishte më mirë sot PS-ja me LSI-në edhe në pushtet, apo kështu siç është përballë bashkimit natyral PD-LSI? Rama ia dha njëherë shansin Metës në vitin 2007 dhe u pa që Meta bashkoi votat me Berishën për të vetmin qëllim: të zgjeronte bazën e tij dhe të luftonte PS-në me ç‘të mundej. Ç‘shembuj ka dhënë Meta se di të bashkëpunojë me PS-në, kur i vetmi rast real është ai i zgjedhjeve lokale? Po kështu, a mund të na thotë njeri sot se, sikur LSI-ja me PS-në të krijojnë qeverinë sot, Ilir Meta nuk do të bëjë atë që di të bëjë më mirë, bashkimin me Berishën? Çfarë e mire do t‘i vinte PS-së nga kjo, përveçse rrënimi?

Megjithëse të gjithë bëjnë si budallenj dhe sikur nuk i mbajnë mend kushtet e Metës, është shumë shpejt për t‘u harruar se sa herë gazetarët e pyesnin Metën, cili do të jetë Kryeministër pas një koalicioni të mundshëm me PS-në dhe fitores së zgjedhjeve, përgjigjja e tij, në majë të gjuhës, përjashtonte Ramën Kryeministër. Madje, shkoi deri aty sa të pretendonte që, ai me një parti 5% duhet të ishte Kryeministër, kusht që në fakt as që i shkoi ndërmend t‘ia kërkonte Berishës. Dhe jo vetëm kaq, por nuk i kërkoi as atë që do justifikonte moralisht Metën, që as ai, as Berisha të mos ishin kryeministra, duke i dhënë kështu meritën vetes, atë të heqjes së Berishës nga pushteti.

Duke marrë shkas edhe nga Berati, koalicioni PS-LSI do të ishte fitues sot. Le të mendojmë për një çast se Rama do t‘i linte postin e Kryeministrit Ilir Metës për hir të së majtës në pushtet. Po ç‘do të ndodhte paskëtaj me një Meta Kryeministër? A nuk do të emëronte ai më shumë se gjysmën e kabinetit nga LSI-ja? Jo thjesht për babëzinë e tij të njohur, por dhe për synimin e tij të shpallur, për të dobësuar PS-në deri në zhbërje. Cili do të ishte mesazhi që do t‘i jepej elektoratit socialist, të cilët votuan Ramën, por do të kishin Metën Kryeministër dhe LSI-në në shumicë në qeveri? Pse duhet ky elektorat t‘i besonte Ramës apo PS-së më tutje, kur LSI-ja do të shfaqej si forcë primare, megjithëse me një të dhjetën e votave të PS-së në elektorat? Ku do ta çonte PS-në ky lloj koalicioni?

Sot që gjërat janë duke u zbardhur, kuptohet qartë se ky raund zgjedhjesh, paçka se lë socialistët në opozitë, vetëm për pak, ishte një raund për t‘u bërë e për t‘u hequr pikërisht kështu siç ndodhi. Rezultati është ky që është edhe për një arsye tjetër, që lidhet me spektrin e djathtë dhe me mungesën e një partie djathtas, që të balanconte LSI-në majtas. Por, ama sot, me pozicionimin djathtas të LSI-së, jo për shpëtimin e vendit nga kriza, por për pazaret personale të Metës, i hapet rruga një opozite të fortë e të çliruar edhe nga brerjet e ndërgjegjes për LSI-në. Eshtë bërë pikërisht ajo që duhej.

Sot konsumohet shumë energji për standardet brenda një partie si ajo socialiste. Por asnjë radhë, asnjë koment për Fatos Klosin, që u rrah e u shty me shqelma në Konventën e LSI-së, nga shokët e idealeve të vetëm një nate më parë. Sigurisht opinioni shqiptar është mësuar me një standard të tillë fëlliqësie. A nuk e kanë rrahur kështu dhe Genc Pollon, Tritan Shehun e plot të tjerë, kur kanë kundërshtuar Berishën? Ja dhe një fakt që tregon se bashkimi Meta-Berisha është krejt natyral. Po mendoni vetëm një çast çdo ndodhte sikur dikush të rrihej në mbledhjen e PS-së pse kundërshton Edi Ramën. Me siguri klani i analistëve do të hynte në grevë urie, derisa të jepte dorëheqjen Rama. Por asgjë nuk ka rëndësi para atij standardit të "çmuar" që shoqëria shqiptare është kaq e dëshiruar, atij të dorëheqjes. Nuk ka rëndësi se vidhen votat, fare rëndësi nuk ka se ato mbahen peng, nuk ka rëndësi se Meta e la të majtën e vërtetë në opozitë, fare rëndësi nuk ka se standardet në partinë e tij vijnë era raki me gjizë, po të perifrazonim bashkëvuajtësin e Klosit, Pëllumb Xhufin. Rëndësi ka standardi i ashtuquajtur "Nano". Eshtë turp i madh që largimi i Nanos, i përbuzur edhe nga elektorati i tij, quhet standard. Hipokrizia është e tejskajshme, kur një personazh i tillë, na shpallet tani si hero. Eshtë e vërtetë se ai nuk ka lidhje fare me historinë e Ramës dhe po kaq pa lidhje është pseudostandardi i tij me standardin që i kërkohet Ramës. Ish-kryetari i PS-së dha dorëheqjen, sepse kishte qenë në pushtet dhe e humbi atë, pasi shqiptarët nuk donin ta kishin më Kryeministër. Ai u largua, pasi njollosi gjithë socialistët si të korruptuar dhe dorëheqja ishte e pakta gjë që mund të bënte. Ishte një dorëheqje nga halli, sepse nuk mund t‘u kërkosh më votat njerëzve për një post, për të cilin të kanë hequr po me vota.

Sot, Edi Rama as është provuar dhe as ka dështuar si Kryeministër. Ka humbur një tentativë për t‘u bërë i tillë, paradoksalisht pa humbur as vota, as deputetë, përkundrazi duke fituar më shumë se kushdo tjetër. Pa u analizuar shkaqet e kësaj tentative që nuk u realizua dot, nuk mund të kërkosh dhe të arrish në një standard që do t‘i sjellë të mira opozitës. Kjo që i kërkohet sot me këmbëngulje Ramës, nuk bëhet në emër të opozitës së fortë nesër, përkundrazi synon të kundërtën. Nëse shkaku kryesor që PS-ja nuk do të jetë në pushtet është mosbashkimi me LSI-në, duhet analizuar seriozisht nëse ishte i mundur ky bashkim apo LSI-ja ishte një çiban i keq që mori atë që meritonte. Po ashtu, ata që duan të konkurrojnë Ramën, duhet të tregojnë se a ishin pro koalicionit me LSI-në apo kanë qenë dhe më të ashpër se Rama në këtë pikë. Opinioni shqiptar, të paktën, nuk ka dëgjuar askënd të ketë pasur një mendim ndryshe nga Rama. Edhe sikur nëpër mbledhjet e PS-së t‘u ketë munguar guximi për ta bërë një gjë të tillë, mediat shqiptare punojnë 24 orë, sidomos për zërat kundër Ramës.

Shoqëria shqiptare sot ka një problem të madh me fjalën standard. Ajo noton mes pseudostandardeve dhe standardeve të dyfishta. Pikërisht këtu noton edhe kërkesa për dorëheqjen e Ramës. Standardi i vërtetë është pritja e numërimit të votave dhe fjala e fundit e Gjykatës Kushtetuese. Paskëtaj ka vend dhe kohë për të folur për standardin që do të vendosë Rama. Një gjë është e sigurt ama, e ardhmja e tij politike tashmë kalon përmes elektoratit të majtë. Kryekëput në dallim nga e ardhmja politike e Metës dhe Nanos, që shfaqen si "best friends" kafeneve të Tiranës, jo vetëm pse i bashkon urrejtja ndaj Ramës, por sepse karriera e tyre politike këtej e tutje kalon vetëm përmes Berishës

No comments: