Wednesday, July 29, 2009

Rama-Berisha dhe precedenti "Zhospen"

shqip on line

Albert Nikolla

Sali Berisha nuk i ka fituar zgjedhjet e fundit parlamentare, por mund t‘i fitojë ato përfundimisht kësaj vjeshte, nëse brenda Partinë Socialiste riprodhohet "precedenti Lionel Zhospen". Eshtë pikërisht ky shkaku që, të gjitha bateritë e artilerisë së Berishës janë drejtuar te largimi i Ramës si kryetar i Partisë Socialiste, dhe krijimin e kushteve për aplikimin e "stilit" të Nikolla Sarkozisë në politikën shqiptare.

Dihet që fraksionet e shumta në Partinë Socialiste franceze i kanë dhënë dorë të lirë për "qeverisje me duart të hekurta" të Presidentit francez dhe partisë së tij, në jetën e të gjithë Francës.

"Precedenti Lionel Zhospen", nëse riprodhohet në jetën politike shqiptare, jo vetëm përçan Partinë Socialiste në fraksione, por edhe çimenton pozitat e Sali Berishës në politikën vendit, dhe i hap rrugën PD-së për një mandat të tretë pas të dytit, ose thënë në një gjuhë tjetër, e bën Berishën të përjetshëm në politikën shqiptare.

Por, para se të analizojmë rrezikun që i kanoset Partisë Socialiste, le të shpjegojmë precedentin "Zhospen".

Ish-kryeministri francez, Lionel Zhospen, para disa vitesh, pati vendosur kandidaturën e tij për President, përballë Zhak Shirakut, kur ky i fundit konkurronte për mandatin e dytë, duke deklaruar njëkohësisht para anëtarëve të partisë së tij, se nëse nuk fitonte, do të dorëhiqej nga posti i kryetarit të Partisë Socialiste franceze. Fati i keq e solli që Zhospen të mos fitonte, dhe për t‘u treguar një "burrë i vërtetë", jo vetëm që dha dorëheqjen nga posti i kryetarit, por u tërhoq fare nga politika. Pasojat ishin katastrofale në politiken franceze. Partia Socialiste u nda në fraksione, duke humbur edhe zgjedhjet presidenciale pasardhëse, përballë Nikolla Sarkozisë.

Dorëheqja e Edi Ramës nga posti i kreut të Partisë Socialiste do të riprodhonte precedentin "Zhospen" edhe në politikën shqiptare. Largimi i tij do ta përçante Partinë Socialiste në fraksione dhe do t‘i jepte shanse Partisë Demokratike për të qeverisur Shqipërinë edhe në 15 vitet e ardhshme. Berisha, njeriu që kurrë nuk e ka përmendur dorëheqjen e tij, as edhe në humbjen katastrofale të PD-së në vitin 1997, po i kërkon me insistim rivalit të tij të japë dorëheqjen.

Kërkesa e Ben Blushit dhe e Arben Malajt për dorëheqjen e kryetarit Rama, bëhet në një kohë krejt të papërshtatshme, dhe mund të krijojnë fraksione në gjirin e saj.

Ben Blushi është një person i aftë të bëhet kryetar i Partisë Socialiste, por në momentet e tanishme do ta merrte atë të shkatërruar dhe do të pësonte fatin e zotit Rama pas katër vitesh. Ndërkohë që, duke përkrahur Ramën, tani, ai mund të jetë pasardhësi i tij në momente më të mira politike për PS-në. Blushit iu hapën kohët e fundit dyert e shumë gazetave, që bëjnë lojën e Berishës, për të kërkuar largimin e Ramës. Por dihet tashmë që, me gorricat e Berishës nuk bëhet reçel i mirë dhe këtë e ka provuar para të gjithëve zoti Nano apo dhe zoti Ngjela. Ben Blushi, si gjetje politike e Nanos, dështoi në përpjekjet e tij për të kontrolluar klanin e deputetëve të Nanos, e aq më shumë, në lojën politike për të vendosur mikun e tij të familjes, Spartak Ngjela, në postin e kryetarit të Parlamentit. Gjithsesi, sulmi i tij ndaj Edi Ramës nuk bën gjë tjetër, veçse ndihmon ardhjen e Pandeli Majkos në krye të Partisë Socialiste, nëse Edi Rama jep dorëheqjen e pakthyeshme. Por, a mos vallë Edi Rama është aq i trashë politikisht që ta lërë Partinë Socialiste në momentet, kur ajo ishte vetëm një milimetër afër fitores?! Askush nuk mund ta besojë.

Sa për Arben Malajn, ardhja e tij në krye të PS-së do të ishte një bekim i vërtetë për Sali Berishën dhe PD-në. Kapacitetet e tij intelektuale nuk janë në atë shkallë sa të drejtonte Partinë Socialiste, për më tepër që zoti Malaj është shumë qytetar për t‘u përballur me një Berishë, që di t‘i bëjë kalkulimet nga më të sofistikuarat për të fituar pushtetin, edhe kur nuk ka më vete më shumë se 35 për qind të elektoratit shqiptar.

Duhet pranuar publikisht se loja e Blushit nuk ka kurrfarë inteligjence, megjithëse ai është inteligjent si tip. Të sulmosh tjetrin, kur mendon se ai është i dobët, është karakteristikë e kafshëve grabitqare. Të mbrosh tjetrin, kur hienat i janë sulur, është fisnikëri.

Sa për Sali Berishën mund të them: Ai është politikani më i aftë që ka njohur vendi në këto njëzet vite, edhe për faktin se përballë vetes ka pasur gjithmonë "karkaleca politikë", që kërkojnë të hanë nga pjesët e mbetura të gjethes së fikut politik. Nuk e kam fjalën për Metën, pasi nuk dua të flas për politikën në kufijtë e ekzistencës.

No comments: