Tuesday, September 01, 2009

Abdyl Frasheri: Një aleance ose vasalitet i tipit suzeren nën kurorën e Mbretit Jorgo

Book: “Greece and the Eastern Crisis” by Evangjellos Kofos,

Dossier, bisedimet greko-shqiptare (Libertas)
21 August 2009

Dossier/Qëndrimi i Abdyl Frashërit: Pranoi idenë e vasalitetit ndaj Greqisë. Bisedimet greko-shqiptare, në vitet e Lidhjes së Prizrenit. Shumëkush së fundmi në Shqipëri mund të jetë njohur me idetë e shfaqura rishtas të Ismail Qemalit në lidhje me bashkëpunimin shqiptaro-grek. Madje aq shumë besonte ai në këtë marrëdhënie saqë në 22 mars 1907 dokumentohet firma e tij në një protokoll që synonte Federatën mes dy vendeve. Por ideja e Qemalit, duket se nuk është jetime në botën shqiptare. Një pararendës i tij në luftën për pavarësi, Abdyl Frashëri, duket se ka hedhur vështrime të guximshme drejt fqinjit jugor. Një aleancë, e pse jo një vasalitet i tipit suzeren nën kurorën e Mbretit Jorgo. Dosieri i mëposhtëm shtjellon këto fakte duke realizuar ndër të tjera edhe një mision për zbardhjen e Historisë, që do të lejonte mandej rishkrimin e saj. Taktikë apo koniunkturë, shihet se elita shqiptare e Rilindjes, kapërcente “hendekun” fetar për të parë më mirë të vërtetën që i ka lidhur grekët dhe shqiptarët në një fat të përbashkët përjetësisht. Në këtë kuadër, këto ide që për shkak të imunitetit që dy figurat e shquara kanë ndaj ngulçimeve nacionaliste anti-grek në Shqipëri, nuk mund të sulmohen. Ato thjesht priren që ta fitojnë pa ndonjë shpenzim energjie statusin që edhe kanë; atë të së Vërtetës Historike.

Pjesa që po botoj është nxjerrë nga përkthimi grek i librit, tashmë klasik, të prof. Evangjellos Kofos, “Greece and the Eastern Crisis”, 1875-1878, IMXA, Selanik, 1975 (botimi greqisht nga Ekdotiki Athinon, Athinë, 2001). Në kapitullin VI të librit, në një nënkapitull me temën “Bisedimet greko-shqiptare”, fq. 117-119, autori trajton bisedimet (e dështuara) greko-shqiptare, rreth planit të vjetër për bashkëpunim midis dy popujve, për një qëndrim të përbashkët kundër Turqisë, i cili do ta çonte në një federate (apo monarki dualiste) Greqinë dhe Shqipërinë. Për autorin dhe veprën shkruan historiani i njohur K. Frashëri (“Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, 1878-1881, vol. I, Tiranë, 1989, fq. 64): “Ndër historianët grekë të pasluftës, duhet përmendur, në mënyrë të veçantë, E. Kofos, i cili u mor me lëvizjen shqiptare të viteve të Krizës Lindore, në dy punime të tij të pasura nga materiali dokumentar – në veprën kushtuar Greqisë, gjatë viteve 1875-1878, kur Lidhja e Prizrenit është parë si një forcë politike më vete dhe, në referatin kushtuar posaçërisht Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të saj”. Takimet që pati Abdyl Frashëri me grekët trajtohen më hollësisht po nga K. Frashëri (ku shihet edhe ana e historiografisë shqiptare për çështjen), në veprën “Abdyl Frashëri”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1984, fq. 91-105.
Bisedimet greko-shqiptare. Pak ditë pas rënies së Plevnës, qeveria greke dërgoi, në mënyrë sekrete, deputetin Stefanos Skouloudis, për të takuar përfaqësuesit shqiptarë në Parlamentin turk (1877). Midis tyre, ishte Abdyl Bej Frashëri dhe Mehmet Ali Bej Vrioni, me të cilët kishte zhvilluar negociata sekrete, të cilat dështuan në Janinë, korrikun e kaluar, me diplomati Mavromatis. Urdhrat e Skouloudis ishin që të arrinte një marrëveshje ushtarake me shqiptarët, edhe pse do ishin të paevitueshme bisedimet rreth statutit që do të kishte Shqipëria pas lufte. Në takimet e tij me Abdyl Frashërin, Skouloudi, nga njëra anë, rishtroi idenë e vjetër për kompozimin e një mbretërie dualiste nën (mbretin) Jeorjio – i cili do të mbante titullin “Mbret i grekëve dhe i shqiptarëve” – dhe, nga ana tjetër, ofroi autonomi të gjerë për trojet shqiptare brenda mbretërisë. Nga ana e tij, Abdyl Beu rishtroi planin e vjetër shqiptar për formimin e një mbretërie autonome shqiptare. Por, kësaj radhe, pranonte që kjo mbretëri të ishte vasale e Greqisë. Skouloudi, parimisht, nuk e kundërshtoi këtë propozim, siç kishte bërë para tij Mavromati, por propozoi që të emërohet mbret i Shqipërisë princi Nikolaos, djali pesëvjeçar i Jeorjios. Abdyl Beu nuk e mbylli derën, por insistoi që të përcaktohen kufijtë e mbretërisë shqiptare, në të cilën bënte pjesë Shqipëria Qendrore, Shqipëria Jugore dhe Epiri, por jo përkohësisht Shqipëria Veriore, ku bashkëpatriotët e tij shihnin drejt Italisë, për emancipimin e tyre politik. Duke dashur të parandalojë reaksionin grek, ndaj aneksimit të Epirit, udhëheqësi shqiptar i ofroi popullsisë greke të provincës një status të privilegjuar brenda shtetit shqiptar. Edhe kësaj radhe, Skouloudis nuk dha përgjigje të prerë për këtë propozim, sepse nxitohej që të mbyllte marrëveshjen ushtarake. Si përfundim, me gjithë përpjekjet, të dy bashkëbiseduesit nuk arritën në ndonjë rezultat pozitiv, pasi që të dy dështuan, në përpjekjet e tyre për ta bindur secilën palë të bëjë lëshime guximtare. Sidomos, myslimanët shqiptarë të Veriut, nuk ranë dakord me propozimin e Abdyl Beut, që ta pranohet plani grek, për një mbretëri shqiptare, vasale e Greqisë me mbret grek. Por edhe Athina ishte kategorikisht kundër idesë së aneksimit të Epirit në një shtet autonom shqiptar. Si rrjedhim, raundi i ri i bisedimeve greko-shqiptare mbaroi pa rezultate. Udhëheqësit shqiptarë nxitoheshin të ktheheshin në vendet e tyre, të cilat rrezikonin invadimin nga malazezët, serbët, grekët, madje edhe italianët. Para se të nisen, Abdyl Beu i zbuloi Skouloudit se udhëheqësit e shqiptarëve, nën pretekstin e invazionit të huaj, do të përpiqeshin të merrnin lejen e Portës për mobilizim të përgjithshëm të shqiptarëve. Qëllimi i tyre i vërtetë ishte që të shpallnin pavarësinë nga Perandoria Osmane. Parashtroi, pra, te Skouloudi një skicë të gjatë të planit kryengritës shqiptar edhe theksoi nevojën që të dyja palët ta evitojnë konfliktin e armatosur dhe të gjejnë, në vazhdim, mënyra bashkëveprimi. Më konkretisht, sugjeronte që ushtria greke, që do të invadonte në territorin turk, ta kishte në komandë vetë mbretin Jeorjio, kështu që prezenca e tij do përbënte një garanci të çmuar për myslimanët e Thesalisë (turq dhe shqiptarë), të cilët nuk do të bsillnin ndonjë pengesë. Pas pushtimit të Thesalisë – gjithmonë sipas Abdyl Beut – ushtria greke duhet të kthehej drejt Epirit, për të pushtuar krahinën e Artës. Në të njëjtën kohë, sugjeronte që një fuqi e rregullt ushtarake, prej rreth 5 000 vetash, të mblidhej në Korfuz, nga ku do hidhej në bregun matanë, për të prerë komunikacionet dhe ndërlidhje (e Turqisë) me Shqipërinë. Në këtë mënyrë, ushtria greke mund të shtinte nën kontroll pjesën tjetër të Epirit. Të dy negociatorët u ndanë në fund të dhjetorit, duke uruar që t’i vazhdojnë bisedimet e tyre në Korfuz. Rranë dakord, megjithatë, në pikëpamjen se shembja e plotë e Perandorisë Osmane do të thjeshtësonte bashkëpunimin midis grekëve dhe shqiptarëve. Por qorrsokaku i negociatave të Stambollit ua shtoi dyshimet autoriteteve në Athinë, të cilat vendosën që të mos furnizojnë me armë himarjotin mysliman Gjoleka, i cili ishte treguar i gatshëm të bashkëpunonte me grekët, duke çelur kryengritje në pjesën veriore të Epirit. Raundi i fundit i bisedimeve greko-shqiptare u zhvillua në Korfuz, në fillimet e shkurtit 1878, por prapë pa rezultat. Gjendja tashmë kishte ndryshuar plotësisht, pasi më 31 janar ishte nënshkruar paqja midis rusëve dhe turqve. Qeveria e re e Koumoundouros arriti në konkluzionin se nuk ekzistonin hapësira për arritjen e një marrëveshjeje me shqiptarët, sepse ata bënin kërkesa për ndihmë ekonomike dhe ushtarake dhe, nga ana tjetër, paraqisnin pretendime ndaj Epirit. Edhe Koumoundouros, që ishte partizani më i flaktë i bashkëpunimit ballkanik dhe greko-shqiptar, u detyrua t’i shkruante Skouloudis:
“E mendoj tepër të rrezikshme të kontribuojmë ne në ndërtimin afër krahëve tanët një fuqie armiqësore. Shqiptarët janë turq, me turqit kanë interes, nga ata janë ndihmuar. Pse nuk rrinë të udhëzohen nga ne? Më duket se, bashkë me ne, duan të formojnë identitetin e tyre kombëtar. Duke mos pasur mjete, i kërkojnë ato nga ne, që të arrijnë qëllimet e tyre.”

5 comments:

Anonymous said...

“E mendoj tepër të rrezikshme të kontribuojmë ne në ndërtimin afër krahëve tanët një fuqie armiqësore. Shqiptarët janë turq, me turqit kanë interes, nga ata janë ndihmuar. Pse nuk rrinë të udhëzohen nga ne? Më duket se, bashkë me ne, duan të formojnë identitetin e tyre kombëtar. Duke mos pasur mjete, i kërkojnë ato nga ne, që të arrijnë qëllimet e tyre.”

Nuk mund te formohet nje identitet kombetar i nje populli qe eshte nderkohe i formuar prej shekujsh te tere. Si duket grekerit i bene llogarite keq ne ate kohe pasi harruan qe shqiptaret i bashkonte gjuha e perbashket kudo ku ishin. Mentalitet bizantin i nje epoke te harruar tashme. Behet mire qe sillet ketu ky material per tu krahasuar me realitetin e sotem

Anonymous said...

Te dhenat historike (Natalie Clayer, Oliver Shmidtt, Maria Todorova, Noel Malcolm, Stephanie Schwandner-Sievers, Pirro Misha, Isa Blumi, Fatos Lubonja etj) tregojne te kunderten, dmth qe deri ne 1878 as qe egzistonte identitet kombetar shqiptar, madje edhe Lidhja e Prizrenit fillimisht ishte e shtytur nga perandoria otomane ne renie. Po te mos ishin bektashinjte shqiptare te arsimuar ne shkolla greke (sic thote Natalie Clayer) kjo Lidhje e Prizrenit do ti meshonte ruajtjes se lidhjeve me "baben" turk si pjese e teritorit turk.
vezhguesi

Anonymous said...

"""Te dhenat historike (Natalie Clayer, Oliver Shmidtt, Maria Todorova, Noel Malcolm, Stephanie Schwandner-Sievers, Pirro Misha, Isa Blumi, Fatos Lubonja etj) tregojne te kunderten, dmth qe deri ne 1878 as qe egzistonte identitet kombetar shqiptar, madje edhe Lidhja e Prizrenit fillimisht ishte e shtytur nga perandoria otomane ne renie."""

Mund te na japesh ndonje pasazh nga keta autore qe permende me lart ne lidhje me periudhen historike ku po flasim qe te bejme ndonje koment?!

Deri 1878 Naum Veqilharxhi e te tjere para tij kishin hedhur me kohe themelet e forta te identitetit shqiptar. Themele qe do te ndertohej me pas identiteti i plote. Gjithashtu te kujtoj se shkencerisht ne Ballkan mund te flitej per identitete kombetare vetem pas shek te 18, pasi para ketij shek kombet ndaheshin nga feja dhe jo gjuha.

Spiro

Anonymous said...

Mund te jap pasazhe sa te duash nga keta autore, por komente serioze nuk behen dot vetem duke lexuar nje paragraf te tyre. Rekomandohet leximi i plote i autoreve qe u permenden per kete tematike
Pikepamjet e Stephanie Schwandner-Sievers, Noel Malcolm, Pirro Misha, Isa Blumi mund ti gjeni ne librin Albanian identities, 2002 nga Indiana university press
vezhguesi

Anonymous said...

Ashtu eshte, rekomandohet te lexohen libra, por ama rekomandohet edhe te jepen disa citate kur debatohet per nje ceshtje. Se keshtu me permendur emra konkrete dine te gjithe, por ca na mbetet pastaj per te folur?!

Megjithate e leme me kaq se s'eshte e zakonit qe te mbushet me shume komente e debate temat qe postohen ne Himarablog.

Spiro