Friday, September 11, 2009

Berisha konstant ne grabitjen e prones se zones se bregdetit

Pronarët: Qeveria po abuzon me pronat tona

E.Senja | 11/09/2009 |Shekulli on line

Shoqata e Pronarëve të Bregdetit shprehet kundër vendimeve të qeverisë për marrjen e tokave dhe për mënyrën që është gjetur për kompensimin nga AKKP


TIRANË- Pronarët e trojeve turistike shprehen të indinjuar në lidhje me procesin e kompensimit të tokës së konfiskuar nga regjimi komunist dhe për nismën e qeverisë që i njeh të drejtën shfrytëzuesit të blejë truallin mbi të cilin janë ngritur fshatrat turistike.


Me anë të një letre te hapur, Shoqata Bregdeti i është drejtuar ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj në të cilën i kanë kërkuar shpjegime për një serë çështjesh, të cilat sipas tyre janë në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit dhe se shtojnë edhe më shumë padrejtësitë e bëra ndaj pronarëve.


Drejtuesit e Shoqatës "Bregdeti" nisur edhe nga profili i tij si juristë, krahas pyetjeve të tjera i kanë kërkuar ish-ministrit që të shpjegojë, faktin se përse është vendosur si kusht që për të përfituar nga kompensimi financiar nuk duhet që të kesh përfituar nga ligji 7501.


"Nëse vëllai që jeton në fshat ka përfituar diçka nga një privatizim ose nga ligji 7501, po vëllai i tij dhe trashëgimtarët e të njëjtit pronar përse duhet të përjashtohen nga e drejta e trashëgimisë dhe e pronës që ju ka lënë prindi i përbashkët nëse ata jetojnë në qytet.


A përputhet me nenet 181 dhe 41 të kushtetutës në fuqi, kompensimi për tokat e ndara me ligjin 7501 në zonat turistike të përcaktuara të tilla me VKM nr 88 dt 1.03.1993, kur dihet se ligj 7501, nuk merr parasysh të drejtën e pronësisë, as kufijtë dhe as vendndodhjen e tokës së shpronësuar padrejtësisht nga diktatura.


Nëse një ligj për pronat bie ndesh me të drejtën e pronësisë sipas nenit 41 dhe 181 të Kushtetutës, a duhet të anulohet, apo duhet të zbatohet dhe të thellohet edhe më tej.


Vendimet e pas vitit 1995 për dhënien e titullit "person i stimuluar" personave të tretë, pa marrë parasysh faktin se ajo tokë kishte zot dhe ishte e shpronësuar padrejtësisht nga diktatura a përputhet me nenin 181 /1 të Kushtetutës dhe ky legjislacion grabitës që ju po mbroni a mund të justifikohet se po i shërben interesit të përgjithshëm dhe nuk përbën pengesë për integrim në BE", - thonë pronarët.


Shoqata ngre edhe shqetësimin për ndërmarrjen e iniciativave nga ana e qeverisë për të miratuar në parlament një ligj në të cilin shfrytëzuesve të fshatrave turistikë që kanë ndërruar destinacion, i mundësohet blerja e truallit. Ndërkohë që sipas Shoqatës, kur fshati turistik ndryshon destinacionin, trualli i njihet dhe i kthehet trungut familjar të pronarit të shpronësuar.


"A është i saktë interpretimi ynë se sipas ligjit në fuqi, kur fshati turistik ndryshon destinacionin, trualli i njihet dhe i kthehet trungut familjar të pronarit të shpronësuar. Nëse përgjigja është po, përse ju dhe Qeveria duhet të propozoni një ligj që është shumë më i keq se shtetëzimi komunist.


Ne jemi të bindur dhe kërkojmë që ky projekt ligj duhet të pezullohet pasi është vazhdim i dhunës shtetërore mbi pronën private, shkel brutalisht nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës, realizon vjedhjen në emër të ligjit dhe është pengesë e pakapërcyeshme për tu anëtarësuar në BE.


Kompensimet që për ne pronarët autoktonë të zonës turistike, janë të papranueshme, si dhe projektligji për shitjen e trojeve të ish-fshatrave turistike a bien ndesh me ligjin 8053 të vitit 1995 dhe të ligjit 9948 të vitit 2008?


Nëse përgjigja është po, ne ju pyesim: A kanë të drejtë të shpronësuarit e zonës turistike të ankohen se Qeveria është e interesuar për thellimin e anarkisë institucionale dhe për të realizuar grabitjen e zyrtarizuar të bregdetit; se nga popujt që ndihen më shumë nën efektin e politikës dhe të mafies është popullsia autoktone e zonës turistike bregdetare", thuhet në letër. E. Senja

No comments: