Tuesday, September 08, 2009

PBDNJ, Dule: Nuk bëj koalicion me Berishën

TIRANË - Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deklaron se deri më tani, ai nuk do të bëjë koalicion me Kryeministrin Sali Berisha, për të qenë pjesë e qeverisjes. Dule theksoi se partia që ai drejton vazhdon t'i mbetet qëndrimit politik të ndërmarrë që para zgjedhjeve të 28 qershorit, për të mos bashkëpunuar me Berishën. Sipas tij, largimi i PBDNJ-së nga qeveria e Berishës kishte të bënte me arsye konkrete dhe për pasojë nuk ka një terren të favorshëm, që ta shtynte këtë parti për të rishqyrtuar edhe një herë qëndrimin politik. Megjithatë, Dule lë një shteg të hapur teksa u pyet nëse ishte marrë një vendim konkret se me cilën parti do të bashkëpunonin, PD-në apo PS-në. "Të gjithë ata që dëshirojnë të bashkëpunojnë me ne, kanë vetëm një mundësi: të na konsiderojnë si partnerë, në rast të kundërt, derën e kanë të mbyllur",- tha ai.



Z. Dule, sot (dje) është mbledhur Kryesia e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, çfarë vendimesh u morën dhe çfarë u diskutua?


Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, është në mesin e procesit të analizës së zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe paralelisht edhe në atë të riorganizimit të saj strukturor. Të dyja këto aspekte, do të plotësohen në Kongresin që PBDNJ-ja do të organizojë së shpejti, me plotësimin e procedurave të veta. Nga ana tjetër, u diskutua edhe qëndrimi që do të mbajë Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit, Parlamentit dhe zhvillimeve politike në vend.



Cilin bëni përgjegjës për humbjen tuaj në zgjedhjet e 28 qershorit?


Në asnjë moment nuk i jam shmangur përgjegjësisë personale si kryetar i PBDNJ-së. Vërtet që ka pasur shumë pengesa objektive, por duhet që të ishim treguar shumë më vizionarë, shumë më të qartë, për të kapërcyer nëpërmjet taktikave elektorale këto pengesa, të cilat buronin që nga Kodi Zgjedhor, administrimi i procesit zgjedhor, qëndrimet vullnetkëqija të të dyja forcave politike, dhe kështu me radhë. Rrjedhimisht, në këtë proces analize të zgjedhjeve, përgjegjësia do t'i kalojë deri në detajin më të vogël, atij që i takon, mua si kryetar, kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm dhe shpresojmë që Kongresi i PBDNJ-së, t'i japë një tjetër dimension politik, duke prekur në mënyrë drastike programin, statutin, dhe vetë lidershipin.



Partia Socialiste do të bojkotojë Kuvendin duke vendosur marrëdhënie të kushtëzuara me të. Cili do të jetë qëndrimi i PBDNJ-së?


Ne jemi një forcë politike, që pavarësisht bashkëpunimeve që kemi pasur, kemi ruajtur mëvetësinë tonë, kryesisht në vendimmarrje. Është çështje taktikash që çdo parti përdor për t'i shërbyer strategjisë së vet. Ne ndoqëm taktikën e pjesëmarrjes, të denoncimit publik, të fuqishëm, të prezantimit, të kërkesave, të kontestimeve dhe kryesisht të propozimeve tona, për të ardhmen e vendit. Duam të jemi të qartë me opinionin publik, se jemi duke reflektuar dhe kjo na çon në transformimin tonë drejt një zëri dhe të një politike të pa komprometueshme, që do të ketë orientim të vetëm të saj interesat e vendit, ato të integrimit mbi të gjitha.



Pra, ju pranoni të merrni pjesë në Kuvend, të cilin e keni cilësuar jo legjitim. Si e gjykoni këtë?


Është një proces elektoral i deligjitimuar, një produkt që nuk mund të pjellë asgjë të shëndoshë. Ne vlerësojmë se vetëm nëpërmjet pjesëmarrjes, denoncimit dhe propozimeve konkrete amenduese, mund të përmirësohet situata. Politika do pjesëmarrje, sepse në rast të kundërt, iniciativa në vendimmarrje nuk mund të ndikojë, sepse një votë përballë një shumice parlamentare nuk ka atë ndikimin që do të dëshironim ne të kishte. Por, nga ana tjetër, nuk është vetëm vendimmarrja, është mendimi politik, është alternativa politike dhe mendojmë se këtë duhet ta themi duke ruajtur në tërësi të gjitha rezervat tona për procesin zgjedhor të 28 qershorit. Asnjë qëndrim politik nuk mund të ndryshojë natyrën e tjetërsuar dhe thelbin e tjetërsuar të procesit zgjedhor të 28 qershorit.



Cili është qëndrim i partisë suaj, pas ftesës së ardhur nga z. Berisha për bashkëpunim?


Për të qenë transparent me lexuesit dhe opinionin publik, nuk ka një ftesë zyrtare, veçse ftesave televizive nga ana e Partisë Demokratike. PBDNJ-ja nuk ka paragjykime në bashkëpunim, është një parti e hapur me filozofinë e vet ndaj dialogut dhe bashkëpunimit me të gjitha forcat politike në vend, bile jemi një forcë që kemi bindje dhe si parim, dialogun. Kemi insistuar që jeta politike në Shqipëri është shumë mbrapa sa i përket dialogut midis forcave politike, pavarësisht nga pozicioni që ato janë në lidhje me pushtetin, pozitë-opozitë. Ne kemi një traditë bashkëpunimi si me të majtën ashtu edhe me të djathtën në të shkuarën. Ne kemi gjithashtu edhe përvojën e zgjedhjeve të 28 qershorit, kur Partia Demokratike na sulmoi në mënyrë të paprecedentë, në mënyrat nga më antidemokratiket, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve. Nga ana tjetër, ne patëm një Parti Socialiste, me të cilën ishim në aleancë parazgjedhore, e cila jo vetëm nuk mbrojti votat e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut që patën një kosto shumë të rëndë për ne, në reduktimin drastik të përfaqësimit tonë në Parlament dhe fakti se, ende PS-ja nuk ka dhënë një përgjigje se përse nuk e mbrojti votën e PBDNJ-së, na bën të dalim në përfundimin se ka pasur prapamendime edhe nga ana e Partisë Socialiste në këtë bashkëpunim. Duke ardhur në thelbin e pyetjes suaj, PBDNJ-ja u largua nga koalicioni me Partinë Demokratike para zgjedhjeve të 28 qershorit për arsye të caktuara, konkrete. Këto arsye që na larguan, nuk janë eklipsuar, nuk janë kapërcyer dhe besojmë se nuk ka një terren të favorshëm që do të na çonte në rishqyrtimin e qëndrimit tonë politik.



Z. Dule, nëse Kryeministri Berisha ju ofron një post në qeveri, a jeni i gatshëm ta shkëmbenit këtë, në favor të bashkëpunimit me Partinë Demokratike?


Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ishte në qeveri dhe u largua prej saj për disa arsye konkrete, të cilat janë ende mbi tavolinë dhe kësisoj nuk premtojnë rishqyrtim të qëndrimit politik.



Disa ditë më parë, në një deklaratë për shtyp, ju hodhët poshtë mundësinë e bashkëpunimit me PD-në, duke i quajtur zgjedhjet e 28 qershorit si një pazar anadollak, dhe se nuk do t'i hynit tundimit të këtij lloj pazari, si dhe keni deklaruar gjithashtu para 28 qershorit se nuk do të bashkëpunonit me Sali Berishën as para as pas zgjedhjeve, a vazhdoni t'i mbeteni akoma këtij qëndrimi?


Nuk kemi të dhëna të reja cilësore që mund të na çojnë në rishqyrtimin e këtij qëndrimi. Dua të ritheksoj edhe një herë, se procesi i 28 qershorit është një proces i deligjitimuar, është një proces për të cilin nuk mund të krenohet askush, është një proces mbi produktin e të cilit nuk mund të investohet asnjë iniciativë serioze. Rrjedhimisht, klasa politike duhet të reflektojë. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, duhet, si asnjëherë tjetër që të ulen në tavolinën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur, jo me shpirtvogëlsinë partiake sesi do të mbysin çdo zë të ndryshëm, përveç atij të këtyre dy forcave të mëdha politike. Të krijojnë mundësitë e amendimit sa më të shpejtë të mundshëm të Kodit Zgjedhor, dhe me konsensus të plotë, duke vënë interesat e vendit mbi ato të forcave politike, t'i hapin rrugën një ballafaqimi të ri zgjedhor, i cili do të krijojë frymëmarrje për demokracinë, për ekonominë, për shoqërinë dhe kryesisht për integrimin.



Nënkryetari i PBDNJ-së, Thoma Miço, ka pranuar ftesën për bashkëpunim me Berishën, si dhe sekretari i Përgjithshëm, Leonard Solis, ka lënë të hapur mundësinë e një bashkëpunimi me të djathtën. A jeni të ndikuar nga qëndrimet e tyre dhe a ka një qëndrim unik PBDNJ-ja?


Thoma Miço nuk ka asnjë funksion në PBDNJ. Zoti Miço ishte një militant aktiv i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit, në mënyrë publike, të hapur, të qartë dhe kësisoj ka vetëpërjashtuar veten e tij nga radhët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, qëndrim ky, që është zyrtarizuar edhe me vendim strukturash. Për zotin Miço, çdo zë mund ta marr si një zë të një dashamirësi, por, kurrsesi të nënkryetarit të PBDNJ-së, dhe bën mirë të pushojë së spekuluari me poste, të cilat prej kohësh nuk i posedon në mënyrë statutore. PBDNJ-ja është një parti që mbështetet tek zëri ndryshe. Edhe në mbledhjen e kryesisë, kishte një pluralizëm mendimesh, të cilat kemi përvojën, kemi vullnetin që t'i sintetizojmë në vendime që mbi të gjitha plotësojnë interesat e PBDNJ-së dhe përputhen me standardet që mbështetet aktiviteti i kësaj partie.



Jeni ende i luhatur për bashkëpunim me Partinë Demokratike apo Partinë Socialiste, apo është marrë një vendim konkret tashmë?


Ajo çka ka nevojë Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, është konsolidimi i saj. Nuk jemi dhe nuk i rezervojmë vetes pozicionin e një vasali dhe shpeshherë e kemi paguar këtë. Po vazhdojmë të insistojmë, të gjithë ata që dëshirojnë të bashkëpunojnë me ne, kanë vetëm një mundësi: të na konsiderojnë si partnerë, në rast të kundërt, derën e kanë të mbyllur.



Në shumë vite ju si parti keni lëvizur sa majtas dhe djathtas, a do të vazhdoni të ndiqni një taktikë të tillë edhe në të ardhmen apo do të pozicionoheni një herë e mirë në një krah politik?


Ne jemi për nga natyra një parti e qendrës. Jemi një parti që nuk kemi në filozofinë tonë dogmatizma ideologjikë dhe Shqipëria nuk ka nevojë për një dogmatizëm të tillë. Ne në çdo rast bashkëpunimi, kemi pasur një agjendë konkrete, objektiva konkrete dhe mënyra konkrete të të implementuarit, pavarësisht se jemi paragjykuar se kemi bashkëpunuar me të dy palët dhe jemi konsideruar gjithmonë si parti pushteti. PBDNJ-ja, gjithmonë nuk ka pasur pikë orientimi interesa të ditës, mikopartiake, por ka pasur interesa strategjike, interesa të vendit, interesa të shoqërisë.



Z. Thoma Miço ka deklaruar për largimin tuaj nga drejtimi i PBDNJ-së, a reflekton kjo një krizë në partinë që ju drejtoni?


Nuk mund ta fshehë askush faktin se para zgjedhjeve të 28 qershorit, PBDNJ-ja përjetoi një krizë shumë të rëndë, ku drejtues të niveleve shumë të larta, të joshura nga ofertat e Partisë Demokratike në pushtet, që do ta përshkruaja fenomenin si "viktima të korruptimit politik", u bënë pjesë integrale e PD-së, kundër përpjekjes elektorale të PBDNJ-së. Ky është një fakt, pasojat e të cilit i vuajmë edhe sot, në rezultatin zgjedhor në vetvete, por edhe në klimën e krijuar politike. Në këto momente, ata që kanë drejtën morale dhe politike, të shprehin mendim se si do të funksionojë, se si do të riorganizohet dhe nga kush do të drejtohet PBDNJ-ja, nuk janë vetëm ata të cilët iu kundërvunë me politikat dhe aktivitetin e tyre politik kësaj partie. Mendojmë se jemi përditë e më tepër duke e kapërcyer krizën, por nuk mund të flitet përpara zhvillimit të kongresit, tek i cili kemi investuar jo vetëm shpresën, por edhe të gjitha iniciativat tona për të ardhmen e kësaj partie.



A janë mbledhur strukturat përkatëse të partisë, për të diskutuar mbi mënyrën e organizimit të kongresit dhe zgjedhjes së kryetarit të PBDNJ-së?


Pas zgjedhjeve të 28 qershorit strukturat janë thirrur në vazhdimësi. Ekziston mendimi i një rishikimi tërësor dhe freskimi të programit të PBDNJ-së dhe një riorganizim i ri i strukturave të kësaj partie nga niveli qendror në nivelet e qelizës bazë të jetës së partisë. Të gjitha këto do të shoqërohen me mënyrat, metodat dhe praktikat bashkëkohore të drejtimit. Këto janë të gjitha mbi tavolinë duke u debatuar me konkludimin e grupeve të punës. Do të marrim miratimin e forumeve dhe do të na çojnë në kongresin që do të organizohet.



A do të rikandidoni ju për kreun e PBDNJ-së?


Është ende herët, pa një analizë të thellë, të detajuar të zgjedhjeve, me konkluzione të qarta mbi përgjegjësitë. Nuk mund të shpreh asnjë mendim. Rrjedhimisht, është ende para kohe.


SHEKULLI ONLINE

No comments: