Tuesday, October 06, 2009

Nusja eshte pak ... me barre

Besnik Baraj (Gazeta Panorama)

Një forcë politike e pa përfaqësuar në Parlament ...ndoshta për shkak të shtrembërimit të votimit, konfirmoi se raporti i OSBE-ODIHR-it duhet të jetë i drejtë për sa i përket cilësisë së numërimit të votave. Në raport flitet për progres në shumë drejtime, vetëm se ka një detaj shumë “të vogël”, i cili zë një pjesë shumë të vogël të vëllimit shumëfaqësh të tij. Aty thuhet: “The vote count was assessed as bad or very bad in 22 of the 66 Ballot Counting Centers”, që e përkthyer fjalë për fjalë do të thotë: Numërimi i votave u vlerësua si i keq apo si shumë i keq, në 22 qendra nga 66 të tilla”. Në shkolla ky vlerësim konvertohet në notat 2 dhe 4, pra pakaluese.
Kjo histori më kujton atë punën e nuses, kohë më parë, kur virgjëria ishte kriter ndershmërie. Nusja është ekselente, thuhej. Nikoqire dhe e gojës, i respekton njerëzit, i ka tërë të mirat, por është pak me barrë. Propozimi i PD për PS është i qartë, merreni për nuse këtë grua edhe pse është me barrë. Në fakt kohët kanë ndryshuar dhe kjo sot është gjë jo aq e llahtarshme. Me siguri sipas grup moshave gjen variacion mendimesh. “Anakronikët”, me siguri e refuzojnë nusen, qoftë edhe po të jetë pak me barrë.

A nuk ka pasur Shqipëria në kohën e komunizmit lista rigorozisht të sakta, ku askush në tërë Shqipërinë do mund të votonte 2 herë, kur pjesëmarrja ishte thuajse 100%, por edhe rezultati ishte i njohur para zgjedhjeve. Pra i tërë procesi në atë kohë ishte i kompromentuar në produktin që jepte. Po sot ç’ndodh? Thuhet kemi lista të sakta, thuhet janë nga më të mirat në botë, të bëra nga programe të sofistikuara e me kompani me reputacion deri përtej universit. Vetëm prapë ai detaji i vogël, që ngjan me reminishencat staliniste: ju votoni ne numërojmë. Nusja barrëzohet në procesin e numërimit.

Duke ju rikthyer raportit të OSBE-ODIHR-it, mendoj se të gjitha vlerësimet e bëra mbi këtë proces e kompromentojnë atë(procesin), nëse në hallkën më të rëndësishme të procesit zgjedhor, sikurse është ai i numërimit, në 33 % të qendrave të numërimit është marrë notë pakaluese ose thellësisht pakaluese. Duke bërë paralele me historinë e nuses, shtatzënia e saj na ka ndodhur pikërisht në momentin e fundit, si me thënë në fejesë, pak përpara dasmës.

Ka vetëm një mundësi për të shkuar më shpejt, më të sigurt e më dinjitoz në Evropë, duke realizuar me standarde reformat, ato që janë thelbësore në procesin e integrimit, ato që vetë evropianët i quajnë tabu, ku do të veçoja mbrojtjen e pronës dhe demokracisë. Zgjedhjet padyshim janë elementi më i rëndësishëm i strukturës që quhet demokraci.. Vetë evropianët nuk e lënë nusen të kompromentohet e ca më pak në procesin e numërimit.

Nëse ky lloj numërimi do të ndodhte në Francë, Angli, Gjermani apo edhe në Ukrahinë, zgjedhjet do të ishin të pavlefshme dhe përgjegjësit do të penalizoheshin. Ne po kërkojmë t’i ofrojmë opinionit publik dhe atij ndërkombëtar se, ky vend do mund të ecë me ritme të tjera, nëse respekton atë që vetë vendet e Bashkimit Evropian e konsiderojnë si një nga tre parimet më të rëndësishme në procesin e integrimit: zgjedhje të lira e të ndershme. “Stabiliteti” i sotëm mund të derivojë në instabilitet. Kështu na kanë mësuar ata që ne adhurojmë, ndërtojeni murin jo me tulla të shtrembra, pasi një ditë muri bie dhe dëmet morale, ekonomike, koha që njerëzit privohen të mos e jetojnë demokracinë e vërtetë, janë të pakthyeshme e të pallogaritshme. Kemi 20 vjet dhe ende mungon vullneti i klasës politike, për të bërë zgjedhje të ndershme. E mbi këtë bazë abuzohet me ndërkombëtarët duke mos i lexuar mesazhet e tyre në tërësi, por duke marrë fragmente. Abuzohet me ta që në ndonjë rast për hir të stabilitetit mbyllin sytë përballë realitetit të demokracisë tonë. Sado “modern” që jemi bërë ne shqiptarët, për sa i përket zgjedhjeve, duhet të qëndrojmë si evropianët: mos ta barrëzojmë nusen në asnjë element të zgjedhjeve, e ca më pak gjatë procesit të numërimit.

No comments: