Monday, October 12, 2009

"Sindroma Stefani"

Ramafobia si sindromë

Bledar H. Prifti | 12/10/2009 |(Shekulli)

Benjamin Franklin ka një thënie të famshme: "Inati nuk është kurrë pa një arsye, por rrallherë është kjo arsye e mirë." Dhe m'u kujtua kjo thënie, pasi lexova një shkrim dhe mendimet e analistit, Andrea Stefani, mbi liderin Socialist Rama. Epitetet që përdor Stefani janë të larmishme.


Dhe fjalitë dhe mënyra se si i shpreh ato, tregojnë se ky njeri është shumë i inatosur, në kulm i inatosur me Ramën. Mjafton të hedhësh një fjalë të mirë për Edi Ramën dhe do ta shikosh fytyrën e egërsuar të Stefanit që merr dalën-ngadalë nuanca të kuqërremta, të shoqëruara me dridhje dhe lëvizje të çrregullta duarsh. Po ç'të ketë ndodhur vallë që Stefanin e ka kllaposur "Ramafobia"?


Në fjalët dhe fjalimet e tij inatçorre, z. Stefani justifikon "politikofobinë" e tij kundër Ramës, me preteksin se Rama bashkëpunoi me Berishën për të bërë ndryshimet kushtetuese, inkluduar edhe ndryshime në Kodin Elektoral.


Për Stefanin, këto ndryshime kushtetuese përbëjnë një rrezik për demokracinë, institucionet demokratike, dhe votën e lirë. Por, ajo që Stefani dështon të faktojë është se si këto ndryshime kushtetuese cenojnë demokracinë e brishtë shqiptare.


Së pari, vlen të përmendet një pretendim i Stefanit se nga vota e lirë dalin edhe gjëra të këqija.


Këto gjëra të këqija, sipas Stefanit, dalin kur nuk ka një "sistem të pushteteve lirimbrojtëse dhe të pavarura". Për të vërtetuar hipotezën e tij, ai e nis me zgjedhjen e Hitlerit dhe që mund ta përfundojë me zgjedhjet e Kadafit, Hamasit, Ahmadinaxhadit, etj.


Ai hedh përpjetë një togfjalësh, që as vet nuk besoj se e ka të qartë në mendje, ose thjesht bën lojëra fjalësh. Çfarë konsideron ai "sistem të pushteteve lirimbrojtëse dhe të pavarura"? Le ta zbërthejmë këtë togfjalësh, apo lloj fjalësh.


Në një kushtetutë demokratike nuk ka term "sistem pushtetesh lirimbrojtëse dhe të pavarura" por ka një sistem, ku pushtetet janë të ndara në mënyrë të pavarur në tre degë kryesore: (1) legjislativ, (2) ekzekutiv, dhe (3) gjyqësor.


Legjislativi ka për detyrë të ndërtojë bazën ligjore për të mbrojtur lirinë, të drejtat e shtetasve shqiptarë apo të atyre që jetojnë në Shqipëri.


Ekzekutivi ka për detyrë të sigurojë që këto të drejta dhe liri janë të mbrojtura. Gjyqësori ka për detyrë të interpretojë kushtetueshmërinë e këtyre ligjeve, të kontrollojë zbatimin e ligjit nga ekzekutivi, dhe të zgjidhë ligjërisht mosmarrëveshjet midis individëve dhe midis shtetit dhe individit. Ndaj, Shqipëria e ka këtë "sistem lirimbrojtës dhe të pavarur".


Por, a janë këto pushtete në realitet të pavarura? Pjesa dërrmuese e shqiptarëve do të përgjigjej me një "JO!" të fortë. Këtu do të futej Stefani e do të thoshte se "këtë them edhe unë" në atë togfjalësh. Por, kjo nuk ka të bëjë me mungesën e këtyre pushteteve apo edhe me mungesën ligjore të pavarësisë së tyre.


Ligjërisht, "de jure", ato janë të pavarura, por realisht, "de fakto", ato nuk janë të tilla. Për këtë fatkeqësi, faji nuk është i sistemit por i individëve, që vënë në lëvizje sistemin. Faji nuk është i ligjit, por i individëve që nuk e zbatojnë atë.


Fakti nuk është se na mungojnë pushtetet e pavarura, por se na mungon vullneti për t'i operuar këto pushtete në bazë të ligjeve në fuqi. Ndaj, normalisht duhet të kërkohet zbatimi i ligjit dhe dënimi politik dhe ligjor për ata që e shkelin ligjin, dhe jo të bëhet lojë fjalësh.


Stefani gjithashtu, mendon se ndryshimet kushtetuese ishin goditje për "demokracinë liberale". Por, ai nuk jep detaje dhe fakte se si këto ndryshime kushtetuese godasin "demokracinë liberale". Diku ai e lidh këtë ide me hipotezën e tij se ndryshimet kushtetuese u bënë për të "hequr qafe" partitë e vogla. Por, Stefani dështon të japë shpjegime se si atëherë partia e re e çamëve arriti të futej në Parlament.


Në të vërtetë, një parti politike formohet dhe ekziston, sepse ajo përfaqëson interesat dhe ideologjinë e një shtrese ose grupimi të caktuar. Në Shqipërinë tonë, në mënyrën më të thjeshtuar, ideologjia mund të ndahet në "të majtë", "të djathtë", dhe "të qendrës" (kjo e fundit varet nga pozicionimi i LSI-së në të ardhmen).


Për sa u përket grupimeve, te ne vërehen tri grupime minoritetesh, ose komunitete kryesore: grek, çam dhe rom. Së fundmi, shtresa më e dallueshme e shoqërisë sonë është ajo e ish-pronarëve. Por, si përfaqësohen të gjitha këto entitete në politikën shqiptare?


Kompoziteti i Parlamentit na tregon se ideologjia është e përfaqësuar përmes tri partive kryesore: Partia Demokratike (PD-ja), Partia Socialiste (PS-ja), dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI-ja), por kjo nuk do të thotë që interesa të tjera nuk janë të përfaqësuara në këto forca. Komuniteti çam përfaqësohet tashmë në Parlament me dy deputetë, surprizë kjo për Stefanin. Minoriteti Grek përfaqësohet nga një deputet në Kuvend.


Shtresa e ish-pronarëve përfaqësohet në Parlament me një deputet. Gjithashtu, ngelet për t'u parë e ardhmja politike e pakicës rome, e cila varet nga mobilizimi politik i këtij komuniteti.


Duke i hedhur një sy kësaj analize dhe duke parë praninë e partive të mësipërme në Kuvendin e ri të Shqipërisë, ne mund të arrijmë në konkluzionin, se ky sistem i ri nuk ka përjashtuar asnjë parti politike që realisht përfaqëson dhe mbron interesat e grupimeve dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare.

Pra, ky Kod i ri Zgjedhor nuk ka karakteristika eliminuese, por rregullon dhe sistemon sistemin partiak, në mënyrë të atillë që t'i përshtatet kompozicionit të shoqërisë shqiptare dhe ideologjisë politike.


Inati i Stefanit vazhdon më tej kur pretendon për standard të dyfishtë të përdorur nga Rama, lidhur kjo me dorëheqjen që bëri ish-lideri socialist Nano në 2005-ën. Por ai tregohet naiv dhe hipokrit kur përmend këtë gjë, pasi Nano në asnjë moment nuk u largua, por qëndroi si fantazmë dhe u angazhua ta shkatërrojë politikisht Ramën dhe rrjedhimisht bashkë me të edhe PS-në.


Standardi i Nanos, gjithashtu, mund të etiketohet si "Ramafobi", si ajo që po gllabëron ngadalë edhe Stefanin. Ndryshimi midis atij dhe Nanos është se ai akoma nuk i është afruar Fevzi - medias dhe nuk është përfshirë në politikë kulisash, mbase nuk ka karakterin e atillë dhe pozicionin.


Për më shumë, inati kulmon, kur Stefani pretendon dhe "profetizon" se kush do të shkonte përkrah Ramës në protestë për votën e lirë më 10 Tetor "do të zhgënjehej shumë shpejt nesër".


Kjo thirrje nuk qëndron shumë larg thirrjeve të bëra nga Nano para zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme. Për Stefanin mjafton ky "profetizim" dhe kjo teori konspirative për të mos marrë pjesë në protesta për të mbrojtur votën e lirë.


Për Stefanin, Rama është më i rëndësishëm sesa vota e lirë, dhe ideali i tij për "demokraci liberale" është i pavlerë përpara qenies së Ramës në krye të protestave dhe të PS-së. Një paradoks të tillë midis të thënës dhe të bërës, midis vlerës dhe anti-vlerës, dhe midis thelbësores dhe sipërfaqësores, mund ta gjejmë vetëm te deklarimet e fundit të Stefanit. Një paradoks i tillë nuk mund të shpjegohet pa prezencën e inatit përkundrejt Ramës.


Por, ky inati i Stefanit kundër Ramës nuk është dukuri vetëm e tij. Ajo është një dukuri që gjendet e përhapur gjerësisht në politikën shqiptare. Në politikë ky fenomen shfaqet në format e sulmeve personale dhe banale politike dhe përfundimi mund të krahasohet me thënien: "për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me mullixhiun."


Ndaj mund të themi se është kjo dukuri që ka vënë Berishën kundër të tijëve, Nanon kundër Ramës, Metën kundër Ramës, Nanon gazetar kundër Ramës, dhe me radhë të gjithë kundër të gjithëve. Por, e keqja e këtyre përplasjeve qëndron në faktin se ato nuk janë përplasje idesh, ideologjish, vlerash, dhe alternativash.


Ato janë thjesht përplasje të karakterit personal për inate banale personale. Kjo është një sindromë, që për momentin mund të etiketohet si "Sindroma Stefani" e politikës shqiptare, shkaktari i së cilës mund të konsiderohet si "fobi", në rastin e mësipërm "Ramafobia

No comments: