Thursday, December 10, 2009

Kokëdhima: Berisha po cenon lirinë mediatike dhe sipërmarrëse

Shekulli | 10/12/2009

Drejtuar: Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Shqipëri, Z. John L. WITHERS II


Me anë të kësaj letre dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj situatën tejet kritike, në të cilën ndodhet liria ime si botues dhe e gjithë liria editoriale e mediave të "2K Group", prej sulmeve dhe praktikave arbitrare e të paligjshme të drejtuara në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kryeministri shqiptar, Sali Berisha.


Zoti Berisha, fill prej ardhjes në pushtet në vitin 2005, ideoi dhe udhëhoqi një politikë presioni ndaj aktivitetit mediatik dhe sipërmarrës të "2K Group" me synimin e qartë për të kufizuar, kontrolluar apo edhe likuiduar lirinë tonë botuese.


(Është për t'u theksuar fakti se, gjatë viteve 2000-2005 me zotin Berisha kemi pasur komunikime të rregullta, shkëmbime opinionesh dhe respekt të ndërsjellët. Ai, gjithashtu, më ka falënderuar disa herë personalisht për qëndrimin e drejtë të medieve tona gjatë zgjedhjeve të vitit 2005).


Si pasojë e kësaj politike abuzive, kompanitë e "2K Group" sulmohen dhe diskriminohen në çdo marrëdhënie me institucionet shtetërore të kontrolluara nga Qeveria.


Ndaj tyre aplikohen gjoba dhe pengime të shumta të paligjshme e të padrejta, ndërkohë që të mbështetur në një frymë armiqësore, të përçuar direkt nga Kryeministri Berisha, titullarët e këtyre institucioneve lëshojnë urdhra abuziv, duke na shkaktuar dëme të konsiderueshme në aktivitetin tonë mediatik dhe sipërmarrës.

(Një praktikë të 20 fakteve kryesore të presionit të Qeverisë Berisha ndaj aktivitetit mediatik dhe sipërmarrës të "2K Group" mund ta gjeni në materialin bashkëngjitur)


Kjo politikë represive është përshkallëzuar, sidomos pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009, kur Kryeministri Berisha i palumtur me fakte të ndryshme që mediat tona, në veçanti gazeta "Shekulli", kanë raportuar për publikun, ka shtuar presionin ndaj meje, duke arritur deri në atë pikë sa nga foltorja e Parlamentit apo nga karrigia kryeministrore, të kërcënojë lirinë time apo të drejtat e mia themelore kushtetuese si qytetar i Republikës së Shqipërisë.


Në këtë mënyrë, zoti Berisha, gati çdo ditë, përmes mediave, komunikon haptazi se do të sekuestrojë bizneset e mia dhe do të më burgosë mua, (bashkë me emra të tjerë biznesmenësh, gjithashtu pronarë mediesh) duke krijuar një shqetësim të madh te nëna ime, e cila ndjek lajmet në televizor në fshat, dhe te të gjithë të afërmit dhe bashkëpunëtorët e mi që jetojnë e punojnë në Ballkan, Evropë e Amerikë.


Ai nuk ngurron të nxjerrë në prononcime zyrtare funksionarët më të lartë të shtetit në një fushatë fyerjesh, shpifjesh dhe kërcënimesh, ku unë etiketohem si "mafioz" dhe krahasohem me persona të cilësuar si kriminelët më të rrezikshëm në Shqipëri.


Dua të theksoj se veç kësaj, kryeministri ka ngritur edhe një strukturë speciale të drejtuar nga ai vetë, me anë të së cilës planifikon veprimtari represive e kufizuese të strukturave shtetërore ndaj meje dhe interesave të mia të ligjshme, si dhe përndjekjen dhe kontrollimin e paligjshëm të jetës sime private apo jetës private të pjesëtarëve të familjes sime.


I nderuar Zotëri.


Me anë të kësaj letre dëshiroj t'ju informoj Ju, dhe nëpërmjet jush institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të interesuara për gjendjen e lirisë së medias dhe liritë e të drejtat në Republikën e Shqipërisë.


Me respekt,
Koço Kokëdhima


Koço Kokëdhima, President i "2K Group", një ish-matematikan, është një nga biznesmenët e parë në Shqipëri, ndërkohë që grupi i tij "2K" listohet sot si një ndër grupet kryesore mediatike në Shqipëri e rajon. Grupi kontrollon rreth 50 shoqëri me një portofol të diversifikuar në dhjetëra fusha si media, telekomunikacion, energji, ndërtim, Marketing & Advertising etj.


Zoti Kokëdhima nuk është anëtar i ndonjë partie politike. Ai është një figurë mjaft publike në Shqipëri. Zoti Kokëdhima ka çdo vit komunikim të rregullt me publikun nëpërmjet 4-5 intervistave dhe prononcimeve të shkruara apo televizive në media të ndryshme.


Zoti Kokëdhima është i përfshirë edhe në shumë aktivitete sociale, duke investuar në projekte sportive, kulturore, ambientaliste dhe bamirësie, ku shpenzohen rreth 25% të fitimeve vjetore.


"2K Group" publikon pesë gazeta e revista, boton libra të shumtë, editon dhjetëra faqe informacioni në web, zotëron aksionet kryesore në njërën prej dy radiove private kombëtare në Shqipëri, si dhe në një televizion lokal në Tiranë.


Gazeta "Shekulli", gazeta më e madhe në Shqipëri është media më e njohur e "2K Group". Koço Kokëdhima nuk është akuzuar apo dënuar asnjëherë gjatë jetës së tij për ndonjë vepër penale.


Për shpifjet sistematike dhe akuzat politike ndaj tij (dhjetëra raste) Zoti Kokëdhima ka hapur procese gjyqësore civile dhe penale ndaj Kryeministrit Berisha dhe disa funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar, përfshirë Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, ministrin Sokol Olldashi, Partinë Demokratike etj.


Koço Kokëdhima ka lindur në Shqipëri në vitin 1959. Ai jeton në Tiranë së bashku me gruan dhe tri vajzat e tij.


20 F A K T E K R Y E S O R E


të presionit të Kryeministrit te Shqipërisë Sali Berisha ndaj aktivitetit mediatik dhe sipërmarrës të "2K Group", me synimin e qartë për të kufizuar, kontrolluar apo edhe likuiduar lirinë tonë botuese!


Në materialin në vijim kemi përmbledhur 20 fakte kryesore të presionit të Qeverisë Berisha ndaj aktivitetit mediatik dhe sipërmarrës të "2K Group". Në këtë dosje është përmbledhur vetëm një pjesë e këtij presioni për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit dhe sigurisë së burimeve.


Pjesë e kësaj dosjeje nuk është as presioni që nuk mund të dokumentohet, pasi vjen nëpërmjet urdhrave me gojë dhe kërcënimeve. Për secilën nga pikat që ju do të shfaqni interes, jemi të gatshëm t'ju vëmë në dispozicion dokumente origjinale provues.


Tiranë - Dhjetor, 2009


1. Qeveria Berisha në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, në kundërshtim me nenet 11, 17, 18, 42 dhe 49 të Kushtetutës, në kundërshtim me mosdekretimin dhe vlerësimin si ligj antikushtetues nga Presidenti i Republikës, si dhe në kundërshtim me premtimet elektorale, miratoi me forcën e kartonit Ligjin nr 9531, i cili në nenin 7 i hiqte të drejtën aksionarëve të medias elektronike të konkurrojnë në tenderë publikë, si dhe të marrin pjesë në procesin e privatizimit të pronës publike.


Në këtë mënyrë, Ai e detyroi Z. Koço Kokëdhima dhe familjarët e tij të shisnin në mënyrë formale aksionet që zotëronin në televizionin "A1 Televizion" dhe Radion Kombëtare "+2 Radio". Z. Koço Kokëdhima ishte i vetmi qytetar në R.SH (Republikën e Shqipërisë), i cili u prek nga ky ligj.


2. Qeveria Berisha nëpërmjet organeve tatimore i bllokoi për gati 2 muaj (nga 17.12.2007 deri në 07.02.2008) llogaritë bankare të shoqërisë "Botimet Periodike Spekter" sh.a., me arsyetimin se kishte gati 35.000 USD detyrime të prapambetura. Në këtë mënyrë, u bllokua çdo pagesë e shoqërisë "B.P.


Spektër", duke vënë në vështirësi marrëdhënien me shtypshkronjën për printimin e gazetave "Shekulli" dhe "Sporti Shqiptar", si dhe duke lënë pa rroga gazetarët e këtyre gazetave për gati 2 muaj.


Pas 50 ditë përpjekjesh, duke ndenjur përditë, drejtori, financieri dhe avokati i shoqërisë në zyrën e tatimeve rezultoi se faktikisht, Dega e Tatimeve i detyrohej shoqërisë "B.P. Spektër" për 40.000 USD. Pas kësaj llogaritë e "B.P. Spektër" u zhbllokuan në mënyrë të menjëhershme.


3. Qeveria Berisha i ka hequr gazetës "Shekulli" të gjitha njoftimet dhe botimet qeveritare, të cilat si rregull botohen në gazetat kryesore në vend. Në këtë mënyrë, ata kanë reduktuar të ardhurat e gazetës nga reklama me 40 % ose rreth 300.000 USD në vit.


4. Qeveria Berisha, nëpërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, ndërpreu energjinë elektrike për 3 javë rresht në gazetën "Shekulli". Vetëm 30 minuta iu deshën specialistëve të KESH-it që, pas urdhrit të ERE-s (Entit Rregullator të Energjisë), ta rregullonin atë që e quanin defekt i rëndë dhe që pengoi për tri javë punën e qetë të gazetarëve të së përditshmes qendrore të vendit.


5. Kryeministri Sali Berisha nëpërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare ndërpreu energjinë elektrike për rreth 5 muaj në televizionin "A1", pasi ky televizion nuk pranoi të paguante një faturë afrofe e cila, plus interesat kapte vlerën e 80.000 (tetëdhjetëmijë) USD. Nga ky moment "TV A1" transmetoi nëpërmjet gjeneratorit, i cili pas 45 ditë pune "non-stop" pësoi defekt të pariparueshëm.


Për pasojë, televizioni "A1" ndërpreu transmetimet. Drejtuesit e KESH nuk e sollën energjinë, ndonëse morën një urdhër të formës së prerë nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), i cili e ka konsideruar faturën afrofe të paligjshme dhe ka kërkuar rilidhjen e energjisë. Vetëm pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës pas pesë muajsh pa energji dhe pa transmetim, KESH e rilidhi energjinë.


6. Qeveria Berisha, në shumicën e rasteve në kundërshtim me ligjin e informimit të publikut refuzon t'iu japë informacione reporterëve të mediave të "2K Group". Janë të shumta rastet kur, megjithëse ne depozitojmë kërkesa zyrtare, nuk marrim dokumentacionin e kërkuar. Për më tepër, zyrtarët e Qeverisë Berisha si rregull refuzojnë të japin prononcime për mediat e "2K Group".


7. Kryeministri Sali Berisha nëpërmjet zyrave të Hipotekës pengon në mënyrë abuzive dhe të jashtëligjshme procese të ndryshme rutinë lidhur me pasuri të paluajtshme në pronësi të z. Koço Kokëdhima.


8. Që prej ardhjes në pushtet të Qeverisë Berisha, shoqëria "Sirius" sh.a., është skualifikuar nga çdo prokurim publik. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore kryesisht të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ministrisë së Transporteve i kanë shpallur të gjitha ofertat fituese të "Sirius" të pavlefshme, duke i shkaktuar kësaj shoqërie dhe buxhetit të shtetit humbje me vlerë mbi 10.000.000 USD.


9. Qeveria Berisha, nëpërmjet organeve tatimore, ka bërë rivlerësim antiligjor dhe tendencioz të të ardhurave në shoqërinë "Planeti X", duke i shkaktuar kësaj kompanie një dëm ekonomik në vlerën mbi 500.000 USD. Për momentin, kjo kompani, dikur një ndër kompanitë kryesore ndërtuese në Shqipëri, ka ndërprerë aktivitetin.


10. Qeveria Berisha nëpërmjet organeve tatimore ka bërë rivlerësim antiligjor dhe tendencioz të të ardhurave në shoqërinë "IDM" sh.a. Ata nuk kanë njohur rreth 90% të faturave të shoqërisë me arsyetimin se shpenzimet për transport, për reklamë, për riparime apo për internet ..."nuk i shërbejnë aktivitetit të shoqërisë"...


Ne e kemi ankimuar këtë vendim dhe Drejtoria e Apelit e kontrolluar nga qeveria, e vlerësoi të drejtë këtë arsyetim të çuditshëm, ndërkohë që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e rrëzoi totalisht njoftim-vlerësimin, duke i quajtur 100% të drejta pretendimet e shoqërisë IDM.


Për t'u përmendur është fakti se personi që bëri akt kontrollin u ngrit në përgjegjësi, duke u bërë kryetar i tatimeve të rrethit Mat. Për pasojë, shoqërisë sonë iu bë i pamundur vazhdimi i aktivitetit. Që prej 1 janarit 2008, kombinati i drurit në Burrel, një investim prej 4 milionë USD, i përuruar në vitin 2003, ka mbyllur aktivitetin.


11. Për të dëmtuar interesat e Z. Kokëdhima, Kryeministri Sali Berisha ndryshoi planin rregullues të miratuar nga Bashkia Tiranë. I vetmi ndryshim që bëri Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (K.K.Rr.T.R.SH.) i drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha dhe Ministri i Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, ishte që të përcaktonin si zonë të gjelbër vetëm pronën e zotit Koço Kokëdhima me sipërfaqe 10.000 m2. Ky veprim i shkaktoi kësaj prone një zhvleftësim prej minimalisht 10.000.000 USD.


12. Qeveria Berisha, nëpërmjet Policisë së Ndërtimit, Dega Vlorë, urdhëroi prishjen e një kompleksi turistik në Qeparo i financuar dhe ndërtuar nga Koço dhe Aristidh Kokëdhima, pasi, sipas tyre, nuk kishte leje ndërtimi. Në mënyrë të qëllimtë, ata nuk i kthyen përgjigje ankesës sonë ku ishte bashkëngjitur edhe leja e ndërtimit dhe u organizuan për të ekzekutuar prishjen, e cila u ndalua vetëm për pasojë të një Vendimi për sigurimin e padisë nga ana e Gjykatës Vlorë.


E njëjta Gjykatë u shpreh edhe me vendim përfundimtar, duke e anuluar Vendimin e Policisë Ndërtimore, Dega Vlorë. Pavarësisht kësaj, si pasojë e frikësimit të klientelës, investimi për kompleksin turistik me vlerë rreth 5.000.000 USD është aktualisht i bllokuar.


13. Qeveria Berisha, nëpërmjet Policisë së Ndërtimit, Dega Vlorë, urdhëroi prishjen e një pallati në Himarë i financuar nga Koço Kokëdhima dhe i ndërtuar nga shoqëria "Eklips", pasi, sipas tyre, nuk kishte leje ndërtimi.


Ashtu si në rastin paraardhës, ata në mënyrë të qëllimtë nuk i kthyen përgjigje ankesës sonë, ku ishte bashkëngjitur edhe leja e ndërtimit dhe u organizuan për të ekzekutuar prishjen, e cila u ndalua vetëm për pasojë të një Vendimi për Sigurimin e padisë nga ana e Gjykatës Vlorë.


Në këtë Vendim Gjykata çmoi se ... "Shoqëria Eklips është e pajisur me një leje ndërtimi konform ligjit, për të cilin ka shlyer edhe detyrimet ndaj shtetit."... Shoqëria Eklips i kallëzoi penalisht organizatorët e kësaj vepre penale, pasi u provua se ata në momentin e nxjerrjes se Urdhrit për prishjen e objektit dispononin lejen e ndërtimit dhe se Policia e Ndërtimit dega Vlorë dhe Ministria e Rregullim Territorit e kishin kontrolluar edhe më parë këtë objekt dhe e kishin gjetur të rregullt. Vendimi i prishjes dekurajoi çdo klient dhe nga ky moment shoqëria nuk ka mundur të shesë apartamentet me vlerë prej katër milionë dollarë.


14. Përfaqësuesit e Qeverisë Berisha si rregull refuzojnë çdo lloj takimi për çështje pune me përfaqësuesit "2K Group". Ata gjithashtu refuzojnë çdo aplikim për çështje të ndryshme që shoqëritë e "2K Group" janë të detyruar të bëjnë në administratën shtetërore.


Pengesat e qeverisë, në shumë raste bëhen edhe qesharake, si në rastin e Ministrit Basha, i cili gjatë gjithë mandatit të tij si ministër i Punëve të Jashtme nuk pranoi t'i firmoste z. Kokëdhima pasaportën e shërbimit (bazuar në legjislacionin Shqiptar botuesi i një gazete me tirazh më të lartë se 5000 kopje përfiton pasaportë shërbimi).


15. Ne kemi konstatuar shumë raste kur përfaqësuesit e Qeverisë kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme dhe kanë ushtruar presion mbi trupat gjykues që kanë gjykuar konfliktet tona me qeverinë, për të dhënë vendime në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të shoqërive tona.


Ka raste kur gjyqtarët nuk kanë pranuar të japin vendimet e diktuara nga qeveria, por të detyruar nga presioni, kanë preferuar të japin dorëheqjen nga çështjet në proces gjykimi.


Flagrant është rasti i Gjyqtarit të Gjykatës Vlorë, i cili dha dorëheqjen në seancën e parafundit, pas 6 muajsh gjykimi të procesit, duke pranuar kërkesën për përjashtim të palës shtetërore, e cila e kërkoi përjashtimin pasi një ish-punonjëse e Gjykatës Vlorë punonte në një nga kompanitë e zotit Koço Kokëdhima.


16. Qeveria Berisha, nëpërmjet Drejtorisë së Doganave, pengon dhe gjobit për arsye të paligjshme shoqëritë e "2K Group". Flagrant është rasti i Shoqërisë Remonti Elektrik Elbasan, të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i bllokon dhe zhbllokon të drejtën për të importuar apo eksportuar, çdo 2 muaj, duke nxjerrë si pretekst një gjobë, të cilën vetë nëndrejtori i doganave e ka quajtur të gabuar, duke kërkuar edhe marrjen e masave ndaj personave përgjegjës.


Sa herë dogana bllokon shoqërinë tonë, ne jemi të detyruar të paraqitemi për t'ju treguar për të dhjetën herë të njëjtën histori, e cila sjell për pasojë zhbllokimin, e më pas sërish bllokimin.... për të rifilluar çdo herë nga e para...


Për pasojë Remonti Elektrik sh.a., dikur bashkëpunëtori kryesor i Korporatës Energjetike të Kosovës (rreth 40% e të ardhurave të Remontit Elektrik sh.a.,) sot nuk kryen më asnjë punë me këtë Korporatë.


17. Qeveria Berisha nëpërmjet Ministrit të kaluar të Rendit Publik, z. Sokol Olldashi, pas publikimit në gazetën "Shekulli" të një materiali që e akuzonte zotin Olldashi për lidhjet me krimin e organizuar "rrëmbeu" nga fusha stërvitore e Apollonisë (ekip futbolli i zotëruar nga Z. Koço Kokëdhima dhe Bashkia Fier) 4 futbollistët brazilianë, ligjërisht të punësuar dhe federuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.


Këta futbollistë u izoluan (me uniformen e stërvitjes dhe pa ushqim) për 3 ditë, në stolat e aeroportit "Nënë Tereza" dhe më pas u larguan për në Brazil. Për pasojë, ekipi i Apollonisë pjesëtar i Superligës, kaloi atë vit një kategori më poshtë. Futbollistët kishin hyrë në mënyrë të ligjshme në Shqipëri dhe kishin aplikuar për leje qëndrimi.


Rasti u trajtua edhe nga media braziliane dhe botërore (Reuters), e cila shprehu indinjatën dhe çudinë, se si një vend që ka aq probleme me shtetasit e tij që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në Greqi e Itali, trajton në mënyrë të tillë ata pak shtetas të huaj, për më tepër kur kishin aplikuar për leje qëndrimi.


18. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e parë të Qeverisë pas zgjedhjeve të Qershorit 2009, në kundërshtim me parimin e Autonomisë Lokale dhe me synimin e vetëm për të dëmtuar një biznes të "2K Group" vendosi rritje me 4,5 herë të taksave lokale për reklamat outdoor. Në mbledhjen e Qeverisë, për këtë qëllim, ai e quajti këtë taksë "Taksa e Mëkatit", sepse, sipas tij, politikat editoriale te medieve te grupit tone janë mëkatare.


19. Kryeministri Sali Berisha ka organizuar në muajin Nëntor 2009 e në vazhdim një fushatë sulmesh personale ofendimesh e shpifjesh ndaj presidentit të "2K Group", zotit Koço Kokëdhima. Ai e ka krahasuar Zotin Kokëdhima me persona të akuzuar për vrasje të shumëfishta, trafikim lëndësh narkotike, organizim bandash të armatosura e shumë krime të tjera të rënda.


20. Kryeministri Sali Berisha ka ngritur një të ashtuquajtur, Këshill Ligjor, i cili nën urdhrat e tij, planifikon veprimtari represive e kufizuese të strukturave shtetërore ndaj zotit Koço Kokëdhima dhe interesave të tij të ligjshme, si dhe përndjekjen dhe kontrollimin e paligjshëm të jetës së tij private, apo jetës private të pjesëtarëve të familjes së tij.


Juristja e '2K Group' Herjeta Delia: Padi Berishës për shpërdorim detyre


Kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe ministra të qeverisë kanë ndërmarrë sulme të shumta ndaj kompanisë "2K" dhe presidentit të saj, Koço Kokëdhima. Ju si juriste e kompanisë, keni ndërmarrë ndonjë veprim për t'iu përgjigjur këtyre akuzave?


Duke nisur nga muaji janar 2009, në mënyrë të përsëritur, persona të veshur me autoritet shtetëror, anëtarë të Partisë Demokratike, kanë kryer deklarata publike, duke u shprehur në mënyrë fyese dhe shpifëse ndaj Z. Koço KOKËDHIMA dhe shoqërive të drejtuara prej tij.


Por, fyerjet dhe shpifjet janë rënduar, sidomos në dy muajt e fundit, kur në adresë të shoqërive të "2K Group", janë përdorur edhe etiketime kriminale që dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme emrin dhe imazhin e këtyre shoqërive.


Në cilësinë e përfaqësueses gjyqësore të shoqërisë, me autorizimin e Z. Koço KOKËDHIMA, aksionarit të shoqërive pjesë e "2K Group" sh.p.k., në përputhje me dispozitat ligjore, kam dërguar disa padi civile në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.


Brenda pak ditësh do të depozitohet në organin kompetent edhe një kallëzim penal ndaj kryeministrit Sali Berisha, në lidhje me veprat penale të fyerjes, shpifjes dhe shpërdorimit të detyrës, kryer në mënyrë të përsëritur.


Ju thoni se keni bërë padi në gjykatë në lidhje me këto akuza. Mund të na thoni sa padi janë depozituar deri tani dhe ndaj kujt janë këto padi?


Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë kemi depozituar katër padi. Këto padi janë drejtuar ndaj Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Kryetares së Kuvendit, Ministrit të Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacioneve dhe Partisë Demokratike.


Cili është objekti i padive tuaja dhe çfarë synoni që të arrini prej tyre?


Këto padi kanë për objekt shpërblimin e dëmit moral, si një kategori e posaçme e dëmit jopasuror, që i është shkaktuar Z. Koço KOKËDHIMA dhe shoqërive të drejtuara prej tij dhe publikimin e përgënjeshtrimeve të deklaratave fyese dhe shpifëse.


Duke vlerësuar fyerjet dhe shpifjet e kryera në mënyrë të përsëritur nga palët e paditura, janë cenuar rëndë, emri, nderi, dinjiteti dhe veprimtaria e të dëmtuarit, si sipërmarrës dhe shtetas i Republikë së Shqipërisë. Këto fyerje dhe shpifje, i kanë shkaktuar Z. Koço KOKËDHIMA një dëm të rëndë moral, duke përcjellë cenimin e të drejtave dhe interesave jopasurore.


Këto të drejta gëzojnë mbrojtjen më të lartë kushtetuese, sipas neneve 3, 15, 42, preambulës së kushtetutës dhe nenit 5, 608, 625/a të Kodit Civil. Ato deklarata e kanë ekspozuar Z. Kokëdhima dhe shoqëritë e tij ndaj gjykimit dhe vlerësimit negativ të publikut, bashkëpunëtorëve, klientëve, rrethit shoqëror, punëmarrësve etj.


A mund të kompensojnë vendimet e gjykatave dëmin që i është shkaktuar shoqërive pjesë e "2K Group"?


Fyerjet dhe shpifjet e përdoruara ndaj shoqërive tona dhe drejtuesit të tyre janë kryer botërisht, në konferenca për shtyp, në Kuvend, në Kryeministri, janë pasqyruar gjerësisht në median vizive dhe të shkruar.


Ato janë kryer nga organet më të larta qeverisëse në vend, që natyrshëm, për shkak të autoritetit shtetëror, gëzojnë besueshmëri te shtetasit shqiptarë. Thëniet e deklaruara prej tyre lehtësisht mund të pranohen dhe besohen si të vërteta nga mbarë opinioni shoqëror.


Prandaj, dëmi që i është shkaktuar shoqërive tona është shumë i madh dhe i pakthyeshëm. Nëpërmjet etiketimeve fyese, të kryera në mënyrë të përsëritur është prekur emri dhe imazhi i shoqërive tona, i ndërtuar në mënyrë serioze për gati 20 vjet. Vendimet gjyqësore nuk mund të kompensojnë dëmin real të shkaktuar, dëmi është i pamatshëm, shumë i madh.

Cilat janë hapat që do të merren nga kompania "2K Group", nëse do të ketë akuza të tjera në drejtimin tuaj nga ana e pushtetarëve?


Shoqëria "2K Group" do të përdorë të gjitha mjetet juridike të njohura nga legjislacioni shqiptar për t'u mbrojtur nga cenimi i të drejtave dhe interesave të ligjshme.

1 comment:

Anonymous said...

sipas Kokedhimes: Qeveria Berisha, nëpërmjet Policisë së Ndërtimit, Dega Vlorë, urdhëroi prishjen e një kompleksi turistik në Qeparo i financuar dhe ndërtuar nga Koço dhe Aristidh Kokëdhima, pasi, sipas tyre, nuk kishte leje ndërtimi."


Megjithese jam dakord pergjithesisht me problemet qe ngre kocua, per ceshtjen e Qeparoit, mund te them se ka kryer nje akt te rende qe ka grabitur fushen e sportit te qeparoit dhe e ka kthyer ne kompleks turistik. Me leje pa leje, asnje qeparotes nuk i ka dhene leje ti marre ate qe u takon te gjitheve.

Dua gjithashtu te them se megjithse thote se ka bere akte bamiresie, ne fshatin e tij te lindjes ne Qeparo nuk ka arritur kjo bamiresi. Urojme te pakten te sponsorizoje per te pastruar bregun e detit nga mbeturinat qe shemtojne cdo behar Qeparoin.
Koco, Bej ndonje gje te mire per qeparone e mos e hiq kerraben vetem nga vetja.

Mehallenxhiu