Tuesday, December 29, 2009

Kryesia e PS dhe deputeti Toçi të përgjigjen publikisht pse janë kundër kthimit të pronës tek pronari

Nga Niko NESTURI

Zotërinj të nderuar,

Kryesisë së Partisë Socialiste i janë drejtuar disa kërkesa që ajo të shprehet publikisht për problemin e pazgjidhur të pronës së trashëguar. Kërkesa e fundit i është drejtuar Kryetarit Edi Rama fill para kongresit të PS, por ajo nuk është përgjigjur. Shkak për këtë debat publik është deklarata televizive e deputetit socialist Fatmir Toçi me datë 26 Dhjetor 2009, dhe e përsëritur shumë herë në disa ekrane (NTV, Neës 24. Neës, ora Neës. TV Clan, Tv Koha etj, dhe në

shumicën e gazetave të ditës në vijim) Deputeti Toçi në thelb u shpreh se “... Është antikushtetuese të shkohet në ulje të sipërfaqes së dhënë në përdorim (punonjësve të fermave)… por kjo sipërfaqe duhet të shtohet … përndryshe Fatmir Toçi shpall alarmin për prishje të sistemit demokratik. Sipas deklarimit të Toçit kthimi i pronës tek i zoti të atyre pronave që duhet të ishin kthyer që 18 vjet më parë do të rrisë konfliktin social .... dhe sipas tij hidhen në rrugë (!!) njerëzit në nevojë (!!). Për këtë Partia Socialiste do ti kërkojë Presidentit të Republikës, të mos e dekretojë këtë ligj.


Në vlerësimin tonë ligji i propozuar nga PD nuk duhet të dekretohet nga Presidenti i Republikës, pasi bie ndesh me nenin 181 të Kushtetutës dhe jo për shkak të arsyetimit antikushtetues të deputetit Fatmir Toçi. Lufta kundër korrupsionit dhe mafies së pronave turistike kërkon zbatimin e ligjit 8053, ligj të cilin Politikanët deri sot e kanë shkelur pasi kanë përfituar dhe tani duan të eliminojnë gjurmët. Ndërsa ligji i PD, formalisht e përgjysmon vjedhjen e pronave që kanë zot, nga 1500 m. katrore në 700 ose 350 m. katrore, deputeti Fatmir Toçi, propozon të kundërtën. Ai sikur të kishte marrë medaljen e Katovicës e kundërshton ketë dhe kërkon që pronarët të grabiten akoma më shumë (!). Kjo synon që masakra e bërë nga PD /PS dhe varianti i keq i PD, të duket mirë. Nuk dimë nëse ky është mendimi i deputetit Toçi, apo i vendim i kryesisë të Partisë Socialiste. Ne jemi të sigurtë që kjo nuk është kërkesë e bazës së Partisë Socialiste, e cila përfaqëson popullin e ndershëm që jeton me punë të ndershme, e urren vjedhjen e pronës së tjetrit. Përse nuk analizoni protestën e fundit të Dukatit dhe Orikumit ku njerëzit e ndershëm kërkuan secili pronën e tij dhe nuk begenisin pronë të grabitur si lëmoshë prej politikanëve të shoqëruar me belara të përjetshme me të zotin e pronës ...


E ftojmë deputetin Fatmir Toçi të sqarojë përse është kundërshtar i kthimit të pronës së trashëguar tek i zoti, përse është mbrojtës i anarkisë dhe i vjedhjes, vazhdues i politikës sllavokomuniste të Katovicës dhe varrmihës i Shqipërisë së jugut. Deklarimi i deputetit Fatmir Toçi na imponon të theksojmë se do të ishte në nderin e tij dhe në nderin e familjes tij dhe të Partisë Socialiste që të kërkohet zgjidhja e pronës në përputhje me detyrimet kushtetuese (nenit 181) dhe të kërkesave të përsëritura të KE, BE dhe Senatit të SHBA. Lidhur me Dekretin e vitit 1996 të Presidentit Berisha, që si nga fryma, nga përmbajtja dhe procedura e ndjekur është antikushtetues, ne rekomandojmë leximin e analizës së legjislacionit për pronat të botuar nga Qendra Për Ndihmë Juridike Falas “TLAS” dhe Qendra për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në vitin 2000. Nuk vemë në diskutim se deputeti Toçi do ta kuptojë drejtë këtë analizë juridike. Ju kujtojmë se edhe me vendimet e gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, pronat që diktatura ja grabiti pronarëve të ligjshëm që kanë zot, nuk janë prona të shtetit, të qeverisë apo të politikanëve. Po ashtu deputeti dhe cilido politikan qoftë ka të drejtë të deklarojë se fal pronat që ai personalisht i trashëgon prej babait të tij, por jo pronat e grabitura nga qeveria komuniste që shteti demokratik ka detyrim kushtetues t’i kthejë tek i zoti.


Pyetjet publike për të cilat jemi të interesuar të sqarojmë janë:


1. Në bindjet tuaja: Respektimi i të drejtës së pronës në një shtet demokratik është kategori politike, është problem i politikës së majtë apo të djathtë, apo çështje e të drejtës?


2. Në formimin tuaj personal dhe familjar të z. Toçi si dhe në parimet e majta të Partia Socialiste, malli apo prona e grabitur i kthehet të zotit apo kjo quhet pronë e atij që e ka grabitur (pronë e qeverisë komuniste-postkomuniste) dhe ajo ka të drejtat e pronarit mbi atë pronë dhe na paska të drejtë të krijojë “borgjezët e rinj”. Këtë përgjigje do të na interesonte ta kishim edhe nga socialistët europianë


3. Përse popullsisë autoktone të Bregdetit ju mohohet e drejta e pronës së trashëguar që është shkelur prej vitit 1945 me ardhjen në fuqi të diktaturës sllavokomuniste dhe kjo e drejtë po vazhdon të shkelet edhe sot 19 vjet pas vendosjes së pluralizmit politik?


4. A kanë të drejtë pronarët autoktonë të Bregdetit të ju konsiderojë klan grabitësish, pa kurrfarë doktrine politike, që keqpërdoroni median dhe pushtetin politik për të përfituar duke imponuar një standard të dyfishtë për pronat. Konkretisht në veri prona është kthyer fizikisht tek i zoti që në vitin 1991-92 dhe çdo familje ka shkuar në kufijtë e para vitit 1945; ndërsa në zonat turistike pronat nuk janë kthyer tek i zoti, vazhdon pushtimi i trojeve të lira dhe ndërtimet pa leje nga persona të tretë që mbrohen nga politikanët.


5. Nëse lëmosha me ligjin e fundit të PD “ju dhuron” ish punëtorëve të fermës 350 apo 700 m. katrore dhe deputeti Toçi propozon që kjo sipërfaqe të dyfishohet ose edhe më shumë, po për arsimtarët, inxhinierët, minatorët që kanë punuar në shkollën aty pranë dhe ata që kanë punuar në zonat e thella të veriut çfarë do të ofroni për dhuratë??


6. Prona e grabitur duhet ti kthehet të zotit ashtu siç kërkojnë parimet e së drejtës morale dhe ligjore, që zbatohen në të gjitha vendet anëtare të NATO- s dhe BE. Nëse ky veprim deri tani në Bregdet u pengua për shkak të mentalitetit komunist që kanë degjeneruar në korrupsion dhe hajdutëri, dhe nëse ju keni ndërgjegje kombëtare dhe pikëpamje demokratike përse nuk propozoni dhe nuk sensibilizoni sot për të bërë këtë korrigjim por bëni të kundërtën?


7. Përse bregdetasit nuk duhet ti kthehet ngastra e tokës, ullinjtë, shtëpia ose prona e babait të tij, që janë dhe atdheu i tij, që ju grabitën padrejtësisht nga diktatura? A nuk e kuptoni se kjo është një politikë vëllavrasëse e deri genocid që as Millosheviçi nuk guxoi ta bënte në Kosovë megjithëse bëri të nëntëdhjetenëntat?


8. A mund të pranohet Shqipëria në Europë kur anulohet ligji 8053, neni 2 i të cilit duhej ti kishte kthyer që në vitin 1995 tokat e ish NB në zonat turistike tek i zoti. Por sot pas 18 vjetësh Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kërkojnë një ligj që për zonat turistike të shkelet e drejta e pronës së trashëguar, që këto prona të përvetësohen nga klanet. Kjo do të thotë: mos diskutoni për ato që ne politikanët e pas vitit 1991 i përvetësuam, tani të diskutojmë çfarë mund të përfitojmë tjetër?


9. Nëse jeni për shtetin ligjor, përse nuk propozoni që shteti pasi të vjeli qiranë e përdorimit për këto prona (ish NB), të kompensojë ata punëtorë që ua ka dhënë në përdorim dhe kompensimi të bëhet me prona që janë të shtetit, pra aty ku shteti ka qenë pronar i mirfilltë para grabitjes komuniste.


10. Kërkojmë që për këto pyetje të shprehet dhe Kryesia e Partisë Socialiste.


11. Kërkesën për moskthimin e pronës tek i zoti, pronarëve autoktonë të Bregdetit të deputetit socialist Fatmir Toçi, ne e denoncojmë përsëri si mohim të atdheut, si politikë të Katovicës dhe akt të tradhtisë kombëtare për të cilin jo vetëm familja dhe rrethi shoqëror do t’ju ndëshkojë si mëkatarë, por dhe historia do t’ju njollosë.


Respektimi i të drejtës së pronësisë, dhe zbatimin e nenit 181 të Kushtetutës për pronat e trashëguara, në zonën e Bregdetit Vlorë-Sarandë është përparësia e veprimtarisë së shoqatës “Bregdeti”. Ne mbështesim Shoqatën Kombëtare e të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” që kërkon kthimin e pronës tek i zoti në të gjithë vendin, pasi demokracia fillon me kthimin e pronës tek i zoti. Ne guxojmë të mbrojmë të drejtat tona dhe gjithashtu shpresojmë që deputeti Toçi dhe Kryesia e Partisë Socialiste të kenë burrërinë t’ju përgjigjen me urtësi këtyre pyetjeve në këtë problem për të cilin janë të interesuar të gjitha familjet autoktone të Bregdetit, problem që kohë më parë ish kryeministri socialist Pandeli Majko e vlerësoi problem me rëndësi kombëtare .



*Kryetar i Shoqatës “Bregdeti”

No comments: