Thursday, January 14, 2010

Ligjesohet me dekret presidencial grabitja e tokave ne zonen e bregdetit

Vendimi (Gazeta shqip ojn line)

Partia Socialiste kishte kërkuar nga kreu i shtetit kthimin e nismës ligjore në Kuvend

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje ligjin e miratuar në fund të vitit nga Kuvendi “Për disa shtesa në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 ‘Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore’”. Kreu i shtetit shqiptar ka hedhur firmën për të shpallur këtë ligj, për të cilën opozita kishte kërkuar mosdekretimin e tij. Si pasojë, pritet që së shpejti Partia Socialiste të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit.

Në këtë ligj bëhet kompensimi nga 300-750 m² tokë për banorët e zonave bregdetare. Sipas ligjit “Përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt, të vitit 1996, kompensohen me truall në zonat urbane, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.

Përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt të vitit 1996, të kompensohen me truall në zonë turistike, në çastin, që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.

Kalimi i tokës së përdoruesve, për kompensim fizik, për subjektet e shpronësuara, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa kalimi i tokës së përdoruesve, për ndërtime publike, bëhet, sipas rastit, me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Qarkut ose të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për urbanistikën. Në fund të dhjetorit, Partia Socialiste i bëri thirrje Presidentit të Republikës të mos e dekretojë ligjin për kompensimin e ish-fermave në bregdet.

Sipas saj, ligji thekson që familjet dhe individët, që kanë në përdorim toka bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore brenda vijave të verdha urbane dhe rurale, apo në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, do të duhet të heqin dorë prej tyre kundrejt një kompensimi që do t’u bëhet me një sipërfaqe simbolike trualli.

No comments: