Tuesday, February 16, 2010

Dora Bakojana “Askush nuk ju ndalon të hapni shkolla shqiptare në Greqi.

Abdurahim Ashiku

Gazetar,

Athinë 23 janar 2010



Deshmitar ne gjyqin e gjuhes shqipe

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Drejtësia greke i jep pafajësi drejtoreshës së shkollës fillore të Gravas në Athinë Stela Protonotario dhe mësueses së gjuhës shqipe Denada Karkallo, pushuar nga puna dhe akuzuar se kanë hapur klasat për mësimin e gjuhës shqipe në shkollë publike. Unë kështu do ta quaj, “Gjyqi i gjuhës shqipe” thjesht sepse si në formë po ashtu edhe në përmbajtje atje u gjykua gjuha shqipe. Kjo ndodhi të premten e 22 janarit 2010 në sallën 15 të godinës 2 të kompleksit të gjyqeve të Athinës

Drejtësia greke i jep pafajësi drejtoreshës së shkollës fillore të Gravas në Athinë Stela Protonotario dhe mësueses së gjuhës shqipe Denada Karkallo, pushuar nga puna dhe akuzuar se kanë hapur klasat për mësimin e gjuhës shqipe në shkollë publike.

Unë kështu do ta quaj, “Gjyqi i gjuhës shqipe” thjesht sepse si në formë po ashtu edhe në përmbajtje atje u gjykua gjuha shqipe. Kjo ndodhi të premten e 22 janarit 2010 në sallën 15 të godinës 2 të kompleksit të gjyqeve të Athinës.

Dëshmitar publik i rrjedhës së ngjarjes më duhet të kthehem shtatë vite më parë kur u njoha, bisedova, bëra fotografi me qendër fokusimi dy mësueset tashmë dy të akuzuarat e 22 janarit 2010, Stela Protonotario, drejtoreshë e shkollës fillore të Gravas dhe Denada Karkallo mësuese e gjuhës shqipe.

Kjo ndodhi më 8 prill 2003. Gazetar në një gazetë, jetëshkurtër si shumë gazeta të tjera shqipe në Greqi Rilindja XXI, mëngjesin e asaj dite u gjenda në mjediset e shkollës së Gravas, mjedise të cilat nuk ishin të panjohura për mua sepse atje filloi dhe mbaroi liceun djali im. Kësaj radhe nuk shkoja si prind por si shkronjës i një ngjarje që lidhej me gjuhën shqipe, me mësimin për herë të parë të saj në mjediset e një shkolle publike greke.

Ngjarjen e kam përshkruar në një reportazh që u botua në një faqe gazete atëherë dhe në librin “Rilindësit e kohës sonë – 2” më vonë. Kërkova të takoj drejtoreshën. Më thanë se është tek zyra e fotokopjuesit dhe më udhëhoqën për atje. E gjeta së bashku me një mësuese shqiptare tek fotokopjonin faqe nga Abetarja e gjuhës shqipe. Më ngrohu ky veprim dhe ndjeva krenari që një greke, një drejtoreshë e një shkolle greke, fotokopjonte abetaren e gjuhës time të nënës.

U shkëput dhe pasi shkëmbyem përshëndetjet e rastit nëpërmjet një buzëqeshje që i ndriçonte sytë dhe tërë qenien, në moment u gjetëm të rrethuar nga katër vajza të qeshura e të gëzuara që iu hodhën në qafë. Ishte një moment i jetës sime që nuk mund ta harroj. Katër vajzat, siç edhe do të shënoja në bllok emrat e tyre: Joana Koça nga Vlora, Juli Cirici nga Gjirokastra, Elona Dolani nga Elbasani dhe Katerina Gjerkuqi nga Saranda, si të takonin nënën e tyre iu hodhën në qafë dhe e puthën mësuesen, drejtoreshën e tyre. Derisa nxora aparatin fotografik më kaluan shumë momente intime të një dashurie dhe respekti prindëror, puthje nëne e puthje fëmije. Një moment e fiksova dhe e kam në albumin e jetës sime.

Drejtoresha më tha që të vija pasdite për të parë me sytë e mi atë që kërkoja.

Shkova. Përjetova çaste emocionuese midis nxënësve të mësuese Denadës, mes fëmijëve të saj nga e gjithë Shqipëria. I përjetova atë ditë në një klasë dhe sipas regjistrit me klasat në ditët e tjera, pesëdhjetë e tre. I mora një për një emrat e nxënësve dhe i bëra pjesë të reportazhit tim. Më tej përjetova një tjetër çast të bukur: një klasë me prindër, baballarë e nëna të atyre nxënësve që mësonin greqisht. Ajo grua, ajo drejtoreshë shkolle kishte kombinuar mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët me mësimin e greqishtes për prindërit e tyre, një gjë që flet më shumë midis rreshtave se sa në rreshta.

Reportazhi u botua me mbylljen domethënëse të Stela Protonotarios:

“Ju faleminderit shumë për ndihmën që na dhatë. Duam që nisma jonë të mos qëndrojë këtu por të shkojë edhe në shkollat e tjera në Athinë dhe në të gjithë Greqinë. Kështu do të rritet kultura dhe bashkëpunimi me vendet e tjera nga vijnë të rriturit dhe fëmijët. Fëmijët duhet të vazhdojnë mësimet, të shkruajnë e lexojnë në gjuhën e nënës së tyre. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të mësohet gjuha e nënës dhe të ndihmojnë veten e tyre edhe në zhvillimin e dijes dhe të kulturës”

Ai reportazh do të mbetej në “arkivin e gazetarit” për tu botuar pjesërisht në librin “Rilindësit e kohës sonë” dhe i plotë në librin “Shkolla shqiptare e Athinës- Rilindësit e kohës sonë -2”

Kishte një arsye ribotimi i atij shkrimi. Ngjarjet kishin rrjedhë në një klimë të shëndetshme ku në Grava do të hapeshin jo vetëm klasa të gjuhës shqipe por edhe të gjuhës arabe, kjo derisa vjen një “ciklon” jo nga natyra por nga ajo rrjedhë që lidhet me ksenofobinë dhe racizmin do të shprazej mbi drejtoreshën e shkollës të cilën e zbuan nga detyra dhe mësimit të gjuhës shqipe i kishin vënë “kyçin e ndryshkur” të rrymës që kishte ardhur “nga lart”. Jo vetëm kaq por drejtoreshën e shkollës dhe mësuesen shqiptare i kishin hedhur në gjyq.

E ribotova reportazhin e 8 prillit 2003 me një shtojcën...

...Kisha dëgjuar se Stela Protonotarion, drejtoreshë e shkollës së Gravës në Athinë e kishin pushuar nga puna...

Arsyet e pushimit nuk i kam të qarta. Flitej për një qarkore të ardhur nga “lart” ku ndalohej hapja e dyerve në shkollat greke për mësimin e gjuhës së mëmës për emigrantët e vegjël...

Nuk kam arritur ta siguroj atë “qarkore”, qarkore e cila do të përgënjeshtrojë deklaratat në efir të ministrave përkatës të arsimit të Shqipërisë dhe Greqisë se klasat në shkollat greke mirëpresin fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën e nënës...

Do të përgënjeshtrojë thënien e ish kryetares së bashkisë së Athinës Dora Bakojani...

“Askush nuk ju ndalon të hapni shkolla shqiptare në Greqi.

Duhet që vetë shteti juaj të ketë një interes në këtë drejtim.

Ne ju ndihmojmë me ambientet, ndërsa ju duhet të siguroni librat dhe mësuesit”.

Më 13 qershor 2009 një mik imi, njohës i një reportazhi që unë kisha bërë për shkollën e Gravës dhe drejtoreshën Protonotariu, më thotë se javën e ardhshme, në gjykatën e Athinës, do të ketë një gjyq ndaj saj...

Më 17 qershor një e_mail në adresën time elektronike më njoftonte: “Gjyqi i mësueses ishte dje por u anulua për më 22 janar 2010...”

Do të mundohem të mos e humbas atë gjyq, madje të dal edhe dëshmitar okular i një dashurie dhe përkushtimi qytetar të Stela Protonotarios ndaj fëmijëve shqiptarë, dashuri që ata ia përcillnin mësueses-nënë e dytë për ta, me puthje të pafajshme, fiksuar edhe në fotografitë që bëra atë ditë të prillit 2003...

* * *

Kaluan muaj derisa një ditë gjeta celularin e Protonotarios. Tre ditë para gjyqit e mora në telefon dhe i shpreha mbështetjen time, madje edhe si dëshmitar. I thashë se do ti dhuroja edhe librin tim, gazetat dhe fotografitë që kisha bërë atë ditë. Më falënderoi dhe pasi më tha që të takohemi në orën 9.30 ditën e gjyqit më dha një adresë elektronike, www.132grava.net për një informacion të gjerë.

Trokita mbi adresë dhe para meje u hap një botë e madhe. Pranë drejtoreshës ishte pa ekzagjerim e gjithë bota. Nuk e di në se kishte ngelur institucion demokratik përparimtar në Greqi dhe në botë pa u indinjuar dhe pa iu drejtuar drejtësisë greke që Stela Protonotarion dhe Denada Karkallon ti shpallnin të pafajshme. I mblodha dhe për disa orë i sistemova në një zarf kompjuterik, ndoshta, po të gjej ndonjë përkthyes të saktë, për ti bërë pjesë e librit “Rilindësit e kohës sonë-3”. Mos u nxitoni për të dalë “vullnetar”. Nuk është fjala për dhjetë apo njëzet faqe. Fjala është për më se treqind faqe, madje faqe që shtohen çdo ditë, tashmë, që nga 23 janari jo si thirrje për pafajësi por si urim...

Tek u bija diagonal titujve ndjeva një boshllëk, përjashtuar një vajzë shqiptare që ngrinte zërin në mbrojtje të ish mësueses së saj, asnjë zë nga vendi im. As nga shteti, as nga tubimet e shoqatave e shoqata veç e veç, as nga degët e partive politike të majta e të djathta. Shteti shqiptar, shoqatat dhe partitë shqiptare, këtyre tubimeve që bëjnë namin për votën e emigrantit dhe lëvizin mijëra autobusë e derdhin miliona lekë për vota, këta njerëz që e bëjnë gjoksin hendek për patriotizëm nuk iu vunë edhe me një fjalë të vetme krah një mësueseje shqiptare që pse u kishte mësuar fëmijëve shqiptarë gjuhën shqipe rrezikohej të hynte në burg, të linte për muaj apo vite dy fëmijët e vet pa nënën pranë. Për më tepër kjo sepse këtu nuk ishte e pandehur Denada Karkallo por ishte e pandehur gjuha shqipe.

Mora në telefon mikun tim Jovan Mëhilli që ndjek mësimin e gjuhës shqipe në emigracion dhe i thashë të shkojmë në gjykatë, ta ndjekim por edhe të japim dëshminë tonë në mbrojtje të dy të pandehurave.

U ngroha paksa kur në mjediset e gjykatës erdhën dy vetë nga ambasada shqiptare, ngrohje që atë ditë tepër të ftohtë athinase do ta ndjeja me praninë e tyre pesë orë në këmbë, si edhe unë, në gjykimin e çështjes.

Pesë orë në këmbë, midis njerëzve si në “kuti sardelesh” për një njeri që po mbush shtatëdhjetë vjeç janë të lodhshme. Nuk i ndjeva, madje sot që po shkruaj më ngjan se më kanë bërë mirë fizikisht, por mbi të gjitha shpirtërisht.

I takova përpara se të uleshin në stolin e drunjtë të të akuzuarit edhe Stelën edhe Denadën. Nuk ishin ato që kisha parë shtatë vjet më parë; të qeshura, të gjalla, ëndërrimtare. E pashë që ishin të lodhura, të vrara nga pesha dyvjeçare e një akuze pakuptim. Kjo nga jashtë se nga brenda pashë diçka tjetër, guximin, krenarinë, vendosmërinë për të luftuar për të drejtën dhe bindjen e tyre. Kësaj i shtoheshin njerëzit që kishin mbushur si asnjëherë hyrjen e më vonë sallën e gjyqit. Në atë moment nuk e di se si fluturova në botanikë për të gjetur një lule, petalet e së cilës rrethojnë thekët dhe pistilin që formojnë farë e fryt. Gjeta shumë por jo si ky mjedis njerëzor, këta njerëz që rrethonin Stelën dhe Denadën.

...Filloi gjyqi. Në harkun e tavolinës një bojë burri të lartë, në qendër u vendos gjykatësja, një vajzë e re nga pamja në harkun e të tridhjetave që siç do të dëgjoja më vonë nga avokati ishte “në fillim të karrierës së saj”, në të djathtë prokurori dhe në të majtë sekretarja. Seriozë, të vëmendshëm, veshngrehur e symprehtë, njerëz që ngjallnin një përzierje frike me respekt.

Nuk lejohej filmimi e fotografimi. Diktofoni në një “sy xhepi” nuk ishte aq i fuqishëm sa të kapte bisedat mes dëshmitarëve dhe trupit gjykues. E vetmja gjë që më mbeti ishte të fiksoja në kujtesë pamjet, lëvizjet dhe të kapja sa mundja fjalët, shumë prej të cilave o nuk vinin të qarta ose ishin të “gjuhës së gjyqit e ligjeve”.

Fiksova një pamje që nuk e di në se është parë në ndonjë gjyq. Avokatja me një turrë letrash, sa në krah sa në tavolinë, se nuk ia mbanin duart, një nga një ia zgjaste gjykatëses duke i treguar adresat nga vinin: protesta, thirrje, vota nga e gjithë Greqia dhe nga institucione e personalitete nga Evropa, ShBA, Kanada etj. Midis tyre edhe një dokument zyrtar nga Avokati i Popullit Grek. Ishte letra që u shfletua fletë për fletë në fillim nga gjykatësja dhe më pas nga prokurori...

Kur më në fund mbaroi dorëzimi dhe mbi tavolinën e gjykatëses u formua një “mullar” i tërë me dokumente, “mullar” që për disa sekonda e humbi nga sytë e njerëzve fytyrën e gjykatëses, atëherë e kuptova pse avokati i çështjes, një burrë me karrierë 35 vjeçare në stolin e mbrojtjes së njerëzve, i refuzoi materialet e mija për ti pasur si dëshmi se gjuha shqipe dhe gjuha e nënës së emigrantëve jepet jo vetëm e lirë në shkolla por Shteti Evropian, që nga shtetet skandinave e deri në Austri e Zvicër i paguante mësuesit me të njëjtat paga siç paguante mësuesit e gjuhës vendase. Kishte të drejtë. Vendet evropiane kishin folur me “mullarin” e dokumenteve mbi tavolinën e gjykimit të çështjes.

Nuk do të flas për vijueshmërinë e mëtejshme të gjyqit për tu bërë vend shkrimeve të tjerë, deri në një libër me emra njerëzish, fakte e adresa, nuk do të hyjë në hollësi por dy gjëra e quaj të vlefshme ti them.

Akuzuesi, njeriu që me porosi nga “lart” erdhi dhe përzuri brutalisht nga drejtimi i shkollës Stela Protonotarion deklaroi se ai ishte dërguar nga një person me pozitë në Ministrinë e Arsimit dhe të Besimeve me detyrë që të fshinte gjuhën shqipe nga shkolla. Vetëm gjuhën shqipe dhe jo edhe gjuhën arabe që zhvillohej paralel në shkollë. Të fshinte me “fshesën e hekurt” të racizmit dhe ksenofobisë edhe një “filiz” evropian që kishte bërë shtat në një shkollë ku fëmijët (72 për qind shqiptarë e të nacionaliteteve të tjera) nuk ishin të detyruar të citonin para fillimit të mësimit vargjet e Biblës orthodhokse por vargjet e poetit Janis Ricos nga poezia “Ylli i mëngjesit”.

Bëra gabim. Duhet të jepja dorëheqjen. Ndalova programin e mësimdhënies dhe qysh atëherë më quajnë fashist dhe ultranacionalist. Mësuese Stela është e pafajshme. Është e padrejtë t’i japim asaj përgjegjësi të kota”. – deklaroi në gjyq akuzuesi.

Midis atyre që dëshmuan në gjyq (ishin tetë vetë, por për arsye të kohës por edhe të ecurisë së gjykimit, u ftuan vetëm katër) ishte edhe zëvendësi i Avokatit të Popullit Grek për të Drejtat e Qytetarëve dhe të Fëmijëve. Institucioni i lartë i Avokatit të Popullit nuk ishte mjaftuar vetëm me dërgimin me shkrim 8 faqesh të një dokumenti për mbrojtjen e dy mësueseve, bazuar në ligjet greke, por me dërgimin e njeriu të lartë të tij për ta thënë me zë atë që duhej thënë botërisht. Gjykatësja dhe prokurori e quajtën një nder të madh praninë dhe deponimin e tij, nder që prokurori do ta veçonte si një rast të jashtëzakonshëm në “pretencën” e tij.

Më vonë do të dëgjohej Stela Protonotario dhe Denada Karkallo përmes shumë pyetjesh për të parën si nga gjykatësja po ashtu edhe prokurori dhe të asnjë pyetje për të dytën.

E dija që prokurorët në çdo rast të kërkonin, duke përmendur ligje e nene, dënim me muaj apo vite burgimi apo me gjobë. Tek dëgjoja prokurorin që shfletonte herë një dëshmi nga mullari i “dëshmive nga e gjithë bota”, e herë deklaratën e Avokatit të Popullit, ndjeva se ai ishte kthyer nga pozita e “prokurorit të frikshëm” në atë të “avokatit”. Dhe kjo do të vinte kur ai do ti shpallte të dy mësueset, drejtoreshën greke dhe mësuesen shqiptare të pafajshme.

Më pas do të vinte mbrojtja e dy avokatëve të çështjes, një mbrojtje që ishte përtej mbrojtjes së dy të pandehurave, një mbrojtje e gjuhës së nënës, të të drejtës së fëmijës, kudo ku lind dhe jeton, të mësoj lirisht gjuhën e nënës nën mbrojtjen e shtetit ku jeton. Domethënëse ishte “pika” në fjalinë e fundit të tij kur tha se kjo ishte një betejë midis dy botëve, të botës së vjetër veshur me rrobat e ksenofobisë dhe racizmit dhe të botës së re të demokracisë dhe të progresit.

Më tej, pas “dhjetë minuta pushim”, gjykatësja do t’i deklaronte Stela Protonotarion dhe Denada Karlallon të pafajshme.

Gjyqi kishte mbaruar. Gjuha shqipe nëpërmjet deklarimit të pafajësisë së këtyre DY MËSUESEVE kishte fituar, ishte bërë e ligjshme.

Nuk më mbeti gjë tjetër përveçse të nxjerr nga xhepi aparatin fotografik dhe të bëj sa shkrepje munda mbi fytyrat tashmë të qeshura të Stelas dhe Denadas, mbi njerëzit që shqyen duart nga duartrokitjet.

Nuk harrova edhe diktofonin për të ngrirë në shiritin magnetik fjalët e pafajësisë së dy mësueseve...

Stela Protonotario: Ndjehem shumë e gëzuar sepse u hap mundësia për arsimimin e gjithë atyre që përpiqen për një mësim më të mirë për të gjithë fëmijët dhe veçanërisht për të gjithë fëmijët e emigrantëve.

Denada Karkallo: Edhe unë ndjehem shumë e kënaqur dhe shpresoj për një të ardhme shumë të mirë për të gjithë fëmijët nëpër shkolla. Ju faleminderit që na qëndruat pranë.

Të nesërmen hapa kompjuterin në adresë të shkollës 132 të Gravës.

Ministrja e Arsimit dhe e Besimeve Fetare Anna Dhiamantopulo deklaronte: Unë jam shumë e kënaqur. Kjo është një çështje e rëndësishme, çështje që e kam pasur nga fillimi të qartë dhe kam shprehur mbështetjen time. Kthimi i Stella Protonotarios, një MËSUESE me germa kapitale, është më aktuale se kurrë, kjo e lidhur edhe me debatin mbi integrimin e fëmijëve të emigrantëve në shoqërinë greke si një nga prioritetet e qeverisë. Roli i mësuesit në këtë proces është katalitik dhe shteti është tani pranë tij.

Abdurahim Ashiku

Gazetar,

Athinë 23 janar 2010

6 comments:

Anonymous said...

Komenti i autorit eshte interesant por ende nuk ka dale jashte kornizave te nacionalizmit. E pse na qenka ky gjygj i gjuhes shqipe? Sic thote autori, ishte nje person qe ka hapur padi ndaj mesueses (kushdo ka te drejte te kerkoje nje procedim nqs mendon se ka te drejte) dhe gjykata ishte e detyruar te procedonte. Perfundimi i gjygjit ka rendesi
dhe ai tregoi se institucionet greke dhe inteligjnca greke i dhane perkrahje kesaj ceshteje.
Pra shteti grek ne teresine e tij as ka qene e as eshte kunder qe emigrantet te mesojne gjuhen e tyre po qe se ata e desherojne nje gje te tille.
Stefaneli

Anonymous said...

Cudia qendron ne faktin sesi mund te hidhet ne gjyq nje mesuese apo drejtoreshe pse u ka lejuar te mesojne gjuhen e tyre femijeve te emigranteve shqiptare. Eshte sinqerisht e pakonceptueshme sot ne shekullin ku jetojme guximi i marre i treguar nga pala akuzuese.

Eshte njelloj sikur te akuzosh ne gjyq Bollanon pse e mban veten per Grek (e pare ne analogji hipotetike shqiptare).

Racionalisti

Anonymous said...

Pergjigje ndaj atij qe e mban veten per "racionalist": Cudia qendron qe ne shqiperi nuk mund ta konceptojne se sistemi demokratik i jep gjithkujt te drejten te nise nje proces gjyqesor, ka apo ska te drejte.
Sipas komentit nuk eshte shteti grek apo ndonje institucion shteteror qe ka nisur procesin, nuk eshte avokati i popullit qe ka nisur procesin, nuk eshte ndonje organizate jo qeveritare apo politike qe kanisur procesin. Ishte vetem nje individ.

Pra do ishte cudi qe gjykata te mos merrte ne konsiderate kerkesen e nje qytetari (pamvaresisht nga interesat karrieriste qe fshihte ky person-per ti zene vendin drejtoreshes apo motive te tjera.
A nuk eshte e mbushur shqiperia me shembuj te tille negative?
Pra ne mendjen e kokeqypave duhet te ngelet nje gje e thjeshte: jane mesuesit greke qe inkurajojne dhe kontribojne qe femijet emigrante te mesojne gjuhen e tyre. A nuk ju mjafton kjo?

Stefaneli

Anonymous said...

"Pra ne mendjen e kokeqypave duhet te ngelet nje gje e thjeshte: jane mesuesit greke qe inkurajojne dhe kontribojne qe femijet emigrante te mesojne gjuhen e tyre. A nuk ju mjafton kjo?"


Ne mendjen e kokebosheve duhet te ngelet dicka. Qe ne Greqi u eshte mohuar nxenesve te dalluar shqiptare (me shume se 1 here) nga arsimtaret greke te mbajne flamurin grek vetem e vetem se ishin shqiptar. Ik futi nje te freskuar tani qe te qartesohen idete.

Racionalisti pa thonjeza

Anonymous said...

Stefaneli, lexo komentin e Qiricit me lart dhe me jep dy here te drejte ne komentet e mia te meparshme.

Qirici thote: "Une kam disa shoke shqiptare..........."

Dyshoj te kesh shoke shqiptare nga menyra sesi arsyeton dhe i gjykon te tjeret pa i njohur fare. Dhe Qirici..... mos ngaterro rregullat e repartit ushtarak me ato te shkolles fillore e gjimnazit. Apo ke lindur dhe je shkolluar ne ndonje repart ushtarak dhe se njeh realitetin jashte? ;)
Ja ku e more dhe ti racionin tend meqe e kerkove.

Racionalisti

Anonymous said...

Qirici, ti ke nevoje te degjosh me shume e te flasesh me pak. Ndiqe per disa kohe kete recete dhe do te shohesh sa mire do te te beje. Dhe qe ti japim fund ketij muhabeti me shprese se mund te hyje dicka ne ate koken tende mendo per sa e sa shembuj konkrete qe egzitojne ne fushen e artit, sportit, kultures, shkences etj, jo vetem ne marredheniet greko-shqiptare, por kudo ne bote. Perfaqesues te ketyre fushave kane mbajtur ne duar flamurin e vendit te huaj pa u influencuar nga absurditetet nacionaliste e rracore te kujdo. E pra ne kete rruge duhet te ecen dhe une e pershendes dhe njehere vendimin e gjykates greke ndaj marrezise se rradhes te shoqerise ne Greqi kundrejt te huajve dhe shqiptareve me specifikisht.

Racionalisti