Ndërkohë që në Shqipëri flitet aq shumë për hapjen e kutive të votimit ka nisur edhe një debat tjetër i cili, edhe pse jo aq i nxehtë sa i pari, është goxha i mprehtë. E kam fjalën për debatin mbi projektin e qeverisë për “hapjen e kutive” të përkatësisë etnolinguistike dhe të besimit fetar të shqiptarëve.
Ajo që vihet re është një frikë e shqetësim i madh ndaj hapjes së këtyre kutive nga një pjesë jo e vogël e njerëzve publikë. Them “e njerëzve publikë” sepse popullsia “jo publike” duket shumë më indiferente ndaj këtij debati. Frikërat janë rreth të të dy temave të regjistrimit: si përsa i përket asaj të grupit etnolinguistik ashtu edhe të përkatësisë fetare. Këto dy frikëra herë shkrihen në një dhe herë ndahen, por, gjithsesi, mendoj se janë dy tema që meritojnë të trajtohen veçmas. Në këtë shkrim do të merrem vetëm me njërën syresh, regjistrimin etnolinguistik, duke i rezervuar një shkrim tjetër frikërave të regjistrimit të përkatësisë fetare.
Ndonëse kundërshtimi ndaj regjistrimit etnolinguistik shpesh mbulohet me interpretime kushtetuese, apo mbrojtjeje të drejtash të njeriut, nuk është e vështirë të dallosh në të një gjuhë nacionaliste: sikur, pra, ky regjistrim të jetë një rrezikim i kombit. Dhe, po ashtu, nuk është vështirë të dallosh se frika kryesore në këtë aspekt është ndaj asaj që mund të ndodhë me regjistrimin në jug të vendit ku mund të na dalë një numër më i madh, nga ç’e duam, i minoritetit grek. Pra është frika e atyre që bëhen, si të thuash, zëdhënësit e maxhorancës etnolinguistike shqiptare për të regjistruar një minorancë etnolinguistike në vend. Një tjetër gjë që bijë në sy gjatë debatit është se këto frikëra nacionaliste sot i kalëron politikisht më së shumti e majta në opozitë duke akuzuar qeverinë se po tradhëton interesa kombëtare duke shfaqur, kësisoj, edhe një herë paradokset e politikës shqiptare. Së fundi vura re se deri G99 kishte organizuar një tryezë me këtë synim. Jam i bindur se sikur në qeveri të ishte e majta dhe ta bënte këtë akt nën kërkesën e ndërkombëtarëve, siç duket se po e bën e djathta, do të ishte kjo e fundit që do ta kundërshtonte me të njëjtat argumente nacionaliste.
Por, përpara se të jap mendimin tim se pse mendoj se duhet bërë kjo transparencë, le të shtjelloj më parë nja dy koncepte që, duke lexuar debatin, kam konstatuar se tek shumica janë ende konfuzë.
Së pari, desha të them se shpesh në debate ngatërrohet koncepti i kombësisë apo nacionalitetit të një individi, si përkatësi në një shtet kombëtar, me konceptin e etnicitetit apo etnolinguicitetit si përkatësi në një grup të caktuar etnolinguistik. Ky keqkuptim, që shtrihet deri në përdorimin e termave, buron nga mungesa e vetëdijes se ne jetojmë në kohën e shteteve kombe, çka do të thotë se ajo që në anglisht quhet nationality dhe në frëngjisht nationalité, e që në shqip përkthehet me fjalën kombësi, përcaktohet nga shteti komb qytetar i të cilit je dhe jo nga grupi etnolinguistik të cilit i përket. Mirëpo në pasaportat tona nuk është përdorur termi kombësi, që do të ishte ekuivalenti, i nationality, por fjala shtetësi. Madje në këto pasaporta, përbri fjalës shqipe shtetësi, figurojnë fjalët cityzenship në anglisht dhe citoyenneté në frëngjisht ndërkohë që nuk janë këto fjalët që përdoren në Angli SHBA dhe Francë për të treguar përkatësinë e qytetarit në këto shtete kombe. Vetëm në pasaportën biometrike kemi, më në fund, zëvendësimin e fjalës angleze cityzenship me fjalën nationality që përdorin amerikanët dhe anglezët për të përcaktuar përkatësinë në shtetin e tyre komb. Dhe kjo është më e saktë sepse një shtet komb mund të jetë një federatë shtetesh, siç janë pesëdhjetë të tillë në SHBA psh., apo si në Zvicër, ku çdo kanton është shtet më vete. Në fakt në pasaportat amerikane kjo fjalë është në tre gjuhë : nationality/nationalitè/nationalidad (spanjisht kjo e fundit). Kurse në një pasaportë si ajo zvicerane, ku, siç dihet, ka katër grupe të mëdha etnolinguistike, e gjejmë ne pesë gjuhë : nationalität (gjermanisht), nationalité (frëngjisht), citadinanza Iitalisht), naziunalitad (romanisht), nationality (anglisht). Vlen të vihet në dukje se edhe në italisht nuk përdoret fjala nazionalità, por fjala citadinanza që mund të përkthehet si qytetari në një shtet. Por, po te vesh re pasaportat italiane, fjalët koresponduese ndaj saj në anglisht dhe frëngjisht janë nationality në anglisht dhe nationalité në frëngjisht.
Ky problem që kemi ne në mospërdorimin e fjalës kombësi lind nga identifikimi ynë i gabuar i grupit etnolinguistik me kombin çka e ka origjinën në dallimin midis kombit të kulturës dhe kombit të shtetit. Ne kemi thënë gjithmonë se jemi i njëjti komb me shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë duke krijuar kështu barazinë midis grupit etnolinguistik dhe kombit, që, thellë thellë, ka përmbajtur aspiratën për të krijuar shtetin etnik shqiptar si shtet komb të shqiptarëve. Kohët e fundit edhe Berisha bëri një deklaratë që reflekton këtë konfuzion duke thënë për Shqipërinë dhe Kosovën se janë dy shtete, por një komb. Por nisur nga koncepti sipas të cilit kombësinë ta jep shteti komb, ne duhet të themi se jemi të të njëjtit grup etnolinguistik me shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Kosovës, por jo të së njëjtës kombësi. Në fakt në pasaportat e shqiptarëve të Maqedonisë përbri fjalës nationality nuk shkruhet shqiptar, por meqedonas. E njëjta gjë do të vlente edhe për një Kosovë të njohur nga Kombet e Bashkuara ku për shqiptarët edhe serbët etj. ndonëse do të thuhet se i përkasin grupeve etnolinguistike të ndryshme, (dhe grupe etnolinguistike në botë ka shumë shumë më tepër sesa kombe) do të thuhet se i përkasin të njëjtës kombësi, asaj kosovare.
Dua të them, pra, se në këtë debat duhet të kemi parasysh se tjetër gjë është grupi etnolinguistik dhe tjetër gjë është kombësia e se, në projektin e debatuar, bëhet fjalë për regjistrimin e grupit etnolinguistik dhe jo të kombësisë apo shtetësisë. Kjo duhet pasur parasysh edhe kur debatojmë për të drejtën e vetëdeklarimit. Një qytetar nuk mund të vetëdeklarojë kombësinë, por vetëm grupin etnolinguistik, sepse, që të deklarojë një kombësi të caktuar, për këtë duhet të ketë njohjen e shtetit komb që e njeh si qytetar të tijin. Ashtu sikurse një grup etnolinguistik nuk mund të vetëdeklarohet anëtar i Kombeve të Bashkuara, pasi një e drejtë e tillë i përket vetëm shteteve kombe të njohur ndërkombëtarisht.
Pas këtij sqarimi le të hidhem në temën në fjalë. Nga sa jam informuar regjistrimi i popullsisë, përsa i përket grupimeve etnolinguistike dhe fetare, është një kërkesë e Evropës. Dhe gjykoj se kjo kërkesë lind pikërisht për të mbrojtur ata grupe etnolinguistike që janë minoritare në një vend. Sepse, siç dihet, një nga problemet e shkeljes së të drejtave të njeriut në vendet jo demokratike, siç ka qenë edhe regjimi nacional – komunist shqiptar, është diskriminimi i këtyre grupeve nëpërmjet mohimit të shumë të drejtave. Ndër këto shkelje bëjnë pjesë edhe politikat e asimilimit ku mund të futet edhe mosnumërimi i tyre nga maxhorancat etnolinguistike, pakësimi i numrit të tyre që lidhet, pastaj, edhe me të drejtat e shkollimit të tyre etj. Dihet se pretendimin më të madh për këtë e ka pasur minoriteti grek, i cili ka pasur edhe mbështetjen e shtetit grek. Të pëlqen s’të pëlqen kjo është një e drejtë e tyre sepse në këto gjëra duhet, minimumi, të jesh parimor. Sikur të bëhej fjalë që maqedonasit e grupit etnolinguistik sllav, që janë maxhorancë, të mos i lejonin shqiptarët e Maqedonisë sot të numëroheshin kjo nuk do të na pëlqente, do ta konsideronim shkelje. Pra, nëse bëhet fjalë, siç thonë disa, për diskriminim, ky nuk qëndron në regjistrimin, por në mosregjistrimin për shkak të presionit të grupit më të madh.
E këtu vlen të komentohen edhe argumentet që kemi njëzet vjet që i dëgjojmë kur preket kjo temë sipas të cilëve kjo mund të ishte e drejtë në kushte normale, por jo në kushtet kur shqiptarët, nga varfëria dhe nga halli, janë të detyruar të shkojnë të punojnë në Greqi dhe atje të ndërrojnë edhe emrat edhe përkatësinë etnolinguistike, shoqëruar ky me argumentin se ky ndërrim nuk mund të quhet i vlefshëm sepse ai tjetri e ka kthyer nga halli emrin nga Muhamet në Kristo dhe, meqënëse ne e kemi të regjistruar si Muhamet, nuk duhet ta lejojmë të quhet Kristo e as të vetëdeklarohet minoritar. Së pari, pyetja që shtrohet është: edhe sa vjet do të vazhdojmë ta quajmë vendin tonë anormal? Së dyti, kjo ideja se po e ruajmë shqiptarësinë duke mos regjistruar njerëzit sipas deklarimit të tyre është si të bësh strucin. Sepse, ndërkohë që këtu bëhet fjalë për regjistrimin e grupit etnolinguistik, numri i shqiptarëve që e kanë ndërruar apo janë të gatshëm ta ndërrojnë atë që është më e rëndësishmja: kombësinë/shtetësinë në kuptimin që i dhashë më lart, është shumë më i madh. Ai shqiptari musliman që e bën emrin Kristo në zyrat e gjendjes civile, e bën këtë nga halli se shtetësinë/kombësinë e ka shqiptare, sepse, po të kishte marrë tashmë shtetësinë/kombësinë greke, këtë veprim ndoshta nuk do ta bënte fare apo do ta bënte në shtetin grek me gjithë të drejtat që i lejon ligji që për fat është po ai edhe tek ne, sepse e drejta e ndërrimit të emrit vetëm në diktaturat më të egra mund të ndalohet. E megjithatë kjo nuk është thjesht çështje ndërrimi emri. Sa shqiptarë janë bërë gjermanë dhe e kanë humbur automatikisht kombësinë/shtetësinë shqiptare. Sa të tillë janë bërë italianë, amerikanë apo grekë, britanikë, belgë etj. Nuk e dimë, dhe as këtë nuk duam ta dimë. Sepse, ashtu siç thuhet për gomarin, ne na pëlqen të mbetemi në ëndërr. Madje paradoksalja është se një pjesë të këtyre shqipëtarëve i gjen të shkruajnë nëpër internet, dhe me sinqeritet madje, se po na rrezikohet kombi me këtë regjistrim. Dhe problemi nuk është as thjesht se ata kanë ndërruar kombësinë/shtetësisë, por sepse në brezin e dytë do t’u lindin fëmijë që as nuk do të dinë shqip, kurse fëmijët e fëmijëve të tyre do të përmendin vetëm në tryeza me miqtë origjinën e tyre shqiptare, siç ka ndodhur me shumë e shumë emigrantë.
Sipas gjykimi tim kjo hemorragji nuk mund të ndalohet me retorikat nacionaliste që përdorin diskutantët e debatit në fjalë e as duke mos u dhënë njerëzve të drejtën e vetëdeklarimit. Këto tingëllojnë sa anakronike aq edhe hipokrite, veçanërisht kur ke parasysh se një pjesë e atyre që i mëshojnë këtyre retorikave, kanë përgjegjësi direkte për katandisjen e Shqipërisë në një vend që shqiptarët vazhdojnë ta braktisin.
E gjithë kjo energji do të duhej të derdhej, mundësisht, për të mbyllur plagët që e prodhojnë hemoragjinë në fjalë duke ndërtuar një Shqipëri ku njerëzit të duan të rrisin fëmijët e tyre dhe jo të ikin.
Nuk është vështirë të kuptosh nga debati se frika ndaj deklarimit të përkatësisë etnolinguistike tek disa shkon deri tek një frikë e vjetër se, duke dalë një numër i madh minoritarësh grekë, nesër Greqia do të ketë të drejtë të ndryshojë kufijtë e shtetit tonë kombëtar – pra teza e vjetër e Vorio Epirit. Besoj se në kushtet e sotme një ndryshim i tillë i kufirit është fantapolitikë që mund të vihej në diskutim vetëm nëse shqiptarët një ditë të bukur, pas shumë hyneresh, si ato që kanë bërë deri më sot, do të deklarojnë se janë të paaftë të qeverisen vetë dhe do të kërkojnë të shpërbëhet shteti i tyre. Nuk e përjashtoj që edhe kjo ka gjasë të ndodhë me këtë lemeri politikanësh që kemi. Por edhe atëhere them se do të jetë e vështirë të ndërrohen kufijtë pasi askush nuk do t’i marrë kaq lehte përsipër shqiptarët. Më e mundëshmja është të na sjellin ndonjë trojkë protektorësh.
Prandaj gjykoj se më mirë se sa të mbajmë poza pseudopatriotike ia vlen të punojmë për të përmirësuar kushtet e jetës së njerëzve në këtë vend, të të gjitha grupeve etnolinguistike, e, në këtë kontekst, të bëjmë edhe regjistrimin etnolinguistik që do të ishte një radiografi e mirë e shoqërisë sonë që do të na ndihmonte për të njohur edhe më mirë veten e për të kapërcyer një tjetër trashëgimi të keqe të nacional – komunizmit. (Korrieri, 7 shkurt 2010)
No comments:
Post a Comment