Sunday, February 07, 2010

KONSENSUSI NUK ËSHTË NJË PAZAR

KONSENSUSI NUK ËSHTË NJË PAZAR
07/02/2010-shqip on line
Andrea Stefani
Thellimi i krizës së rëndë politike ka bërë që të ridalë më në fund në qarkullim fjala “konsensus”. Të gjithë flasin për të. Por thuajse të gjithë nënkuptojnë me konsensus atë që nuk është gjë tjetër veçse një pazar i rëndomtë politik. Njëra palë, Rama dhe opozita, heq dorë nga kërkesa për hapjen e kutive, ndërkohë që Berisha dhe pushteti i bëjnë lëshim për ndonjë gjë tjetër. Dhe kështu zgjidhet kjo krizë e madhe që na ka gozhduar për kaq muaj. Habia është se këtë lloj vizioni për “zgjidhjen” e krizës e shfaqin edhe disa zëra të diplomacisë dhe politikës europiane. Kështu, europarlamentari Hannes Svoboda pohoi se kjo krizë “nuk mund të kalojë në rast se qeveria qëndron vetëm në pozicionet e veta dhe opozita në të sajat, por duhet të gjendet një kompromis i përbashkët”. Por mrekullia e demokracisë është pikërisht kjo, që palët gjejnë konsensus duke qëndruar në pozicionet e veta dhe jo duke u zbythur nga ato. Ose më saktë, të tërhiqen nga pozicionet joparimore por jo nga ato parimoret. Sepse si mund t’i kërkosh opozitës të tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive nëse kjo transparencë është mjet thelbësor për të çrrënjosur mekanizmin e errët të vjedhjes së votës në Shqipëri? Ç’e mirë do t’i vinte demokracisë nga ky kompromis (që s’ka të bëjë fare me konsensusin), nga ky lëshim që do t’i bëhej vjedhjes së votës? Asnjë e mirë përveç zgjatjes së agonisë konfliktuale 20-vjeçare që po e vret Shqipërinë edhe ndonjë dekadë tjetër, ose edhe më shumë.
***
Para se të jetë lëshim në gjëra joparimore, konsensusi është pranim i vlerave bazë të demokracisë nga të gjitha palët. Në këto vlera të fundme janë dhe liria e barazia, përfshi ato të votës. Nëse një shoqëri, dhe aq më tepër elitat e saj politike nuk u janë atashuar mendësisht dhe shpirtërisht këtyre vlerave, demokracia bëhet tepër e vështirë. Para se të shkruhet në letrat e marrëveshjeve dhe rezolutave, konsensusi duhet të ekzistojë si mundësi në karakteret, mendësinë dhe trurin e politikanëve. Sepse mungesa e konsensusit për vlerat bazë, përcillet si mungesë konsensusi, pra si konflikt, për procedurat dhe rregullat e lojës. Dhe pikërisht kjo është ajo që po ndodh prej dy dekadash në Shqipëri. Shqiptarët kanë treguar se nuk kanë gjithëpranuar lirinë dhe barazinë si vlera gjithëpërfshirëse. Obstruktimi i lirisë së tjetrit, vetëm sepse kjo nuk na pëlqen ose na prek interesa të paligjshme, mbetet një dukuri mjaft e përhapur. Akoma më keq, shqiptarët nuk kanë një klasë politike, një elitë, që të shfaqej më e avancuar dhe më pranë tolerancës në këtë rrafsh. Në vend që të zbusin natyrën konfliktuale të shoqërisë, fragmentet e elitave politike kanë gjetur te ky divizionizëm social forcën e tyre, mbështetjen “demokratike” për t’u konfliktuar edhe më ashpër me njëra-tjetrën. Prandaj ka 20 vjet që me të njëjtët liderë në krye, shqiptarët e kanë bërë zakon jo konsensusin, por atë që Sartori e quan prirje për të konfliktuar për çdo konflikt. Dhe bashkë me të edhe pazaret e paprincipta, si premisa konfliktesh të reja dhe pazaresh të reja.
***
Edhe konflikti i sotëm për kutitë e votimit ushqehet pikërisht nga kjo mungesë dedikimi të palëve për një vlerë të demokracisë që është vota e lirë, e ndershme dhe e barabartë. Konsensuset bëhen të pashmangshme nga vlerat e përbashkëta. Konsensuset nuk janë aksidente të lumtura. Nga vetë etimologjia e fjalës, “konsensus” do të thotë sens i përbashkët për diçka. Pra nëse palët nuk kanë të njëjtin sens për votën, nëse njëra (ose edhe të dyja) nuk tentojnë ta respektojnë, por ta vjedhin votën, nuk mund të ketë konsensus, por konflikt edhe në nivele procedurash (të hapen apo të mos hapen kutitë) të maskuara edhe me vendime gjykatash, me gjoja paprekshmërinë e vendimeve të tyre. Vetëm një dinakëri mëkatare mund të arrijë të formulojë avokatira të tilla, ku transparenca dhe drejtësia janë kundra njëra-tjetrës. Deri më sot, asnjë pushtet në Shqipëri nuk ka treguar ndonjë dedikim të plotë ndaj lirisë së votës. Por nuk mund të mos vësh re që në të gjithë konfliktet për votën në këto 20 vjet, njëri pol është okupuar gjithnjë nga lidershipi i Sali Berishës. Rastësisht ky politikan dhe klani i tij ndodhen përherë të pranishëm në vendin e krimit? Ndërkaq, Berisha është dhe “babai” i manipulimit me votën në periudhën e tranzicionit. Është pikërisht ai që ka hapur siparin e kësaj odiseje kriminale me votën. Ai ka qenë i pari që është investuar për manipulimin e zgjedhjeve në vitin 1996 dhe (si në pushtet, ashtu edhe në opozitë) ka kontribuar fuqishëm në mekanizmin e përhershëm të vjedhjes së votës në Shqipëri. Tashmë është e provuar disa herë se ky politikan autokrat është kundër një votimi të lirë, të ndershëm dhe të barabartë për të gjithë. Jo pak diplomatë dhe politikanë europianë bëjnë sikur nuk e perceptojnë një anomali të tillë lidhur me Berishën, që ka kapur jetëgjatësinë e një diktatori në politikë. Në Itali, Xhulio Andreoti mund të tolerohet të qëndrojë edhe më gjatë në majë të politikës, por në Shqipëri, ku nuk ka institucione të pavarura që nuk e lenë “andreotin” të bëjë shumë dëm, një jetëgjatësi e tillë është anormale. Dhe është një gabim i pafalshëm që dukuri të ngjashme në vende të ndryshme t’i gjykosh duke mos marrë në konsideratë stade të pangjashme pjekurie të institucioneve. Gabim që po e bën shpesh diplomacia europiane lidhur me Shqipërinë. Por miopia e disa diplomatëve ndaj Berishës vjen, përveç shkaqeve më diskretë, edhe nga harresa për situata tragjike tashmë të njohura në Shqipëri. Kjo miopi mund të kontribuojë që, në një moment, gjërat të bëhen përsëri të pakontrollueshme si dikur. Ndërsa sot, jo vetëm se liria e gjërave nuk është pjesë e karakterit dhe e mendësisë së tij, por edhe për faktin se mbështetja për të në shoqëri është në rënie (ai mundi të qëndrojë në pushtet vetëm me votat e LSI-së), Berisha jo vetëm nuk ka prirje të shkëputet nga mekanizmi i vjedhjes dhe manipulimit të votës, por po përpiqet ethshëm ta sofistikojë sa më shumë këtë mekanizëm, duke përdorur deri edhe Kolegjin Zgjedhor, të kapur prej tij, si një lavatriçe për të pastruar vjedhjen e votës dhe bllokuar transparencën.
***
Thënë këto, është e vështirë të shpresohet se Berisha mund të tolerojë hapjen e kutive, duke dhënë konsensusin për një gjë të tillë. Do të ishte njësoj si konsensusi i policit me hajdutin, njësoj sikur hajduti t’i ofronte fakte policisë për vjedhjen që ka bërë. Sot kemi krizë, sepse palët e politikës nuk përbashkohen në vlerën e votës së lirë. Kjo mungesë e sensit të përbashkët për votën e lirë dhe të ndershme është shkak i qëndrueshëm për mungesën e konsensusit dhe zinxhirin e krizave. Është po ky shkak që i zbeh shpresat për një konsensus në tryezën e Presidentit të Republikës, që me shumë gjasa do të jetë një rutinë demokratike pa fryt. Opozita dhe Rama nuk kanë arsye, as parimore dhe as taktike, të lëshojnë në kërkesën e drejtë për hapjen e kutive, aq më tepër që ajo është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Europës për hetim të procesit zgjedhor dhe nuk cenon asnjë parim të Kushtetutës së Republikës dhe pavarësinë e asnjë gjykate. Të heqësh dorë nga hapja e kutive, do të thotë në thelb jo të mos respektosh rezolutën e KiE-së, por të bashkohesh me Berishën në krim kundër demokracisë. Ndërkaq, fakti që Berisha dhe të tijtë vetëm përsërisin si papagaj se hapja e kutive dhunokërka Kushtetutën dhe pavarësinë e gjykatave, pa mundur të japin asnjë argument, nuk përbën një arsye që opozita të tërhiqet nga kërkesat e saj. Madje është arsye për të bërë krejt të kundërtën.
Që Berisha të vijë në konsensus për hapjen e kutive, do t’i duhej të aderonte mendërisht në parimin e votës së lirë. Por atëherë Berisha nuk do të ishte Berishë. Dhe ky Berisha që është, vetëm mund të detyrohet t’i nënshtrohet parimit të transparencës që të çon te vota e lirë. Dhe për këtë nuk ka mjet tjetër veçse bojkotit dhe protestave demokratike dhe paqësore të opozitës. Dhe nëse vazhdon të këmbëngulë kundër hapjes së kutive edhe më gjatë duke sakrifikuar, sikundër në mars ‘97, edhe interesat e shtetit për pushtetin e tij, Berisha do të rrisë edhe më shumë dyshimet për krimin elektoral që, me shumë gjasa, fshihet brenda kutive. Alibia për mosprekjen e vendimit të Kolegjit Zgjedhor do bëhet gjithnjë e më e pabesueshme. Legjitimiteti i pushtetit të tij do të jetë edhe më i dyshimtë dhe për rrjedhojë zgjedhjet e parakohshme edhe më të pashmangshme.

No comments: