Shqip on line 07/03/2010
Aleksandër Çipa
Është e njohur arsyeja pse mbërriti deri në këtë katastrofë ekonomike Greqia, fqinji më i afërt i yni. Është fjala për vendin që gjatë 25 vjetëve të fundit gëzoi admirimin e formësuar në fondethithje dhe investime të shumta nga BE-ja dhe vende të tjera të Perëndimit. Fjalët EOK-Tregu i Përbashkët Europian dhe Bashkimi Europian për grekët në mesvitet ‘80 dhe në fillimvitet ‘90 ishin ndër më populloret. Lulëzimi i Greqisë krijoi kontrastin e madh në rajon, për sa i përket zhvillimit, investimeve, turizmit dhe sistemit bankar në përgjithësi. Ky vend de fakto u shndërrua vendi më i favorizuar i 20 viteve të fundit dhe i vetmi që, edhe pse në pozicion gjeografik të tillë, nuk pati histori vështirësie kurrë për të qenë e barabartë me vendet e BE-së qysh në ditët e para të saj. Greqia u shqua për nisma udhëheqësimi në rajonin Ballkanik, sidomos nga vitet 1995 e më pas dhe ambicien e saj shpesh e ngriti në inicimin e projekteve gjeoekonomike dhe gjeopolitike, saqë për një moment u krijua përshtypja se Ballkani do të përjetonte hegjemoninë greke për disa dekada të ardhme. Sjellim në kujtesë paketën e Kryeministrit të djathtë Micotaqis apo nismat ekonomike të Kryeministrit të majtë Simitis.
Mirëpo koha rrodhi dhe cikli ndryshoi. Papritmas Greqia, nga një vend i BE-së që gjeneronte supremaci ekonomike në rajon, po eksporton së pari ankth dhe sipas gjasave edhe krizë. Ajo që po ndodh me ekonominë greke nuk është një çështje dhe hall për grekët. S’ka asnjë përjashtim ndër analistë se kriza e Greqisë së sotme mbart pasoja me një rreze veprimi dhe ndikimi matanë Ballkanit dhe ka ankthuar krejt Europën. Pasoja është në orët e shtimit progresiv të saj, ajo sipas parashikimeve të ardhura nga shumë optikanë, sjell nevojën e një kontributi shumëkombësh në Europë dhe sidomos në institucionet e saj financiare, ekonomike dhe padyshim politike. Gjermanët, francezët, italianët dhe shumica e 20 vendeve të tjera të bashkësisë janë të ankthuar jo prej peshës së kësaj krize, por prej paqartësisë dhe mirazhit zhbërës që ofron pamja e saj në këtë përkeqësim. Qytetarët e shtetit fqinj me ne sapo kanë nisur rezistencën ndaj paketave që po kalon qeveria e PASOK-ut, në kryesimin e zotit Jorgos Papandreu. Është një reagim i menjëhershëm social që duket se po mavijoset edhe si rezistencë antagoniste mes palës qytetare dhe palës qeveri. Në këtë prolog zhvillimesh, ekonomia e vendit me ndikimin më të madh mbi ekonominë dhe tregun shqiptar, parathotë befasi edhe për ekonominë dhe tregun tonë kombëtar.
Për këtë arsye dhe sidomos vetëm për këtë, reagimi shqiptar duhej të ishte më i madh se ankthi i europianëve në Bruksel. Reagimi preventiv prej qeverisë, sistemit tonë bankar dhe sidomos prej kontrolluesve zyrtarë të tregut duket se po mbahet në heshtje. Ne lusim që ky reagim të ketë nisur, të veprojë dhe të shndërrohet në një paketë masash, të cilat sado qoftë e bëjnë të vetëmbrojtur ekonominë tonë të vetëmburur në modestinë e saj.
Ajo që pohohet prej ekonomistëve dhe njohësve të specializuar të financave në të dyja vendet, është gati e njëjtëthënë: Efekti i krizës greke mbi shqiptarët dhe Shqipërinë është i shumëfishtë: Greqia ka qenë valvula shkarkuese e stresit ekonomik dhe shoqëror në Shqipërinë e njëzet viteve të fundit. Por ka qenë edhe një burim kapitalesh që erdhën në formën e investimeve direkte apo kredive të dhëna përmes bankave greke. Në këtë situatë, sido që të jenë masat që do të ndërmarrë qeveria greke për kacafytjen me këtë krizë, ato do të rëndojnë pashmangshmërisht mbi Shqipërinë. Në këto kushte, kjo gjendje reale e jashtëzakonshme, kjo situatë me ndërveprime të njohura e të panjohura mbi financat, ekonominë tregun dhe realitetin social shqiptar, nuk po paraprihet apo bashkëshoqërohet me një reagim tipik qeveritar. Kjo mënyrë pritjeje apo masash të menduara po shndërrohen në arsyen e tretë të vrasjes së trefishtë të shqiptarëve në kushtet e krizës rrokullisëse të vendit fqinj.
Një analist i shquar i Greqisë së sotme e cilësonte këtë rrënim ekonomik në shtetin e tij si një “hon” që rrezikon Europën dhe që s’dihet se si mund t’i shpëtojë grekët. Kjo nuk është një metaforë, por një syçeltësi eksperti, e cila duhet thënë se vlen sa për grekët edhe për ne, fqinjët e tyre. Në këtë akt të ri, mes qeverisë sonë dhe asaj të Athinës, do të ishte me vend të afishohej një kalendar i ri emergjence, kontaktesh, bisedimesh dhe shkëmbimesh zyrtare. Kjo heshtje apo kjo frikë vepruese mund të shumëfishojë koston e ndikimit dhe të veprimit, por pashmangshmërisht shton edhe faturat e pësimit qytetar. Nëse kjo ka ndodhur dhe po ndodh, pse nuk bëhet publike?! Nëse ky “hon” është real, si ta kuptojmë këtë heshtje qeverisësish, si qetësi të vetësigurtish? Si besim se “dhia qëndron lehtë në gurët e honit”? Apo si lexim i fatit të atij që lutet në rënie?! Së paku le të besojmë se jemi në pozicionin e të qenit “shkëmb në hon”.
2 comments:
Me duket se autori nuk ka haber nga ekonomia. Problemi i shtetit Grek qendron ne borxhin e jashtem qe perben 13 % te produktit bruto,( dhe jo borxh i ndermarjeve greke te cilat jane me kapital privat) dhe ne borxhin e siguracioneve. Mjafton te themi se fitimi i bankave greke per vitin 2009 ka qene 300 miliard euro aq sa eshte dhe borxhi publik
Shprehja e autorit, me e lajthitura qe mund te egzistoje eshte e koncentruar ne frazen e tij:
"Është fjala për vendin që gjatë 25 vjetëve të fundit gëzoi admirimin e formësuar në fondethithje dhe investime të shumta nga BE-ja dhe vende të tjera të Perëndimit."
Kriza greke qendron ne mos pagminin dhe fshehjen e te ardhurave nga subjektet private, mos pagimin e subjekteve private te detyriumeve finaciare ne kompanite e siguracionit dhe menazhimin e keq te pares publike dhe nuk kal lidhje fare se sa "investime te shumta u bene nga dashamiresit europiane".
Per te kuptuar esencen une do ti rekomandoja autorit te mos shkruaje artikuj per ekonomine. Ne vend te artikullit te tij e ftoj lexuesin te njihet me artikullin e z. Malaj (po ne gazeten Shqip):
Arben Malaj:Kohët e fundit është rritur analiza publike e impakteve që kriza e Greqisë mund të ketë mbi ekonominë shqiptare. Është e dobishme që ekspertët tanë t’i analizojnë me sa më shumë profesionalizëm impaktet e saj mbi emigrantët shqiptarë dhe mbi ekonominë e vendit dhe të rajonit tonë.
Vullneti i tepruar në ndonjë rast, për të identifikuar krizën e Greqisë në rrënjët e situatave të vështira ekonomike në Shqipëri, profesionalisht është i pabazuar dhe politikisht jo korrekt.
Bazuar në teoritë ekonomike, shkalla e partneritetit tregtar ndikon në shkallën e ndërvarësisë ekonomike midis dy vendeve. Në vitin 2007, ekonomia shqiptare realizoi rreth 8.3% të eksporteve dhe rreth 14.6% të importeve me Greqinë. Gjatë vitit 2008, eksportet greke drejt Shqipërisë u rritën me 19%, ndërsa eksportet shqiptare drejt Greqisë u rritën më rreth 25%. Gjatë periudhës 11-mujore të vitit 2009, importi i mallrave me Greqinë ishte 59.4 miliardë lekë dhe eksporti 9.4 miliardë lekë. Deficiti tregtar është rreth 50 miliardë lekë, rreth 380 milionë euro të emigrantëve shqiptarë rikthehen në ekonominë e Greqisë për të importuar mallra. Investimet e biznesit grek zënë rreth 28% të investimeve të huaja direkte, ndërsa totali i tyre vlerësohet rreth 1.2 miliardë euro.
Studimi i impakteve të krizës së Greqisë ka një rëndësi të veçantë edhe për faktorë specifike: e para për numrin e madh të emigrantëve shqiptarë në Greqi, dhe e dyta, për faktin se investimet greke janë në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, në sistemin bankar dhe telekomunikacion.
Është e qartë që rënia e ritmeve të rritjes ekonomike në Greqi rrit papunësinë dhe varfërinë, e cila prek edhe emigrantët shqiptarë. Shumë prej tyre humbasin vendet e punës, ata do të kenë vështirësi të mbështesin familjet e tyre në Shqipëri. Disa prej tyre do të reduktojnë investimet në Shqipëri apo Greqi.
Sipas vetë grekëve, fjala krizë nënkupton mundësi. Reformat që po ndërmerren nga qeveria greke për të dalë nga kriza, do të kenë efektet e tyre pozitive edhe për emigrantët shqiptarë.
Është e qartë që një ekonomi me deficit të lartë buxhetor dhe borxh të lartë publik, rrezikohet ndjeshëm nga kriza e rëndë e interesave të borxhit dhe nga nivele të larta të inflacionit. Reformat e vështira të qeverisë greke për të vendosur rregull në financat publike dhe ekonominë e tyre mund ta rikthejnë brenda pak viteve Greqinë në mundësinë e ritmeve të larta të rritjes ekonomike. Sa më shumë të ndihen efektet pozitive të reformave, aq më shpejt edhe emigrantët do të përfitojnë prej tyre.
. ....
lexo vijimin ne Shqip
Mihali
"Mjafton te themi se fitimi i bankave greke per vitin 2009 ka qene 300 miliard euro aq sa eshte dhe borxhi publik"
HAHAHAHA. Ndoshta bankat Amerikane kane fituar aq.
Post a Comment