PLASARITJET E GREVËS SË GABUAR
19/05/2010 (shqip on line)
Andrea Stefani
Më së fundi, edhe Aurel Plasari iu shtua vargut të intelektualëve që e shpallën të gabuar, madje antikombëtare grevën e urisë së opozitës. Por deri këtu, asnjë problem. Është e drejtë dhe liri e gjithkujt që të shprehë mendimin, pozicionin e tij lidhur me këtë zhvillim që, në kuptim politik dhe aspak skenik e teatral, çdo orë që kalon bëhet gjithnjë e më dramatike. Një grevë urie është në vetvete një dramë njerëzore, pavarësisht se kush e zhvillon dhe pse. Por Plasari ka preferuar, me një cinizëm “intelektual” ta quajë grevën e urisë thjesht një teatër, një spektakël që nuk është i denjë të konkurrojë me premierën e “Darka e Gabuar” të Kadaresë. Dhe ku i gjen argumentet për një të tillë përçmim ndaj një akti vetëflijimi, që na pëlqen apo jo, mbetet një akt sublim? Në vazhdim do të përpiqemi të tregojmë se në shpjegimet e Plasarit, që e kualifikojnë grevën të gabuar, shfaqen shumë plasa dhe se gjithë investimi i tij kundër grevës së urisë, nuk është asgjë më shumë veçse një plasaritje, më falni, përsiatje propagandistike e rëndomtë në favor të pushtetit aktual.
* * *
Që në nisje të artikullit “Greva e gabuar”, Plasari jep shpjegim se përse firma e tij nuk qe e rreshtuar me atë të disa intelektualëve të tjerë që i janë drejtuar Edi Ramës, me një thirrje për të ndaluar grevën e urisë që po e nxit i motivuar nga lufta për pushtet. Nuk ka thënë si qëmoti “shënomëni dhe mua”, sepse nuk beson se Rama ia vë veshin fjalëve të tij. Duket sikur Plasari mendon që ata intelektualët e kanë shkruar peticionin vërtet me qëllimin naiv, që të bindin apo edukojnë Edi Ramën dhe aspak të yshtur nga pushteti për të realizuar një mizansenë “demokratike”, që i kundërvihet liderit të opozitës. Vërtet mendon se peticioni nuk është në llojin e farsave të njohura të organizuara nga partia dhe se me anë të saj, nuk i bien pragut (Ramës) që të dëgjojë dera (opinioni)? Vërtet nuk i kujton e gjithë kjo asgjë nga ato metodat e “shkathëta” manipulative të Komitetit Qendror? Mundet, por gjithsesi një naivitet i tillë nuk e justifikon Plasarin që atë që është një dramë dhe vuajtje njerëzore, ta marrë për teatër dhe atë që është vërtet teatër me intelektualë, ta marrë për të vërtetë. Më pas Plasari korrigjon edhe intelektualët me të cilët solidarizohet. Sepse ata kanë bërë gabimin t’i kërkojnë Ramës të mos e zhvillojë grevën e urisë në emër të disa interesave më të mëdha sikundër janë ato “të kombit”, “të marrjes së vizave” apo të “integrimit të Shqipërisë në BE”. Jo, Plasari nuk mendon se greva është e gabuar vetëm sepse pengon “integrimin” apo “heqjen e vizave” dhe përgjithësisht (a nuk është kjo tipike për armikun e klasës?) interesat e popullit dhe të Partisë. Plasari mendon se greva e urisë e një partie politike (veçanërisht Socialiste) është kurdoherë e gabuar. Që do të thotë, në thelb, se greva e urisë duhet të jetë fare e ndaluar. Po përse mendon kështu? Sepse “…një grevë urie e një partie politike parlamentare, si PS, nuk përkon me kurrfarë parimi dhe praktikë të socializmit europian”. Dhe shpjegon se që nga mesi i shek. XIX, grevat e urisë nuk bëjnë pjesë në mjetet dhe metodat e konkurrimit të partive socialiste, sidomos kur ato ia kanë arritur të jenë pjesë e parlamenteve. Po përse hyrja e një partie socialiste në Parlament e skualifikon grevën e urisë nga arsenali i luftës politike të saj, nga arsenali i lirive të saj? Përgjigjen e kësaj pyetjeje Plasari e gjen të Frederik Engelsi dhe pikërisht, te parathënia që ai ka bërë në vitin 1895 me rastin e ribotimit të veprës së Karl Marksit “Lufta e Klasave në Francë nga viti 1848 deri në vitin 1850”. Sipas Plasarit, ishte Engelsi që vërente se, krejt ndryshe nga ç’ndodhte kur Marksi qe gjallë, kishin mbërritur kohë të reja, kur e drejta e votimit të përgjithshëm do t’i jepte gjithnjë e më shumë hapësira drejt pushtetit të së majtës. Konkluzioni? Meqenëse ekziston mundësia e marrjes së pushtetit me votë, përse duhet greva e urisë? Plasari ka dashur të thotë pikërisht këtë duke cituar Engelsin. Por ai nuk e citon Engelsin plotësisht dhe prandaj, në mesazhin e tij, nisen të shfaqen plasaritjet e para. Engelsi nuk thotë se e drejta e përgjithshme e votës ishte një rrethanë e re e shfaqur vetëm pas vdekjes së Marksit. Ai thotë qartë, po në parathënien e cituar nga Plasari, se “e drejta elektorale e përgjithshme ekzistonte prej kohësh në Francë, por ajo kish marrë një nam të keq, sepse ishte shpërdoruar nga qeveria bonapartiste”. Edhe në shumë vende të tjera (si p.sh. Spanjë, Zvicër) zgjedhjet e përgjithshme shiheshin me mosbesim “si një vegël mashtrimi në duart e qeverisë”. Ajo që ndodhi pas vdekjes së Marksit ishte se partitë e majta në Gjermani… u përpoqën t’i shfrytëzojnë zgjedhjet e përgjithshme për objektivat e veta, ashtu sikundër qeveria (Bismarku) u përpoq, në anën tjetër, t’i përdorte po për qëllimet e veta. Partitë e majta shkruan Engelsi, të drejtën elektorale “e shndërruan nga një mjet mashtrimi siç ishte deri tani, në një vegël çlirimi”. Ç’do të thotë e gjithë kjo po të bëjmë një përqasje me atë që po ndodh në Shqipëri? Do të thotë se Partia Socialiste dhe partitë e tjera aleate me të, nuk kanë besim te zgjedhjet elektorale të përgjithshme të shpërdoruara nga qeveria bonapartiste, më falni përsëri, berishiste më 28 qershor. Do të thotë se për sa i takon zgjedhjeve të lira e të ndershme, Shqipëria nuk ka arritur ende stadin e zgjedhjeve të besueshme që shumë vende të Europës e arritën “qysh prej një shekulli e gjysmë” më parë. Por në një aspekt Shqipëria është më përpara se të themi, Franca e kohës së Marksit. Në mungesë të besimit te zgjedhjet, partitë e majta në Shqipëri nuk po i drejtohen barrikadave dhe kryengritjes sikundër ndodhte rëndom, të themi, në Francë, por grevës së urisë që është një mjet i rezistencës paqësore demokratike. Me anë të grevës së urisë, ata synojnë që qeveria të ndihet keq dhe të bëjë lëshime. Në këtë dinamikë demokratike dalin ca intelektualë, përfshi Plasarin, dhe i thonë qeverisë mos lësho se e ke mirë. E përsërisim, është e drejta e tyre. Por nuk mund të mos konstatojmë se zemërimi i vërtetë i shumë mbështetësve të pushtetit kundër grevës së urisë, nuk është, sikundër edhe ankohen, se greva është tepër radikale, por se nuk është aq radikale sa do të donin ata. Sepse ata dhe qeveria do të donin dhe lusnin që e majta, në vend të grevës, t’u drejtohej barrikadave që të kishin pastaj mundësi që ta skualifikonin si “komuniste”, si të dhunshme duke dhënë alarm nëpër Europë me Packët apo Volantet, se e majta është për dhunë dhe jo për demokraci, se është kundër Parlamentit. Greva e urisë i zemëron, sepse nuk u jep mundësi të nxjerrin “ligjin kundër socialistëve”, siç ndodhte këtu e dy shekuj më parë në jo pak vende të Europës, sepse nuk i jep mundësi t’i akuzojnë socialistët për djegien e “Rajhshtagut” si për një “flamur të NATO-s. Janë të zemëruar me grevën dhe e quajnë të gabuar, sepse ndërsa nuk u jep mundësi të godasin opozitën ajo, greva e urisë, po godet statukuonë e korruptimit alarmant të votës dhe të zgjedhjeve në Shqipëri, duke shënuar një epokë të re. E urrejnë grevën, sepse ajo u tregon jo vetëm shqiptarëve, por edhe gjithë botës, se sot në Shqipëri po bëhen përpjekje që zgjedhjet “të shndërrohen nga mjet mashtrimi në një mjet çlirimi”.
***
Të gjithë ata që dalin sot kundër grevës së urisë për votën e lirë (edhe Plasari) duhet të provojnë se në Shqipëri vota është e lirë dhe se zgjedhjet nuk vidhen. Po kush e pranon një gjë të tillë si të vërtetë, përveç ca “intelektualëve të kulturës dhe të pronës” që mbështesin pushtetin e radhës, si dhe të gjithë ato masa fatkeqe njerëzish që besimin ndaj pushteteve e kanë të pakurueshëm si një gjymtim? Sepse të pranosh që në Shqipëri nuk janë vjedhur votat, duhet të pranosh se ka gjykata të pavarura të afta të kërkojnë pa frikë votat e vjedhura dhe paratë e korrupsionit në xhepat e pushtetit. Sepse vota lirë nuk është një mrekulli, një rastësi, por një produkt, një domosdoshmëri e sistemit, një arritje e drejtësisë dhe lirisë. Por që Shqipëria është një shtet pa drejtësi dhe tejet i korruptuar, e sheh edhe “bufi”. Dhe që vota është vjedhur (edhe në 28 qershor) dhe vidhet nën të gjitha qeverisjet (demokrate e socialiste) e dinë të gjithë shqiptarët, jo pak prej të cilëve, janë bërë pjesë aktive apo pasive e këtij megamashtrimi që po gërryen demokracinë dhe lirinë, si erozioni tokën dhe mjedisin. Korruptimi i votës dhe i zgjedhjeve është pasojë e atij korrupsioni galopant që ka 20 vjet që e bën të lëngojë Shqipërinë dhe qytetarin. Plasari thotë se futja e PS në aventurën e grevës së urisë duhet të ketë shkaqe shumë të forta dhe rendit në krye të listës ato personale të Edi Ramës, si dhe ato të përfitimeve ekonomiko-financiare. Ai thotë edhe se greva bëhet për qëllime pushteti. Pa asnjë dyshim që bëhet për qëllime pushteti! Mos duhet të pritet ndryshe nga një politikan? Mos do të na thotë vallë se kutitë nuk hapen nga Berisha për hir të drejtësisë së pavarur? Mos do të na thotë se Kryeministri, një autoritarist tashmë me damkë, po i lë 200 vetë të vdesin urie jo për hatër të pushtetit, por për hatër të respektimit të ligjit? Mos vallë me këto “plasaritje” do të na bëjë të besojmë se Edi Rama është djall dhe Sali Berisha engjëlli i demokracisë dhe i respektimit të institucioneve dhe (uh!) i pavarësisë së drejtësisë? Që Berisha ka tentuar e tenton t’i heqë lirinë gjithçkaje në këtë vend, provat janë pa fund. Edhe mediat, ai punon që të jenë “të lira” të llapin po të mos thotë gjë. Motoja e Berishës dhe e berishizmit është: imazh “demokratik” dhe realitet autokratik. Pjesë e këtij trukimi janë edhe peticionet me intelektualë. Prandaj edhe kur flasin kundër grevës, në plan të parë vënë imazhin e “Shqipërisë” dhe interesat e “kombit” që vazhdon të mbetet streha e fundit e sharlatanëve. Ndërkaq askush nuk mund të japë garancira për liderë të tjerë. Do të qe shumë e gabuar. Për Edi Ramën dhe për këdo. Por një gjë është e qartë. Edi Ramës mund t’i qëmtosh jo pak gabime në karrierën e tij politike, por përpjekja e tij për votën e lirë në krye të opozitës, është një investim që i finalizuar me sukses, do t’i vlente sistemit të demokracisë që humbet themel e kuptim nëse nuk bazohet te vota e lirë. Vjedhja e votës është e barabartë me një grusht shteti. Madje edhe më keq sepse, ndryshe nga tanket dhe topat, nuk duket. Prandaj nëse arrihet transparenca e votës sot, vetë Edi Rama dhe kushdo lider tjetër, do ta ketë të vështirë ta dhunojë nesër kur të jetë në pushtet. Një lider mund të ushqejë në fshehtësi ambicie aspak të shëndetshme. Mund të ketë dhe ca dyshime për këtë. Por kjo nuk duhet të na bëjë që të mos e mbështesim kur ai, qoftë edhe për oportunitet politik, është i detyruar të udhëheqë aksione që shëndoshin sistemin e lirisë. Sepse duke shëndoshur sot sistemin bashkë me cilindo lider, do të jetë sistemi, vota e lirë, drejtësia e pavarur, që do na mbrojë nga lajthitjet dhe lakmitë e cilitdo lider nesër. Prandaj është një “plasaritje” pavlerë, të pyesësh se “përse e bën Rama”. Është ndoshta më e dobishme të kuptosh se ç’e detyron Edi Ramën të mbrojë sot fort votën e lirë. Të kuptosh nëse ky është një aksident, thjesht sepse ai ka për kundërshtar një dhunues tradicional të votës së lirë me emrin Sali Berisha, apo dedikim i një karakteri demokratik. Koha jep përgjigje më të saktë për të tilla dilema. Por sido që të jetë, e mbrojtur nga transparenca dhe drejtësia, vota e lirë do mund të ketë më shumë shanse të jetojë edhe nëse nesër në pushtet, miqtë e saj të sotëm në opozitë i kthejnë shpinën. Në fund të fundit, gjithçka duhet të shkojë në hullinë e asaj që thonë Karl Poper dhe Giovani Sartori, në krijimin e një sistemi që të mos lejojë të bëjnë shumë dëm edhe liderë të këqij të dalë nga zgjedhjet. Por më parë duhet të bëjmë zgjedhje të ndershme. Dhe për këtë na duhet se s’bën transparenca e kërkuar nga një grevë urie e “gabuar”.
No comments:
Post a Comment