Robert Goro | 15/07/2010 Shekulli on line
Një muaj pas fillimit të zbatimit të ligjit për dhënien e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve, lideri i opozitës greke, Antonis Samaras, i është rikthyer përsëri me tone të larta kësaj çështjeje, duke mos u ndalur thjesht në kritikën e zakonshme ndaj qeverisë socialiste.
Kreu i Demokracisë së Re ka parashtruar platformën e tij për emigracionin, që në një shikim të parë, konsiston në asimilimin e emigrantëve që duan të integrohen në shoqërinë greke, ndërsa e ka ndërvarur procesin e integrimit me sasinë e emigrantëve që, siç ka theksuar, është në gjendje të durojë shoqëria vendase.
"Çdo politikë emigracioni duhet të krijojë valvula sigurie për integrimin e emigrantëve. Kështu që ky të bëhet normalisht dhe gradualisht, me objektiv final integrimin e emigrantëve që mund të durojë një shoqëri", ka thënë lideri i partisë më të madhe opozitare greke.
Zoti Samaras është ndalur më shumë në procesin e dhënies së nënshtetësisë së fëmijëve të emigrantëve, duke theksuar se kur partia e tij të vijë në pushtet, do ta shfuqizojë ligjin përkatës që u votua në muajin mars.
Nëse fëmijët që do të marrin nënshtetësinë do të zhvillojnë një ndërgjegje komuniteti të ndryshme nga ajo e shoqërisë ku u rritën, këtu ka problem.
"Jemi të detyruar që këtë ligj të PASOK-ut ta ndryshojmë, kur Demokracia e Re të marrë pushtetin. Dhe angazhohemi qartë që tani për këtë.
Fëmijët e emigrantëve të ligjshëm që lindin këtu do ta marrin të drejtën e nënshtetësisë kur të arrijnë moshën madhore. Mirëpo, që të ushtrojnë këtë të drejtë do të duhet të zgjedhin ndërmjet nënshtetësisë greke dhe nënshtetësisë së vendit të prindërve të tyre, dhe së dyti të kenë kryer arsimin nëntëvjeçar, që është i detyrueshëm edhe për grekët".
Lideri i opozitës i ka mëshuar idesë së asimilimit, ndonëse nuk e ka cilësuar shprehimisht kështu. "Nëse fëmijët që do të marrin nënshtetësinë do të zhvillojnë një ndërgjegje komuniteti të ndryshme nga ajo e shoqërisë ku u rritën, këtu ka problem", tha lideri i opozitës.
Por, ministri i Brendshëm, Janis Ragusis, nën drejtimin e të cilit u hartua ligji për nënshtetësinë, e ka quajtur si historik këtë vendim të qeverisë greke.
Në një takim me përfaqësues të komuniteteve të emigrantëve në Athinë, ministri i Brendshëm i Greqisë, ka deklaruar se, me gjithë presionet e së djathtës, qeveria nuk do të bëjë mbrapa në vendimin e vet, i cili po zbatohet që prej një muaji.
"Nuk kemi për të bërë asnjë centimetër prapa. Sepse besojmë vërtetë te kjo që bëmë, besojmë se kjo do të ndihmojë Greqinë dhe të gjithë neve, se do të krijojë vërtetë një shoqëri, e cila do të jetë shumë më e mirë se sa kjo që është sot, ose nga sa do të ishte në të ardhmen, nëse do të vazhdohej ky regjim i papranueshëm i mungesës së rregullave, mungesës së parimeve, një regjim i papranueshëm izolimi i qindra mijë emigrantëve", tha ministri i Brendshëm grek, Janis Ragusis.
Legjislacioni për marrjen e nënshtetësisë greke nga fëmijët e emigrantëve parashikon procedura të thjeshtëzuara dhe të shpejta.
Tre kushtet janë, që fëmijët, ose të kenë lindur në Greqi, ose të kenë kryer gjashtë vjet në sistemin arsimor grek dhe prindërit e tyre duhet të kenë qëndrim të ligjshëm në Greqi.
Në të vërtetë, pozicionimi i liderit të opozitës përbën një përsëritje të tezave që i shpalosi gjatë një debati tepër të ashpër e të gjatë parlamentar, kur po diskutohej projektligji për nënshtetësinë. Por, tashmë, këto teza janë paraqitur më të plota e më të argumentuara, sipas filozofisë së opozitës.
Nga ana tjetër, bën përshtypje momenti kohor që opozita e nxjerr përsëri në skenë këtë çështje, në të njëjtën ditë që përfundoi procesi zgjedhor i organeve drejtuese të Demokracisë së Re, e cila po bën përpjekje të marrë veten nga disfata në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Ky moment kohor vlerësohet nga analistët se dëshmon se Demokracia e Re i jep një prioritet të veçantë çështjes së emigracionit, në kohën që problemi më kardinal i Greqisë është përballimi i pasojave të krizës ekonomike financiare.
4 comments:
Akoma ju me keto biseda rreth identitetit te Himarjoteve?! Kush e mban veten per grek le te jete ashtu, kush per shqiptar le te mbetet po ashtu. Neser mund te dale ndonje himarjot (dhe s'eshte cudi) qe te thote se eshte kinez. Eshte e drejta tij :) Pse me ate do rrime te merremi ne qe ti mbushim mendjen qe s'eshte kinez?! :) Mendje mendje kjo bote. Dhe Himarjotet njihen qe jane koke me vete secili. Pak a shume si shqiptaret dhe greket ;)
Dhermiu
Nuk do qe me mire te dikutohej per artikullin e Robertit se sa per biografine e tij? Tek e fundit ai familjarisht ka deltio taftotita homogjenon, dmth ka hedhur nje firme qe deklaron origjine e tij.
Kostandini
Kiritsi, mendoj se politika e emigracionit e nje force te djathte ndryshon nga ajo e nje force te majte dhe Berti qartazi mbeshtet politiken e majte e cila ne nje fare menyre i ka dhene hapesire dhe gazetes dhe aktiviteteve te tij, keshtu dihet preferenca e Bertit.Por ka dhe nje argument, e majta ka talent per demagogji duke pretenduar se eshte per te drejta te emigranteve por kur vjen puna ne praktike ajo eshte po aq konservatore sa e dhjathta.(sa per mosdijen e tij se c'te drejta jep karta e homogjenit, nuk besoj se Berti nuk e di nje gje te tille, por sigurisht nuk desheron te hyje ne debat ne nje terren pak te rreshqitshem per te dhe prandaj eviton te debatoje publikisht).
Por kjo nuk dmth se politika e emigracionit ne Itali eshte ajo me e drejta. Logjika te con tek ajo qe mbeshtesin dhe gjermanet. Kerkeses se Erdogan per te hapur shkolla turke per 2 milone turqit ne Gjermani, Merkel ju pergjigj se turqit duhet te integrohen ne jeten gjermane, dmth duhet te asimilohen perndryshe ata perbejne rrezik potencial per vendin ku emigrojne. Kjo vlen edhe per emigrantet ne Greqi.
Megjithate ne si himarjote as na ngroh e as na ftoh kjo politike emigracioni e Samarait sepse ne perfshihemi nga nje ligj tjeter per marrjen e shtetesise dhe faktikisht ka muaj qe ky ligj nuk po gjen zbatim edhe nga e majta. Duket sikur eshte "pagosur".
Ne thelb himarjotet qe kane aplikuar per shtetesi do te duhej ta kishin marre ate prej kohesh sepse identiteti i tyre nuk ndryshon nga pjesa tjeter e popullsie greke dhe cdo vonese qe behet nuk ka asnje lloj argumenti vec burokracise se renduar.
Psh ne nje familje ka marre djali ose vajza shtetesine kurse prindet jo ose e kunderta.
Konstandinos
Me sa di une R. Goro megjithe panshmerine e tij si gazetar ne Shqiperi mbeshtet te djathten e Berishes, por ne greqi e majta i ben me shume pune...
o barbas
Post a Comment