Friday, July 16, 2010

E vërteta dhe fasada në ekonominë shqiptare

http://www.dw-world.de/dw/article/0,,5795255,00.html

Thomas Fuster, Tiranë | 16/07/2010

Në pamje të parë Shqipëria duket se shumë gjëra i ka bërë në rregull. Kështu shteti ballkanik bën pjesë në ato pak vende, të cilat gjatë vitit 2009 me gjithë krizën financiare shënuan rritje ekonomike, e madje në rastin e Shqipërisë në nivelin 3,3%.

Por një vështrim i dytë bën të qartë se ky kontribut i veçantë ka nevojë për një relativizim. Së pari, ekonomia kombëtare edhe dy dekada pas kolapsit të rendit të vjetër komunist vazhdon të jetë shumë e izoluar, dhe kush nuk eksporton thuajse asgjë.

Pra, nuk ka tregje eksportesh për të humbur. Së dyti, rritja ekonomike e vitit të kaluar i dedikohet krahas të ardhurave (që nuk do përsëriten më) nga privatizimet, edhe programeve bujare të shpenzimeve publike, me të cilat kryeministri S. Berisha u përpoq të ngrinte moralin e zgjedhësve para zgjedhjeve parlamentare, verën e kaluar.

Shok vuajtjesh me Greqinë

Me gjithë ndërthurjen e dobët me tregjet botërore, kriza ekonomike nuk kaloi pa lënë gjurmë edhe në Shqipëri.

Me vragën nga përvojat traumatike të vitit 1997 të shembjes së piramidave të fajdeve, - (të cilat zhdukën brenda natës kursimet e një pjese të madhe të popullsisë pa përvojë në çështjet e parave dhe që patën si pasojë zhytjen e Shqipërisë brenda një kohe të shkurtër në anarki) - njerëzit reaguan fillimisht me mjaft nervozitet ndaj dështimeve financiare botërore. Në fund të 2008-ës sistemi bankar vendas u konfrontua madje me një bank-run të vogël (tërheqje në masë të depozitave të klientëve).

Por situata u përmirësua shpejt. Më shumë shqetësim u krijon ekonomistëve ulja e fluksit të parave nga jashtë. Këto të ashtuquajtura remitanca gjatë vitit 2009 shënuan nivelin më të ulët që prej pesë vjetësh. Me zyrtarisht 781 milionë euro ato përbëjnë ende 9% të produktit të brendshëm bruto.

Por në vitin 200,7 transfertat nga emigrantët ishin në nivelin 951 milionë euro. Një përmirësim i shpejtë nuk ka të ngjarë të ndodhë. Kjo edhe sepse shumë emigrantë në Greqinë fqinje të tronditur nga kriza, luftojnë tani për mbijetesën e tyre ekonomike.

Emigrantët shqiptarë në Greqi vlerësohen në 800.000 vetë dhe përbëjnë atje grupin më të madh të punëmarrësve të huaj. Jo pak prej tyre druhen për humbjen e punës ose kanë mbetur tashmë të papunë.

"Paratë nga Greqia kanë rëndësi jetike për ekonominë e Shqipërisë", thotë A. Civici, profesor ekonomie. Nëse një numër i madh i këtyre emigrantëve do ta ndiejnë veten të shtrënguar të kthehen në masë në atdhe, mund të lindin probleme sociale.

Në Shqipërinë me 3,2 milionë banorë vendet e punës janë të pakta. Vërtet kuota e papunësisë zyrtarisht është në nivelin 14%, dhe pra jo shumë e lartë në krahasim me mesataren e rajonit. Por, kjo kuotë nuk ka forcë domethënëse, pasi popullsia rurale nuk përfshihet në statistikat e papunësisë.

Problemi i pazgjidhur i tokës

Bujqësia pasqyron një të keqe thelbësore të ekonomisë vendase: mungesën e aftësisë konkurruese. Megjithëse sektori agrar përbën bazën ekonomike për rreth 50% të popullsisë, më shumë se 40% e produkteve agrare importohen.

Sektori agrar kufizohet në pjesën më të madhe në ekonomi të ashtuquajtura "subsistence", pra ku fshatarët prodhojnë sa për të furnizuar me ushqime familjet e tyre. Për shitje ose eksport nuk mungojnë vetëm mundësitë e marketingut.

Në krahasim me fqinjët e huaj si p.sh. Greqinë apo Italinë të cilat përfitojnë subvencione bujare nga BE-ja, prodhuesit vendas në Shqipëri, të cilët nuk marrin asnjë mbështetje shtetërore, nuk janë në gjendje të konkurrojnë edhe sa i takon produktivitetit.

Një arsye e rëndësishme për mjerimin e bujqësisë është parcelizimi i ekstrem i sipërfaqeve të gjelbra.

Çdo fermeri i takojnë mesatarisht vetëm 2,1 hektarë tokë e shfrytëzueshme; në shumë raste bujqit madje kanë vetëm 0,2 deri 0,4 hektarë. Një nga shkaqet për këtë duhet kërkuar në fillimet e viteve 1990, kur në kuadër të reformës agrare u shpërbënë kooperativat bujqësore dhe toka bujqësore iu shpërnda falas ish anëtarëve të kooperativave.

Pasojë e kësaj politike është një copëzim i fortë i truallit, që bën thuajse të pamundur një administrim agrar eficient. Një tjetër e metë është që për shumë copëza trualli, kryesisht në afërsi të qyteteve dhe në rajonet me potencial turistik, ekziston ende një pasiguri e madhe ligjore mbi raportet e pronësisë.

Për investuesit potencialë çështjet e pazgjidhura të pronësisë e bëjnë natyrisht pak tërheqës vendin. Për ish- këshilltarin ekonomik të kryeministrit S. Berisha, N. Sejamini, konflikti i vazhdueshëm për të drejtat mbi truallin është një arsye qendrore përse gjatë transformimit post-komunist nuk është ngritur thuajse asnjë industri e re.

Askush nuk rrezikon duke bërë investime të shtrenjta në një truall, nëse vazhdimisht druan se papritur njerëz të panjohur mund të ngrenë pretendime për atë truall.

Një këngë për këtë problem mund të këndonte operatori francez i fshatrave turistikë "Club Med": vite me radhë luftoi ai për një projekt rreth 75 milionë euro, për ndërtimin e një fshati turistik në bregdetin jugor të Shqipërisë. I përballur me paditë e jo më pak se 129 familjeve, të cilat të gjitha pretendonin të drejta mbi tokën, investuesi hoqi dorë i lodhur.

Në pritje të kërkuesve të arit
Në Shqipëri sundimi i ligjit qëndron mbi këmbë të dobëta. Lidhjet personale dhe privilegjimi i klanit përkatës kanë shpesh më shumë rëndësi sesa detyrimi kundrejt ligjeve dhe rregullave.

Një diplomat perëndimor na flet për drejtim të shtetit me persona dhe jo institucional. Kur vjen në pushtet një drejtues i ri, thotë, fillimisht ai ndërron krejt personelin, dhe këtë e bën deri në rangjet më të ulëta. Në kushte të tilla nuk mund të bëhet fjalë për vazhdimësi në udhëheqjen e shtetit.

Por për këtë arsye investuesit dhe organizatat e zhvillimit, nuk mund asnjëherë të jenë të sigurta që marrëveshja e arritur me drejtuesin e mëparshëm, të ketë vlerë edhe kundrejt mbajtësit të ri të postit.

Pa dyshim: Ekonomia e dytë më e varfër në Europë (pas Moldavisë) pengohet shpesh nga vetvetja gjatë zhvillimit.

Ndonjëherë reformat janë më shumë fasadë sesa të vërteta. Shqipëria vërtet ka futur shumë ligje të mira duke pasur parasysh edhe anëtarësimin e synuar në BE; por përdorimi i tyre lë shpesh për të dëshiruar. Me sukses të pakët ishin edhe nisma të shumta eksporti, me anë të të cilave synohej të ndreqej bilanci tregtar tejet deficitar (eksportet janë vetëm sa një e pesta e importeve).

Vendi i pasur me lumenj ka në fakt kushte të favorshme në sektorin e energjisë hidrike. Edhe në industrinë minerare (krom, bakër, nikel) ose në turizëm ka potenciale. Por, për atmosferën e kërkimit të arit, - siç konstatohej pas fundit të Luftës së Ftohtë fillimisht në lindje të Europës Qendrore dhe fill më pas edhe në disa vende të Europës Juglindore, - ende pritet në Shqipëri.

* Botuar në gazetën gjermane "Neue Zürcher Zeitung" - Përktheu: Eliana Xhani. Me shkurtime, nga sajti online i radios Deutche Welle

No comments: