Tuesday, August 31, 2010

Turist në ferrin Shëngjin- (Himare-Sarande Vlore-a thua ka ndryshim?)

Dr. Lush Susaj | 31/08/2010 | Komente |shekulli on line

Ka disa ditë që jam kthyer tepër i zhgënjyer nga plazhi i Shëngjinit. Këtë vit pata paguar një banesë për 15 ditë qëndrimi. Këto para i dhashë parapagim, pasi pronari dhe pronarët e tjerë kanë kohë që e kanë kuptuar se në këto plazhe pushuesi nuk gjen qetësinë dhe shërbimin e duhur, përkundrazi gjen pisllëkun, injorancën, zhurmat, infeksionet, abuzimin me çmimet dhe cilësinë e ushqimit e deri tek mungesa e dritave dhe ujit.


Këtë vit, që ditën e parë, jetova me shqetësimin për të ikur sa më shpejt nga ky ambient ku lopët kullosnin dhe mrizonin në afërsi të çadrave të pushuesve. Ika nga ky plazh, ku vetëm lopët pastrojnë vendin nga lëvoret e shalqirit dhe bananeve, ndërsa letrat dhe plastmasë të hedhur vend e pa vend i ngrinte era duke i përplasur në fytyrën time dhe të pushuesve të tjerë.


Që ditën e parë që shkova më bëri përshtypje ndërtimi i godinave shumëkatëshe në rerën e bregut të detit, një krim i rëndë ndaj natyrës dhe të ardhmes së turizmit në këtë zonë dhe në të gjithë bregdetin e vendit. Bregu i mbjellë me pisha është zhdukur tërësisht dhe është zëvendësuar nga pallatet shumëkatëshe me një renditje dhe arkitekturë kaotike.


Këto pallate janë ndërtuar shumë afër njëri-tjetrit, nuk janë respektuar largësitë as rregullat më elementare, kjo mënyrë ndërtimi dhe ndërhyrje e ka shëmtuar përjetë këtë perlë të bukur të bregdetit dhe natyrës Shqiptare.


Në vendin ku unë qëndroja të binin në sy disa hotele të vogla, këto ndërtesa janë një përçudnim tjetër, janë një pamje tjetër e shëmtuar e bregdetit, janë ndërtuar me arkitektura të ndryshme, aspak harmonike dhe funksionale


Përveç lopëve dhe derrave që shëtisnin nëpër çadrat dhe ambientet e plazhit, një shqetësim i madh mbetej ardhja e romëve dhe fshatarëve gjatë pasdites dhe qëndrimi i tyre në grumbuj me nga 20 veta në një çadër, duke u bërë kështu shqetësim për neve që kishim ardhur për të marrë pak qetësi dhe relaks.


Qëndrimi i tyre në grumbuj shoqërohej me britma dhe zhurma, me shprehje vulgare dhe fjalë të pista, të cilat na irritonin pa masë. Akoma më keq ishte gjatë natës kur jashtë dritares, shpesh dëgjoheshin britma, sharje e rrahje të pushuesve me njëri-tjetrin. Gjithnjë në këto skena të neveritshme, aktorë ishin malësorët nga Mirdita, Shkodra, Tropoja, Mati, Dibra etj., të cilët, pasi pinin raki apo luanin bilardo i tregonin dhëmbët dhe pistoletat njëri-tjetrit.


Qëndrimi në rërën e detit është pothuajse i pamundur, shkaku është pisllëku i krijuar dhe mungesa e pastrimit të rërës për një kohë të gjatë. Për fat të keq në këtë zonë dhe zona të tjera është krijuar zakoni i fshehjes së copave të mollës, copave të bukës, shisheve, lëvozhgave, kockave, letrave etj., në rerën ku qëndrojnë pushuesit.


Cilësia e ushqimit dhe shërbimit është një shqetësim tjetër i madh. Kudo ka mungesë korrektese dhe cilësie, ka abuzim me sasinë dhe çmimin.


Më bëri përshtypje një natë kur një pronar lokali na tha se "porositni se po shkoj e të thërras kuzhinierin", aty e kuptova se si një kuzhinier punon njëkohësisht në dy lokale dhe pushuesi duhet të pushonte apo të qëndronte peng në lokal sa të zihen makaronat.


Ndërsa në një lokal tjetër porositëm picat sipas preferencave tona, kamarieri na solli faturën me një çmim më të lartë nga ai i dhënë në menynë e lokalit, hileja e përdorur, abuzimi, injoranca dhe marrja e fitimit të pamerituar janë faktor stresant. Këto ishin ato shkaqe që më detyruan për të ndërprerë pushimet në Shëngjin.


Ndofta për gjatë gjithë jetës sime nuk do të ketë më lajthitje për të kaluar pushimet në plazhet e mbushura me pisllëk, zhurmë dhe mungesë sigurie, njerëzit duhet ta kuptojnë se turisti, pushuesi është mbret, duhet kuptuar një herë e mirë se turisti është viktimë apo peshk që bie në rrjetën e atyre që kanë ndërtuar bizneset e tyre në këtë zonë dhe në plazhet e tjera të vendit. Kjo gjendje, ky nivel i ulët shërbimi i largon gjithnjë e më tepër pushuesit dhe turistët vendas dhe të huaj.


Më bëri përshtypje fakti se kudo mbi pallatet e ndërtuara ishin shkruar shprehjet "shiten me hipotekë", "filluan shitjet" etj. Të gjithë thonë: "do të vijnë Kosovarët e t'i blejnë", "do të vijnë Rusët e Gjermanët se kanë shumë para", "keni për të parë sa do të rritet vlera e tyre" etj.


Ndërsa realiteti është krejt tjetër, ka vite që ka rënë ritmi i shitjeve, shumica e pallateve dhe garsonierave janë bosh gjatë gjithë vitit, më këtë nivel kulturor do të ulet akoma më shumë numri i blerësve dhe i përdoruesve sezonal të tyre.


Askush nuk hedh parat për të jetuar pranë me bajgat e lopës, as me fekalet e qytetit, as me kamarieret që abuzojnë dhe vjedhin xhepat e pushuesve, as me rërën që pastrohet një herë në muaj, njerëzit kanë alternativa të tjera më të mira e më të lira në Korfuz, Turqi, Mal të Zi dhe Kroaci.


Nuk vlen apartamenti në një vend ku nuk pastrohen plehrat, në një vend ku njerëzit ndotin e dhunojnë natyrën dhe ligjet e shtetit e të fqinjësisë së mirë, nuk blihet prona në një vend ku ndihesh i dhunuar, ku stresohesh duke shikuar se si njerëzit urrejnë dhe hanë njëri-tjetrin në vend që të bashkëpunojnë për ambientin dhe perspektiven e bregdetit tonë të krijuar mrekullisht nga natyra. Natyra dhe ambienti i dhunuar në një moment të caktuar do të ndëshkojnë rëndë.


Ka disa ditë që krahu im i djathtë është infektuar keq, është mbushur me puçrra të kuqe, kjo është dhurata e ndotjes së ujit të plazhit të Shëngjinit dhe plazheve të tjera të Shqipërisë, ku për fat të keq njerëzit vazhdojnë akoma të urinojnë dhe të kryejnë nevojat fiziologjike në ujin e plazhit.


Në natën e tretë të qëndrimit tim (dt 18. 08. 2010), në orën 2 të natës kërciti pistoleta dhe më pas plasi një zhurmë që na la pa gjumë deri në mëngjesin tjetër. Dikush thoshte se "mori gjakun", të tjerë thoshin "ra në gjak", një fjalor vulgar e tepër i dëmshëm për djalin tim 16-vjeçar e fëmijët e tjerë të pushuesve.


Qëndrova rreth një orë në ballkon duke parë teatrin e gjelave trima, më bëri përshtypje se në kushtet e atyre britmave dhe kërcënimeve nuk lëvizi asnjë makinë apo patrullë policie, ruajtësit e qetësisë dhe sigurisë nuk u duken, zakonisht ata vijnë për të mbledhë kufomat dhe për t'i dërguar ato në morg, për fat të mirë ajo natë sherri u mbyll pa të vrarë.


Për fat të keq, këto do të ndodhin edhe për shumë vite e dekada të tjera, aty ku ka gjakmarrje e mungesë të funksionimit të shtetit nuk do të ketë siguri, pastërti, seriozitet, cilësi shërbimi, parqe, lulishte apo arkitekturë relaksuese e harmonike. Në këto 20 vite, shqiptarët kanë mohuar, ngushtuar, dhunuar dhe pushtuar natyrën dhe vetveten.


Shëngjini, Velipoja, Golemi, Saranda etj., shprehin më së miri përmasat dhe pasojat e këtij pushtimi mizor e me pasoja katastrofike. Kudo dëgjon njerëz që flasin për botën e zhvilluar, për standarde mjedisore, ndërsa tinëzisht mendjen e kanë tek pushtimi, rahatllëku, dembelizmi, hajdutllëku, mashtrimi e zhgarravitja e hartës, tokës, panoramës, natyrës, këtu të gjithë dinë të bëjnë mirë asgjënë, asgjëja iu shijon dhe iu shkon për shtat.


Ky realitet buron nga një nivel i ulët i zhvillimit kulturor, nga mungesa e familjeve të kultivuara, mungesa e maturimit dhe e qytetarisë së

vërtetë, mungesa e jetës kolektive dhe mungesa e zbatimit të normave komunitare. Është e rëndë të jetosh fare pranë bregdetit të Durrësit, Lezhës, Golemit, Sarandës etj., e të mos guxosh të kalosh pushimet tradicionale me familjen.


Dhunimi i bukurisë së natyrës, bregut të rërës, brezit të pishave, pastërtisë së ujit dhe dinjitetit të turistëve do të ketë pasoja të rënda për biznesin, shërbimet e hotelerisë dhe restoranteve, ndërtimin dhe shitjen e banesave, punësimin dhe mirëqenien e popullsisë së zonave bregdetare dhe ekonomisë kombëtare në tërësi.


Është koha për t'u sjellë ndryshe me ambientin dhe resurset tona natyrore, historike dhe njerëzore, shpresojmë në maturimin dhe rritjen e qytetarisë.

1 comment:

Anonymous said...

Eshte pak per te thene qe kemi te bejme me nje shkrim realist. Ja qe evolucioni natyror nuk ka ndodhur si proces kudo. Ka ende vende te virgjera per studime shkencore ne lidhje me paraardhesit e njeriut.