Monday, December 27, 2010

Darka … më falni, Libri i Gabuar i Kadaresë

http://www.respublica.al/mat.php?idm=401&idr=8
Mustafa Nano
Ismail Kadare
Mora librin e ri të Ismail Kadaresë me nëntitull “Mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me vetveten”. Është hera e parë që lexoj një libër, ku nëntitulli të tërheq vëmendjen më shumë se sa titulli. Është një libër eseistik, apo – siç e quan vetë Kadare me një fjalë të gjuhës shqipe – një sprovë. Zura ta lexoja. Do t’ua këshilloja dhe të tjerëve ta lexonin. Menjëherë. Është një libër i shkruar mirë. Ka pasazhe që të ngacmojnë e të thëthijnë si lexues. Por deri këtu nuk është se po them ndonjë gjë, që mund të befasojë ndokënd. Ky është një libër i Ismail Kadaresë.

Nga ana tjetër, libri është provokativ Shumë provokativ. Kadare s’ka qënë asnjëherë kaq provokativ. Ndërkohë që lexoja librin (e lexova me një frymë), po jetoja me idenë se dy mesazhet kryesore të tij ishin, së pari që “armiqtë e Shqipërisë janë vetë shqiptarët (në këtë mes nuk është original, dhe në fakt, nuk e pretendon këtë gjë)”, dhe së dyti që “në liri shqiptarët marrin kot, dhe nuk janë në gjendje të qullosin ndonjë gjë të madhe në favor të vetvetes; përkundrazi”. Nuk është se e ka keq me këtë mesazh të dytë. Dhe me ndonjë mesazh tjetër, që nxjerr krye në gati 200 faqet e librit.

E megjithatë, gjatë 4-5 orëve që u mora me sprovën në fjalë nuk m’u shqit asosacjoni se po lexoja një libër të gabuar, me anë të të cilit autori nuk bën asnjë përpjekje për të përgënjeshtruar Ismailin e mëparshëm të paditur nga më shumë se një drejtim si nacionalist, racist, deri dhe homofobik. “Për inat të të gjithëve”, bën të kundërtën, bën çmos ta theksojë bash atë Ismail, që shqetëson të tjerët, a thua se i intereson më shumë nami si ikonë e nacionalizmit shqiptar, se sa nami si ikonë e artit dhe e kulturës shqiptare, apo si zë i rëndësishëm i kulturës në përgjithësi. Nëpër margjinat e librit që sapo lexova kam shkruar (siç e kam zakon me çdo libër që lexoj) plot shënime. Por një pjesë sosh janë të llojit: “jooooo!”, “nc, nc, nc”, “ç’ia fut kot, Mol!”, ose “Fiu!”, ose “jo, këtë s’duhej ta thoje”, ose “arrin ta thuash dhe këtë?”.

Me siguri, është një libër që do ta dëmtojë edhe në planin personal. Nëse libri do të përkthehet në gjuhë të rëndësishme (dhe do të përkthehet që ç’ke me të), ka për t’u kritikuar vënçe. Kadare rreket të marrë në mbrojtje kombin e vet, dmth kombin tonë, por dashje pa dashje (sipas shumë gjasash, më shumë me dashje se sa pa dashje) nacionalizmi i tij demonstrohet në mënyrë të vrazhdë e bruto; sidomos kur etiketon si antishqiptarë (rimohues, ose rimohsa) një numur shqiptarësh të dalluar për qëndrime kritike ndaj “vendit të Kadaresë” e ndaj historisë së këtij vendi. Do t’ia marrin këtë libër për atë çfarë në të vërtetë është (në një masë jo të vogël): një agresion kundër mendimit të lire. Ndërsa atë vetë do ta marrin si një qejfli të mendimit hegjemon e homogjen (nuk e di nëse është i tillë).

No comments: