Monday, December 06, 2010

Ku gabon përsëri " Prof." Kristo Frashëri

Pirro PRIFTI


E lexova me kujdes dhe ‘akt-akuzën’ publike e dytë ndaj Kryepeshkopit Janullatos të shkruar në gazetën shqiptare të datë 16 dhe 17 nëntor nga ana e historianit Kristo Frashëri. Në këtë ‘Akt-akuzë’ publike shprehen disa të vërteta të marra në kontekstin historik por dhe disa

të pavërteta të para në kontekstin e komunitetit ortodoks shqiptar, të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë dhe të Integrimit të Shqipërisë.
Argumentet që do të parashtroj, disa nga të cilat mund të jenë kaluar shkarazi në shkrimin tim të botuar tek Gazeta ‘Sot’ 10 ditë më parë kanë të bëjnë kryesisht me shkaqet që shtynë profesorin e nderuar Kristo Frashëri (sipas mendimit tim) për të vazhduar gjatë gjithë periudhës tetor- nëntor sulmet e pa-precedent ndaj Kryepeshkopit Anastasios Janullatos dhe automatikisht edhe kundër Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare e komunitetit të krishterë ortodoks të Shqipërisë.
Shkaqet e sulmeve ndaj Kryepeshkopit Anastasios Janullatos do t’i analizoj më poshtë por përmblidhen në këto argumente:
-Së pari, sulmi nuk është për aspekte fetare por është tërësisht politik nën pretekstin e mbrojtjes së atdheut nga Greqia e cila paskërka futur Kryepeshkopin për të marrë tokat shqiptare të të ashtuquajturit Vorio Epir duke vendosur piketat me kryqe në varret e ushtarëve grekë në Përmet e Boboshticë. Pra ka një mbivendosje të problemeve politike ndaj atyre fetare. Këta pseudo-nacionalistë të tipit Baleta, Butka, e të tjerë, kanë frikë të sulmojnë dhe të bëjnë peticione kundër qeverisë greke për rrezikun e marrjes së tokave të Vorio-Epirit nga ana e Greqisë por e gjejnë më të volitshme t’i turren Kryepeshkopit Anastasios Janullatos duke ofenduar jo vetëm atë si uzurpator të Kishës por dhe si uzurpator të tokave shqiptare në potencë në të ardhmen, pra e akuzojnë edhe si Kalë i Trojës edhe si Judë.
Përzierja e akuzave politike duke i u turrur Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare është e padrejtë dhe e pabazë. Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe rrjedhimisht edhe Kryepeshkopi Anastasios Janullatos nuk kanë të bëjë me asnjë nga këto akuza. Kryepeshkopi ka ardhur në Shqipëri, dhe është zgjedhur si i tillë jo me kërkesën e tij por me kërkesën e Patrikanës së Stambollit dhe të qeverisë shqiptarë të asaj kohe me në krye Presidentin Berisha siç do të japim më poshtë argumentet me shkrim të nxjerra nga literatura historike dhe English Wikipedia.
Së dyti, Sulmet kundër Kryepeshkopit Anastasios Janullatos janë sulme ndaj vetë Komunitetit Ortodoks të Shqipërisë sepse ky komunitetet është shtuar në numër dhe është më solid sepse jo vetëm adhuron Perëndinë, predikohet në gjuhën shqipe, arsimohen priftërinjtë në Shqipëri, por më e rëndësishmja është se Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare njihet si e tillë kudo në botë dhe është një faktor i rëndësishëm i tolerancës fetare në Shqipëri dhe një nga standardet e arrira për integrimin në BE. Kjo kishë është e fortë dhe solide sepse u rinovua nga dëshira e besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë me ndihmën e Kyepeshkopit Anastasios Janullatos. Kjo është arsyeja që pseudo-nacionalistët e tipit Baleta, Butka, e të tjerë kripto komunistë dhe ateistë tërbohen nga fakti që ky komunitet dikur i përbuzur dhe i nëpërkëmbur e që quheshin me tallje ‘hë kaurr i derrit’, sot kontribuon për integrimin e Shqipërisë dhe nesër do të përfaqësohet medoemos në drejtimin e shtetit, një nga postet e të cilit i janë rrëmbyer me pa të drejtë për shkak të luftës politike që vazhdon të dëmtojë Shqipërinë, si dhe të ish- nomenklaturës së kuqe ateiste e armike e fesë e futur për të përvetësuar demokracinë post-komuniste të emëruar në drejtim- nga Ramiz Alia.
Së treti, nëpërmjet Prof. Kristo Frashërit të pamundur, këta sofistë e snobë të Partisë së Punës nuk e kanë për gjë ta quajnë derrin dajë. Kanë qenë këta që i kanë puthur dorën Kryepeshkopit Anastasios Janullatos dhe prapa shpine për një kohë të gjatë kanë shpifur e sharë e sot venë përpara Prof. Kriston që të kritikojë Anastasio Janullatusin sepse nuk duan që para tij të dalin armiq, sepse sigurisht kanë qenë edhe qelepirxhinj dhe kanë gëlltitur dikur ‘lugën e çorbës‘ së spiunit. E sot na dalin si atdhetarë të kulluar, këta frikacakë që i kanë shërbyer me devotshmëri një diktatori si Enver Hoxha.
Së katërti, analiza e kujdesshme e Tomos-it, e Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, nga ana e këtyre mostrave të së kaluarës të ngjall neveri kur mendon se ishin po këta pseudo-atdhetarë që derdhnin lot e qyrre për vdekjen e udhëheqësit të dashur të partisë e të shtetit me 1985, duke e ditur fare mirë që Kushtetuta Komuniste e 1975 la pa fe dhe e shpalli Shqipërinë atesite.
Së pesti por jo më pak i rëndësishmi, është e vërtetë që Kyrepeshkopi Anastasios Janullatos nuk ka nënshtetësi shqiptare dhe kjo jo për faj të tij sepse duke qenë qytetar nderi i Tiranës dhe i Korçës, duhet ta kishte automatikisht nënshtetësinë shqiptare dhe si i tillë do të përgjigjej më mirë detyrave edhe si qytetar i Republikës së Shqipërisë. E rëndësishme është se tashmë janë përgatitur priftërinjtë e ardhshëm për peshkopë e Kryepeshkopë të mundshëm vetëm pas Anastasios Janullatos-it. Përsëri Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare është në Shqipëri do të ketë përsëri kongrese kishtare në të cilën do të zgjidhen peshkopë dhe Kryepeshkopë për Komunitetin ortodoks të Shqipërisë dhe kjo nuk ka pse të shqetësojë pseudo-nacionalistët se kush zgjidhet. Nuk e dëmton Komuniteti Ortodoks i Shqipërisë pavarësinë e vendit dhe as Kryepeshkopi i cili erdhi për të ndihmuar ngritjen e Ortodoksisë në Shqipëri sepse nuk kishte klerikë shqiptarë. Padurimi vetëm acaron jo vetëm komunitetin ortodoks shqiptar por dhe komunitetet e tjera me të cilët bashkëjetojmë. Janë këta pseudo-nacionalistë që shqetësojnë Shqipërinë duke shpikur frikëra të paqena, ashtu si dikur për frikën nga kapitalizmi amerikan dhe social-imperializmi sovjetik.
Ishte ‘kontributi’ i këtyre pseudo-nacionalistë që sot rrahin gjoksin e çirren se ‘nuk do të lëmë asnjë pëllëmbë tokë të na e marrë greku’, por harrojnë se Zogu shiti Shën Naumin, dhe një pjesë të Vermosh-it, Enveri me këta ‘patriotë’ desh e përfshiu Shqipërinë në Republikë të 7 të Jugosllavisë, pas ‘91, shumë nga këta shkonin e merrnin borxhe të Avdi Sejdia dhe kishin për borxh të shisnin jo vetëm veten por dhe Shqipërinë. Të nderuar pseudo-patriotë që fshiheni pas plakut Kristo, asnjeri nuk e cenon sot Shqipërinë, mos derdhni sot, së koti, lot krokodili, sepse Shqipëria është në NATO, ka mike SHBA, nesër do integrohet në BE, sot do dalim pa viza e do shkojmë në Itali, Greqi e gjetkë. Lëreni të qetë Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe Kryepeshkopin e saj Anastasios Janullatos të bëjnë punën e tyre në adhurimin e Zotit Jezu Krisht duke predikuar në shqip ashtu si e donin Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Fan Noli, dhe në nipërit e stërnipërit e tyre.
‘Let bygone be bygone’ (të shkuara të harruara). E ardhmja është Europa. Në Shqipëri ka shumë komunitete fetare mos u merrni me asnjërën prej tyre o njerëz të dështuar, sepse keni dështuar në politikë, keni dështuar në shoqëri do të dështoni dhe në kritikat ndaj fesë që e keni urryer aq shumë në të kaluarën.
***
Pak Histori për t’i kujtuar Prof. Kristo Frashërit dhe Pseudo-nacionalistëve që e detyrojnë atë të shkruajë kundër parimeve të veta.
Gabimi i Parë i Kristo Frashërit në histori. Patrikana Ekumenike e Stambollit... ‘refuzoi të pranonte Statutin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të Kongresi i II Kleriko-laik më 29 qershor 1929’, por... këtë që nuk e thotë Historiani është se... Patrikana u tregua e gatshme për t’i dhënë vetadministrimin dhe paralelisht përdorimin e gjuhës shqipe në adhurim, predikim dhe arsimim kishtar’. Kjo ishte më e rëndësishmja i nderuar historian dhe ju pseudo-nacionalistë shqiptarë. Shikoni më poshtë ç’thotë historia:
Në 29 qershor 1929, në Kongresin e Dytë Kleriko-laike që u mbajt në Korçë, u votua “Statuti i Kishës ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”. Patriarkana Ekumenike refuzoi të pranonte këto veprime jokanonike, por u tregua e gatshme për t’i dhënë vetadministrim dhe paralelisht përdorimin e gjuhës shqipe në adhurim, predikim dhe në arsimimin kishtar. Për shkak të zhvillimeve politike dhe rreziqeve të ndryshme nga Perëndimi, Patriarkana pranoi të diskutonte gjithashtu edhe çështjen e Autoqefalisë. Madje, ajo dërgoi në Shqipëri për bisedime me autoritetet shqiptare Mitropolitin e shquar të Trapezundës, Krisanthin, që më vonë u bë Kryepiskop i Athinës. Krisanthi u shpreh pro dhënies së Autoqefalisë dhe sugjeroi ecurinë në vazhdim.
Gabimi i dytë i Prof. Kristo Frashërit në histori dhe Pseudo-nacionalistëve që e detyrojnë atë të shkruajë kundër parimeve të veta, harron se në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (e jo shqiptare) është hequr fraza që... Kryepeshkopi të jetë me kombësi shqiptare por të ketë nënshtetësi shqiptare:
Njohja kanonike e Autoqefalisë nga Patriarkana Ekumenike, në kohën e Patrikut Beniamini I, hap një periudhë të re për Kishën e Shqipërisë. Më 17 prill 1937 u dha Tomos-i Patriarkal dhe Sinodal “mbi bekimin e Autoqefalisë së Kishës ortodokse në Shqipëri”. Sinodi i parë pas zgjedhjeve kanonike në Patriarkanën Ekumenike u formua nga: Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Kristofor Kisi, episkopi i Korçës Evlogj Kurila, episkopi i Beratit Agathangjel Çamçe dhe episkopi i Gjirokastrës Pandeleimon Kotoko. Dy mitropolitë u bënë episkopata, kurse episkopata e tretë (e Gjirokastrës), u formua nga enoritë e Mitropolisë së hershme të Drinopolit, që ndodheshin brenda Shqipërisë. Dy veçoritë e Kishës ortodokse të Shqipërisë fshihnin probleme të veçanta. E para, origjina etnike e popullsisë ortodokse (shqiptarë, grekë, vllahë dhe sllavë). E dyta, fakti se ortodoksët nuk përbënin shumicën, si në vendet e tjera të Ballkanit, por vetëm 23% të popullsisë. Kështu kundërshtimet politike, ideologjike dhe sociale që ekzistonin përbrenda Shqipërisë, por edhe turbullirat e luftës në rajon kishin pasoja të shumta në jetën e Kishës.
Gabimi i tretë historik i Prof. Kristo Frashërit dhe Pseudo-nacionalistëve që e detyrojnë atë të shkruajë kundër parimeve të veta, shkaktohet nga fakti se ardhja e Prof. Anastasios Janullatos u bë me kërkesë nga vetë qeveria shqiptare, komuniteti ortodoks shqiptar dhe Patrikana e Stambollit për një Kryepeshkop të huaj, për të ringritur Kishën e shkatërruar Autoqefale nga komunizmi (dhe nga pseudo-patriotët e sotëm ish-komunistë), biles u mor miratimi dhe nga kisha shqiptare në SHBA, për shkak të reputacionit të madh si një klerik shëmbullor dhe internacionalist në ngritjen e ripërtëritjen e kulteve fetare në botë:
Iniciativën për riorganizimin e Kishës së Shqipërisë e mori Patriarkana Ekumenike me një sërë veprimesh vendimtare. Eksarku (i dërguari) i Patriarkanës arriti në Tiranë, më 17 korrik 1991. Për riformimin e strukturës kishtare, Eksarku i Patriarkanës mblodhi Asamblenë e Përgjithshme Klerikolaike 1-2 gusht 1991, me pjesëmarrjen e 15 klerikëve dhe 30 laikëve, nga të gjitha dioqezat e Shqipërisë, në të cilën u studiua gjendja pas regjimit komunist dhe perspektiva, në fund u zgjodhën 4 këshilltarë (epitropë) arkieratikë dhe Këshilli i Përgjithshëm Kishtar Kleriko-laik me 13 pjesëtarë. Përfaqësia e Kishës së Shqipërisë vizitoi Patriarkanën Ekumenike (5-8 qershor 1992), për herë të parë pas persekutimit dhe kërkoi zgjedhjen e Eksarkut të Patriarkanës si primat të Kishës së Shqipërisë.
Sinodi i Patriarkanës Ekumenike, me iniciativën e Patrikut Ekumenik Bartolomeut, për rikrijimin e Kishës ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, zgjodhi më 24 qershor 1992, me vota unanime, Kryepiskop të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë mitropolitin e Andrusës, Anastasin dhe mitropolit të Korçës arkimandritin Kristodhul Mustakas, të Gjirokastrës arkimandritin Aleksandër Kalpakidhis dhe të Beratit, Vlorës e Kaninës arkimandritin Ignat Triandis; ku edhe këto episkopata tashmë u ringritën në rang mitropolie. Qeveria shqiptare kundërshtoi me forcë, sepse e konsideroi këtë imponim të jashtëm të udhëheqjes greke ndaj njërit prej tre komuniteteve të mëdha fetare. Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha i shprehu pakënaqësinë e tij delegacionit të Patriarkanës Ekumenike, që erdhi më 4 korrik 1992, dhe që përbëhej nga mitropoliti i Pergës Evangjelos, mitropoliti i Filadelfias Melitoni dhe protopresviteri me origjinë shqiptare Ilia Katre. Përfundimisht, Presidenti shqiptar deklaroi se pranon vendosjen e Kryepiskopit Anastas, por nuk bëhet fjalë të diskutohet, që të pranohen të gjithë mitropolitët ortodoksë të Shqipërisë me origjinë greke.
Anastasios Janullatos u fronëzua në Kishën Katedrale të Tiranës më 2 gusht 1992, në prani të të gjithë përfaqësuesve klerikë e laikë të krahinave të Shqipërisë. Qarqe të caktuara shqiptare tentuan ta dëbonin atë me një sërë mënyrash, akoma dhe përgatitje projektligjesh, për arsye të prejardhjes së tij greke. Në një mbledhje të jashtëzakonshme kleriko-laike në Durrës, më 21 janar 1993, të gjithë përfaqësuesit deklaruan njëzëri se nuk bëhej fjalë të toleronin një diçka tillë (largimin e Kryepiskopit). Në vjeshtën e vitit 1994, u tentua me projektkushtetutën e re, largimi përfundimtar i Kryepiskopit; por s fundi ajo u hodh poshtë në referendumin e 6 nëntorit 1994.
pas diskutimesh këmbëngulëse ndërmjet përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike, Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe Autoriteteve shqiptare (nga nëntori i vitit 1997 deri në korrik të 1998), çështja e formimit të Sinodit të Shenjtë u arrit me pranimin e skemës që ai të përbëhej nga dy kryepriftërinj me origjinë greke dhe dy me origjinë shqiptare. U fronëzua mitropoliti i Beratit, Ignati, ndërsa mitropolitët e Gjirokastrës, Aleksandri, dhe i Korçës, Kristodhuli, paraqitën dorëheqjen e tyre. Mitropolit i Korçës u zgjodh arkimandriti Joan Pelushi dhe episkop i Apollonisë u zgjodh ikonomi at Kozma Qirjo.
priftipirro@hotmail.com

No comments: