Friday, January 21, 2011

BBC: Tre të vrarë gjatë protestave në Tiranë


Tre vetë janë vrarë gjatë përleshjeve midis policisë dhe mijëra protestuesve të opozitës sot pasdite në Tiranë.

Burime të spitalit ushtarak në Tiranë konfirmuan se tre persona kanë gjetur vdekjen. Gjithashtu, burime të spitalit thonë se 17 policë dhe 22 civilë janë plagosur gjatë përleshjeve.

Policia ende nuk e ka konfirmuar lajmin e të vrarëve.

Kreu i Partisë Socialiste të opozitës Edi Rama fajësoi dhunën e policisë për vrasjen e tre mbështetësve të saj.

Policia përdori shkopinjtë e gomës, pompat e ujit, gaz lotsjellës dhe plumba plastikë për të shpërndarë mijëra mbështetës të opozitës të cilët po demonstronin përpara selisë së qeverisë shqiptare.

Mijëra protestues nga i gjithë vendi u grumbulluan në orën 14 përpara zyrave të kryeministrit.

Protestuesit me gurë e shkopinj u konfrontuan me policinë e pajisur me shkopinj gome skafandra dhe mburoja plastike.

Protestuesit kaluan në akte dhune duke përmbysur e shkatërruar automjete të rastit dhe të policisë.

Reagime ndaj protestës

Drejtuesit e opozitës fillimisht ishin mes protestuesve, por ata nuk u panë të ndalnin turmat e revoltuara.

Zoti Rama fajësoi qeverinë e kryeministrit Sali Berisha për degradimin drejt dhunës së protestës së opozitës.

"Kryeministri ka lyer sot duart me gjak shqiptarësh të pafajshëm," tha zoti Rama duke konfirmua vdekjen e tre protestuesve.

"Sot po shfaqet qartë në sytë e opinionit publik natyra e vërtetë e këtij pushteti që duhet të largohet," tha ai.

"Keqpërdorimi në ekstrem i policisë së shtetit është i pafalshëm.

"Mënyra se si u provokua një demonstratë paqësore është mënyra se si koalicioni qeverisës tregoi drejtësinë e rrugës dhe betejës së opozitës," tha drejtuesi i opozitës.

Kryeministri Sali Berisha ia hodhi fajin opozitës për provokimin e dhunës, "të skenarit tunizian", siç e quajti ai.

Ai këmbënguli se opozita nuk mund ta marrë pushtetin me dhunë.

"Ata organizuan falangat e krimit për të vendour pushtetin e dhunës," tha ai duke iu referuar opozitës.

"Ata tentuan të merrnin pushtetin me dhunë," tha ai duke thënë se "përgjegjësia e plotë për të vrarët dhe të plagosurit bie mbi organizatorët e protestës".

"Sot patë fytyrën e vërtetë të opozitës ... Nxitën bazhibozukë, banditë të paguar për skenarin e sotëm," tha zoti Berisha.

Ai tha se ka kërkuar një hetim të protestave dhe vrasjeve.

Nëpërmjet një deklarate me shkrim presidenti i vendit Bamir Topi i bëri thirrje popullit për qetësi dhe stabilitet.


No comments: