Tuesday, January 25, 2011

Pse Berisha kërkon të fshehë vrasjet?


nga Andi Bushati

24.01.2011, ora 10:23

Kryeministri Berisha ka mëtuar edhe njëherë të bëjë edhe gjykatësin edhe prokurorin, duke dashur t’i japë drejtimin që kërkon ai hetimit të vrasjeve para Kryeministrisë. Ashtu sikurse ka bërë gjithnjë, me ngjarje që rrezikojnë të trondisin pushtetin e tij, ashtu siç ka bërë dikur me Gërdecin, kur këmbënguli se faji është i ushtarakëve dhe jo i strukturave politike, ashtu siç bëri së afërmi me kasetën e përgjimit Meta- Prifti, duke thënë se ajo është e manipuluar, po në të njëjtën mënyrë Berisha u soll edhe këtë herë. Vetëm tre-katër orë pas ngjarjes, kur ende policia nuk ish shprehur për praninë e armëve midis protestuesve, por vetëm për gurë dhe mjete të forta, ai foli jo vetëm për protestues të armatosur, por shkoi edhe më tej. Ai i vuri fajin opozitës se i kish shkaktuar ajo të trija viktimat.

Skenari që kërkonte të impononte Berisha ishte i qartë. Edi Rama dhe të tijtë donin me çdo kusht rrëmujë dhe trazira. Qenë ata që provokuan të parët. Qenë ata që provokuan përplasjen. Dhe pasi nuk ia arritën, përballë një policie të përmbajtur, i vranë vetë pasuesit e tyre, për të shkaktuar pështjellim.

Ky skenar sado fantoçmendurak të duket, zë vend në një shoqëri pjesërisht antiopozitare si kjo e jona. A nuk thoshin dikur edhe të majtët në pushtet se Azem Hajdarin e kish vrarë vetë Sali Berisha? A nuk pretendonin, ata, se po i njëjti njeri kërkonte që Pjetër Arbnori të vdiste në grevën e urisë së vitit 1998, për të fituar kapital politik? Të njëjtët njerëz ishin të prirur edhe këtë herë që ta besonin këtë variant, për sa kohë ai i shërbente pushtetit.

Askush prej tyre nuk vriste mendjen e nuk shqetësonte ndërgjegjen për të pyetur: pse e thotë këtë Kryeministri. Ku e dinte ai, para policisë, që protestuesit ishin të armatosur? Ku e dinte ai nga ish qëlluar dhe kush e kish bërë këtë? Nga e dinte ai, edhe nëse ishin goditur nga afër, që në turmë nuk kishte provokatorë dhe njerëz të vënë me kast?

Por, falë Zotit, këto pyetje ishin të panevojshme. Se ndryshe nga një dekadë më parë, kur për protestat e opozitës mund të thoje ç’të doje, sot prania e dhjetëra kamerave, transmetimi në kohë reale i imazheve qoftë dhe me celular, ekzistenca e një morie stacionesh televizive, pra të gjitha këto bashkë e bëjnë të pamundur gënjeshtrën e politikanëve.

Kështu ndodhi edhe me versionin që Berisha kërkoi t’i japë ngjarjeve vetëm pak orë pas përfundimit të tyre. Menjëherë pas këtyre deklaratave, “News 24” nxori në transmetim një video që pothuajse i bënte të pavlefshme ato. Për hir të emisionit të sotëm “Zonë e ndaluar”, i kam parë me qindra herë ato pamje, që i përjetova dhe ‘live’. I kam parë me qindra herë edhe detajet e tjera përreth atij momenti. Jam në gjendje që me një saktësi pothuajse milimetrike, të ringre skenën e njërës prej vrasjeve. Si u provokua policia? Si u sulmua Kryeministria nga drejtimi i piramidës? Si po kërkohej të hapej më pas dera e saj? Si u hap zjarr? Si filloi menjëherë, me furi dhe papritmas, breshëria e të shtënave me plumba të vërtetë? Por të gjitha këto sekuenca që kam parë e stërparë, më kanë bërë të ngre disa dyshime: Kush urdhëroi të qëllohet? Pse në atë moment? Për të arritur çfarë?

Pikërisht për një pjesë të këtyre pyetjeve kërkoi të përgjigjej kryeministri Berisha në konferencën për shtyp të një dite më pas. Përmes një pyetjeje të porositur, ai tregoi se kishte ndërruar tërësisht variant. Nga argumenti i vrasjes nga opozita të të vetëve, ai kaloi në mënyrë indirekte te vrasja e tyre nga njerëz që ishin të obliguar me rregullore të mbronin institucionet dhe bulevardin. Dhuna nuk mund të tolerohet. Institucionet nuk mund të preken. Ka rregulla që i mbrojnë ato, qe pak a shumë qëndrimi i ndryshuar i Kryeministrit.

Por, Berisha edhe në këtë variant të dytë, pak është i besueshëm. Së pari, ndryshe nga ç’thotë ai, ata njerëz që u vranë nuk ishin brenda institucionit. Nuk ishin të armatosur. Nuk po sulmonin Kryeministrinë.

Së dyti, e gjithë protesta e opozitës, sado që kishte planifikuar dhunë, sado që kishte në thelb provokimin, një gjë e kishte të qartë e të prerë, nuk donte kapërcimin e gardhit të Kryeministrisë dhe cenimin e saj. Atëherë, kur edhe alibia e mbrojtjes së institucionit bie, përse mban këtë qëndrim Kryeministri? Përse ai kalon nga varianti në variant?

Këto pikëpyetje e morën përgjigjen dje, kur u pa qartë se Berisha nuk donte që ky krim të hetohej. Me kleçka, argumente alibikë e me artifice, ai po kërkon që njerëzit që urdhëruan krimin të mos shkojnë përpara drejtësisë. Kështu shpjegohet “lajthitja” e tij e parë, se viktimat i vrau opozita, e po kështu edhe versioni që dha më pas. Por, natyrisht, një taktikë e tillë, e rrezikshme dhe kokëfortë, mund të çojë në skenarë më të papritur dhe më të këqij.

Deri më sot askush nuk beson (përpos fanatikëve) që Kryeministri ishte i interesuar të kërkonte gjakderdhje. Çdo mendje e ftohtë e kupton se ai e dinte se qe njeriu i parë që mund të dëmtohej nga kjo. E për pasojë, ai nuk mund të jepte urdhër për një gjë të tillë. Por tani vrasjet ndodhën. Ato janë fakt. Ato nuk mund të fshihen. Ndaj, sado i dhënë qoftë Berisha ndaj mbrojtësve e fanatikëve të vet, ai nuk mund të mbajë as përgjegjësinë morale, as atë politike, për të mos lejuar hetimin e tyre. Çdo tentativë për të mos lejuar hetimin e përgjegjësve me truke të çfarëdollojshme, me alibi që zëvendësojnë njëra-tjetrën, me prokurorë që shihen si armiq e me çdo institucion të pavarur që ngjall dyshim, do e rëndonte shumë Kryeministrin. Nëse sot jemi të bindur se ai nuk i ka urdhëruar vrasjet, moslejimi i zbardhjes së tyre mund ta vinte atë, së paku politikisht, në të njëjtën bankë të akuzuari me autorët.

No comments: