Rreth 300 emigrantë shqiptarë nga Selaniku, Veria, Kavala, Halkidhikia dhe zona të tjera të Greqisë së veriut janë mbledhur në mesditën e së enjtes në qendër të qytetit, në një miting-protestë për të nderuar kujtimin e të vrarëve të 21 janarit në Tiranë.
Pasi kanë mbajtur një minutë heshtje për viktimat, ata kanë marshuar drejt konsullatës së përgjthshme të Shqipërisë në Selanik, duke mbajtur pankarta në duar e duke hedhur parrulla, me anë të të cilave dënonin dhunën shtetërore, kërkonin ndalimin e saj, largimin e qeverisë Berisha dhe vendosjen e drejtësisë në vend.
“Jemi këtu për të nderuar martirët që sakrifikuan jetën për ëndrrat e shqiptarëve. Jemi shqiptarë dhe Shqipëria na dhimbset më shumë se atyre politikanëve që vrasin shqiptarët”, ka deklaruar Artur Porpollogu, kryetar i shoqatës “Solidariteti i Emigrantëve”.
“Ne kërkojmë demokraci të vërtetë dhe të drejtat e njeriut. Jo gjak”, ka thënë pas tij emigrantja Violeta Prifti. “I bëjmë thirrje SHBA dhe BE që të mos shohin me një krah të syzeve, por me të dy krahët”, është shprehur më tej Vasil Melo.
Më pas ata kanë tentuar t’i dorëzojnë një peticion konsullit të përgjithshëm të Shqipërisë në Selanik, me anë të të cilit kërkonin t’i transmetonte kryeministrit Sali Berisha qëndrimin dhe opinionin e tyre për ngjarjet e 21 janarit. “Ne shqiptarët këtu në Selanik jemi kundër vrasjes së shqiptarëve në Shqipëri”, ka thënë një aktiviste.
Mitingu i protestës së emigrantëve shqiptarë ishte organizuar nga shoqatat “Progresi”, ”Omonia”, ”Solidariteti i Emigrantëve”, “Miqësia shqiptaro-greke” dhe “Lidhja e Shoqatave në Greqi”. Pasi nuk janë lejuar nga forcat e policisë të dorëzojnë peticionin, emigrantët kanë marshuar në qendrën e qytetit dhe janë shpërndarë qetësisht.
No comments:
Post a Comment