Sunday, March 20, 2011

Edhe një libër i ri për Himarën: “Himara- Zëra e Akrokerauneve” nga dhërmioti Llambro RUCI

Koment nga Kristaq Jorgji [dhermijorgji@yahoo.com]

" Llambro tregon se nuk është as tregëtia me fqinjet, as shkolla greke e pranishme, as kisha dhe liturgjitë e saj në greqisht, as martesat me nuse greke dhe as punësimi i përkohshëm në ishujt grekë. Sipas tij, asnjë prej tyre nuk është shkaku i futjes së gjuhës greke në tre fshatrat e Palasës, Drimadhes, dhe Himarës. Asnjë nga këto hamëndje nuk qëndrojnë në këmbë këtij hetimi. Ndaj argumentat e dhëna deri tani nga një pjesë e historigrafisë shqiptare mund të emërtohen ashtu sic thuhet në anët tona ‘shahlamares (budallëllëqe)”.

Nuk ishim parë prej shumë kohësh dhe kur patrioti im Llambro RUCI më konfirmoi atë që më parë më kish thënë Moikom Zeqo, u gëzova. Jo sepse do kishim në dorë një botim më shumë për Himarën. Tanimë kemi arritur një stad, ku ndonëse nuk kemi arritur ende ngopjen, ka plot botime për Himarën dhe historinë e saj. Por më gëzoi fakti se edhe këtë radhë autori ishte Himariot. Jo vetem Himariot, por me një përvojë të shquar si njeri letrash dhe veçanërisht në fushën e vargjeve, si përkthyes i Homerit, Kavafit, Jani Ricos etj. Dhe nuk u zgjënjeva."

Botimi i ri “Himara – Zëra e Akrokerauneve” botuar nga shtëpia botuese Ombra, doli nga botimi vetëm disa ditë më parë. Dhe z. Ruci, përkthyesi i parë nga origjinali greqisht i veprës së Homerit “Odhisea”-s, ja doli, që ndërsa po e lexoja, të më mbyllte veshët (sikurse bëri heroi i Homerit kur kalonte sirenat) ndaj stuhisë politikadashëse, që me shumë se kurdoherë, ishte përqëndruar këtë kohë në rregjistrimin e popullsisë dhe etnicitetin dhe fenë. Ky botim prej 640 faqesh është një mpleksje rrefimesh, përshkrimesh, këmgësh, por më tepër analiza përmes dokumentash, të reja dhe të vjetra mbi historinë e Himarës dhe banorëve të saj. Dhe për më tepër, ka veçorinë, që përveç të qenit Himariot, sjell një frymë të re civile, një këndvështrim të ri në shumë prej pyetjeve që shtrohen sot për Himarën dhe historinë e saj shumëshekullore.

Mbase, një jo-himariot, do të pyesë përse është vallë kaq e rëndësishme që Llambro Ruci të shkruajë për Himarën. Dhe kësaj pyetje i është përgjigjur Hugoi, kur shkroi “se kush e njeh më mirë minierën se sa vetë minatorët”. Besoj se kur bashkohet përvoja vetiake me kultivimin, del edhe një produkt i bërë me dashurinë, i limuar me dhëmbshurinë, dhe kalibruar me saktësinë e vrojtimit dhe eruditizmit .

Në këtë libër, ka aq materiale për Himarën të cituar nag origjinali sa edhe botimet historike te deritanishme shqiptare do ta kishin zili. E them këtë pasi në shumicën prej këtyre botimeve, historia shpesh herë është paraqitur siç kanë dashur ta paraqesin, dhe jo sikurse është dokumentuar. Cezari, Klada, Ali Pasha, Spiro Milo, Skënderbeu, murgjit Bazilianë, Dhimitër Leka, Pano Bixhili, Eqrem Bej Vlora, Ismail Qemali, Theofan Popa, Nilo Katalano, kapetanata e Bregut, Shën Kozmai, Skiroi, Kosta Dede, Thoma Rusha, mbreti Zog, Aleko Rrapo, Spiro Rusha etj. etj. gjejnë natyrshëm rrugën e tyre për të rrëfyer historinë e këtij vendi dhe për të argumentuar një këndështrim fleksibël të autorit. E tëra kjo mpleksur me një analizë të qetë, të natyrshme, dhe aspak agresive, sikurse jemi mësuar ta dëgjojmë shpesh herë kur flitet për Himarën. Eshtë modeli nje analize që kërkon të bindë përmes analizës së fakteve të risjellë me një këndvështrim origjinal dhe personal.

Sepse në librin e tij, vjen qartë se ka diçka që nuk shkon kur lexon shumë autorë të tjerë, shumica jo- himariotë që shkruajnë për të njëjtin subjekt. Sepse autori nuk ka dyshime që vijnë nga qëndrime të paverifikuara në terren. Pasi ai është dëshmitar jetësor se në tre fshatra të Himarës flitet si gjuhë e parë greqisht. Nuk ka kompromise apo pozicion të mesëm, pasi ai ka përvojën e tij jetësore. Le të thonë sa të duan Kristo Frasheri, Luan Malltezi, Shaban Sinani etj.se gjuha e parë në Himarë është shqipja dhe më pas greqishtja. E kjo është thënë qartësisht, por vendosmërisht, pa ekuivoke dhe duke e faktuar.

Por “arra gungë” që analizohet analitikisht sikurse edhe në shumë shkrime të historianëve shqiptare jo-himariotë dhe disa himariotë, është sesi është futur gjuha greqishte në Himarë. Përmes një analize të gjatë dhe bazuar në të dhënat e disponueshme, Llambro tregon se nuk është as tregëtia me fqinjet, as shkolla greke e pranishme, as kisha dhe liturgjitë e saj në greqisht, as martesat me nuse greke dhe as punësimi i përkohshëm në ishujt grekë. Sipas tij, asnjë prej tyre nuk është shkaku i futjes së gjuhës greke në tre fshatrat e Palasës, Drimadhes, dhe Himarës. Asnjë nga këto hamëndje nuk qëndrojnë në këmbë këtij hetimi. Ndaj argumentat e dhëna deri tani nga një pjesë e historigrafisë shqiptare mund të emërtohen ashtu sic thuhet në anët tona ‘shahlamares”.

Një vënd jo të vogël në këtë libër e zënë të dhënat e shumta për misionarët bazilianë, që hapën misionin e tyre të parë në Himarë në vitet 1600. Historia e misionarëve përbën vetëm fillimin e shkollimit institucional në këtë zonë, e dalluar veçmas për këtë tipar nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Por qëndrimi i tyre në Himarë sillet jo vetëm për këtë risi, e cila zuri rrënjë të forta në krahinë, por edhe sepse krijon mundësinë të shohim përmes syve të tyre, edhe stadin e zhvillimit të krahinës. Me tërë veset dhe virtytet e një krahinë larg qëndrave të qytetërimit lindor apo perëndimor, por me individualitet të spikatur.

Ne këtë libër ka rreth 200 faqe shtojcë, ku sillen dokumente të rëndësishme sikurse ata lidhur më misionarët bazilianë, përkthime nga Kosta Dede, Llambro Spiro, Petro Marko si dhe dhe lirika himariote të mbledhura nga vetë autori, të cilat shtojnë dokumentacion e disponueshëm për historinë e trevës. Letërkëmbimet e Dhimitër Lekës janë për tu veçuar sikurse të dhënat mbi Spiro Milon.

Si kurdoherë për ne Himariotët, të pajisur me një nostalgji të veçantë për vëndlindjen, leximi i librave për Himarën është një kënaqësi. Në librin e Llambros kësaj i shtohen edhe vlerat prej shkrimtari të autorit. Por besoj se edhe jo-Himariotët do të gjejnë të këndshëm dhe informativ. Edhe për një arsye tjetër veç fakteve dhe dëshmive të sjella – atë të mënyrës si analizohet një problem - pa imponuar, pa energji negativiste që sot janë bëre aq të egra, deri barbare, deri në imponim. Në këtë libër janë shqyrtuar shumë situata polemike – Spiro Milua dhe Ajaz Pashai, Dhimitër Leka, Milosao e De Rada, futja e greqishtes në Himarë, “shqiptarizimi” i toponimeve të krahinës, ardhja e Shën Kozmait, për të cituar disa. Por këto situata trajtohen me argumenta dhe jo me qëndrime të paragjykuara, duke i sjellë të tërë të dhënat në tavolinë dhe jo vetëm gjysmën e tyre. Ndaj i lihet lexuesi të nxjerrë vetë konkluzionet, por përmes një proçesi të mirëinformuar. Dhe e tëra kjo e sjellë si një vlerë vërtet qytetare e shkrimtarëve dhe hulumtuesve Himariotë.

No comments: