Thursday, March 31, 2011

Pse PS ne zgjedhjet parlamentare te 2009 pati koalicion me PBDNJ ne Himare?

Pyetje pa pergjigje nga Fatmir Toci
1. Pse PS ne zgjedhjet parlamentare te 2009 pati koalicion me PBDNJ ne Himare, perderi sa ajo konsideron qe PBDNJ nuk ka elektorat (dmth popullsi minoritare) ne Himara ?
E njejta pyetje vlen edhe per koalicionin me PD me pare.
2. Nga njera ane thuhet se PDNJ mori 669 votues dmth nga shuma 25 % e votuesve sepse popullsia eshte ne emigracion nga ana tjeter i konsideron votuesit legjitime himarjote qe vijne per te votuar si "turma te pakontrolluara" qe vijne nga jashte shtetit. Mos valle z. Toci do desheronte qe te vinin turma nga Dukati dhe Laberia per te votuar ne vend te himarjoteve? Pra jane himarotet legjitime per te votuar apo kur vijne nga jashte shtetit deligjitimohen ?
3. Duke interpoluar sipas kesaj llogjike te perqindjes qe votoi, a nuk mund te themi se po te votonte 80 perqind e elektoratit, votat per PDNJ do qene akoma me shume?
4. ndonse shifrat qe permend Toci kane te bejne me ato qe votojne per antaret e kshillit bashkiak, Toci na i paraqit ato sikur ato ishin votat qe mori kryetari bashkise. Partia socialiste ishte e treta dhe shume larg persa i perket kandidatit te saj per kryetar bashkie (as 20 perqind). Pse manipulohet me shifra?
5. Suporti nacionalist jashte shqiptar konsiderohet nga Toci si faktor qe percaktoi zgjedhjen e Bollanos. Ne te vertete eshte suporti i popullit himarjot, pikerisht se pse taktika e partive te tjera per te fituar zgjedhjet duke perdorur karten nacionale te kandidatit te tyre (kujtoni flamujte shqiptare ne shtepine e Dhimiter Lazarit) u doli ne te kundert. Pse nuk pranohet realiteti himariot sic eshte ?
6. Nqs partite do perdorin karten nacionaliste sic kane bere per 10 vjet me rradhe, (kujtoni ngjarjet skandaloze te manipulimit te votave ne 2000 e e vazhdim) nuk do kete asnje te mire per Himaren. Prandaj a nuk do qe me mire qe te luftojne mbi baze programesh dhe rezultatesh.
Jorgo Goro (qe paraqitet shpesh here edhe gjergj goro) humbi pas nje administrimi shume te keq te partise socialiste ne 2000-2003, ngritjes se godinave 11 kateshe ne Himare(masaker ekologjike e vertete per te cilen Fatmir Toci, duke heshtur vihet ne rolin e sherbetorit t e pasunareve te rinj) grabitje te llahtareshme te tokave, dhenie trojesh personave ekstrahimarjote me mbeshtetje qeveritare e mafioze, dhe populli e refuzoi kandidaturen e tij.
Bollano i ka denoncuar gjithe ato shkelje. Cili eshte qendrimi i PS per denoncimet e bera?

Cilat jane defektet e qeverisjen se bashkise nga Bollano? -Nqs Fatmiri me shoke do ta sqarojne publikun realisht dhe jo me sllogane nacionaliste dhe paraqisin nje platfome reale per kryetarin pretendent te bashkise, atehere ka te ngjare qe ballanca te ndryshoje.




Himara, protagonizëm për servilizëm politik

Fatmir Toçi | 31/03/2011

TIRANË - Nëse zgjedhjet e ardhshme për të gjithë Shqipërinë janë zgjedhje politike, në Himarë kjo betejë mund të shikohet për çështje kombëtare. Bashkia që drejtohet nga Vasil Bollano ka qenë dhe shkaku i "ndarjes" së PBDNJ-së me PS-në. Në një intervistë të dhënë për gazetën "Shekulli", deputeti socialist për Qarkun e Vlorës, Fatmir Toçi, komenton situatën politike në Himarë.


Ai thekson së në Himarë, veçanërisht në prag dhe gjatë fushatave zgjedhore, kemi një zgjim të interesit për këtë njësi vendore dhe një farë protagonizmi që nxitet artificialisht. Sipas tij, dikujt kjo i intereson, ndoshta për të tërhequr vëmendjen dhe siguruar mbështetje më të madhe nga segmente nacionaliste joshqiptare që paradoksalisht vazhdojnë ta konsiderojnë Himarën minoritet.

Zoti Toçi, nëse në zgjedhjet e 8 majit në të gjithë Shqipërinë do të zhvillohet një betejë politike, në Himarë kjo betejë do të jetë për çështje kombëtare. Kandidaturat për këtë zonë kanë qenë në vijimësi në vëmendje të publikut. Si e konsideroni betejën zgjedhore në këtë qeverisje vendore?


Kam vërejtur dhe gjithnjë kam besuar se në Himarë, veçanërisht në prag dhe gjatë fushatave zgjedhore, kemi një zgjim të interesit për këtë njësi vendore dhe një farë protagonizmi që nxitet artificialisht, edhe pse është një nga bashkitë më të vogla të vendit, madje me pjesëmarrjen në votime nga më të ulëtat për shkak, kryesisht, të emigracionit dhe punësimit të banorëve në vendet fqinjë, para së gjithash në Greqi.


Padyshim që dikujt kjo i intereson, ndoshta për të tërhequr vëmendjen dhe siguruar mbështetje më të madhe nga segmente nacionaliste joshqiptare që paradoksalisht vazhdojnë ta konsiderojnë Himarën minoritet, ndërkohë që historia e trevës, karakteri etnik shqiptar, gjuha, trashëgimia kulturore, demografia historike etj., flasin ndryshe dhe kanë vërtetuar të kundërtën. Fushata zgjedhore nuk ka përse të degradojë në një betejë "për çështjen kombëtare", siç e quani ju.


Nëse në zgjedhjet e viteve të kaluara, fushata ka pasur ngjyrime të tilla, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së funksionimit të shtetit shqiptar në këtë zonë dhe servilizmit politik të qeverive që kanë drejtuar vendin ndaj ndonjë vendi fqinj në njëzet vjetët e shkuara. Ju pyesni se si e konsideroj betejën zgjedhore në këtë njësi vendore. Dua të mendoj dhe besoj se fushata dhe zgjedhjet do të zhvillohen normalisht.


Fakti që të dy koalicionet e mëdha dhe dy parti të tjera që përfaqësojnë pakicat kombëtare kanë shpallur kandidatët e tyre, do t'u japin mundësi banorëve të Himarës të mbështesin atë forcë politike që dëshirojnë dhe jo sipas skemave të dyshimta që shpesh politika i ka bërë duke trazuar edhe qetësinë qytetare të një komuniteti që shquhet për temperament të zjarrtë. Kujdesi i shtetit shqiptar që të mos lejojë ndërhyrjen provokuese të njerëzve të veshur me pushtet, apo me imunitet, nga brenda apo jashtë vendit, do të ishte një faktor i rëndësishëm për ecurinë normale të procesit të votimit.


Zona e Himarës ka sjellë dhe largimin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nga "Aleanca për të Ardhmen". Cila ishin arsyet që Partia Socialiste nuk pranoi të negocionte lënien e Himarës partisë që drejtohet nga zoti Dule?


PBDNJ-ja është një prej aleatëve të Partisë Socialiste dhe të Opozitës së Bashkuar. Edhe në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, ajo ishte pjesë e koalicionit opozitar, ndërsa në zgjedhjet vendore që po afrojnë me PBDNJ-në është vendosur një marrëdhënie e veçantë, pak më ndryshe se me aleatët e tjerë opozitarë, të cilët kanë firmosur koalicionin për përfaqësimin me kandidatë të përbashkët në këto zgjedhje.


Kjo marrëdhënie e veçantë është e shprehur me lirinë për të kandiduar e vetme në disa zona specifike të vendit, kryesisht minoritare, ku ndikimi i PBDNJ-ë është i njohur. Në këtë listë hyn edhe Bashkia e Himarës. Në njësi të tilla vendore, PS do të mbështesë kandidaturat e PBDNJ-së, si shprehje e aleancës, ndërsa në Himarë është rënë dakord që secila prej të dy forcave politike të konkurrojë me kandidatët e saj.


Ka qenë edhe kërkesa insistuese e strukturave të PS-së së Himarës për të garuar e vetme në këto zgjedhje, sepse në këtë mënyrë do të kishim një motivim dhe kompaktësim të mëtejshëm të tyre; por edhe pakënaqësia në rritje (dhe jo vetëm) e këtyre strukturave ndaj kryetarit aktual të Bashkisë së Himarës, i cili, në krye të organizatës "Omonia", ka qenë shpesh protagonist dhe provokues për çështje me karakter kombëtar.



Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, është kritikuar shpeshherë nga mediat dhe opinioni publik, në lidhje me qëndrimin e tij për çështjet greke. Cili është vlerësimi juaj për këtë kandidaturë?



Mendoj se z. Bollano, në rolin e kryebashkiakut të një qyteti shqiptar si Himara, ku detyra ia kërkon të përfaqësojë interesat e votuesve shtetas shqiptarë, duhet të tregohej më i matur në deklaratat dhe veprimet e tij, për të qenë një faktor qetësie, stabiliteti e bashkëpunimi me banorët dhe jo të nxisë pakënaqësi e situata të tensionuara me qëndrime që s'kanë të bëjnë me ushtrimin e funksioneve të detyrave të tij funksionale.


Midis PS-së dhe PBDNJ-së ka një marrëveshje të posaçme për zonat elektorale. Socialistët do t'i lënë zona të lira partisë që mbron të drejtat e minoritarëve, ndërsa kjo e fundit nuk do të nxjerrë kandidatë në disa zona për të mos ndikuar negativisht në rezultatin e PS-së. Po në Himarë, do të zbatohet kjo marrëveshje?


Është ajo marrëveshje që u theksua edhe më lart dhe për arsyet që u thanë. Në Himarë Partia Socialiste do të ketë kandidatin e saj, ekonomistin Jorgo Goro, një emër të njohur e të respektuar në të gjithë zonën, me njohuri dhe përvojë në drejtimin dhe administrimin e strukturave në pushtetin vendor. Ndërsa PBDNJ do të përfaqësohet me Vasil Bollanon, kryetarin aktual të Bashkisë.


Fakti që kjo marrëveshje është arritur me shumë mirëkuptim dhe në interes të të dy palëve tregon se PBDNJ vazhdon të mbetet pjesë e koalicionit opozitar dhe një forcë politike me rëndësi dhe e çmuar në luftën e përbashkët për rrëzimin e këtij pushteti të korruptuar që e ka mbërthyer për gryke Shqipërinë.


Sa janë mundësitë reale që Partia Socialiste të fitojë Bashkinë e Himarës përmes kandidatit të "Aleancës për të Ardhmen" Jorgo Goro?

Strukturat e Partisë Socialiste dhe unë kemi besimin se kandidati ynë në Himarë, Jorgo Goro, do të jetë fitues. Jo vetëm për shkak të keqqeverisjes së pushtetit vendor gjatë këtyre viteve dhe qëndrimeve të njohura konfliktuale të drejtuesit të saj, por edhe ndaj kandidatit të PD-së, i cili do të jetë i detyruar të mbrojë një kauzë të dështuar dhe korruptive, larg interesave të banorëve të Himarës dhe me synim grabitjen e tokave në bregdet, kundër interesave të pronarëve të ligjshëm.


Besimi ynë bazohet edhe në studimin e rezultateve të votimit në zgjedhjet e fundit, të cilat tregojnë tendencën në rritje të votuesve të majtë në Bashkinë e Himarës. Kështu, po t'u referohemi shifrave për zgjedhjet e vitit 2009, numri i votuesve për tri forcat kryesore politike në bashkinë e Himarës ka qenë: PPDNJ - 669 votues, Partia Socialiste - 665 dhe Partia Demokratike - 571 votues. Pra, PPDNJ ka marrë vetëm 4 vota më shumë në raport me votat që mori Partia Socialiste në këtë fushatë.


Me krizën e gjithanshme që ka mbërthyer aktualisht gjithë vendin, gjendjen e rëndë ekonomike që po e ndien çdo shqiptar, korrupsionin galopant dhe keqqeverisjen, besimi në fitoren e kandidatit socialist është edhe më i madh.


Zoti Toçi, janë hasur probleme të infrastrukturës zgjedhore dhe a është gjithçka në rregull për të garantuar që vullneti i këtyre banorëve të reflektohet dhe në drejtuesin e ardhshëm të kësaj bashkie?

Problemet më të mëdha Himara i ka me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje për shkak të emigracionit. Në zgjedhjet e fundit në Himarë votuan vetëm 2433 votues (22.84 %) të zgjedhësve, ndërsa në vitin 2007 pjesëmarrja në zgjedhje ishte 2571 vetë (25.57 %). Kjo do të thotë se është një minorancë që vendos se kush do ta drejtojë pushtetin vendor në 4 vitet e ardhshme.


Por edhe rreziku më i madh vjen pikërisht nga përpjekjet për të manipuluar me emrat e himarjotëve që nuk do të mund të vijnë ditën e votimit. Saktësia e listave përfundimtare që nuk kanë dalë akoma, manipulimet me kartat e identitetit, prurjet e pakontrolluara të votuesve që vijnë nga jashtë vendit dhe presione të tyre, si dhe tendencat për votime familjare janë disa prej shqetësimeve për infrastrukturën zgjedhore edhe në Himarë.

Por, këtë herë strukturat e PS-së, nëpërmjet komisionerëve, vëzhguesve dhe mbështetësve të tyre janë më të organizuara e më të përkushtuara se kurrë për ruajtjen dhe garantimin e votës së qytetarëve të tyre.


Cilat janë problemet e tjera që hasen në këtë zonë dhe çfarë kërkoni ju që të ndryshoni?

Problemet kryesore janë ato që pritet të shfaqen në gjithë vendin: manipulimet me listat, kartat e identitetit jo të rregullta, përdorimi i administratës në zgjedhje, presionet dhe kërcënimet ndaj njerëzve të punësuar në administratë, blerja e votës duke shfrytëzuar varfërinë e njerëzve, premtimet e mashtrimet elektorale etj. E veçanta për Himarën dhe një rrezik për prishjen e normalitetit të procesit zgjedhor do të ishin edhe protagonizmi dhe faktorizimi, si një njësi vendore specifike dhe e veçantë, në një kohë që Himara është vetëm një bashki, madje ndër më të voglat për nga numri i pjesëmarrësve në votim.


Dhe këtë gabim, pa dashje e bëjmë të gjithë nga pak në prag të fushatave zgjedhore: politika, media, shoqëria civile, madje dhe një masë e madhe e njerëzve të thjeshtë, në emër të një rreziku që na vjen nga nacionalizmi, i cili në të vërtetë ekziston vetëm në mendjen e disa njerëzve apo segmenteve të interesuara për zhurmë e destabilizim.

No comments: