Misioni kunder himarjoteve perceptohet si mision kunder Bollanos nga kolumnistet shqiptare. Po te lihen himarjotet te qete ne procesin elektoral (gje qe nuk ka ndodhur per 20 vitet e fundit, atehere ndoshta ata do gjenin nje kandidature me integrale per bashkine. Perqendrimi i baterive kunder Bollanos ka patur efektin e kundert te asaj qe duan ata, dmth te zgjedhin nje sherbetor te klaneve afariste dhe kompletojne grabitjen e Himares qe edhe keshtu nuk eshte e pakte. Lufta kunder Bollanos mund te perkthehet ne lufte per betonizim, grabitje tokash dhe debim paqesor te himarjoteve nga trojet e tyre
(autori i artikullit desinformon per zgjedhjet e 2000: Bollano "humbi" sepse u be nje nga manipulimet me te peshtira te votave ne historine e pas-komunizmit ne Shqiperi )
Misioni i (pa)mundur anti-Bollano
2011-04-01 Shqip
Endri Xhafo (K
Pamundësia e këtij misioni varet prej sinqeritetit fals të dy partive të mëdha. U duk sikur kryetari aktual i Bashkisë së Himarës do ta kishte pisk këtë herë, pse Partia Socialiste deklaroi qysh më 8 mars se nuk do ta mbështeste si kandidaturë, apo pse Edi Rama në një intervistë televizive foli kundër tij. Por mënyra që dy partitë e mëdha kanë zgjedhur për t'iu kundërvënë do të dështojë njësoj si në zgjedhjet e vitit 2007. Madje, dy prej "aktorëve" të tanishëm, janë dy "aktorë" të djeshëm në një déjà vu elektorale: Vasil Bollano vs. Jorgo Goro.
Partia Socialiste, të paktën formalisht, e ka "luftuar" Vasil Bollanon që në vitin 2000 dhe i vetmi rast kur Vasil Bollano ka humbur në Himarë ka qenë përballë kandidatit socialist, Viktor Mato, në vitin 2000. Por atëherë sistemi parashikonte balotazhin dhe Vasil Bollano humbi nga bashkimi i votave mes socialistëve dhe demokratëve në raundin e dytë. Në vitin 2003, pikërisht përballë socialistit Jorgo Goro, ai e konsolidoi fitoren në sajë të mbështetjes së Partisë Demokratike, e cila, duke mos i vënë përballë asnjë kandidat, e la Bashkinë e Himarës zonë të lirë për PBDNJ-në. Kurse në vitin 2007, kandidatët demokratë dhe socialistë nuk patën asnjë shans përballë ndarjes së votës mes tyre.
Mirëpo, duke parë shifrat e zotit Bollano (1317 në vitin 2003 dhe 1264 në vitin 2007), arrihet në përfundimin se ai siguron në Himarë një "konstante historike", sipas një shprehjeje të Artan Hoxhës. Kjo "konstante" luhatet me 53 vota, në një total prej rreth 2300-2500 votash.
"Konstanten historike" në vlerë absolute e ruan në Himarë edhe PBDNJ. Por nëse në vitin 2003 821 votat e saj përkthehen në 45% të votuesve, në vitin 2007 833 votat "minoritare" nuk përbëjnë veçse 31% të zgjedhësve. Kjo do të thotë se në vlerë relative pesha e minoritetit ka rënë dhe rritja e pjesëmarrjes në votim ka qenë frytdhënëse për partitë "shqiptare".
PBDNJ merr pra më pak vota sesa kryetari "minoritar" i Bashkisë së Himarës. Kjo nuk është e pazakontë në zgjedhje lokale, ku numri i kandidatëve për kryetar bashkie apo komune është më i vogël sesa numri i subjekteve që garojnë për këshillin bashkiak apo komunal. Por në Himarë, ku ka një përballje jo ideologjike, por të ashtuquajtur "etnike", është fakt domethënës që, bazuar në vota, ka më shumë banorë që ndihen shqiptarë sesa banorë që ndihen minoritarë. Në fund të fundit, e keqja në thelb nuk qëndron pse sistemi nxjerr fitues një "minoritar", por pse ky fitues është Vasil Bollano.
Ka nga ata që thonë, privatisht, se Vasil Bollano nuk është njeri i keq, përkundrazi. Mirëpo, politika është perceptim dhe askush nuk mund të gjykohet për atë që ka në zemër, por për aktet e tij. Nëse zoti Bollano është shndërruar në tabelë qitjeje, jo vetëm e nacionalistëve, atëherë këtu ka një problem. Një problem që zoti Bollano duhet ta gjejë te vetja; te deklaratat e tij provokuese, radikale, e deri antishqiptare.
Të njëjtat burime thonë se Vangjel Dule, privatisht, i tërheq vëmendjen. Nëse kjo është e vërtetë dhe, bazuar në fakte, asgjë nuk ndryshon, atëherë shtrohet pyetja e marrëdhënies së kryetarit të PBDNJ-së me kryetarin e OMONIA-s. Vetë Vangjel Dule, përpara se të zgjidhej kryetar i PBDNJ-së, ka qenë kryetar i OMONIA-s. Kjo organizatë e ka furnizuar gjithmonë partinë me kuadro dhe është realisht baza elektorale e partisë. Por, për fat të keq, në krye të organizatës kanë mundur të ngjiten, kohë pas kohe, edhe individë, qëndrimet radikale të të cilëve nuk kanë përfaqësuar qëndrimin e përgjithshëm të minoritetit grek. Ky është rasti i zotit Bollano. Mirëpo me postin që ka dhe për vetë ndërveprimin e OMONIA-s me PBDNJ-në, zoti Bollano mbetet një mbështetje e vyer për zotin Dule përballë tendencave separatiste të partisë, me disidencat e Ligoraq Karamelos dikur, apo të Spiro Kseras, Kosta Barkës, Thoma Miços sot. Ndaj publikisht Vangjel Dule nuk e ka "shitur" kurrë Vasil Bollanon.
Nëse LDLNJ, alterego e PBDNJ-së, është shkrirë tashmë me partinë mëmë, "disidentja" tjetër MEGA, pas së cilës qëndrojnë minoritarët e joshur prej Kryeministrit Berisha, mbetet një kërcënim i hapur për ta shpërndarë votën e minoritetit në dy parti opozitare njëra me tjetrën. Sepse përballë mosmirënjohjes, - nëse mund të flitet për të tillë në politikë, - të Kosta Barkës apo ndonjë tjetri që Vangjel Dule i mori nga provinca për t'i propulsuar direkt në politikën e madhe të Tiranës, – PBDNJ zgjodhi të qëndrojë në opozitë. Ka në këtë zgjedhje edhe një prapamendim për ta shpëtuar partinë, apo kryesinë e partisë, nga influenca e minoritarëve "berishianë". Mirëpo pikërisht për këtë arsye PBDNJ, e vetmja parti opozitare me përfaqësim në Parlament pas Partisë Socialiste, mbetet tepër e vyer për selinë rozë.
Edi Rama nuk kishte fjalë më të fisme për të portretizuar aksionin politik të Vangjel Dules kur lajmëroi "ndarjen" me të. Ai i shprehu mirënjohjen jo vetëm si një "aleat i denjë", por edhe si një "mik i mirë dhe një qytetar i mirë i këtij vendi".
Por ndarja rezultoi një blof. Me lënien e zonave të lira në komunat e minoritetit, "ndarja" duket sheshit se kishte të bënte vetëm me imazhin publik të socialistëve për çështjen e Himarës: kundërshtojnë Vasil Bollanon dhe i vënë përballë një kandidat për t'i garantuar paradoksalisht fitoren. Madje edhe në Sarandë, ku një minoritar nuk do të fitojë dot kurrë, por ama nuk fiton dot i vetëm as edhe një çam, Partia Socialiste ka vënë një kandidat "konsensual" si Stefan Çipa, i cili mund të marrë edhe votat e minoritarëve.
Sa për Partinë Demokratike, faktet kanë dëshmuar se që prej riardhjes në pushtet, Kryeministri Berisha ka kultivuar, si pasojë e viteve '90, kompleksin më të madh ndaj minoritarëve në veçanti dhe Greqisë në përgjithësi. A ka dëgjuar kush, qoftë edhe sa për sy e faqe, dikë nga Partia Demokratike të shprehet kundër kryetarit të Bashkisë së Himarës? Jo! Edhe kur u përpoq të përçajë PBDNJ-në, Kryeministri bëri kujdes të rrethohet me minoritarë si Spiro Ksera, për të rikonfirmuar kështu traditën e pashkruar se përtej çdo beteje ideologjike, minoritarët do të jenë përherë pjesë përbërëse e qeverive shqiptare.
Vasil Bollano gjendet në mes të kësaj koklavitjeje interesash ku, si tjegullat, te fundi i njërës kapet fillimi i tjetrës. I strukur nën çatinë e politikës ai do të zgjidhet edhe kësaj radhe në krye të Bashkisë së Himarës, duke e bërë misionin për ta shfronësuar, thjesht të pamundur.
No comments:
Post a Comment