nga blog-Shekulli:
b) Mero Baze:
"Edhe humbja e Bollanos në Himarë i ka ardhur më shumë prej mbështetjes së tij prej Sali Berishës se sa prej afrimit të tij si një nacionalist i vjetër. Shqiptarët kishin identifikuar në këto zgjedhje një shënjestër dhe ajo ishte Sali Berisha. Tashmë ai ka marrë një votë të qartë popullore kundër dhe duhet të mbajë fjalën që do ta lexojë këtë rezultat. Shpresoj mos ta lexojë në alfabetin e Bin Ladenit, por në alfabetin perëndimor dhe t'i hapë rrugë kthimit të normalitetit demokratik në Shqipëri."
c) Fitorja nuk është e papritur, por është një fitore që populli i Himarës e priste me kohë. Kjo është fitore e të gjithëve. Kështu u shpreh Jorgo Goro, kandidat i Partisë Socialiste, fitues i zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 për Bashkinë e Himarës. Kandidati Goro ka fituar me rreth 30 vota mbi kryebashkiakun Vasil Bollano, i cili kandidonte nën siglën e PBDNJ-së. Ndërsa për bashkinë e Himarës, si rrallë në ndonjë bashki tjetër, ishin në garë 4 kandidatë, të propozuar nga PS, PD, PBDNJ dhe MEGA. Lidhur me këtë, Goro tha se ndarja e votës në disa drejtime na favorizoi e në disa drejtime na penalizoi.
Por, sipas tij, “kishte kohë që populli i Himarës kërkonte ndryshimin e drejtimit të bashkisë për të vendosur një administrator në bashki, jo një politikan. Kjo është një fitore e ndërsjelltë që ka të bëjë me programin tonë dhe e dyta me disa gabime në drejtimin e Bashkisë së Himarës nga paraardhësi im”.
Menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave, simpatizantë dhe mbështetës të Partisë Socialiste janë mbledhur në zyrën e kësaj force politike ku kanë nisur fitoren. Ndërkohë, kandidati fitues Goro duke shprehur kënaqësinë për fitoren në këtë bashki, tha se do të kërkojë edhe “ndihmën e kandidatëve të tjerë për t`i ndryshuar faqen Himarës”.
Goro është përballur edhe më parë Bashkinë e Himarës, në vitin 2003, kur Bollano fitoi me një diferencë prej 300 votash.
d) Greqishtja dhe posterat greqisht te Goros dikujt duken me te embela se greqishtja e Bollanos
e) A. Cipa (Shqip)
Himara zgjodhi në datën 8 maj 2011, më parë se gjithë qytetet e Shqipërisë, kryebashkiakun e saj të ri. Një zgjedhje që të le shijen e së ndryshmes, ose më saktë, e rikthimit në të drejtën e komunitetit për të nxjerrë me votë shumice, atë qeverisës që do. Kjo zgjedhje është e zakonshme, por i zgjedhuri është shumë i rëndësishëm për atë që do të përfaqësojë në raportet mes administratës lokale të krahinës dhe asaj qendrore në Tiranë. Në raport me zhurmën që gjeneronte paraardhësi, kryebashkiaku i ri i Himarës, ka favorin për ta nisur nga kontrasti. Kjo është puna e parë dalluese e zotit Goro, si një prurje e re prej vetëzgjedhjes së himarjotëve. Sjellja e pritshme e tij, si një i zgjedhur që e konsideron të shenjtë unitetin me ligjin dhe tërësinë tjetër administrative të vendit, e bashkëshoqëruar me një vokal të plotë kërkues dhe mbështetës ndaj shtetit, do të shndërrohet pashmangshmërisht, në një ndihmesë prosperuese për shtatë fshatrat dhe qytezën. Përmes kësaj prurjeje vetëzgjedhëse, Himara po fiton kapitullin e ri të daljes nga fatkeqësia e “kazusit politiko-etnik” që promovoi dhe mbajti në fuqi kryebashkiaku i rizgjedhur dhe i rrëzuar së fundi.
Paraardhësi me mandat të dubluar i zotit Goro, mbetet individi politik më provokator që ka pasur historia e kësaj krahine në raportet brenda për brenda fshatrave të kësaj krahine, si dhe në ato shqiptaro-greke. Ai u shfaq dhe u soll, si një uzurpator provincial i mandatit të qeverisjes vendore, u armatos me një malinjitet dritëshkurtër të rekrutit politiko-etnik dhe dha provat e një keqbërësi me kohë të pallogaritshme, për aktualitetin dhe të ardhmen disavjeçare të Himarës. Përmes largimit dhe zgjedhjes së pasardhësit me votë të pakontestuar, banorët e kësaj zone, në shumicë në emigracion, kanë konfirmuar dëshirën për të pasur një kapitull të ri me qeverisës dhe qeverisje të re vendore. Prej këtij fakti, e kësaj ndërgjegjeje të shpallur, e ka saponisur marrëdhënien e vet të komunikimit me publikun dhe votuesit e tij, zoti Goro. “Himara me një administrator dhe, jo me një politikan që prodhon vetëm politikë”. Në këtë mënyrë e ka përcaktuar drejt Goro misionin e tij dhe thelbin e asaj që nevojitet për të justifikuar mandatin e sapobesuar të qeverisësit lokal në këtë krahinë me histori të adhuruar dhe të përfolur ballkanase dhe europiane.
Kjo është një përmbajtje e cila parathotë, mandat kohor të ri qeverisjeje, për banorët e krahinës më të përfolur shqiptare të 20 viteve të fundit.
Shumëkush ndan mendimin se është krahina më e përdorur politikisht në relacionet mes dy shteteve, përkatësisht Shqipërisë dhe Greqisë si dhe konjukturave që gjenerojnë tri parti politike në këtë vend. Marrëdhënia e saj me zhurmën promovuese të individit që shkoi, përbën rastin më tipologjik të shoqërive dhe sidomos komuniteteve periferike ballkanase në të tillë tranzicion. Kohëvonesa që jep roli i individëve si “modeli” Bollano, për krahinën dhe, sidomos komunitetin njerëzor të saj, do të jetë së afërmi, bilanci i parë pendestar me peshë dhe vlerë të konsiderueshme negacioni dhe vetëpësimi, për ndërgjegjen dhe drejtzgjedhjet e ardhme të këtij komuniteti autentik.
Himara pas zgjedhjeve të 8 majit, jep shenjën se ka dalë përfundimisht nga koha e një prove të keqe përdorimi. Pësimi prej këtij përdorimi, është më i thellë nga sa shfaqet. Për shkak të tij koha e ardhme rezervon një rrjedhë të re, qëndrim të ri dhe sidomos, perspektivë të re integruese. Kryebashkiaku i ri i Himarës, pas kësaj historie të gjatë sajimesh dhe përdorimesh, ka nevojë të mbështetet dhe të dijësohet për misionin dhe modelin e ri të qeverisjes që aspiron të sendërtojë. Ngjyra partiake e tij nuk është arsye penguese për asgjë. Detyrimi i administratës publike qendrore për zhvillimin dhe ruajtjen e vlerave të Himarës është imediat dhe këtë ajo duhet ta investojë së pari si mbështetje pa kompleks. Kësaj vetëzgjedhjeje në Himarë, i duhen përgjigjur me ndërgjegjshmëri dhe respekt të dyja forcat kryesore politike të vendit,PD-ja si qeveri dhe PS-ja si opozitë fituese. Ky ndryshim le të shërbejë si recetë e vetme për mosrikthim në kazuset elektorale të tipit “Bollano”, të cilat mavijosen si “hall” kombëtar.
Në këtë vis të republikës sonë, ekziston dhe vetëvepron ndërgjegjja reale kombëtare dhe qytetare e banorëve. Në këtë krahinë vlera e konkurrimit pluralist është rikonfirmuar pas një periudhe të gjatë pengmbajtjeje dhe bllokimi për arsye të korrupsionit politiko-etnik. Matanë ardhjes së kryebashkiakut të ri Goro në Himarë, le të shohin edhe zoti Rama dhe zoti Berisha, se selitë e tyre partiake dhe degët e tyre në këtë zonë, vlejnë jo si zyra të vobekta, por si prezencë reale e shtetit unik dhe e institucioneve që mundësojnë vitalizimin e vlerave dhe qeverisjes lokale në tërësi. Në këtë mënyrë, Himara nuk do të gjenerojë më politikë për zhurmë dhe shqetësim kombëtar, por do të zgjedhë qeverisës për vete.
No comments:
Post a Comment