Tuesday, June 21, 2011

Leter e Hapur e hiresise se tij Anastasios drejtuar Komitetit Shtetëror për Kultet, per dijeni z. Berisha

Kisha Autoqefale e Shqipërisë
Sinodi i Shenjtë
Tiranë, 26.5.2011
Komitetit Shtetëror për Kultet
Për dijeni:
Shkëlqesisë së Tij, Kryeministrit të Shqipërisë. Z.Sali Berisha
Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Ambasadorit të Republikës së Italisë
Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

I dashur z. Kryetar,
Para festës së Pashkës, pas një reklame plot zhurmë në media, u shfaq në kinematë e Tiranës filmi me titull "Ballkan Bazar" i regjisorit Edmond Budina. Ky film është një shpifje e turpshme ndaj priftërinjve orthodhoksë shqiptarë dhe për pasojë, fyerje e rëndë për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Filmi është në mënyrë ekstreme sarkastik, e duke kaluar çdo cak, i shfaq priftërinjtë si përdhosës varresh, matrapazë eshtrash njerëzore dhe familjet e tyre si imorale.

1. Siç e pohon regjisori i filmit, i cili jeton në Itali 20 vitet e fundit, në një intervistë të tij (gazeta "Panorama" 14-15.4.2011), financimi i filmit u bë nga Qendra Kombëtare Kinematografike Shqiptare dhe u mbështet nga Televizioni Publik Shqiptar dhe Ministria e Kulturës e Italisë (kostoja e filmit arrin në 600.000 euro). Në një intervistë tjetër të tij (gazeta "Telegraf", 13.4.2011), pasi informon se filmi është financuar nga shteti shqiptar në masën 60%, ndërsa pjesa tjetër, 40% është dhënë nga Ministria e Kulturës së Italisë, shton "Ndaj është detyrimi im personal t'i them faleminderit taksapaguesit shqiptar që më dha lekët për këtë film". Por harroi të falenderojë edhe taksapaguesit italianë...
Gjatë periudhës së ditëve të festës, si edhe të fushatës parazgjedhore, shmangëm protestën publike. Por tanimë, duke shprehur zemëratën e 145 klerikëve shqiptarë dhe atë të besimtarëve orthodhoksë, jemi të detyruar të protestojmë me forcë, nëpërmjet Komitetit Shtetëror për Kultet, ndaj atyre organeve shtetërore që u përmendën më sipër, të cilat financuan këtë film, si edhe ndaj Institutit Italian të Kulturës. Pohimi i regjisorit të filmit përbën fyerje cinike për qindra orthodhoksë qytetarë shqiptarë, sepse në një periudhë demokratike dhe me paratë e tyre, fyhet meshtari orthodhoks dhe në përgjithësi Kisha Orthodhokse.

2. Në një intervistë tjetër të tij ("Gazeta Shqiptare", 18.4.2011), regjisori pohon se "faktet që unë sjell në film janë fakte reale". Me këtë deklaratë, zbulon se vazhdon atë fushatë shpifjesh që u bë para pesë vjetësh, nga disa qarqe të caktuara, me shënjestër një prift konkret orthodhoks, atë Vasil Thomollarin (emrin e të cilit filmi e ndryshon në Thoma Vasillari). Regjisori rreket të paraqesë si realitet një histori të dhimbshme, se gjoja, në varrezën e vjetër të fshatit Kosinë, bëheshin zhvarrime të paligjshme në varret e banorëve të vjetër të fshatit, eshtrat e të cilëve disa i shisnin si eshtra ushtarësh grekë. Por, për këtë ngjarje ekziston një vendim i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Përmetit, i marrë pesë vjet më parë, që vë në vend të vërtetën. Prokurorja, znj. Silvana Pani, pasi mori në shqyrtim të gjitha të dhënat në lidhje me ngjarjen dhe përfundimet e ekspertizës mjeko-ligjore, shpalli me shkrim se "nga hetimet rezulton se gjatë gërmimeve të kryera në territorin e kishës së Shën Mërisë të fshatit Kosinë, nuk janë kryer veprime, të cilat ulin respektin ndaj të vdekurve". Gjithashtu, në këtë vendim thuhet se "qëllimi kryesor i këtyre zhvarrimeve ka qenë 'jo dhunimi i varreve', por nxjerrja e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në këtë territor gjatë luftës italo-greke, në vitet 1940-1941". Nga hetimet e prokurorisë u provua se në rastin konkret mungojnë si ana e elementit objektiv, ashtu edhe e atij subjektiv të figurës së veprës penale të dhunimit të varreve. Për këtë arsye, organi i Prokurorisë vendosi edhe pushimin e procedimit penal kundër atë Vasil Thomollarit (Shih bashkangjitur edhe vendimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Përmet nr.32/27.05.2006 për pushimin e çështjes). Me gjithë këtë vendim të organit të Prokurorisë shqiptare, z.Budina guxon, me para të shtetit shqiptar, ta hedhë poshtë dhe të imponojë me anë të filmit (sipas kritikëve, të një cilësie të dobët), një histori të gënjeshtërt që fyen pa drojë të gjallë e të vdekur dhe jo vetëm Kishën Orthodhokse, por dhe më gjerë popullin e Shqipërisë.

3. Për xhirimin e këtij filmi u bë një sakrilegj i frikshëm. U përdhos vendi i shenjtë i kishës historike të Fjetjes së Hyjëlindëses (shek.10-të), në fshatin Labovë e Kryqit, madje edhe Altari i Shenjtë. Regjisori pohon faktin se "kisha e Labovës përbën një monument kulture të Shqipërisë" dhe se brenda saj nuk kryhen mesha. Bëhet fjalë për një justifikim jo vetëm të gënjeshtërt, por edhe mendjengushtë... Siç deklarojnë banorët e fshatit, kisha në fjalë përdoret edhe për kryerjen e Mistereve të Shenjta dhe të shërbesave të tjera të Kishës Orthodhokse dhe është restauruar në vitet e fundit me shpenzimet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kush ia ka thënë z.Budina se kur një kishë është monument kulture, resht së qeni vend i shenjtë kulti ndaj të cilit duhet pasur respekt absolut?! Këtë vend të shenjtë kulti, që e respektuan për 10 shekuj gjenerata njerëzish, madje edhe ata që jetuan në regjimet armiqësore, ndërsa tani, në vitin 2011 vjen një regjisor shqiptar që banon në Itali për ta përdhosur, me paratë e Ministrive të Kulturës të Republikave të Shqipërisë dhe të Italisë.

Protestojmë me forcë ndaj organeve përgjegjëse të Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, sepse i dhanë lejen zotërisë së lartpërmendur të xhirojë, brenda vendit të kultit, filmin e tij fyes për Kishën Orthodhokse, i cili ekspozon për keq në përgjithësi fenë në Shqipërinë Moderne. Denoncojmë në të njëjtën kohë shkeljen qartë të ligjit 10057/22/1/2009 (Marrëveshja midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për rregullimin e Marrëdhënieve të ndërsjella). Ligji, në nenin 23, paragrafi 2, thotë "Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë". Sigurisht nuk përbën "interes madhor" të bësh qesharak një prift orthodhoks shqiptar. As nuk u mor paraprakisht "pëlqimi" i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Për më shumë rikujtojmë se në po të njëjtin nen, paragrafi 1 thuhet se "Objektet e kultit që kanë statusin e monumentit të kulturës t'i kthehen në pronësi të Kishës Othodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe do të mbrohen e trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore". Kanë kaluar dy vjet nga hyrja në fuqi e ligjit dhe Ministria e Kulturës, në vend të kthimit të këtyre vendeve të kultit, ua jep regjisorëve që synojnë minimin e autoritetit të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Këtu duhet të theksojmë se ky film ua ka kaluar në shumë aspekte edhe filmave më ekstremistë propagandistikë kundër fesë që u bënë në periudhën e sistemit ateist.

Në mbyllje, lutemi që Komiteti Shtetëror për Kultet: a) t'ua bëjë të ditur protestën tonë organeve shtetërore që mbështetën dhe financuan këtë film plot shpifje, b) të kujdeset për shmangien e shtrembërimeve të tilla në të ardhmen, c) të përkujdeset për zbatimin e ligjit 10057/29.1.2009, për mbrojtjen e vendeve të shenjta të kultit dhe për kthimin e tyre te Kisha Orthodhokse që i ka krijuar dhe së cilës i takojnë.
Në fund, është trishtues dhe për imazhin e vetë Shqipërisë, fakti që ky film është shfaqur tashmë në Festivalin e Sofjes dhe siç është bërë e ditur, regjisori synon ta prezantojë edhe në vende të tjera evropiane. Për këtë arsye, do ta bëjmë të njohur këtë protestë, edhe në organizmat fetarë ndërkombëtarë, anëtare e të cilëve është edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.

E konsideruam se jemi të detyruar t'ju dërgojmë këtë protestë, meqë fyerja sarkastike e klerikëve të një komuniteti tradicional fetar të Shqipërisë nuk përbën shprehje kulture që meriton financimin nga fonde publike. Përkundrazi, filmi "Ballkan Bazar" fyen vendin dhe nxin ikonën kulturore të shoqërisë shqiptare, madje në një kohë kur Shqipëria ka si qëllim integrimin e saj në Bashkimin Evropian.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Me urdhër të Sinodit të shenjtë
Kryesekretari
Protopresviter Joan Trebicka

No comments: