Nxjerrja nga sirtarët dhe futja në procedurë e projektligjit për regjistrimin e popullsisë dhe banesave është një rast shumë i mirë që ai të diskutohet e debatohet me transparencë të plotë para publikut, duke u dhënë mundësi mbështetësve dhe kundërshtarëve të shpalosin dhe kryqëzojnë argumentet e tyre në të njëjtën aulë, në Komisionin e Ligjeve dhe në seancën plenare, kur t’i vijë radha.
Deri me sot, falë pasivitetit të qeverisë në një anë dhe agresivitetit mediatik të lëvizjes “Aleanca Kuq e Zi” në anën tjetër, kjo çështje ka prodhuar më shumë zhurmë se sa debat. Më shumë show politik se sa shqetësim të mirëfilltë qytetar dhe atdhetar. Me shumë pikëpyetje të reja, se sa përgjigje për paqartësitë e projektligjit.
Autorët dhe kundërshtarët e projektit kanë qëndruar në distancë. Distanca ka bërë që hendeku mes qëndrimeve pro dhe kundër të rritet në atë masë, sa po të besosh retorikën e krerëve të “Aleancës kuq e zi”, qeveria apo segmente brenda saj, po bëjnë punë e armiqve të Shqipërisë dhe po ua japin atyre në pjatë çfarë nuk e kanë marrë dot as në shekujt dhe mijëvjeçarët e pushtimeve: identitetin e kombit shqiptar.
Kjo nuk besohet. Sado i bazuar të jetë shqetësimi dhe sado e sinqertë të jetë revolta e “kuqezinjve”. Ka gjithnjë shumë filtra, ndërgjegje, stacione dhe pengesa në rrugën e shndërrimit të një drafti në projektligj dhe të një projektligji në Ligj. Aq sa është e pamundur që “tradhtia” e një zyrtari që ka akses në ligjbërje të bëhet tradhtia e një klase të tërë politike.
Gjithsesi, Qeveria dhe Kuvendi, nuk kanë asnjë arsye të injorojnë zërat kundër dhe të imponohen me arrogancë për një çështje që s’ka përse zgjidhet me forcën e kartonit. Kartonit i vjen radha në mënyrë të pashmangshme, por në rastin e ligjit të regjistrimit kanë përparësi argumentet. Ministri Genc Pollo dhe relatorët e Komisionit të Ligjeve duhet të argumentojnë nevojën e këtij Ligji, mbështetjen e tij në frymë dhe në germë në standardet e familjes europiane. Herë pas herë kemi dëgjuar të thuhet nga deputetë të ndryshëm se “molla e sherrit” – vetëdeklarimi i etnisë dhe besimit fetar nga qytetarët nuk është një kërkesë e detyrueshme. Qytetari po të dojë e deklaron, po të mos e dojë nuk e deklaron.
Një klauzolë e tillë e shfryn dhe zhvlerëson retorikën kundër regjistrimit. A është kjo klauzolë në projektligj? Kjo duhet të sqarohet. Nëse nuk është, ia vlen të vihet. Mund të ketë edhe pika të tjera, që janë bërë “gogol” nga mungesa e shpjegimeve apo janë të paqarta dhe të dëmshme në vetvete. Nuk ka asnjë gjë të keqe, përkundrazi, ligji do të fitonte shumë nëse qeveria reflekton pjesën racionale të kontestimeve nga parti, shoqata apo individë të ndryshëm. Për Ligjin e regjistrimit gjithë populli është “grup” interesi.
Nga kjo pikëpamje, në pamundësi praktike për t’u konsultuar me gjithë popullin, përveçse po të shtrohej çështje me referendum, Komisioni i Ligjeve duhet të ftojë krerët e lëvizjes “Aleanca Kuq e zi” që ata të shpjegojnë dhe mbrojnë peticionin e 20 mijë qytetarëve kundër vetëdeklarimit të etnisë dhe fesë. Deri më sot kreu i kësaj lëvizjeje, zoti Spahiu, ka prodhuar në anabasin e tij brenda dhe jashtë vendit me shumë retorikë nacionaliste se sa qasje profesionale për problemin. Sot dhe në ditët në vazhdim, atij i duhet dhënë mundësia të flasë me deputetët, pasi ka folur me tifozët. Unë nuk kam pasur rastin ta lexoj peticionin në fjalë dhe jam shumë i interesuar të njihem me përmbajtjen e tij.
Në deklarimet dhe intervistat e zotit Spahiu nuk del qartë pse është i rrezikshëm vetëdeklarimi. E folura e tij e rrumbullakosur dhe e veshur rëndom me patetikë nacionaliste nuk ndihmon për ta kuptuar në thelb problemin. Të kuptohemi. Është tjetër gjë çështja e ndryshimeve në ligjin e gjendjes civile. Në këtë pikë nuk kam objeksione për reagimet dhe propozimet e zotit Spahiu në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por këtu po flasim për projektligjin e regjistrimit, për kundërvëniet e Spahiut ndaj vetëdeklarimit të etnisë dhe fesë tashmë në statusin e kreut të “Aleancës Kuq e Zi”.
Ka mbivendosje, paqartësi dhe konfuzion në këto qëndrime. E thashë pak lart: nuk jam shumë i informuar as për projektligjin e qeverisë, as për peticionin e “Aleancës Kuq e zi”. Prandaj po ngulmoj se sot është ora për t’i ulur në një tryezë të dyja palët. Por në parim, prononcimet mediatike kundër vetëdeklarimit të etnisë të lenë shijen e keqe të epërsisë dhe kujdestarisë së disa shqiptarëve kundër disa shqiptarëve të tjerë. Disa shqiptarë vetëshpallen më shqiptarë se disa të tjerë. Me çfarë tagri? Këtë nuk e pranon arsyeja. Sipas mendimit tim, kjo është edhe një fyerje për racën në tërësi, që ka mbijetuar dhe ka ardhur në kohërat moderne si një popull kompakt përmes rreziqesh e stratagemash që kanë synuar deri asimilimin dhe zhdukjen e tij.
Si mund të jetë i rrezikuar nga vetëdeklarimi i etnisë sot që ka një shtet, një kulturë, një arsim të shëndoshë, një zhvillim dhe një ëndërr euroatlantike në përmbushje e sipër një popull që u ka mbijetuar pushtimeve qindravjeçare? Shqiptarët nuk kanë ende nivelin ekonomik të popujve të tjerë të Europës. Ata janë të vetëdijshëm për arsyet, por unë besoj se edhe në varfëri shqiptarët ndihen mirë në racën e tyre, madje mund të them se janë vërtetë krenarë për racën e tyre që nuk e ndërrojnë me asgjë. Askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë dhe fyejë krenarinë dhe lirinë e shqiptarëve duke u hequr si tutor i tyre dhe duke i konsideruar si njerëz që shesin identitetin për një copa bukë.
Mund të këtë prapëseprapë gjëra për t’u parë në pikën e vetëdeklarimit të etnisë, por unë dhe shumë te tjerë si unë nuk e kanë kuptuar pse “Aleanca kuq e zi” e fut në një thes vetëdeklarimin e etnisë me vetëdeklarimin e besimit fetar. Asnjë prej krerëve apo mbështetësve të kësaj Aleance nuk flet për pikën e besimit fetar. As zoti Spahiu. Asnjë argument, nga askush, përse janë kundër vetëdeklarimit të besimit fetar. E gjithë kjo sjellje e paqartë krijon vetvetiu përshtypjen se zhurmën e bëjnë për etninë, por hallin e kanë te feja. Do të shohim përgjatë zhvillimeve në Kuvend a ka, apo nuk ka bazë kjo përshtypje. Do të shohim, a mos vallë ndokush në qeveri po kërkon t’i japë popullit me dorën e Pollos atë që do t’i marrë me dorën e Spahiut.
Janë hamendje dhe hipoteza që mbështetën në kundërshtimin apriori, pa asnjë fjalë, të vetëdeklarimit të besimit fetar nga ana e qytetarëve. Shqiptarët janë një popull që tregohen nga gjithë librat dhe gjithë informacioni që jepet për ta si një nga popujt e rrallë me tre fe të ndryshme, pa llogaritur nënndarjet apo sektet. Të dhënat për përkatësinë fetare të shqiptarëve, që referohen sot e gjithë ditën, kanë dalë nga një regjistrim i kryer në kohën e monarkisë, vetëm pak vite pas shpalljes së pavarësisë.
Regjimi komunist ateist e zhduku fare fenë si institucion. Për regjistrim as që mund të bëhej fjalë. Është më e se e natyrshme që njëqind vjet pas shpalljes së pavarësisë, kur jemi larguar njëqind vjet nga realiteti i pushtimit osman, kur vendi dhe njerëzit kanë bërë një progres të jashtëzakonshëm në pikëpamje të arsimimit dhe civilizimit, kur si në çdo vend tjetër europian te një shtresë e caktuar shoqërore ka gjetur hapësirë edhe ateizmi i paimponuar si mënyrë të menduari, pra është plotësisht e natyrshme dhe e nevojshme që në këto kushte të kemi një vetëdeklarim të ri të shqiptarëve në lidhje me përkatësinë dhe raportin me fenë.
Kur e kanë bërë para tetëdhjetë vjetësh, përse të mos e bëjnë tani. Pluraliteti fetar ka qenë dhe është fati ynë. Shqiptarët kanë arritur t’i japin jetë dhe ta shndërrojnë në vlerë bashkëjetesën fetare duke pasur vetëdijen e kombit të përbashkët. Kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen. Kush ka frikë nga vetëdeklarimi nuk respekton ketë traditë dhe ka frikë nga liria dhe integriteti i individit, që është vlera supreme që krijon rendi demokratik.
Qeveria duhet të dëgjojë kundërshtarët, të reflektojë kur duhet reflektuar dhe të shkojë përpara. Duhet ta pohojmë se është një sfidë dhe një mision më vetë ky i krijimit të një populli me letra dhe inventar. Regjistrimi i popullsisë së qytetarëve dhe banesave është në vazhdën e këtij misioni.
No comments:
Post a Comment