Në kolonën e komenteve dhe analizave, gjithnjë jam ndalur më së shumti në leximin e opinioneve të emrave të paangazhuar në politikë, të intelektualëve të shoqërisë civile, të cilët kanë një shqetësim, por që e ndjejnë se duhet ta ndajnë me të tjerë. Njëri nga këta ishit edhe ju, zoti Koloreto Cukali. Jam impresionuar nga ndjeshmëria e lartë, me të cilën shkruanit mbi problematikat e ndryshme sociale, duke kritikuar gjithçka që ju duket e gabuar. Ju ndjeheni i shqetësuar për një brez të rinjsh që nuk lexon, për të nesërmen e tyre, për problemet e turizmit, të papunësisë dhe shumë mirë bëni. Fundja pasuria më e madhe e një kombi janë elitat intelektuale që sjellin zhvillimin falë përgjegjshmërisë, me të cilën e jetojnë jetën dhe mospajtimit me të keqen, kudo që e hasim atë. Mirëpo, gjithë ky opinion i mirë mu tjetërsua, kur lexova shënimet tuaja për një udhëtim që kishit bërë në zonën e bregut. Pas atij shkrimi, nuk di sinqerisht se në çfarë kategorie t’ju rendis; tek intelektualët e përgjegjshëm jo më, mbase tek kategoria e turistëve të shkujdesur që si në rastin tuaj, shkon, sheh, pyet nja dy vetë e shkruan si i vjen për mbarë, sepse po i vjen e diela dhe duhet të dorëzojë një shkrim.
Por, zoti Cukali, a ju duket se keni marrë përsipër një përgjegjësi shumë të madhe mbi supe, duke shkruar në një gazetë shumë të lexuar si “Shekulli” dhe roli i turistit të shkujdesur, në këtë rast është i pafalshëm për ju? Ju keni nisur të bëni një reportazh, sepse fundja askush nuk po ju thotë pse nuk bëtë gazetarin investigativ, por a është kjo një arsye që ju duke u mbrojtur pas subjektivizmit tuaj, të nxirrni konkluzione të pabaza? Ju e keni filluar me reportazh, keni vijuar duke bërë politikë dhe në fund nuk keni bërë asgjë tjetër veçse keni çuar dëm një faqe gazete.
Tani, unë do të rendis disa argumente duke përdorur të njëjtin format të shkrimit sikurse bëni edhe ju, sepse ndoshta kështu do të arrini të më kuptoni më mirë.
Kur Cukalin e merr malli për Bollanon
Jam i bindur se ju, zoti Cukali, jeni nga të paktët shqiptarë që keni nostalgji për Bollanon dhe unë sinqerisht nuk arrij ta kuptoj arsyen e përmallimit tuaj. Ju thoni se disa banorë të bregut që takuat në rrugë e vlerësojnë shumë atë! Po mirë more zotëri, si njeri intelektual dhe me formim perëndimor, nuk i bëtë pyetje vetes, këta njerëz që e donin kaq shumë dhe e shihnin si shpëtimtarin e tyre, pse nuk e votuan që ai të ishte prapë kryetar bashkie? Mos vallë erdhën ufot e vendosën që kryetar bashkie të mos ishte më ai, por një tjetër? Nga i keni marrë ju, zoti Cukali, informacionet se Bollanon nuk e duan vetëm snobët e kryeqytetit dhe përdoruesit e “Facebookut”? A jeni interesuar ju ndonjëherë se çfarë ka bërë konkretisht ky individ i zgjedhur me votat e popullit për këta të fundit? Përgjigja është se ai jo vetëm nuk ka bërë asgjë, por e ka kthyer disa hapa mbrapa këtë komunitet me veprimet dhe mosveprimet e tij. Dhe të gjitha këto i ka bërë jo sepse nuk është “politikan i zgjuar dhe nuk di të krijojë një imazh”, ashtu siç jeni shprehur ju, por sepse ishte një zyrtar i korruptuar. Në këtë sens, Bollano është mëkatari, madje edhe fajtori i madh, dhe prandaj mori dhe atë që meritonte më 8 maj. Dhe kur them mëkatar, nuk e kam fjalën për propagandën e tij pro-greke, sepse ju tek ai vetëm këtë të keqe shihni, por për katrahurën që ai njeri ka bërë me pronat e njerëzve të bregut, duke i tjetërsuar ato dhe nga ana tjetër duke vënë njerëzit në gjumë sikur ai po përpiqet shumë për ta.
Betonieret e epokës post-Bollano
“Kur ishte Bollano, nuk pipëtinte miza, tani kalon një betonierë çdo 20 minuta, sepse Bollano nuk është më” – shkruani ju. Në këtë rast bëni një gabim të pafalshëm dhe në rastin më të mirë jeni totalisht i painformuar, ndërsa në rastin më të keq po i shërbeni dikujt… Sikur në shkrimin tuaj të kishit ngritur problemin e ndërtimeve pa leje dhe pa kriter në një zonë turistike, pa e menderosur më tej me lavdet për Bollanon, sinqerisht do t’ju kisha shtrënguar dorën, sepse do t’i kishit bërë një shërbim shumë të madh komunitetit që jeton këtu, por edhe pushuesve. Ky është një shqetësim i përbashkët, sepse derisa unë të marr zyrtarisht detyrën, jam i detyruar të pres në pamundësi për të ndërhyrë. Por po ju jap një lajm të keq zoti Cukali. Është pikërisht ai Bollano, për ikjen e të cilit juve ju qan zemra, i cili në largim ka dhënë leje ndërtimesh pa kriter, sipas stilit “pas meje le të bëhet qameti”. Natyrisht, kjo është një kosto shumë e madhe për mua që pres të marr detyrën e re, si dhe për stafin tim, sepse problemet ekzistuese këtu na dalin e na teprojnë. Mirëpo, djallëzia e paraardhësit tim shkon deri aty sa një turisti të shkujdesur si ju, as që ia pret mendja. Kështu, ka të ngjarë që për aq kohë sa të mos bëhet emërimi zyrtar i kryetarit të ri, betonierët nga një në çdo 20 minuta, mund të bëhen edhe një në çdo 5 minuta.
Djali i mirë Goro, por…
Të jesh djalë i mirë nuk më duket ndonjë gjë e keqe, paçka se sot në këtë realitet që jetojmë mund të kesh më shumë vlera kur të quajnë “i fortë”. Unë, zoti Cukali, vij nga një familje e mirë prandaj dhe jam “djalë i mirë”, siç më quani ju në shkrimin tuaj. Nuk kam asnjë biznes timin dhe as ndonjë pasuri të trashëguar e gjithë jetën time kam jetuar me rrogë, pa asnjë të ardhur tjetër, kështu që nuk kam pasur as edhe një mundësi për të paguar për mandatin tim, por edhe po të kisha nuk do ta kisha bërë kurrë, sepse formimi im nuk e pranon këtë lloj kompromisi aq më shumë me njerëz, me të cilët jam rritur.
Por më çudit fakti se si ka mundësi që ju si një intelektual i përgjegjshëm, qenkeni dakord me faktin që “s’ka problem kur votat blihen, mjafton që t’i blejë një djalë i mirë”!? Çfarë vlere ka kjo në penën tuaj e ca më shumë në faqet e një gazete që lexohet nga mijëra njerëz? Çfarë mesazhi po kërkoni ju t’u përcillni atyre? Si mundeni ju të përbaltni një njeri që nuk ka bërë akoma asnjë ditë punë dhe që nuk e njihni dhe të ngrini lart figurën e dikujt që është diskredituar falë punës së keqe? Mbi të gjitha, si mundeni ju të dilni kundër një opinioni të tërë duke thënë se të shash Bollanon është bërë si modë, a thua se të gjithë qenkan të çmendur e nuk dinë çfarë thonë e vetëm ju na qenkeni i zgjuar!?
Dilema, Himara me apo pa baraka?
Ju, zoti Cukali, në shkrimin tuaj thoni se “burrat e mençur të bregut parashikojnë se pas 10-20 vitesh nuk do të ketë mbetur asgjë. Do të ketë vetëm ndërtime dhe fshatra turistikë”. Në këtë rast, ju shprehni keqardhjen tuaj, apo jo? Po pse? Ju nuk jeni dakord që në vendin tuaj të bëhen ndërtime, që një zonë si ajo e bregut, e mbajtur deri dje peng për interesa të caktuara, më një fund të marrë frymë e të zhvillohet? Po pse more zoti Cukali kur shkoni jashtë shtetit për pushime, ku flini, ku hani, ku dhe si e bëni plazhin? A nuk kërkoni një hotel të mirë, një restorant të bukur e një vend të pastër për të bërë plazh? Apo kërkoni barakat e Bollanos dhe ujërat e zeza që i ka derdhur në det jetë e mot?
Edhe si qytetar i përgjegjshëm, por edhe si turist i shkujdesur, problemin duhet ta kishit shtruar kështu; “unë dëshiroj që pas 10-15 vjetësh këtë vend ta shihja tërësisht të ndryshuar, por, natyrisht, sipas një plani të studiuar mirë dhe mbi të gjitha, pasi të jenë zgjidhur të gjitha problemet e pronave, sepse nuk mund të ndërtojmë në ajër”. Këto janë problematikat, me të cilat unë dhe stafi im do të përballemi gjatë këtij mandati, me besimin se do t’ia dalim me sukses, sepse kemi dëshirë për punë e për të bërë gjëra të bukura. Ju, ndërkohë, bëni durim dhe prisni, vijoni të shkruani të dielave tek “Shekulli”, natyrisht duke qëndruar në lartësitë e mbiemrit që mbani. Madje, po ju jap unë një ide për shkrimin e ardhshëm. Falë hapësirës që ju jepet në gazetë, ju mund të ngrini fare mirë problemin e moratoriumit të mjeteve të lundrimit që po çudit të madh e të vogël, shqiptar e të huaj, se si ka mundësi të vazhdojë të qëndrojë akoma në fuqi, aq më tepër tani që u liberalizuan vizat. Pas kësaj jeni i mirëpritur në zonën e bregut për pushime dinjitoze, sepse një jetë më të mirë e meritojmë të gjithë.
*Kryetar i Bashkisë së Himarës
SHËNIME UDHËTIMI
Në rrugën e Bregut, gjatë javës kalojnë më shumë betoniera se turistë.
Me ikjen e Bollanos nga Bashkia e Himarës dikush po tenton të ndërtojë në mënyrë të ethshme sa në Jal, në Himarë a Dhërmi, pikat më të bukura të bregdetit. Përshtypja që të krijohet është që po nguten të ndërtojnë sa më parë, për sa kohë vëmendja është te zgjedhjet e te Kryetari ende i paditur i Kryeqytetit. D.m.th., për sa kohë askush nuk e ka mendjen të merret me hallet e përditshme e për më tepër të zbatojë ligjin, është mirë që ca gjëra të bëhen fakt i kryer.
Bashkë me betonierat, zonën po e rrahin tani ekipe të tatimorëve, që sipas banorëve kanë ardhur për t’u dhënë një “mësim” zonave apo dhe bizneseve që votuan majtas.
Kjo mund të jetë e mund të mos jetë e vërtetë, por, në një shtet poturegrisur si ky i yni, është më e thjeshtë dhe më e sigurt t’i besosh zëra të tillë.
Por, edhe nëse nuk është e vërtetë, është problem madhor fakti që këtë shtet, njerëzit e perceptojnë (qoftë dhe pa të drejtë) si një shtet që herët a vonë do vijë të hakmerret.
E thënë ndryshe, shteti ka probleme me imazhin, siç kishte edhe Bollano.
BOLLANO NË DRITË
Tani që Bollano nuk është më, do të duket më qartë nëse ishte ai faktori problematik i bregdetit apo jo. Çuditërisht, fshatarët e bregut e vlerësojnë. Edhe ata që me krenari thonë “nuk di greqisht” edhe kur dinë.
Bollano, me sa duket, ka bërë për ta më shumë se të gjithë Kryebashkiakët paraardhës. E kujt do t’ia merrte mendja? Në Tiranë u gëzuam më shumë me ikjen e Bollanos sesa me 2 alternativat dramatike që mund të qeverisin kryeqytetin.
Bollano, thonë, gjatë tërë qeverisjes së tij i bëri rezistencë të madhe presionit të biznesmenëve tiranas (dhe jo vetëm) për ta shndërruar bregdetin në kështjellë të pamposhtur betoni me hotele shumëkatëshe. Ende sot, përgjatë plazheve e fshatrave të bregut gjen vetëm ndërtime druri – të vetmet – siç thonë, të lejuara nga Bollano.
Sot që Bollano nuk është më, në rrugën e Bregut kalon një betonierë çdo 20 minuta. Betonierat, për ata që nuk duan kurrë të besojnë atë që po ngjet, nuk mbajnë lule brenda tyre por beton.
Ka shumë fshatarë që besojnë që pas Bollanos vjen kiameti.
APRÈS MOI, LE DÉLUGE
Është për tu habitur si e sa shpejt Bollano u demonizua nga media e Kryeqytetit për t’u bërë një prej figurave më të urryera të opinionit publik.
Pjesërisht, kjo ndodhi sepse media u tregua e cekët në vlerësimin e problemeve komplekse të zonës së Bregut, e pjesërisht ngaqë gazetarët raportojnë nga kafenetë e jo nga terreni. Pastaj, retorika nacionaliste, shpesh ka shërbyer si valvul për të hequr vëmendjen nga problemet reale.
Nga ana tjetër, Bollano bëri gjithçka që nuk duhej të bënte për të ndërtuar një imazh të zi rreth vetes.
Personalisht mendoj që Bollano ishte më tepër një politikan jo shumë i zgjuar dhe i paaftë për të ndërtuar një imazh pozitiv.
Ai zgjodhi që publiku përtej fshatrave të Bregut, publik që e njeh vetëm nga gazetat e TV, ta njihte për fanatik filo-grek e të mos njihte anën tjetër të tij, atë që fshatarët e vlerësojnë tani. Faktin që ai i mbrojti nga uzurpimi i betonit e i parasë e nga njerëzit që “e duan” bregun vetëm për 6 javë në vit, 8 korrik – 22 gusht.
BOLLANO MËKATARI
Bollano, ka plot mëkate.
Në një vend të stërmunduar nga racizmi e ksenofobia e fqinjit, me pasaporta të grisura në kufi, me shqiptarë të dhunuar shpesh deri në perversitet nga policia e ushtria, ai vendosi me kokëfortësi të ngrejë flamuj grekë në majë të shtëpive, të ndërronte tabela rrugësh, të ftonte konsuj që flasin për toka greke brenda kufijve të një shteti tjetër, e të shkruante me sprey Ellas nëpër mure, aty ku nuk kishte nevojë. Identitetin e Himarës nuk mund ta përcaktonin as flamujt, e as shkrimet greqisht, as konsujt. Identitetet kombëtarë trashëgohen, nuk shpiken.
Tendenca për të imponuar imazhin e një etniteti të dhunuar grek në Himarë, nuk i ka sjellë Himarës asgjë të mirë përveçse acarimit të pjesës tjetër të popullsisë. Himara nuk bëhet greke sepse ashtu do Bollano. As sepse ashtu i shajmë ne.
Duke mos dashur ta kuptojë, duke dashur ndoshta të bëhet hero aty ku nuk ka luftë, duke dashur t’i shërbejë dikujt në një kauzë të dështuar që në fillim, Bollano u bë tabela e qitjes nacionaliste.
Bollano, është sigurisht një personazh mëkatar. Një mëkatar, që e ka mbrojtur bregun nga shkatërrimi i njerëzve me vetura të shtrenjta e me shtetin nga pas.
Bollano ra, për t’ia lënë vendin një figure të re.
E REJA
Njerëzit me të cilët flas nuk kanë besim që Kryetari i ri i Bashkisë do të mund ta mbrojë Bregun nga ujqit, nga ata që deri dje shihnin vetëm malin, e sot, kanë vendosur të shohin detin.
Njerëzit e Bregut, për veten e tyre tërë jetën janë zgjuar duke parë detin. Nesër, mund të zgjohen duke parë beton.
Tentoj t’i pyes për Jorgo Goron, dhe thonë që është djalë i mirë. Djalë i mirë… me një “por” nga pas. Dikush më thotë që shumë vota janë blerë, një tjetër më shpjegon që Goro dhe Bollano janë kushërinj, fushatën e bëri në greqisht, dhe mbi të gjitha, i shqetëson fakti që ai e bëri fushatën me njerëz që nuk mund tu zihet shumë besë.
- Kështu është gjithë Shqipëria – u them – Më mirë kur i blen votat një djalë “i mirë”.
HIMARA
Edhe para 50 vitesh, himarjotët sa ngriheshin në mëngjes hapnin sytë për “vapor”. Vaporë, që vinin t’i mblidhnin e t’i çonin në Greqi. Që kur fshatarët mbajnë mend, himarjotët i kanë mbajtur sytë nga “vaporët”. Përjetësisht me sytë nga Greqia.
Barba Pilua, ngul këmbë të dijë pse mua duhet të më shqetësojnë ata që flasin greqisht. Përpëlitem me argumente. Barba më kujton fëmijët e kuksianëve, tropojanëve e dukagjinasve të lindur në Greqi që nuk dinë jo të shkruajnë, por as të flasin shqip. Atëherë, pse, vetëm ata shtetas shqiptarë në Himarë që flasin greqisht, duhet të jenë një problem?
Shqiptarët e Bregut, nuk e kanë problem greqishten e himarjotëve.
Duke bredhur rrugëve të Himarës, as unë nuk e kam. Të gjithë më përgjigjen shqip, që nga shitësja e markatës kamerierët, rojet, e deri te berberi. Ky i fundit, më thotë që pasi ka bredhur tërë Greqinë, ka vendosur që nuk ikën më prej këtu. Në këndin e dyqanit ka një TV të vogël të fiksuar te një kanal dokumentarësh i Dixhitalbit.
Sigurisht, flasin edhe greqisht. Por, greqisht mund të dëgjosh të flitet edhe në Grand Central të Nju Jorkut. Mua, më përgjigjen përherë në shqip.
Rrugët e Himarës janë të qeta. Shpirtrat tanë jo.
Përpiqem të kujtoj si mbërritëm deri këtu. Kush e shndërroi në problem të madh greqishten e himariotëve.
Kujtoj që nacionalizmi ushqehet nga mediat e blogjet në Internet. Të dyja këto, që vuajnë për profesionalizëm dhe vërtetësi.
Kujtoj që më pasionantët për të mbrojtur Himarën nga “grekërit” janë ata që nuk kanë qenë kurrë aty.
Kujtoj që Himara konsiderohet “problem” sa më shumë largohesh diametralisht prej saj.
Sa më drejt Veriut të ngjitesh aq më shumë patetika nacionaliste rritet. Në Kosovë, arrin kulmin. Sa e urrejnë kosovarët Bollanon!
E ARDHMJA
Në fshatrat e bregut, ka shumë punëtorë që flasin me theks verior. Fshatrat janë thuajse bosh, por muratorët kanë punë plot. Emigrantët po i ndreqin shtëpitë, edhe pse nuk jetojnë aty. Fshatrat janë të populluar me pleq vendas dhe me të ardhur nga zonat ku ka vetëm mal pa det. Të tërë duken në paqë, madje këta të fundit, duken dhe të lumtur.
Lula, pronarja e kafenesë, u thotë “si keni njehë” në gegnishte të vjetër ndërsa vetë punëtorët flasin me terma dialektorë të bregut. “Gjitonia” thotë mes fjalive një tip tek të 20-tat për atë që tërë jetën e ka thirrur “kojshike”.
Burrat e mençur të bregut, parashikojnë që pas 10-20 vitesh nuk do të ketë mbetur asgjë. Do të ketë vetëm ndërtime e fshatra turistikë. Që tani, Drimadha e ka humbur pafajësinë. Edhe fusha e Vunoit do ketë fundin e Qeramidhes në Jal. Në Himarë pritet bum kullash të larta.
Në darkë vonë, e vetmja zhurmë janë betonierat që ndërtojnë night-clubet e javëve të mos-shtetit.
Tek tuk fshatarët kanë tentuar ta ndalojnë vetë këtë mostruozitet, por, siç thonë, pas ndërtuesve janë njerëz të mëdhenj në Tiranë. Madje, dëgjoj që ndërtimet mbrohen me forca të Reneas.
Në këto kushte, më duket absurde që t’u flas njerëzve për lirinë e për ndëshkimin e të keqes me votë.
Greqia u jep 350 euro në muaj, Shqipëria i shemb me ruspa e u zë plazhet me betoniera. “Nacionalizmi” dhe “shqiptarizmi” tashmë, janë kthyer në pasione të snobëve të kryeqytetit e njerëzve të Internetit.
Tani, në rrugën e Bregut kalojnë non-stop betoniera. Betoniera që do ta kthejnë gradualisht Jalin, Dhërmiun, Drimadhën, Livadhjanë, e më tej Himarën, Qeparoin, Borshin në vende të pajetueshme, në bukuri të përdhunuara.
Fshatarët janë pasivë. Duhet të jetojnë.
- Kështu është tërë Shqipëria – më përgjigjen.
“Nacionalistët” e Facebook-ut e të diasporës do të vijnë fundjavave për të snobuar në Beach Bar-et trendy mbi prona të përdhunuara e mbi plazhe të denatyruara. Do të bëhen tapë, do të dëgjojnë haus, e do të shajnë Bollanon.
Pakica e heshtur, pak nga pak do të pushojë së ardhuri në Breg, sepse i dhemb.
No comments:
Post a Comment