Deputeti minoritar Kosta Barka ka dalë sot kundër reagimeve të shoqatave minoritare dhe atyre shqiptare në lidhje me procesin e regjistrimit të popullsisë. Duke e cilësuar censusin si korrigjimin e një gabimi të rëndë historik dhe si respektimin e një të drejte legjitime të pakicës dhe individit, Barka u bën thirrje gjithë faktorëve për t’u angazhuar për një proces sa më korrekt. Deklaratat e Barkës janë bërë gjatë një konferencë për shtyp të zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës.
“E konsideroj ligjërisht antikushtetuese dhe në pikëpamjen humne të ulët, cinike, anakronike dhe ofenduese, si për pakicën, ashtu edhe për shumicën, qëndrimin e mbajtur dhe zhurmën e bërë nga disa organizata e media të ndryshme për ta ndaluar procesin e censusit mbi këto parime. Aq më keq kur në këto struktura përfshihen edhe përfaqësues të lartë shtetëror. Veprimi i tyre është antikushtetues se mbjellin dhe nxisin urrejte ndëretnike. Si pjesëtar i minoritetit grek dhe si deputetit i tij po ndjek me shqetësim indiferencën dhe pasivitetin për procesin e regjistrimit nga ato struktura që pretendojnë përfaqësimin politik të minoritetit etnik grek. Edhe pse e kuptojmë shumë mirë se bëhet fjalë për një kërkesë me rëndësi historike për këtë minoritet, këto struktura dhe në radhë të parë OMONIA dhe PBDNJ, udhëhiqen nga taktika e njohur e tipit, më mirë të ekzistojë një problem që të kemi të flasim, sesa të gjejë zgjidhje ai. Të zënë në befasi, kërkojnë të gjejnë sebepe për të mbuluar paaftësinë e tyre totale për të realizuar një detyrim historik ndaj këtij minoriteti. Referenca të tilla për gjoja parashikime gjobash administrative në ligj, që pengoka gjasme deklarimin me vullnet të lirë të kombësisë, është një abuzim po aq i rrezikshëm sa edhe thirrjet e aleancës së urrejtjes. Me përgjegjësinë morale dhe politike të një intelektuali dhe deputeti nga minoriteti, u bëj thirrje të lënë mënjanë pretekset dhe luftën brenda llojit, të gjejmë midis nesh gjuhën e përbashkët dhe të bashkëpunojmë me strukturat përgjegjëse shtetërore që do të realizojnë censusin, duke bërë propozimet tona konkrete për përmirësimin e punës së këtyre strukturave. Thirrje për bashkëpunim u bëj gjithë drejtuesve të shoqatave të vjetra dhe të reja që përfaqësojnë komunitetin tonë në Greqi dhe jashtë saj”, u shpreh Barka.
Gjithashtu, deputeti Barka kërkoi angazhim serioz për censusin nga të gjitha palët.
No comments:
Post a Comment