ARRA GUNGË E EPIRIT
Nga ARDIAN VEHBIU
Historiani Kristo Frashëri, në disa numra të Gazetës Shqiptare, polemizon me teza të historianëve grekë në lidhje me Epirin e Vjetër dhe banorët e tij në shekuj.
Çështja e natyrës etnike të Epirit të Vjetër në lashtësi dhe në mesjetë i ka ndarë historianët në të dy anët e kufirit shqiptaro-grek.
Dy tezat ekstreme – njëra se Epiri i Vjetër ka qenë gjithnjë etnikisht grek dhe tjetra se Epiri i Vjetër ka qenë iliro-shqiptar në mënyrë të vijueshme – nuk janë të vetmet që qarkullojnë, as më të besueshmet.
Megjithatë, të thuash se epirotët nuk kanë qenë grekë nuk do të thotë,automatikisht, se epirotët kanë qenë ilirë (kjo duhet mbështetur veçmas), as se ilirët e dikurshëm (të supozuar) të Epirit janë trashëguar si shqiptarët e sotëm të Jugut.
Gjithsesi, polemika është tërheqëse në vetvete.
Një pjesë e argumenteve që sjell Frashëri kanë natyrë gjuhësore-etimologjike dhe meritojnë vëmendje.
Kështu, ai thotë ndër të tjera se:
Emri Bylis vlerësohet si një toponimi tipike ilire me rrënjë fjalën “ballë”, në kuptimin e kryes. Për t’u bindur për këtë përmbajtje etimologjike shqipe mjafton të kujtojmë se sllavët e quajtënGllavinicë (nga Gllavë: Krye), kurse në një burim mesjetar grekKefalini (nga Qefali: Krye). Pra, në të dyja rastet kemi një përkthim në sllavisht dhe në greqisht të toponimit ilir Bylis (= ballë, krye).
Unë nuk di se kush e ka barazuar emrin Bylis me fjalën “ballë”; por jam në gjendje të them se ky barazim nuk qëndron nga ana fonetike; meqë kalimi ngay-ja e Bylis-it në a-në e fjalës ballë është shumë problematik. Nuk ka asnjë shembull që një fjalë e lashtë, indo-europiane, greke e lashtë, ilire ose edhe latine me y tematike, të ketë përfunduar me a tematike në shqipen e sotme, me rregullsitë fonetike të shqipes; Bylis do të kish përfunduar në diçka si Bull(sh)ose Byll(sh), po të kish qenë në gojën e shqiptarëve pa ndërprerje. Sipas të njëjtit arsyetim, nuk ka shumë gjasë që fjala e sotme ballë, së cilës i është pranuar etimologjia indo-europiane, të ketë pasur formën Bylis në lashtësi. Përndryshe, barazimet Gllavinicë = Qefali = Ballsh janë të besueshme në vetvete, edhe pse pa lidhje me ekuacionin Bylis = Ballsh.
Më tej, Frashëri shprehet edhe për origjinën e emrit të krahinës Dropull, për të diskutuar nëse ky duhet shpjeguar patjetër nga Hadrianopolis, apo nga një formë *Drinopolis, si qyteti i lumit Drin(os), që kalon aty; duke vërejtur, me këtë rast, se toponimi Drin është ilir dhe ndeshet anembanë trojeve të Ballkanit të banuara nga këto fise. Kjo është e vërtetë, meqë veç Drinit në Shqipërinë e Veriut, ka edhe një Drina në Bosnjë, veç emrave të përrenjve që ndeshen aty-këtu, gjithnjë në Veri të Shqipërisë.
Mirëpo këtu ka një problem me vetë emrin e lumit; sepse një Drin, në Shqipërinë e Jugut, do të ishte rotacizuar në Dri-Driri (sikurse bri-briri, fre-freri, Mërti(r)-Mërtiri, ulli-ulliri, mulli-mulliri, etj.; të gjitha forma që dalin me n- në gegërishte:brini, freni, Martini, ullini, mullini). Pse të ketë mbetur Drini në Jug i parotacizuar, në një kohë që rotacizmi, si rregull, ka prekur edhe emrat e vendeve (khs. Vlorë, nga Aulona)? Vallë ngaqë nuk ka qenë pandërprerazi në gojë të shqipfolësve? Apo ngaqë ka pasur ndonjë enklavë gege aty?
[Meqë jemi në temë, unë nuk e kuptoj pse s'e ka përsiatur njeri mundësinë e prejardhjes së toponimit Dropull nga një sllavishte mesjetare Drinopolje, ose fusha e Drinos-it. Ndoshta Tannhauser ka më shumë informacion për këtë.]
Në fakt, mungesa e rotacizmit në emrin e lumit Drin(os) më kujtoi edhe një rast tjetër, që u ka hapur kokëçarje gjuhëtarëve: fjala qen, e cila mbahet si huazim latin, por që si i tillë duhej të ishte rotacizuar në toskërishte, si qé-qeri. David Luka ka shkruar një artikull të hollësishëm për këtë çështje tani së voni. Edhe pse ka ndonjë zë që e quan qen si fjalë autoktone dhe mungesën e rotacizmit aty e shpjegon me një geminate: *kannis (n-të geminate ose të dyfishta, nuk janë rotacizuar në shqipe: khs. hënë, punë, etj.), unë do të anoja nga shpjegimi që qen, në toskërishten, është huazim i vjetër nga gegërishtja (i mesjetës së hershme, por pas përfundimit të rotacizmit në toskërishte).
Gjithsesi, Drin(os) mund të jetë toponim ilir në Epir, por mosrotacizimi i fjalës e dëmton tezën e vijueshmërisë ilire-shqiptare në ato troje.
Frashëri tingëllon më bindës kur merret me historinë e Krishterimit në Epir; edhe pse teza e tij se “historia e provincave epirote na çon tek konkluzioni se tek të dy Epiret mbisundonte elementi ilir” më duket pak e sforcuar. Të thuash që epirotët e lashtësisë kanë qenë të ndryshëm prej grekëve, dhe që epirotët e lashtësisë – thesprotët, kaonët, mollosët – kanë qenë ilirë janë dy teza të ndryshme; e para nuk e provon të dytën; dhe e dyta mbetet për t’u provuar, pa çka se historianët shqiptarë, siç mund të pritej, e marrin për të mirëqenë.
Mare nga: http://ardianvehbiu.com/
Si dëshmi të helenizmit të Epir it-të-Ri, historiani grek E. Chrysos sjell emrin e qytetit Bylis (sot: Ballshi në Mallakastër). Duket se ai nuk e njeh opinionin që mbisundon në historiografi, në të cilën emri Bylis vlerësohet si një toponimi tipike ilire me rrënjë fjalën "ballë", në kuptimin e kryes. Për t'u bindur për këtë përmbajtje etimologjike shqipe mjafton të kujtojmë se sllavët e quajtën Gllavinicë (nga Gllavë: Krye), kurse në një burim mesjetar grek Kefalini (nga Qefali: Krye). Pra, në të dyja rastet kemi një përkthim në sllavisht dhe në greqisht të toponimit ilir Bylis (=ballë, krye).
Një tjetër argument që përmend historiani grek Chrysos është përpjekja e tij për të hetuar origjinën e emrit të Dropullit. Siç dihet, jo pak historianë mendojnë se toponimi "Dropull" e ka burimin te emri i qytetit të lashtë Hadrianopolis (qyteti i themeluar nga perandori romak Hadriani, pra qyteti i Hadrianit). Por ka edhe një tezë tjetër shumë bindëse, e cila e sheh burimin e toponimit Dropull, dikur Drinopul, Drinopolis, te emri i lumit Drino, siç quhet edhe sot, që përshkon luginën e Gjirokastrës, pra qyteti i Drinos. Eqerem Çabej shkruan se lumi Drin, trajta e hershme ilire Drin, grekët e vjetër Drinos, latinët Drinus, sllavët Drim është, sipas gjuhëtarëve, toponimi ilire. Është mjaft i përhapur në botën ilire: Drini në Shkodër, Drina në Bosnjë, Drini i Zi në Strugë, Drini i Bardhë në Pejë. Ka edhe përrenj me emrin Drin, si në Lumë, në Shtip (Maqedoni) e gjetkë. Emri i krahinës Dropull, dikur Drinopull, ????????? greqisht, e ka origjinën pra te lumi Drin dhe jo te qyteti antik Hadrianopolis. Shtojmë me këtë rast se Drinos, ??????? e ndeshim edhe më herët se kur jetoi perandori romak Hadrian. Në një nga mbishkrimet e Butrintit edhe si emër fisi, ndoshta emri i banorëve të luginës së lumit Drinos. (K. Boxhori, Dh. Budina. Disa mbishkrime të pabotuara të theatrit të Butrintit. Në: "Studime historike", 2, 1966, f. 189). Lumi Drin i ka dhënë emrin krahinës Dropull nëpër të cilën kalon lumi, nga Drinopull, Drnopull, Drropull ????????? te grekët (ashtu si lumi Mat i dha emrin krahinës së Matit). (Shih më gjerë E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, vëll. III, Tiranë 1987, f. 320). Duket se historiani grek Chrysos nuk e pranon karakterin ilir të dy toponimeve të përmendura, mbasi kërkon medoemos të na mbushë mendjen qoftë edhe me përdhunë, se ato janë me origjinë helene.
Për të provuar helenizmin e të dy Epireve, historianët grekë zakonisht i referohen edhe historisë kishtare. Sipas tyre, krishterimi në të dy Epiret erdhi nga Lindja, duke nënkuptuar me këtë krishterimin grek. Në të vërtetë, ky pretendim nuk ka asnjë mbështetje. Apostulli i parë, i cili e përhapi krishterimin në të dyja trevat ishte Shën Pali, i cili pa pikë dyshimi ishte i lidhur më tepër me Romën se sa me Kostandinopojën, mbasi kjo nuk ekzistonte në kohën e tij. Kisha e krishterë jo vetëm në Epirin-e-Ri, por edhe në Epirin-e-Vjetër ka qenë deri në fillimin e Mesjetës (shek. VI), vazhdimisht e lidhur me Romën. Madje, në shekullin II të krishterët e Nikopojës i dhanë Romës edhe një kryeprift - Papën Eleuterin. Peshkopatat e krishtera i mbajtën lidhjet me Romën edhe pas vitit 395 kur të dy Epiret u përfshinë në Perandorinë Bizantine.
Dëshmi e padiskutueshme e përhapjes dhe e konsolidimit të krishterimit në viset shqiptare nga Perëndimi, është terminologjia kishtare e ritit dhe e liturgjisë që ka përvetësuar dhe që ka akoma në përdorim jo vetëm kisha katolike, por edhe kisha ortodokse shqiptare. Siç e kanë argumentuar linguistët, terminologjia e të dyja kishave është e njëjtë, mbasi te të dyja është me origjinë latine. Të tilla janë për shembull termat: kryq (crux), shenjt (sanctus), meshë (missam), kishë (eçlesia), pagëzim (baptistum), kungim (comunionem), bekim (benedictionem), mallkim (maledictionem), krezhmë (crisma), pendim (penitentiam), lavdi (laudem), këmbanë (campanum), shpirt (spiritus), qiri (cera), ferr (infernus), paradis (paradis), mrekulli (miraculum), agjinim (jenunare), i kërshterë (cristianus), Kërshndella (Cristi natalia), rushaje (rosarium). Ky fenomen shpjegohet vetëm me faktin se terminologjia kishtare ka hyrë në gjuhën shqipe në Antikitetin e vonë kur edhe viset jugore të Shqipërisë, e kishin kthyer fytyrën nga Roma. Origjinën e përbashkët të fillimeve kishtare nën ombrellën e Perëndimit e tregojnë edhe trajtat e njëjta që kanë te shqiptarët e të dy riteve të krishtera, emrat e shenjtorëve të hershëm si: Shën Pjetri, Shën Pali, Shën Ndreu, Shën Mitri, Shën Gjoni, Shën Gjergji, Shën Gjini, Shën Mëhilli, Shën Mërtiri, Shënd'Ëlliu, etj.etj.
Lidhjen kishtare me Romën jo vetëm të Epirit-të-Ri, por edhe të Epirit-të-Vjetër e dëshmojnë edhe qëndrimi i peshkopëve të tyre në koncilet kishtare të përbashkëta të periudhës para skizmës së hershme, pra para ndarjes së Kishës Perëndimore me Kishën Lindore. Këtu nuk është vendi për të trajtuar gjatë këtë histori, të cilën historiani grek Chrysos e kalon në heshtje. Do të përmendim vetëm qëndrimin e tyre në koncilin e Efezit të vitit 431. Edhe pse ky koncil u mbajt me pjesëmarrjen e peshkopëve të kishave të Perandorisë Bizantine, peshkopi i Nikopojës, Donati dhe peshkopi i Dodonës, Theodori u rreshtuan në krahun e peshkopëve ilirë të Epirit-të-Ri - të Eukarit, peshkop i Durrësit dhe të Feliksit, peshkop i Apollonisë dhe i Bylisit, - të cilët së bashku me peshkopin e Shkodrës, Senecioni dhe të Dioklesë, Kostanci, nuk pranuan tezën e perandorit bizantin për nënshtrimin e tyre ndaj pushtetit perandorak. Historianët me autoritet të historisë kishtare e vënë në dukje se përçarja në gjirin e koncilit të Efezit kishte afërsisht një karakter etnik, mbasi peshkopët e viseve greke e mbështetën platformën e perandorit të Kostandinopojës, kurse ata që e kundërshtuan midis të cilëve ishin dhe peshkopët e Epirit-të-Vjetër dhe Epirit-të Ri, përfaqësonin popullsitë jo greke. Distancimi i peshkopëve të të dy Epireve nga Kostandinopoja vazhdoi të thellohej deri në atë shkallë sa perandori bizantin Justinian krijoi në vitin 535 në Shkup një kryepeshkopatë të kishave ilire të lidhur me Romën. Historia e provincave epirote na çon tek konkluzioni se tek të dy Epiret mbisundonte elementi ilir. Në fillim të shekullit VI, sikurse del nga Synecdemus-i i Hieroklit, në trevën jugore ilire vazhdonte të ishte në fuqi ndarja administrative e saj në katër provinca: në Epirin-e-Vjetër, Epirin-e-Ri, Dardani, Prevalitani. (Hieroclis Synecdemus, 651, 653, 655, 656. Shih: Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë 1965, ff. 455-456). Disa dhjetëvjeçarë më vonë, gjatë mbretërimit të Justinianit, numri i provincave jugore ilire u pakësua nga katër në tri. Provinca e Prevalitanisë me qendër Shkodrën, u suprimua. Viset e saj u bashkuan me provincën e Epirit-të-Ri, e cila vazhdoi të kishte për qendër Durrësin. Përfshirja në Epirin-e-Ri të viseve që ndodheshin në Provincën e Prevalitanisë pa dyshim vise ilire, është një dëshmi më tepër që flet në favor të identitetit etnik të provincave që mbanin të njëjtin emër Epir. Gjatë sundimit romak nga historia njerëzore e Epirit njohim shumë pak emra njerëzish. Janë emra të elitës administrative dhe shoqërore, të cilët mund të tregojnë edhe përkatësinë e tyre etnike. Kështu për shembull, një nga familjet më të shquara të aristokracisë së Epirit ishte ajo e klearkëve (Klearchoi) në shekullin IV me origjinë nga Thesprotia (Çamëria). Klearku (plaku) ishte anëtar i Senatit të Kostandinopojës, kurse nipi i tij Klearku (i riu) prefekt i Kostandinopojës dhe prefekt pretorian i Illirikumit në fillim të shekullit V. Një tjetër epirot i shquar i cili quhej Marcellinus, ishte guvernator i Sirisë më 382. Ndër më të shquarit epirotë të Antikitetit të vonë ishte pa dyshim filozofi Priscus, kryetar i Akademisë së Platonit në Athinë. Ai i qëndroi besnik fesë pagane edhe pasi krishterimi u shpall fe zyrtare e perandorisë. Për këtë arsye, perandori Julian, i cili iu kundërvu fesë së krishterë, e ngarkoi në poste me përgjegjësi në fushën e kulturës. Pas vdekjes së Julianit, Prisku u kthye në Akademinë e Athinës, ku dha mësime për mëse tridhjetë vjet. Për të shpëtuar nga persekutimet e Kishës së krishterë, ai u strehua në Epir. Ndër familjet e tjera të shquara, të cilat i trajton historiani E. Chrysos, duhen përmendur prej tyre dy pronarë të mëdhenj tokash - ajo e Paulas nga Roma me prona në Nikopojë dhe ajo e Paulinëve (Paulinus) nga Pella, me prona në Epirin-e-Vjetër dhe në Epirin-e-Ri. Sikurse shihet, vetëm emri i familjes së Klearkëve ka tingull helen. Të tjerat anojnë nga gjuha latine. Përdorimi i emrave dhe i mbiemrave latinë nuk tregon medoemos se mbajtësi i tyre ishte romak. Madje, edhe përdorimi i emrit helen nuk do të thotë medoemos se mbajtësi i tij qe grek. Ne kemi një mori qytetarësh, madje dhe perandorësh, të cilët mbajnë emër të përveçëm nga fusha e onomastikës latine (si për shembull perandori Justinian), madje edhe helene (si për shembull perandori Anastas), të cilët dihet me siguri se nuk qenë as romakë, as grekë, por ilirë. Historiani grek E. Chrysos, duke folur për selinë peshkopale Euria (më vonë Shën Donati dhe në ditët tona Paramithia), lë të kuptohet se emri i qytetit i takon greqishtes. Sipas një legjende, shkruan ai, Donati, peshkopi i parë i Euresë, të cilin kisha e ka shpallur shenjtor (Shën Donati), vrau një dragua në vendin e quajtur Chamaigephyrai dhe aty shpërtheu një burim uji për qytetin e tij. Chrysos shkruan se Euroia mund të përkthehet "rrjedhë e bollshme". Duket se ai nuk e ka vënë re se në toponimin Euroia > Uroia > Ujë-roia > Ujë i rrjedhshëm > Ujë i bollshëm. Si rrjedhim, toponimia lë të kuptohet se banorët e Euroia-s gjatë Antikitetit të vonë kanë qenë ilirë, pra paraardhësit e shqiptarëve.
No comments:
Post a Comment