Ndue Ukaj (marre nga shtypi)
"Hapi i parë në likuidimin e një populli, është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë ishte. Kjo referencë, e shkrimtarit të madh çek Milan Kundera, duket sikur të jetë menduar dhe shkruar veçanërisht për ne shqiptarët. Kjo për faktin se, pikërisht ky kërcënim, në formën e përshkruar, është artikuluar kundër shqiptarëve këto ditë nga ministri turk i arsimit Omer Dincer, thirrje kjo e përforcuar nga ambasadorja e tyre në Prishtinë dhe e mbrojtur turpshëm nga qeveria jonë. Një tjetërsim i historisë, nënkupton edhe tjetërsim të kujtesës. Një popull pa kujtesë, është e destinuar të jetë objekt eksperimentesh, ku shfrejnë ambiciet e ndryshme të shteteve të forta që hartojnë plane strategjike.
Më e keqja, një popull pa kujtesë dhe së cilit i ndryshohet historia, për t’ju rishkruar nga armiqtë, rrezikon të shpërbëhet. Prandaj, duhet të thuhet troç se kjo është një përpjekje për rirobërim të ri të shqiptarëve.
Qeveria e sotme e Kosovës, me një performancë proturke, është shmangur nga orientimi perëndimor dhe kështu ka përçarë keq shqiptarët. Proklamimet perëndimore të kësaj qeverie, janë vetëm një retorikë shterpe, në prapavijën e së cilës, po farkon interesat turke në Ballkan, duke e bë Kosova si trampolinë në synimet e jashtme të politikes turke. Kryeministri Hashim Thaqi, duke e thirr vëlla kryeministrin turk Taip Erdogan, ka shkaktua tensione jo të pakta në mes shqiptarëve. Ndërsa kulmi i kësaj, u arrit ditëve të fundit, kur vendin tonë, e vizituan në mënyrë të njëpasnjëshme disa zyrtarë të lartë turq, të cilët në fund treguan çka duakan nga vëllazërinë me shqiptarët, kur kërkuan ndryshimin e historisë, apo pastrimin e saj, siç e përforcoi qëndrimin e Ankarasë zyrtare, ambasadorja turke në Prishtinë. Këto pretendime, tronditën rëndë shqiptarët, reagimet e së cilëve ishin shumë të ashpra. Në Kosovë, tendencat dhe sentimentet neootomane, kohëve të fundit, janë shfaqur hapur, edhe pse kryeministri Thaqi i ka fituar zgjedhjet e fundit, duke u përbetuar para qytetarëve të Kosovës, për rrugëtimin tonë drejtë perëndimit, integrimin në strukturat euro-atlantike pa ekuivokë. Vizitat e shpeshta të zyrtareve turk dhe proklamimi i një vëllazëri të paqenë, ishin sinjalet e para ogurzeze. E, më shqetësues është fakti se këtë lojë Turqia po e bën, duke e instrumentalizuar fenë, një gjë kjo e cila tek shqiptarët nuk ka ndodh kurrë më parë. Ambiciet e Turqisë për ndryshimin e historisë, të miratuara në mënyrë tinzare nga qeveria jonë, janë akte të paprecedent.
E, përvec tjerash, kërkesa turke, ishte edhe një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të vendit. Historia nuk ndryshohet sipas tekeve të politikës, ngase një precedent të tillë nuk i njeh shkenca e historisë. Këto tendenca turke, shihet qartësisht se kanë konotacione tepër të rrezikshme dhe mund të prishin keq ekuilibrat ndërshqiptar. Kjo kërkesë e Turqisë, e artikuluar në formën siç e pamë gjithë, është dëshmi se ky shtet nuk shkëputet nga otomanizmi si mendësi politike. Mirëpo, një gjë ishte pozitive, ngase kjo kërkesë turke, u prit me rezistencë të paparë ndër shqiptarë, ngase historianë, shkrimtarë, publicistë, qytetarë dhe politikan të shumtë, u shprehen decidiv kundër çdo përpjekje për ndryshim të historisë, duke alarmuar se çdo ndryshim, do të rrezikojë shpërbërjen e kombit. Kësisoj, gjaku i arbrit demonstroi fuqishëm se asnjë përpjekje për me ndryshua historinë, nuk do të pranohet dhe do të shpallet jolegjitime për shumicën e shqiptarëve, si mysliman, të krishterë e të pafe.
Ndërsa këtë tendencë e ka analizuar mjaft mirë Naser Ali (Lis Bukuruca), duke shkruar se: ky është sulm ne bërthamën shqiptare, e kaq larg nuk ka guxuar te shkoje as Serbia..."Aludimet e ministrit turk të arsimit, të përkrahura nga ca nostalgjikë otoman e shqiptarë, janë përpjekje rrënuese, që sic u përsërit shpesh këto ditë, destabilizojnë marrëdhëniet ndërshqiptare. Kjo për faktin se këtu nuk bëhet fjale për përpjekje shkencore, një fakt të cilin e din të gjithë, por për një pastrim politik. Andaj, të gjithë ata që pretendojnë të bëjnë këso skenarë të rrezikshme, duhet të jenë vigjilentë për konseguencat e paparashikuara që mund të dalin kjo, sepse ka shqiptarë që për asnjë çmim nuk do te pranojnë të zëvendësohet Gjergj Kastriot me Sulltan Muratin, Pjeter Bogdani me një tjetër turk, e Naim Frashri me ndonjë tjetër- pastrim ky që do të pasohej, natyrisht sipas skenarëve turke, përkrahur nga shqiptarë, me selektimin e autorëve që duhet lexuar dhe atyre që s'duhet lexuar. Çfarë është kjo përpjekje, nëse jo një shprehje e hapur e diktaturës politike?
Kultura shqiptare, që nga datimet e para në shekullin XVI, e gjerë në ditët e sotme, është zhvilluar duke kultivuar një ton mjaft kritikë për perandorinë otomane. Nëse shikohet në këndvështrimin e letërsisë, e cila ishte hallka fundamentale e identitet it dhe mbijetesës shqiptare, atëherë lehtësisht mund të themi se letërsia shqipe për pesë shekuj, ka kultivuar një frymë perëndimore dhe kësisoj, ka gjykuar rëndë pushtimin turk. Me pastrimin e historisë dhe letërsisë, shqiptarët nuk do të mund më të lexojnë me Marin Barletin dhe librat e tij për Skënderbeun dhe Rrethimin e Shkodrës, nuk do të mund të studiojnë më Bogdanin, e as Jeronim de Radën. Madje, më e keqja, shqiptarët duhet të heqin dorë edhe nga Naim Frashri, për të vazhduar me plejadën më të ndritshme të krijuesve, siç janë Andon Zako Çajupi, Gjergj Fishta, Fan Noli, Faik Konica, Mithat Frashri, e deri në kohën e sotme, me Ismail Kadarenë, Sabri Godonë dhe shumë e shumë të tjerë. Përpjeke shkencore për me verifikua historinë, janë gjithmonë te mirëseardhura dhe përplotësojnë boshllëqet e mundshme, vetëm përderisa sa janë përpjekje shkencore, pa ndërhyrjen e ambicieve politike. Nuk ka njeri me një grimë mendje të shëndoshë që si përkrah këto synime. Ama, në kontekstin shqiptar, këto janë përpjekje makabre, te cilat qartësisht dhe botërisht, sië e potencoi ambasadorja turke, kërkojnë pastrimin e historisë. Çfarë nënkupton kjo? Thjesht, eliminimin e gjithë kulturës shqiptare dhe zëvendësimin e saj me një turke, ku Skënderbeu do të shpallet si tradhtar, e Sulltan Murati si shpëtimtar. E gjithë kjo për të përplotësuar ambiciet e disave që pretendojnë kot tëiu mbushin mendjen shqiptarëve për gjoja një bashkëekzistencë mes shqiptarëve dhe turqve. Kjo është një gënjeshtër e trilluar nga otomanët dhe shqiptarët e otomanizuar që s’deshtën asnjëherë Shqipëri të pavarësuar e europiane.
Arsyetimet e disa nostalgjikëve otomanë, që pa fije racionaliteti, sjellin në tryezën e debateve teza qyqare, se historia duhet të ndryshohet, se kinse na u paska mitizua gjatë Rilindjes, janë të qullta dhe si të tilla pa asnjë argument racional. E për argumente shkencore, këtu as që mund të bëhet fjalë. Përpjekja e disa shkrolsave se gjoja Skënderbeu na qenka mitizuar gjatë Rilindjes, janë aq absurde sa të bëjnë të qeshësh. Figura e Skënderbeut, pa marrë parasysh pse nuk ka jetuar ne një kohë kur kanë ekzistuar kombet, siç po pretendojnë të ligjërojnë ca shqiptarë nostalgjikë të sulltanëve, ai ishte dhe mbetet shtylla themelore mbi te cilën u konstitua kombi shqiptar, ashtu siç janë pjesët tjera qe i përmendëm, elemente te këtij identiteti. Asnjë komb a shtet nuk është krijuar duke mohuar rrënjët e tij. Përkundrazi, gjitha kombet europiane-sipas konceptit modern për kombin-janë formuar pikërisht mbi rrënjët e tyre parakombëtare. Shqiptaret kudo qe jetojnë, kane një kulture dhe një identitet kulturor. Kjo kulture dhe ky identitet, është krejtësisht ne kundërvënie ndaj hordhive otomane, qe kane tentua te zhbëjnë e ëdo gjëje shqipe. Fjala shqipe, gjuha shqipe dhe shkollimi shqip, u bën diga te fuqishme kundruall pushtimit otoman.
Tezat qe po diskutohen kohëve te fundit se gjoja shqiptaret kane bashkëjetuar në një perandori, duke e lidh me faktin se ka pasur vezirë shqiptarë e pashallarë shqiptarë, janë përpjekje qyqare. Kjo është identike, sikur të thuhet se shqiptarët e Kosovës kanë bashkëjetuar me Jugosllavinë dhe Serbinë, ngase ka pasur mjaftë shqiptarë që kanë qeverisur në kohën e Jugosllavisë, por edhe në kohën Milloshit. Këto arsyetime të pabaza të bëjnë të kuptosh se përpjekja turke për me pastruar historinë, është pjesë e një skenari të menduar mirë dhe për këtë, është hapur një fushatë e paparë sulmesh kundër Skënderbeut, kundër Bogdanit, kundër Fishtës, Konicës, ndaj Kadaresë dhe shume figurave tjera qe janë identifikuar me përkatësinë oksidentale te shqiptareve. E analizuar në planin e përgjithshëm, kjo kërkesë është aq e marre sa mendja njerëzore humane, është vështire ta kuptojë. Imagjinoje sikur ministri gjerman i arsimit te shkonte ne Izrael e te kërkonte një gjë tëtille, çfarë skandali i përmasave botërore do të shkaktohej. E, këso shembuj në kontinentin tonë, kemi shumë.
Në kontinentin Europian, por edhe në pjesë tjera të botës, ka shumë histori te popujve qe kane qene pushtues dhe te pushtuar. Edhe ne kohen kur nuk kane ekzistuar kombet, në kuptimin modern. Por nuk ka ndodh asnjë komb a shtet deri me sot të ketë kërkuar pastrimin e historisë, për hir të miqësive politike. Kjo ç’ka po bën Turqia, po tregon se ajo krijese është një kosh i mbeturinave të kalbura të një perandorie, që asnjëherë s’u pendua për krimet e panumërta qe ju ka bë shqiptarëve dhe jo vetëm shqiptarëve. Me këto kërkesa, shqiptarët duhet ta kuptojnë miqësinë me prapavija të rrezikshme që ka ushqyer shteti turk karshi shqiptareve. Për mua, me këtë akt, Turqia po tregon se është larg standardeve moderne, larg shtetit human dhe mendësisë humane, larg shtetit tolerant, e mbi të gjitha larg përcaktimeve moderne që i vendosi themeluesi i Turqisë moderne Ataturku. Historia nuk mund të ndryshohet. Për asnjë çmim, ngase faktet historike dhe shkencore nuk tjetërsohen, edhe po deshi ministri turk dhe ai shqiptar. Ato janë të tilla dhe të tilla do të jenë.Turqia duhet të tregoj pak tolerancë më të madhe ndaj shqiptarëve, tëi pranojë faktet historike dhe të pendohet për shkatërrimet e panumërta dhe pushtimin barbar që ju ka bë shqiptarëve.
Për më tepër, Turqia duhet të njohë ekzistencën e kombit shqiptar, e jo t’i trajtojë ata si objekt për interesa dhe kusure politike. Periudha e historisë otomane është ajo që është. Po të rishkruhet (pastrohet), sipas ambicieve turke, nuk mbetet asgjë shqiptare. Për fund, po e përfundoj këtë tekst me një mesazh shumë qëllimmirë të profesorit Ardian Ndreca, për të cilën shqiptarët duhet të meditojnë më kthjelltë: Ne admirojmë ruejtjen e gjuhës dhe traditave të arbëreshëve që kanë pesë shekuj të ndamë prej dheut nanë, kurse Turqia mike në pak dekada zhduku miliona shqiptarë.
No comments:
Post a Comment