Berisha për Aleancën Kuq e Zi: Është lëvizje faqezi
Kryeministri Berisha ka shigjetuar sot sërish Aleancën Kuq e Zi dhe indirekt nënkryetarin e KLD-së, Spahiu, për qëndrimet kritike ndaj ligjit për regjistrimin e popullsisë. “Disa qëndrime ndaj regjistrimit janë atavike. Në një shoqëri të lirë, grupet dhe organizatat kanë të drejtë të kenë qëndrimet e tyre, kanë të drejtë t’i shpallin pa asnjë lloj kufizimi, por kur këtë e bëjnë institucionet që në Kushtetutën e vendit janë të depolitizuara, kjo lëvizje nuk mund të quhet ndryshe veçse lëvizja faqezi. Ata keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore për qëllime meskine personale”, është shprehur kryeministri gjatë një ceremonie për përurimin e qendrës së të dhënave për censusin, në të cilën ishte i pranishëm edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Etore Sekui.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se “regjistrimi është një akt themelor që do të bëjë të mundur që politikat e qeverisë shqiptare të jenë më të drejta dhe më të ndershme, pasi do të japë të dhëna të sakta mbi demografinë e rretheve dhe rajoneve, të dhëna të domosdoshme për një shpërndraje më të drejtë të të ardhurave dhe buxhetit”.
Sipas kryeministrit, pas përfundimit të procesit të regjistrimit, shqiptarët do të kenë se me çfarë të krenohen. “Ky regjistrim është një pasqyrë e kristaltë e përpjekjes dhe arritjeve të mëdha të shqiptarëve në këto vite lirie. Ata trashëguan nga 45 vjet diktaturë ndëshkimin me 750 mijë bunkerë. Ata në këto vite kanë ndërtuar vila dhe pallate më shumë se të gjitha breznitë e të gjitha kombeve. Kanë arsye të krenohen me të dhënat e këtij regjistrimi”, tha kreu i qeverisë.
Redaksia online
No comments:
Post a Comment