Monday, October 03, 2011

Globalizmi dhe retorika konfliktuale ndaj fqinjve Në prag të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri



Dr. M Gjoka (Tribuna- E Premte, 01 Prill 2011)


Media shqiptare po i kushton një vend të veçantë regjistrimit të popullsisë që pritej të bëhej në prill dhe u shty si rezultat i mundësisë së instrumentalizimit të këtij problemi teknik për qëllime elektorale. Por esencialisht ka një polarizim në se duhet apo jo të bëhet regjistrimi i popullsisë sipas kombësisë dhe palët e polarizuara kanë argumentat e tyre. Madje në këtë lojë në prag të zgjedhjeve lokale u futën edhe ish personalitete politikë e deputetë, analistë e shkrimtarë të cilët i dërguan një peticion qeverisë, parlamentit dhe Presidentit ku u kërkojnë të mos regjistrohet popullsia edhe sipas religjionit dhe kombësisë -(Shekulli, 1 mars 2011).

Në këtë peticion ndër të tjera shkruhet: “Neni 20 i Kushtetutës së Shqipërisë u jep të drejtën pakicave kombëtare të shprehin lirisht, pa u ndaluar as detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore. Kuptohet qartë se e drejta e pakicave për të shprehur përkatësitë e tyre nuk është detyrim për ta. Aq më pak mund të jetë detyrim për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Konsiderojmë veçanërisht të rrezikshme në momentet e tanishme, kërkesën për vetëdeklarimin e kombësisë. Elemente të tillë regjistrimi nuk ekzistojnë në asnjë nga 27 vendet anëtare të Komunitetit Evropian ku aspirojmë të anëtarësohemi. Nuk shohim asnjë dobi nga regjistrimi etnik dhe fetar”.

Teksti i peticionit përmban kundërthënie logjike. Ndërsa neni i 20 i Kushtetutës që u jep të drejtë pakicave të shprehen lirisht, interpretohet prej tyre si e kundërta. Në një nga të paktët artikuj oponentë të këtij peticioni, autori i një artikulli të botuar në gazetën Shqip në 13 mars të këtij viti, Dr Miltiadh Veveçka nënëvizon se “Në lidhje me këtë nen të Kushtetutës vlen të nënvizojmë se, pasi përmendet nga 52 firmëtarët, çuditërisht serviret për t’u interpretuar po prej tyre krejtësisht në të kundërtën e përmbajtjes së tij, sikur gjoja ky nen është shkelur nga ligji i qeverisë, kur neni në fjalë u jep të drejtën pakicave të shprehin lirisht kombësinë, racën dhe fenë.”

Peticioni përmban edhe të dhëna të tjera të pasakta kur thuhet se nuk ekzistojnë elementë të tillë regjistrimi në 27-shen e Europës. Me një kërkim në “google”, lehtë mund të bindet çdo njeri rreth kësaj pasaktësie. Madje gjithë vendet e Ballkanit që aspirojnë drejt Europës e kanë bërë një regjistrim të tillë. Është për t’u shënuar regjistrimi në 2001-2002 sipas religjionit dhe kombësisë në Bullgari, Rumani, e Slloveni, që janë tashmë antare të BE, dhe Serbi e Mali i Zi që aspirojnë drejt BE. (Shihni në site-et: http://www.nsi.bg dhe http://www.recensamant.ro/).

Nga ana tjetër raporti i fundit i komisionit Europian (9 Nëntor 2010) për progresin e Shqipërisë thekson ndër të tjera se:

“Ka një mungesë të dhënash të sakta të minoriteteve në Shqipëri. Kjo situatë pritet të rregullohet në regjistrimin e 2011, në respekt të standarteve ndërkombëtare, ku përfshihet dhe parimi i vetë-identifikimit. Ky regjistrim do përfshijë pyetje opsionale (d.m.th. i anketuari vendos ne se do përgjigjet) për origjinën etnike, përkatësinë fetare dhe gjuhën amtare. Refreskimi i këtyre të dhënave statistike është i rëndësishem për zhvillimin e një politike të përshtatshme për minoritet”. Ky citim i vë argumentat e peticionit krejt në kundërshtim me ato që vlerëson Komuniteti Europian. Ndërsa Komuniteti Europian e vlerëson të domosodshme regjistrimin, peticionstët e konsiderojnë të pa dobi. Madje këta të fundit theksojnë se “Pakicat minoritare gëzojnë të drejta të plota të parashikuara nga standardet më të larta evropiane”. Kurse në raportin e cituar të komisionit europian theksohet qarte se: “janë përcaktuar të drejta specifike për tre minoritetet etnikë dhe dy minoritetet etno-lingusitikë. Megjithatë ka inkonsistence në zbatimin e tyre praktik”.

Nga ana tjetër, pa iu futur gjërësisht temës në se ka ose jo shkelje të të drejtave të minoriteteve në praktikë, këto minoritete kanë organizat e tyre përfaqësuese që logjikisht janë ato që vlerësojnë rreth implementimit ose jo të të drejtave që parashikon ligji për minoritetet dhe jo faktorët politikë të shtetit, sado të rangjeve të larta apo disa historianë që promovojnë projekte konflikti dhe jo paqeje në Ballkan. Me sa pasqyrohet në shtyp, përfaqësuesit e organizatave minoritare kanë një opinion të ndryshëm nga 52 personat e nderuar të peticionit. Ndonjë prej krerëve të minoritetit, (si p.sh. kryetari i organizatës së minoritetit grek Omonia), është vënë në fushatë denigruse disa herë dhe madje gjykuar nga rangje të ndryshme gjykatash.

Në shtyp u servirën gjithashtu të dhëna mbi ndryshimin e kombësisë në procese gjyqësore duke anashkaluar faktin që personat e implikuar në këto procese iu është ndryshuar kombësia në rrethana speciale të sistemit monist.

Por ajo që do të mund të quhej dalje nga normaliteti është krijimi i një inkubacioni me pathos nacionalist dhe në këtë kuadër projektimi i të ashtuquajturve “armiq historikë” të Shqipërisë. Një nga këto ekstreme nacionaliste është dhe një thënie e cila serviret pothuajse pa u kundërshtuar në site interneti si psh “alb-shkenca” e i përmbahet një logjike të tillë: “ka të dhëna se qarqe shoviniste intimidojnë shqiptarët për të ndërruar kombësinë” dhe se “Greqia kërkon regjistrimin e popullsisë sipas religjionit dhe jo Europa”. Greqia aktualisht është një vend kosmopolit ku bashkëjetojnë njerëz nga gjithë racat e ngjyrat, prandaj mendoj se kjo propagandë konfrontive është produkt i fantazisë së “patriotëve profesioniste” dhe jo e realitetit. Për sa kohë që dikush gjen një punë, pagesa dhe marrëdhëniet ekonomike nuk varen në se je grek, irakian apo apo bullgar, por rregullohen sipas kërkesë-ofertës.

Le të shohim pak nga afër tezën e “intimidimit” për të ndryshuar kombësisnë. Lind pytje e përse nuk "intimidohen" bullgarët, rumunët dhe emigrantët e ish republikave të BS por kjo na qenka specifike për shqiptarët? Mirë që emigranti shqiptar na qenka i detyruar të ndryshojë kombesinë, po irakiani dhe pakistanezi si gjen punë, apo mos vallë dhe ai e ndryshon kombësinë dhe ngjyrën? Pastaj emigrantët shqiptarë të legalizuar janë mbi 500 000 mijë, kurse homogjene nuk janë më shumë se 150-200 000. Po të supozojmë se 50 000 mijë vetë na qenkan detyruar të ndryshojnë kombësine, e pse ky detyrim nuk ka përfshirë edhe të tjerë nga masa më se 500 000 mijëshe e shqiptarëve? Pastaj nuk ka asnjë të dhënë që të provojë se të 500 000 mijë shqiptarët jetojnë në kushte më të vështira se sa 200 000 mijë homogjenët që vijnë nga Shqipëria. Gjendja e tyre ekonomike është pak a shumë e njejtë, përcaktohet nga aftësitë profesionale individuale dhe jo nga kombësia dhe ka shqiptare që janë shumë më mirë ekonomikisht se sa homogjenët grekë, madje kanë hapur dhe bizneset e tyre, ashtu siç ndodh në çdo shoqëri të lirë nga paragjykimet. Kështu, ekonomikisht shqiptarët në Greqi janë në standard më të lartë se bashkëpatriotët e tyre në Shqipëri dhe rrjedhimisht më të pavarur e më pak të përpunueshëm nga media shqiptare.

Rjedhimisht, kjo mënyrë të arsyetuari që serviret është e pambështetur dhe vjen nga njerëz që nuk kanë as më të voglen ide se ç’behet në Greqi por furnizohen me informacion nga “patriotë profesionistë” dhe “kolumnistë” që rrisin tirazhin e gazetave duke bërë fushata antigreke nga zyrat e tyre në Tiranë apo diku në perëndim. Ata nga njera anë u qajnë hallin shqiptarëve ne emigracion, por nga ana tjetër nuk kanë bërë asnjë përpjekje që tu sigurojnë atyre qoftë edhe të drejtën e votimit aty ku janë (në Greqi), për influncën e tyre në politikën shqiptare sic e kanë shumë emigrantë kombesh të tjera. Ata duan remitancat e emigrantëve në Shqipëri, por jo votën e lirë të tyre!

Përkundrazi nga sa thuhet prej zotërinjve të keqinformuar, qarqet shoviniste as që i duan fare shqiptarët në Greqi e jo më t’i “intimidojnë” të ndryshojnë kombësinë!!!. Po qe se fusin në këtë kuader LAOS-in si parti ekstra e djathtë (ndonse ata nuk flasin kundër shqiptarëve në veçanti, por kundër super-emigrimit në tërësi), përqindja e tyre në parlament është e vogel dhe faktikisht asnjë ligj nuk mund të aprovohet prej tyre. Fjalimet e tyre nuk riprodhohen nga shtypi grek, në dallim nga shtypi shqiptar që riprodhon dhe amplifikon çdo fjalim dhe frazë të artikuluar kundra Greqise, ndonse qeveria shqiptare deklaron se ka marrëdhënie të shkëlqyera me Greqinë.

Një argumet që përdoret nga analistë kundër regjistrimit sipas religjionit është ajo që shqiptarët që jetojnë në Greqi, duke ardhur aty me një bekgraund ateist, në një masë të madhe kanë përqafur fenë kristiane (sipas tyre janë greqizuar duke ndryshuar emrat), në dallim nga emigrantët e vendeve arabe që ruajnë me fanatizëm besimin e tyre fetar. Kjo afërsi e emigrantëve shqiptarë me fenë e krishterë ndoshta shpjegohet edhe nga kumtesa e ish presidenti Moisiu ne Harvard në SHBA i cili ndër të tjera tha:

“...islami ne Shqiperi nuk është fe burimore por e sjellë nga faktori ushtarak turk, .. as fe e përhapur në kohën e origjinës, as besim rezidencial por një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli. Si rregull është një islamizëm i cekët. Tek çdo shiptar, po të gërmosh do të zbulosh thelbin e tij të krishterë”.

Kjo thënie e z. Moisiu u shoqërua me një lumë kritikash nga faktore islamikë në Shqipëri. Njihen gjithashtu dhe sulmet kunder figurës së shquar të Nënë Terezës dhe dimensionit të Gjergj Kastriotit si mbrojtës i krishtërimit në Europë dhe këto sulme kundër atyre figurave me të cilët Shqiperia certifikohet si europiane, janë pjesë e atyre që argumentojnë se nuk duhen regjistruar besimi fetar i popullsisë.

Një shoqëri me përbërje fetare johomogjene, e balancuar politikisht, presupozon dhe një pjesëmarrje analoge në instancat shtetërore (president, kryeministër, kryetar parlamenti, gjykatë e lartë, prokurori etj.), nga figura që vijnë nga popullsia përbërëse e komuniteteve fetare në Shqipëri. A nuk ekziston aktualisht një “Parti demokristiane” si dhe “Demokracia Myslimane Shqiptare” në Shqipëri?. Termi “demokristian” apo “musilman” në emërtimin e këtyre partive tregon se është pikërisht ndjenja fetare që kërkohet të aktivizohet për t’i bërë këto parti faktor politik. Faktet e fundit tregojnë qartë se feja është e interferuar me politikën dhe me shtetin. Po të përmendet akoma aderimi i Shqipërisë në “Lidhjen Islamike”, thënia që religjioni nuk ka influencë në Shqipëri nuk i përgjigjet realitetit të sotëm social. Mendohet se asnjë sociolog nuk do të ishte kundër nevojës së njohjes së tendencave të zhvillimit të një shoqërie ku religjioni vazhdon të jetë mekanizëm i rëndësishëm, pavarësisht në se dikush refuzon ta pranojë dhe quan realitet atë që do dëshëronte të ishte d.m.th. një shoqëri me influencë të vogël ose zero të fesë siç ishte modeli i periudhës 1967-1990 i shoqërisë shqiptare. Por anthropologë e historianë me influencë botërore (p.sh. M. Wicker, N. Clayer etj) pohojnë të kundërtën e asaj që disa duan ta shesin si realitet në Shqipëri.

Megjithatë, ka një realitet që i kundërvihet mendësisë që problemet e brendëshme kërkon t’i eksportojë në gjitoni. Një numur i madh shqiptarësh kanë zgjedhur dhe jetojnë në Greqi, numër aq i madh sa remitancat e tyre kushtëzojnë zhvillimet ekonomike në Shqipëri. Fëmijët e tyre shkojnë në shkolla në të gjitha nivelet, madje në proporcion me numrin e tyre edhe në universitete ku nuk paguajnë asnjë lloj takse në dallim nga studentet shqiptarë në Shqipëri që paguajnë taksa regjistrimi çdo vit. Madje marrin dhe asistenca ekonomike për qiratë e shtëpive dhe mencat e studentëve në funksion të të ardhurave që deklarojnë. Me mijëra kanë pasur shërbim shëndetësor falas në spitale, duke kryer dhe operacione të vështira. Punetorët që humbin punën marrin asistencë ekonomike për një vit, pa dallim kombësie. Askush nuk ka kushtëzuar marrjen e asistencës sociale të të papunit emigrant me deklarimin ose jo të një kombësie të caktuar.

Thuajse në cdo qytet shqiptarët kanë shoqatat e tyre dhe madje aktivitetet e tyre tradicionale të 28 Nëntorit dhe aktivitete të tjera kulturore që zhvillojnë kulturën etnike shqiptare,shpesh zhvillohen në salla bashkie. Promovime të shumta librash bëhen nga emigrantë, shpesh me mbështetjen e faktorëve kulturorë grekë. Kanë gazetat e tyre këtu në emigracion, krahas gazetave që vijnë nga Shqipëria. Për herë të parë shqiptarët morën pjesë në zgjedhje lokale duke u bërë faktor politik. Mbas gati 20 viteve, emigracioni që përbën problem në Greqi është ai që vjen nga vendet arabe, Lindja e Mesme e gjektë të cilët vijnë me një nivel kulturor, fetar e shoqëror krejt të ndryshëm nga shqiptaret që po integrohen në një shkallë të lartë në Greqi.

Me mijëra amvisa shqiptare punojnë në shtëpitë greke (nga ku dalin dhe dërgesat monetare për në Shqipëri), duke siguruar të ardhura për familjet e tyre në konditat që ndërtimi, si degë kryesore ku punonin shqiptarët, aktualisht është në krizë. Me qindra martesa të ndërsjellta shqiptarësh e grekësh i kanë sjellë ata më afër. Pra një “acculturation” (adaptim i kulturës së vendit pritës) gjithmonë e më tepër në një botë ku globalizmi është zëvendësuar nga provincializmi konfliktual që promovohet prej disa qarqeve. Dhe flasim për më shumë se 1/4-tën e popullsisë aktive shqiptare. Por megjithatë, edhe për arsye të afërsisë gjeografike si dhe numrit tw , familjet shqiptare në Greqi janë shumë me afër Shqipërisë mentalisht dhe më pak të “acculturuar” (asimiluar) po t’i krahësojmë me shqiptaret që jetojnë në shtete më larg si Angli, Austri, France, SHBA e gjektë.

Për fat të mirë, mijëra e mijëra familje greke dhe punëdhënës nuk kanë atë konceptim dhe vizion konfliktual që serviret nga disa “patriotë profesionistë”, se po të ishin edhe ata të polarizuar por në kah të kundërt, gjithë emigrantët shqiptarë do të detyroheshin të ktheheshin në Shqipëri. Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve në Greqi janë marrëdhënie ekonomike në rradhë të parë, dhe sociale. Sigurisht ka probleme ashtu siç ka në çdo shoqëri, dhe rruga e integrimit të emigrantëve në shoqërinë ku jetojnë është e gjatë, por sidoqoftë shumë më e shkurtër se ajo e integrimit të shtetit mëmë në Europë.

Por është jashtë realitetit të negativosh këtë aspekt integrimi të emigrantëve si “greqizim” nga “zëdhënës” që nuk kanë lidhje me këtë realitet. Unë do dëshëroja do t’ju sugjeroja sociologëve dhe kolumnistëve të ndihmojne për të kuptuar këtë proces globalizimi larg termave politizues e gazetareske dhe ndihmojnë në harmonë e një Ballkani të integruar.

Veçantësia e secilit, religjioni dhe etnia duhet të jenë pasuri kulturore e një Ballkani të integruar dhe jo faktorë konflikti.

E Premte, 01 Prill 2011

No comments: