Studime të shumta u janë kushtuar marrëdhënieve ndërmjet popujve që jetojnë në Gadishullin Ballkanik, origjinës së këtyre popujve apo dhe migrimeve të tyre eventuale në vazhdën e historisë. Ato janë bazuar më së shumti në hulumtimin e gjuhëve të këtyre popujve, kulturave të tyre, si dhe në të dhëna arkeologjike apo antropologjike.
Këto studime, që e kanë zanafillën e tyre prej të paktën 200 vjetësh, janë kristalizuar në disa linja të përgjithshme përsa u përket raporteve midis popullatave ballkanike, por dhe shpesh kanë ndezur polemika apo hedhur spekulime, të cilat, në vend që të sqarojnë, kanë mjegulluar nganjëherë më tej debatin mbi autoktoninë dhe origjinën e popujve ballkanikë.
Markuesit gjenetikë përdoren sot gjerësisht si mjete të fuqishme në studimin e gjenetikës së popullatave. Përdorimi i biologjisë molekulare në studimin e këtyre markuesve ka fuqizuar mjaft rolin e këtyre të fundit në përcaktimin e raportit gjenetik midis popullatave të ndryshme, duke u bazuar në studimin e distancave gjenetike. Një studim i tillë është ndërmarrë së fundi edhe në vendin tonë, në Shërbimin Laboratorik Universitar të Imunologjisë dhe Pajtueshmërisë Indore në QSUT “Nënë Tereza” dhe Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës. Ky laborator, prej të paktën 7 vitesh është angazhuar aktivisht në realizimin e ekzaminimeve imunologjike dhe imunogjenetike të nevojshme për përcaktimin e përputhshmërisë dhurues/marrës duke i hapur rrugën realizimit të transplantimeve në vendin tonë. Në kuadrin e kësaj pune, ne arritëm të përcaktojmë në popullatën shqiptare profilin e hasjes së shpeshtësive të aleleve (varianteve) të gjeneve të kompleksit gjenetik HLA, i cili përmban gjenet e përgjigjes imunitare te njeriu. Këto gjene, të cilat kanë një polimorfizëm (shumëllojshmëri) shumë të lartë në popullatën njerëzore, shërbejnë dhe si markues të diversitetit gjenetik të popullatave. Duke u nisur nga ky fakt, ne iu futëm punës për krahasimin e popullatës shqiptare nga Shqipëria dhe asaj nga Kosova me popullatat europiane në përgjithësi dhe ato ballkanike në veçanti.
Ky studim krahasues është i pari që përfshin të gjitha popullatat e rajonit dhe ai mundëson plotësimin e “puzzle”-it ballkanik në këtë fushë. Studimi i polimorfizmit imunogjenetik në popullatat shqiptare u realizua me metodat e fundit të biologjisë molekulare, ndërsa studimi i distancave dhe hartave gjenetike u krye me metodologjitë më bashkëkohore antropologjike si dhe me programe kompjuterike të specializuara.
Rezultatet e studimit bënë të mundur hartimin e hartës aktuale gjenetike të popullatave që jetojnë në rajonin ballkanik, duke paraqitur me anë të “provës së ADN-së” raportet e këtyre popullatave në këtë rajon. Studimi përfshiu, përveç popullatave shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, edhe 10 popullata të tjera ballkanike, 12 popullata europiane dhe 2 aziatike. Përfundimet e këtij studimi vënë qartë në dukje afërsinë gjenetike midis popullsive shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës, duke u nisur nga llogaritja e distancave gjenetike. Pasojnë po nga këndvështrimi i distancave gjenetike popullatat maqedonase, greke, bullgare, kroate, boshnjake, serbe, italiane, rumune dhe turke, të renditura këto sipas rritjes së këtyre distancave. Popullatat e tjera europiane radhiten në distanca më të largëta gjenetike, të cilat në përgjithësi janë në përpjesëtim të drejtë me distancat gjeografike.
Ajo që bie në sy në studimin tonë është fakti se në rajonin ballkanik përvijohen dy grupe kryesore popullatash. Në një grup mund të futen popullatat shqiptare, maqedonase, greke dhe bullgare (distancat gjenetike në rritje nga 0.03 në 0.06), ndërsa në një grup të dytë ato kroate, boshnjake dhe serbe (distancat gjenetike nga 0.07 deri 0.08). Popullatat italiane, rumune dhe turke, me distancë gjenetike respektivisht 0.12, 0.13 dhe 0.15, janë të vendosura më larg në lidhje me popullsinë shqiptare. Një fakt tjetër interesant është se popullatat shqiptare, si ajo e Kosovës, ashtu dhe e Shqipërisë, janë më afër gjenetikisht me popullatën greke, sesa me atë serbe (distancat gjenetike respektivisht 0.05 dhe 0.08).
U takon sigurisht shkencëtarëve të tjerë, si historianë, etnologë e antropologë, të nxjerrin konkluzione nga ky studim, por ne nuk mund të mos vëmë në dukje faktin e rëndësishëm se këto rezultate dëshmojnë qenien unike nga pikëpamja gjenetike e popullit shqiptar, pavarësisht nga ndarjet e tij historike dhe politike në disa shtete. Në këtë studim evidentohet gjithashtu se grupi i popullsive shqiptare, greke, maqedonase dhe bullgare, të cilat paraqesin një afërsi gjenetike më të madhe me njeri-tjetrin, duket se përfaqësojnë një bazë të lashtë gjenetike të përbashkët që u ka rezistuar dyndjeve dhe migrimeve të njëpasnjëshme historike, kjo pavarësisht nga mbishtresëzimet e shumta gjuhësore, kulturore apo dhe fetare që kanë lënë si pasojë këto migrime, siç është p.sh. marrja e gjuhës sllave nga popullatat maqedonase dhe bullgare. Evidentimi i afërsisë më të madhe gjenetike midis popullatave shqiptare dhe atyre greke, në krahasim kjo me popullatën serbe, e cila qëndron më larg gjenetikisht prej tyre, pavarësisht se gjeografikisht distancat janë të njëjta, dëshmon për autoktoninë e lashtë të popullit shqiptar si dhe atij grek në Gadishullin Ballkanik, të cilët duket se kanë qenë të pranishëm aty shumë kohë para dyndjeve sllave, që siç dihet, kanë ndodhur duke filluar nga shekulli VI e.s. Edhe lashtësia e gjuhëve greke dhe shqiptare, të cilat paraqesin degë krejt të veçanta në pemën e gjuhëve indoevropiane, përputhet me vjetërsinë gjenetike në këto vise të këtyre dy popujve.
Përcaktimi i distancave dhe hartave gjenetike të mësipërme jep një kontribut të rëndësishëm edhe në projektimin e programeve rajonale të përbashkëta në fushën e transplantimeve si të organeve, ashtu dhe të qelizave burimore gjakformuese (të palcës kockore). Ky studim i orienton mjekët që merren me transplantime dhe po ashtu edhe hartuesit e politikave shëndetësore në këtë fushë drejt krijimit të regjistrave të përbashkët rajonalë të dhuruesve për transplante midis popullatave që kanë një bazë gjenetike të përbashkët, krahasuar kjo me kërkimin më të vështirë të dhuruesve në popullata gjeografikisht më të largëta me të cilat edhe distancat gjenetike rezultojnë më të mëdha.
Realizimi i punimeve të mësipërme, të kryera tërësisht në një qendër kërkimore shqiptare, siç është Shërbimi Laboratorik Universitar i Imunologjisë dhe Pajtueshmërisë Indore në QSUT “Nënë Tereza”, është pa dyshim një histori suksesi që tregon se përputhja e përkushtimit shkencor me angazhimin e forcave të reja në këtë fushë, si dhe me implementimin e projekteve të tilla si ai INTERREG 3, i financuar nga Bashkimi Europian dhe ai i Agjencisë Kombëtare të Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI), të cilët bënë të mundur realizimin e këtij studimi, përbëjnë kushtet e domosdoshme për arritjen e rezultateve të tilla.
*Shef i Shërbimit të Imunologjisë në QSUT “Nënë Tereza”
Zv.dekan për anën shkencore
Fakulteti i Mjekësisë
Universiteti i Tiranës
for more see:
HLA allele and haplotype frequencies in the Albanian population and their relationship with the other European populations
Article first published online: 24 AUG 2009
DOI: 10.1111/j.1744-313X.2009.00868.x
© 2009 Blackwell Publishing Ltd
No comments:
Post a Comment