E lodhur nga leximi i analizave në shtypin grek dhe atë perëndimor mbi krizën financiare, e detyruar që shpesh të hap fjalorët për të kuptuar terma financiarë, të cilëve deri më sot, që të jem e sinqertë, nuk është se u kisha kushtuar vëmendjen e duhur për t’i kuptuar se çfarë do të thoshin, më në fund u ngrita nga tryeza ime e punës dhe kërkova në bibliotekën time diçka për të lexuar. Diçka që të më shërbente për të thënë një gjë ndryshe në këtë situatë. Dhe dora më kapi librin e Tukididit, “Lufta e Peloponezit”. Këtë libër e kisha lexuar shumë vite më parë. Por e kisha lexuar si një histori të së shkuarës. Tani fillova ta lexoj ndryshe,si një paradigmë që përsëritet në kohëra dhe që ka lidhje me të tashmen. Në shekullin V para Kr., grekët, pasi arritën majat e lavdisë në luftërat kundër persianëve, befas filluan një luftë të ashpër mes tyre, ku palët ndërluftuese ishin dy aleatët kryesorë të luftës kundër persëve, athinasit dhe spartanët. Tukididi në historinë e tij jep dhe shumë vlerësime të llojit të filozofisë së historisë, të cilat do t’u kishin vlejtur shumë grekëve në shekujt e mëpasmë, dhe deri në ditët tona, sikur t’i kishin lexuar me vëmendje në momente të caktuara.
Lufta e Peloponezit nuk pati fitimtarë, ashtu si Lufta e Trojës, të dyja palët ndërluftuese u shkatërruan, njëra pas tjetrës. Ishte vetëm çështje kohe që fitimtarët të pësonin fatin e të mundurve, si pasojë e dëmeve të pësuara. Lufta e Peloponezit ishte një vetëvrasje kolektive greke, e para në radhën e atyre që grekët do të bënin shpesh në 2500 vjetët e ardhshëm, para pushtimit romak, gjatë tij, duke marrë anën e njërës apo tjetrës palë në luftërat civile romake, më pas në kohën bizantine, në kohën e shtetit të pavarur grek, e deri më sot. E njëjta gjë është edhe Lufta e ‘Syntagma-s’. Të indinjuarit, siç e quajnë veten tanimë me një fjalë spanjolle protestuesit e Sheshit ‘Syntagma’, do të kishin gjithë simpatinë time nëse do të bënin një moment heshtjeje reflektuese dhe do të lexonin Tukididin. Sa prej atyre që protestojnë e kanë lexuar Tukididin? Dhe sa prej atyre që e kanë lexuar, mbajnë mend prej tij aq sa ta rivlerësojnë në kuadrin e ngjarjeve të sotme?
Unë do të doja që kjo qeveri greke t’i dhuronte çdo protestuesi një kopje të “Luftës së Peloponezit”. Unë do të kisha dëshirë që të bisedoja me disa të indinjuar të Sheshit “Syntagma” të cilët kanë lexuar Tukididin së fundmi. Do të kërkoja që të më thoshin se çfarë kanë kuptuar ata nga Tukididi për atë që po ndodh sot në Greqi, dhe për të ardhmen. Se nga Tukididi kupton shumë për këto dy gjëra nëse e lexon me vëmendje. Në librin e Tukididit paralajmërohet ardhja në pushtet e të indinjuarve të kohës në Athinë. E kur këta të indinjuar erdhën në pushtet, ata bënë Ostracizmin, të cilin e njohim të gjithë nga historia, luftën kundër të pasurve dhe të diturve. E çfarë rezultoi nga kjo? Rënia e Athinës, e cila nuk e fitoi më kurrë lavdinë e dikurshme.
“Lufta nuk është aq një çështje armësh, sesa parash”, - thotë Tukididi tek “Lufta e Peloponezit”. Me siguri që shumë nga ata që do të më lexojnë do të bërtasin se ai e ka thënë këtë në një kontekst të ndryshëm nga ai që po e përdor unë. Epo, mos jini kaq të sigurt për këtë. Lufta, çdo lloj lufte, edhe ajo që po bëhet në Sheshin ‘Syntagma’, është një çështje parash. Dhe, përderisa paratë mungojnë, luftën e kanë të humbur të dyja palët, edhe të indinjuarit nëse vijnë në pushtet. Të indinjuarit mund të bëjnë çdo lloj mrekullie, por nuk mund të gjejnë paratë që mungojnë. Fjalët nuk prodhojnë para, madje as fjalët e nxehta. Në Historinë e Tukididit, palët ndërluftuese u rraskapitën dhe ezauruan burimet e tyre, gjë që i bëri të jenë më të dobët, atëherë kur dukej se kishin triumfuar. Edhe lufta e sotme ndërgreke është një luftë e këtij lloji.
A mund të diskutohet kështu me të indinjuarit e Sheshit “Syntagma”. Dyshoj për këtë... Nuk do t’u kërkoja asgjë, thjesht do t’u dhuroj nga një kopje të Tukididit të parëve të indinjuar që do të ndesh. Nëse do të më thonë që e kanë në shtëpi, atëherë do t’u them që t’ua dhurojnë atyre nga miqtë e tyre që nuk e kanë. Le të bëjnë çfarë të duan me atë libër. Le të qëllojnë policët po të duan. Është koha për të rilexuar Tukididin. Jo vetëm grekët, por edhe të tjerët, se tek ky libër ka mësime që vlejnë për të gjitha shoqëritë njerëzore, për të gjitha kombet, që përjetojnë situata të ngjashme. Që gjërat të mos shkojnë drejt tragjedisë pa kthim. Në Sheshin ‘Syntagma’ thuhet se është koha për të lexuar Marksin. Unë them se është koha për të lexuar dhe rilexuar edhe Tukididin. Ndoshta kështu rinia greke do të ketë mençurinë e duhur për të lexuar Marksin dhe Çe Guevarën, nëse dëshiron.
Madje, Tukididin në këtë kohë duhet që ta rilexojnë të gjithë në Greqi, edhe politikanët, pse jo edhe policët që përballen me protestuesit. Kështu mund të ndodhë mrekullia që të vijë një moment kur aty-këtu të kemi protestues dhe policë, të cilët të rraskapitur nga përleshjet, të ulen në trotuar dhe të diskutojnë për Tukididin. Kjo është ajo pamje që unë dëshiroj që Greqia t’i tregojë botës. Atëherë bota do të shikojë tek Greqia pishtarin historik të qytetërimit.
“Tukididi” i regjimit komunist të Shqipërisë ishte Niko Bellojanis, filmi për të cilin “Burri me karafil” shfaqej në televizionin e vetëm në vend, sa herë që regjimi donte të tregonte se i jepte hapësirë kulturës greke. Në Shqipërinë e Enver Hoxhës nuk gjeje Tukididin në librari, por mund të ishe i sigurt se do të gjeje Niko Bellojanisin në shtëpi në mbrëmje, si mysafir special. Nëse do të vijnë të indinjuarit në pushtet në Greqi, a do të gjendet Tukididi në librari? Unë dyshoj shumë për këtë. Të indinjuarit në pushtet, si të gjitha diktaturat, do të mësojnë shpejt që të kuptojnë se cilët libra janë të dëmshëm për ta. Atëherë ndoshta do të vijë koha kur bijtë e të indinjuarve të sotëm të qarkullojnë librin e Tukididit dorë më dorë dhe si fshehtas. Unë nuk dua që t’u bëj moral të indinjuarve të Sheshit ‘Syntagma’. Unë dua t’i testoj të indinjuarit e Sheshit ‘Syntagma’ me Tukididin. Unë jetoj në një shoqëri ku Marksi dikur ishte idhull dhe ku Tukididi shihej si një njeri i rrezikshëm. Nëse të indinjuarit e Sheshit ‘Syntagma’ adhurojnë Marksin dhe refuzojnë Tukididin, atëherë unë u them se kam jetuar në shoqërinë që ata duan të krijojnë dhe se jeta atje nuk është aspak tërheqëse.
No comments:
Post a Comment