Monday, February 27, 2012

ARKEOLOGJIA SHQIPTARE–NJË VËSHTRIM I KRITIKËS BOTËRORE NDAJ SAJ

Dr. M. Gjoka


Pse gjithë ky shqetësim i papritur dhe konfuzion

Sa serioze u bënë fytyrat e tyre.

Pse janë zbrazur shpejt rrugët dhe sheshet,

Dhe të gjithë kthehen në shtëpitë e tyre

shumë më të menduar?

Sepse nata ka rënë dhe barbarët nuk erdhën.

Disa njerëz të ardhur nga kufiri

thanë se barbarët nuk vijnë më.

Po tani si do bëhet pa barbarë?

Ata njerëz ishin një lloj zgjidhjeje (Kavafi)


Ditët fundit, në një diskutim parlamentar në Athinë, publiku u njoh me shqetësimin e ministrit të jashtëm grek S. Dhimas për evokimin në tekstet e librave shkollorë në Shqipëri të rajoneve që janë pjesë të hapësirës shtetërore greke “si territore shqiptare”. Ai theksoi se përdorimi në lëndët mësimore i retorikës nacionaliste që flet për territore shqiptare të paçliruara në Greqi dhe vende të tjera të rajonit, nuk bën gjë tjetër veçse minon përpjekjet për konsolidimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin reciprok. Që prej 1998 egziston nja aktivitet i përbashkët i historianëve të rajonit për tekstet dhe mësimdhënien e historisë në shkolla, i ngritur me inisiativën e historianes së shquar M. Todorova. Debati publik dhe shkencor për të rishkruar historinë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike dhe hartimin e teksteve si pjesë e historise rajonale, është gjithashtu objekt i disa konferencave shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë. Siç theksohet në librin me rezultatet përmblidhëse të studimeve të këtij networku, do duhen vite apo dekada pune të përkushtuar për të luftuar dëmin e bërë nga stereotipet historike dhe modeli autoritar e patriarkal i filozofisë historike dhe për të afirmuar vlerat e demokracisë, tolerancës dhe shqyrtimit ‘openmind’ të historisë, për të arritur mirëkuptimin aty ku sot mbizotëron keqkuptimi dhe armiqësia.

Në këtë artikull shqyrtohet kritika botërore ndaj shkollës arkeologjike shqiptare, e cila ende ushqen sterotipe historike që mbajnë ndezur situata konflikutuale me fqinjët.

1. Politizimi i arkeologjisë së periudhës moniste

Hendeku i madh midis të dhënave (shkrimeve të lashta greke e gjetjeve arkeologjike) dhe interpretimit të tyre nga shkollën arkeologjike shqiptare, që reflektohet mandej tek testet shkollore, është analizuar gjerësisht nga autorë të ndryshëm, si Pierre Cabanes, N. G. L. Hammond, J. Wilkes, W. Bowden, Hogles etj, disa nga cilët kanë realizuar gërmime arkeologjike në Shqipëri. Thelbi i kritikës së tyre-thotë Cabanes -është që historia e antikitetit u shndërua në një arenë grindjesh, teorikisht shkencore, por thellësisht të dominuar nga konteksti politik bashkëkohor P. Cabanes, “Archéologie et identité nationale en Albanie au XXe siècle” in: Dialogues d'histoire ancienne. Vol. 30 N°1, 2004, f. 115-122). Origjina e shqiptarëve në këtë model konsiderohet politikisht e rëndësishme si pasojë edhe e një paragjykimi ballkanik sipas të cilit identiteti, madje dhe të drejtat e individit duhet të burojnë nga para ardhësit e tyre dhe nga mitet për krijimin e bashkësive etnike (kolektivave).

Një nga detyrat kryesore të historianëve dhe arkeologëve ishte të vërtetonin vazhdimësinë iliro- shqiptare dhe të afirmonin specifikën e ilirëve - si të ndryshme nga grekët me kufi të qartë misis këtyre popullatave. Një konceptim i tillë të së kaluarës që dominon që prej viteve 60, forconte idenë e një kombi të lashtë dhe autokton shqiptar dhe legjitimonte ekzistencën e kufijve ndërkombëtare në të tashmen ( M. Korkuti, S. Anamali, et al. 1969, “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”. Sesion shkencor 3-4 mars 1969. Tiranë: Universiteti shtetëror i Tiranës dhe D. Budina, , “L’appartence éthnique illyrienne des tribus épirotes” in “Les Illyriens et la Genèse des Albanais”, 1971, f. 111-131, Universite de Tirana).

Instrumenti kryesor do të ishte studimi i ilirëve, ethnogjenezës së tyre, (veçanërisht në prizmin marksist të zhvillimit historik), dhe si ishin etnikisht and kulturalisht ilirët të lidhur me shqiptarët moderne [Inge Lyse Hansen, Oliver J. Gilkes and Andrew Crowson, 2005, “Kalivo and Çuka e Aitoit, Albania” in Interim Report on Survey and Excavations 1928-2004. Butrint Foundation].

Siç thekson P. Cabanes, në periudhën pas viteve 70, doktrina zyrtare në Shqipëri orientohet drejt krijimit në popull të idesë që shqiptaret janë një popull autokton që nga lashtësia. Prandaj arkeologjia duhej orientuar drejt kërkimit të fakteve që provojnë se para ardhësit e tyre kanë qenë të lavdishëm, madje po aq të lavdishëm dhe të krahësueshmëm me atë të grekëve apo diçka më lart.

Në shkrimet e tij të panumurta-thotë P. Cabanes, E. Hoxha përmend pellasgët si para ardhës të Shqiptarëve. Më të hershëm se grekët, këta pellasgë ishin sipas tij mbartës të një kulture më të vjetër se ajo greke e cila kishte influencuar kulturën greke. Në themel, nqs shqiptarët ishin pasardhë të pëllasgëve, kjo dmth se ata ishin aty para grekëve, dmth e ata ishin mbartës të një civilizimi më të avancuar se grekët.

Po vërtetimi i kësaj hipoteze, thotë më tej Cabanes, ashtu si dhe i hipotezave të tjera mikluese që lulëzojnë me këtë rast, nuk do të ishte i kaq i lehtë. Një tjetër teori e dytë e mbështetur nga Zahari Marjani i lidh paraardhësit e Shqipërisë me Etruskët, duke i vendosur parardhësit e shqiptarëve në lumin Po dhe Ombrie, pra para qytetërimit romak. Rezultati ishtë që qoftë pellasgë qoftë etruskë, ata ishin vazhduesit e një qytetërimi të lashtë para grekeve apo romakëve.

Teoria e tretë, më shpesh e mbështetur, ishte ajo e vazhdimësisë iliro- shqiptare që ishte gjithashtu në pajtim me teoritë pellasge. Arkeologjia ishte thirrur per të vërtetuar këto hipoteza së pari të pranisë të protoilirëve në tokën shqiptare dhe në një etapë të dytë të vërtetohej vazhdimësia iliro-shqiptare në mesjetë. Regjimi monist ishte i gatshëm të mbështeste dhe inkurajonte kërkime të tilla. Një arkeologji e mirë- sipas E. Hoxhës është detyrimisht një arkelogji selektive (cituar nga Cabanes text i 3 Nëntor 1969 nga “Deux peuples amis”, f. 153) Merni me mend barrën e arkeologëve shqiptarë të cilët i kishin gati rezultatet të servirura nga politika dhe detyra e tyre ishte ti provonin këto rezultate përpiqet

Cabanes të justifikojë nënështrimin e arkeologjisë nga politika. Po vërtetimi i vazhdimësisë ilirio- shqiptaro kërkonte plotësimin e hapësirës kohore që kur janë përmendur për të fundit herë ilirët e deri në shfaqjen në shkrime historike të albanëve, detyrë kjo jo e lehtë.

P. Cabanes vlerëson se arkeologjia shqiptare gjatë monizmit, me gjithë izolimin, arriti të kryejë studime analoge me ato jashtë por u bënë dhe keq interpretime, duke ju referuar dy kapitujve të revistës Iliria botuar në 1985 nga Selim Hasani, njeri prej të cilit kushtuar Epirit e shtrin Ilirinë deri në gjirin e Ambrakisë, që në thelb u konsiderua si provokim nga homologët grekë e megjithatë edhe sot e kësaj dite të tilla pikëpamje shprehen ne tekste gjeografie dhe historie shkollore.

2. Cabanes-Hamond dhe shkolla arkeologjike shqiptare- tre pikepamje

kontroverisale midis tyre

Cila është pikëpamja dominante e Cabanes? Sipas tij vendi ka dëshmi të konsiderueshme arkeologjike të një qytetërimi të përbashkët të lidhur me rajonet fqinje: greko-romake me siguri, por në një periudhë më të hershme me Danubin dhe qytetërimit mikenas me tregti, sikurse më vonë me atë të Bizantin, normanët, anzhutë dhe osmanët. Kjo përbashkësi është shumë e dukshme në asimilimin (acculturation) grek që ndodh në periudhat klasike dhe Helenistike, me krijimin e ngulimeve në Maqedoni dhe Epir. Ftesa që ju bë popullatës që banonte në Bylis dhe Amantia për të marrë pjesë në garat Phythiane si dhe liste e madhe e theorodhokëve të Delfit (ku figurojnë dhe himarjotët në këtë listë), prania e teatrove dhe qyteteve me stil grek konfirmon avancimin e asimilimit kultural grek të kësaj popullsie [“L'Illyrie méridionale et l'Epire dans l'antiquité”, Actes du colloque international de Clermont- Ferrand,1984].

Çështja e diskutueshme, nëse etnitë epirotase flisnin greqisht përmendet gjerësisht nga N. G. L Hammond. Sipas tij është e qartë e tij se gjuha greke flitej në Dodone dhe Nekromanteio në Dark age. Familjet mbretërore të Molosëve flisnin kryesisht greqisht dhe janë konsideruar si grekë nga Pindarus, Herodoti dhe të Thukididi. Dëshmi autentike ka ardhur me zbulimin e fundit të mbishkrimeve të 370/368 pes. Ato janë plotësisht në greqisht, emrat janë grekë dhe ethnitë e përfaqësuara në këto mbishkrime janë të Molosëve dhe Thesprotëve. Këto ethni flisnin greqisht edhe para kohës së Thukididit. Ne mund të konkludojmë- thotë më tej Hammond –se sipas Thukididit etiketa "barbarë" e etnive epirote ka kuptim dytësor dhe jo që nuk flisni greqisht. Ata mund të fliste një formë më të lashtë të gjuhës greke – sikurse "Amfilioqianët", të cilët ndonse etikohen si barbarë, të vështirë të pranohet se ishin bartës të një gjuhe jo greqishte të ndodhur mes etnive të tjera që flisnin greqisht”, konkludon Hammond. Këto rezerva ai i ka shprehur edhe në simoziumet për Epirin dhe Ilirinë të organizuara nga P. Cabanes [N. G. L. Hamond, 1989, “Review end work: Ilirians and epirots”, The Classical Review New Series, Vol. 39, No. 2, p. 294- 296, Oxford University Press].

Duke komentuar kolokiumin e 1984 ne Clermont-Ferrand, Hammond thotë: “ Në kolokium ngrihet pyetja: Ku mbaron Iliria dhe fillon Epiri? Straboni thekson Hamond-nuk lë asnjë dyshim për këtë. Illyria fillon në veri të vargut Akroreavnian, kurse Apollonia është një qytet grek në Illiri. Në brendësi, të pjesës jugore të maleve ilire dhe në brendësi të Gjirit Jonit janë identifikuar fiset e quajtura Bylliones, Taulantii, Parthini dhe Brygi. Këta janë te përzier ('interspersed') me Epirotët (Straboni 326). Disa fise në atë zonë janë dy gjuhësh (Straboni 327). Të dërguarit e shenjtë nga faltoret greke vizitonin vetëm qytetet greke: Dyrrachium, Apollonia, Orikumit, Amantia dhe Bylisit [A. Plassart, 1921, BCH 45, XLV, Deltio Elinikis

alilografias, f. 1-21], nga të cilat duket se Bylisi ishte një qytet grek, i themeluar me siguri nga Pirrua, apo qytetarët e tij (Bylisiot, ishin bërë grekë-folës. Në terma gjeografike Byllionët dhe Taulantët ishin në veri të Aous (Vjosës), dhe Bylisit vetë ishte në veri të Vjosës së poshtme.

Megjithatë, në disa kumtesa (p.sh. të Luce Genevrier dhe Shpresa Gjongecaj) Dyrrachium, Apollonia, Orikumit, Amantia, Bylisit, Olympe etj janë quajtur 'qytete ilire'. Në kumtesën e N. Ceka Byllionët ilirë janë përfshirë në një sistem federal me Amantët dhe Atintanët, në territor federal, që përfshin Antigonea (në kundërshtim me sa thotë Steph. Byz.) dhe duke arritur në kufirin shqiptaro-grek. Kundër-argumentet e mia do të shfaqen në JRS 1989- përfundon Hamond.

Hammond, duke komentuar librin e Pierre Cabanes “Les Illyriens de Bardylis a Genthios (IVe-IIe siecles avant J.-C”, thote: Cabanes paraqitet jo me një artikull, por me një libër, në të cilin ka tekste të përkthyera nga burimet e lashta, shënime shkencore, por nuk ka tregues, as bibliografi, apo harta minimale dhe pllakata modeste dhe si i tillë ka vlerë në serinë e publikimve të destinuara për lexuesit e gjerë. Për çështjet shkencore, përveç që pranon se Antigonea duhet të jetë një qytet Kaonian, ai aprovon N. Cekën në identifikimin e Atintaneve si ilirë, ndryshe nga Thukididi, Straboni 326, Dassareti dhe Hecataeus, duke postuluar një 'sistem federal të fiseve ilire ku përfshin sipas tyre Atintanët dhe Amantët (sipas mendimit tim- thote Hamond-greqisht folës) [N. G. L. Hammond, , “A History of Macedonia 336-167 B. C.” , 1988, p 86,103, Oxford University Press]

Një kolokium tjetër në 1990 po në Clermont-Ferrand për Epirin dhe Ilirinë komentohet nga Z. H. Archibald ndër të tjera si vijon: Historia politike e fiseve ilire dhe Epirote është krejt më pak e arritshme dhe divergjencat këtu zgjerohen. Kështu përpjekjet e M. Hatzopoulos 'për zhvendosjen” e Atintanëve në skajet më veriore të Ilirisë nuk miratohen as nga Cabanes, e as Ceka. Këto polemika pasqyrojnë mungesën e parimeve metodologjike të pranuar nga gjithë palët. Boshllëqet në këtë vëllim janë ndjerë më fort në një mungesë të integrimit në mes të burimeve arkeologjike dhe atyre të shkruara. Nuk ka asnjë hartë të rajonit si një e tërë dhe nuk kapitull që përcakton qëllimet dhe metodat e hulumtimit. Tendenca përgjithësuese e disa artikujve mund të çojë në formulime tepër abstrakte [Z. H. Archibald, , The Classical Review 44,1994, f. 365-367

Publikimi i një studjuesi danez për Qefaloninë, që ka sjellë gjithashtu në skenë nevojën për të ri-integruar studimet në Çukën e Aitoit (me gjetje të ngjashme arkeologjike me Qefaloninë) në diskutim ndërkombëtar dhe të rivlerësimit të punimeve të herëshme të viteve 1950 në dritën e kërkimeve të reja të këtij tipi.

Debati për Antigonenë dhe Epirin në tërësi nuk ka reshtur edhe sot mbas 30 viteve nga zbulimi i saj nga dy arkeologë shqiptarë në fund të viteve 1960. Identiteti i banorëve të saj të lashtë i përcaktuar si ilirë nga ana e shkollës arkeologjike shqiptare vazhdon te jetë i debatushëm-thuhet nga D. Dalakoglou [Dimitris Dalakoglou, “An ethnography of the Albanian–Greek cross-border motorway, in American archaeologist, vol. 37 nr 1, 2010,f 132-148]. Edhe pse konsensusi arkeologjik i para viteve 1960 konsideronte Antigonenë dhe Epirin, në përgjithësi, pjesë të botës së lashtë greke [shih referencen Mack Crew, , The Cambridge Ancient History, vol. 3, 1982, pjesa 3: The Expansion of the Greek World, Eighth to Sixth Centuries B.C. 2nd edition, Cambridge University Press dhe N. G. L. Hammond, Classical Review (n.s.) 39(2) 1994, f 294–296. Philip of Macedon. London: Duckworth]- thuhet më tej – që nga viti 1970, arkeologët shqiptarë dhe pastaj, disa nga kolegët e tyre të huaj i kanë klasifikuar qytezën dhe pjesët e tjera të Epirit si qytetërim ilir (Prendi dhe Budhina 1970) sic vë re dhe J. Wilkes vitet e fundit[John Wilkes, , The Illyrians. Oxford: Blackëell, 1995]. Të dy shkollat arkeologjike greke e shqiptare i kanë orientuar kërkimet e tyre për përkatësine etnike dhe vazhdimësinë në territoret respektive të shteteve-kombe veren edhe M. Vicker [M. Vickers, “The Albanians: A Modern History”, 1999, London: Tauris.]. Kështu janë ndërtuar skema historike të Shqipërisë së sotme që i lidhin shqiptarët direkt me Ilirët [P Kola, 2003, “The Search for Greater Albania”, London: Hurst.; Schëandner-Sievers Schëandner-Sievers, Stephanie, and Bernd Fischer, eds. 2002 Albanian Identities: Myth and History. London: Hurst. And Fischer]. Antigoneja është vetëm një pjesë e grindjes mbi territorin historik të quajtur "Epir" që është sot i përbashkët midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe është bërë rutinë e përditëshme në shtyp dhe biseda televizive.

Kritika më e fundit i bëhet arkeologjisë së tejzgjatur moniste nga Hodge, në një koment rreth

librit "Corpus des inscriptions latines d’Albanie, Collection de l’Ecole francaise de Rome, të

S Anamali dhe H. Ceka, [The Classical Review vol. 61 no. 1, 2011, f. 242]. Hodges thotë se: “Qeveria komuniste e pas luftës e Enver Hoxhës shihte tek rrënjët ilire fisnore modelin për të krijuar një histori të veçantë nacionaliste, dhe me zell e denigroi antikitetin grek dhe romak duke i quajtur si një episode imperialiste. Dhe më tej “ dijetarët e kohës së komunizmit marshuan nën melodi nacionaliste, duke refuzuar punën e Hammond në Epir dhe të arkeologëve të mëdhenj që gërmuan para 1939 si Leon Rey në Apolloni dhe Luigi Maria Ugolini në Butrint”.

I njëjti autor Hodge, disa vite më parë në artikullin “Balkan ghost?”, së bashku me Bowden, analizojnë dhe kritikojnë metodologjinë e arkeologëve shqiptarë të cilët pretendojnë se kanë vërtetuar vazhdimësinë iliro-shqiptare që për studjuesit e huaj përgjithëssht konsiderohet çështje e diskutueshme [W. Bowden and Richard Hodges, , “Balkan ghosts? Nationalism and the question of rural continuity in Albania” in “Landscapes of change: rural evolutions in late antiquity and the early Middle Ages, 2004, p. 195, England]. Arkeologët shqiptarë kishin një përfytyrim të thjeshtëzuar të historisë së hershme mesjetare të vendit të tyre dhe materiali arkeologjik përdorej për të ilustruar një narrativë historike të paracaktuar-thuhet në artikullin e tij. Ashtu sikurse kufinjtë e Shqipërisë moderne, murret rrethuese të qyteteve dhe kështjellave në antikitetin e vonë shprehnin një ndarje të qartë të popullsisë indigjene nga barbarët. Ngulimet sllave konsideroheshin si ishuj në detin shqiptar-vijon Hodge. 7 vjet gërmime arkeologjike nxorën më shumë pikëpyetje se sa përgjigje –thotë me tej Bowden dhe Hodges-pjesëmarrës në këto gërmime – por nuk vërtetuan modelin e barbarëve që rrethonin popullsinë indigjene (ilire sipas arkeologëve shqiptare). Kështu nata ra dhe barbarët nuk erdhën. Komunizmi mbaroi dhe modeli i tij historik nuk mund të qëndrojë më. Për 50 vjet “barbarët ishin një lloj zgjidhjeje, po tani çdo të bëjmë pa ta” ironizon Bowden duke perifrazuar poezinë e Kavafit “Po vijnë barbarët”.

Lidhjet komplekse të "akomodimit dhe bashkëpunimit" të arkeologjisë nën patronatin E. Hoxhës pranohen edhe nga Korkuti, një figurë dominuese në arkeologjinë e pas- luftës si dhe nga Zeqo dhe Miraj. Arkeologët shqiptarë potencialisht e gjetën veten në një pozitë të vështirë nën qeverinë komuniste –thotë Korkuti. Ata kishin për orientim vijën e partisë, ose dënimin dhe rrezikun më të zakonshëm-emigrimin e brendshëm (qarkullimin) edhe pse Korkuti nuk mund të kujtojë qoftë edhe një rast të vetëm të një arkeologu të ndëshkuar nga qeveria) veren Hodge.

Ndërmjet tezave të P. Cabanes për popullsi të asimiluar greke në Epir dhe përkatësisë etnike të këtyre fiseve ende nën diskutim, apo të përzier me popuj dylignusitikë apo më shumë sipas disa të tjerëve, dhe të Hamond për etni që flisnin një greqishte, shpesh arkaike (apo barbare),

arkeologët shqiptarë, me stimulim politik, ekstrapoluan konceptin e Cabanes dhe në mënyrë të qartë pranuan si tw vertetuar tezën e prejardhjes ilire. Sipas tyre, vendet arkeologjike në rajonet jugore të Bregdetit, Delvinës dhe Luginën e Drinos, ku banonin fiset Epirote në antikitet, por edhe ku jeton aktualisht pakica greke, qendrat urbane të epokës së hekurit janë identifikuar si vendbanime ilire, ndonse shpesh të padallueshe nga stili i qyteteve greke. Madje grekët ishin ata që kishin huajtur idetë dhe novacionet nga ilirët, për shembull, emrat e shumicës së perëndive greke sipas tyre rrjedhin nga rrënjë ilirishtja, një gjuhë e praktikisht e panjohur.

3. Tendenca për reformimin e kornizës teorike arkeologjike të formuar në komunizëm

Nqs do të pranohet justifikimi i koncesioneve që i bënë arkeologët shqiptarë politikës (P. Cabanes), atëhere pas ndryshimeve demokratike do të pritej një qëndrim kritik ndaj trashgimisë arkeologjike të prodhuar në sistemin monist. Por, sic shprehet M. Galati edhe kur një komb ka përjetuar një transformim të plotë politik-nga diktatura në demokraci, individë psh-shembull arkeologë (gjuhëtarë e historianë), vazhdojnë të kenë një pjesë shumë të madhe kontributi në krijimin e identitetit dhe historisë kombëtare. Ironikisht, versionet zyrtare për të kaluarën e një kombi nuk diskreditohen automatikisht pas rënies së një diktatori, përkundrazi, ato mund të afirmohen në një shkallë më të lartë akoma. Në shumë vende evropiane, për shembull, ata që praktikonin arkeologjinë nën diktaturë janë në pension apo kanë vdekur. Por në disa vende, trashëgimia e tyre intelektuale është duke u ndjekur në mënyrë jokritike nga një brez i ri arkeologësh [Michael L. Galaty and Charles Watkinson, “The Practice of Archaeology Under Dictatorship” in “Archaeology Under Dictatorship”, 2004, f. 1-17, Spring]

Çuditërisht, me rënien e qeverive komuniste në lindje, shumë arkeologët u bënë politikanë si rasti i Neritan Cekës në Shqipëri. Në politiken e re ekonomike në Shqipëri, shkencetaret (disa prej tyre arkeologë) e gjetën të kaluarën në regjimin monist si një fakt shumë të dobishëm për ta: kontributi i tyre në ndërtimin e një identiteti kombëtar mund të shërbente në demokracinë kapitaliste njëlloj si dhe në diktaturën komuniste. Në këtë mënyrë, korniza teorike arkeologjike e formuar nën komunizëm, në masë të madhe e pa argumentuar dhe ndoshta e gabuar, kanë mbijetuar e paprekur në Shqipërinë e "re", sepse tradita mbështetet nga arkeologë të formuar në regjimin monist dhe që tani janë në pushtet, në qeveri, Akademinë e

Shkencave, dhe në Universitetin e Tiranës, vijon Galaty, të cilët ndikojnë madje dhe në politikat nacionale të sotme. Kjo dëshmohet dhe nga artikulli i Akademisë Shqiptare të Shkencave “Platformë për zgjidhjen e çështjes nacionale të Shqipërisë” i quajtur kontrovers nga grupi internacional i krizave (ICG) [Pan-Albanianism: How Big a Threat to Balkan Stability? ICG Europe Report N°153, 25 February, 2004]. Sipas ICG “platforma” ishte më tepër produkt i dëshirës së Akademisë për protagonizëm, sesa real. Duke parë se prestigji i saj ishte zvogëluar ndjeshëm pas rënies së komunizmit, ajo po përdorte kartën e nacionalizmit për të rifituar kredibiltetin e humbur. Aktualisht Akademia e Shkencave është reformuar dhe platforma konsiderohet si një gjë e së kaluarës e nuk mbështetet më zyrtarisht nga ajo. Por klubet virtuale të internetit, tryezat televizive si dhe tekste mësimore gjeografie e mbajnë gjallë atë deri ditët e sotme, kështu kjo platformë vazhdon të krijojë një atmosferë dyshimi dhe provokojë polemika në shtetet fqinjë.

Ndërsa brezi i vjetër i arkeologëve shqiptarë e ka ndërtuar reputacionin e vet në bazë të interpretimeve me projeksion politik, brezi i ri i arkeologëve, veçanërisht ata të trajnuar në perëndim, nuk ka domosdoshmërisht të njëjtën shkallë besnikërie ndaj traditës së vjetër arkeologjike. Ndonse disa arkeologë të rinj vazhdojnë traditën e vjetër për një sërë arsyesh (ata vetë janë nacionalistë, apo e dinë se nuk mund të gjejnë punë në arkeologji, nëse marrin një pozicion të kundërt me atë tradicional), po ravijëzohet lindja e një gjenerate të re arkeologësh me vizion kritik ndaj kësaj trashëgimie që po sfidon seriozisht status quonë. Në janar të vitit 2002, u mbajt një Kolokium në takimin vjetor të Institutit Arkeologjik të Amerikës, i titulluar "Rishikimi dhe rindërtimi i Arkeologjisë shqiptare" [Deconstructing and

Reconstructing Albanian Archaeology, Journal Amerikan of Archaeology nr. 106, 2002]. Në këtë seancë, arkeologë të rinj shqiptarë paraqitën një vizion zhvillimi për një të ardhme refleksive dhe shkencë objektive të arkeologjisë shqiptare, ndonse nuk është e lehtë. (Shenim: materiali është pjesë nga referati i paraqitur në Konferencën e tretë panhimarjote 2011, faqe 453-458, financuar nga ambasada e USA në Shqipëri)


No comments: