Thursday, February 09, 2012

DYGJUHËSIA E HIMARËS DHE INTERPRETIME TË REJA

http://www.scribd.com/doc/81102251/Llambro-Ruci-Dygjuhesia-e-Himares-Dhe-Inter-Pre-Time-Te-Reja

(nga punimet e Konferences se trete panhimarjote Dhermi Qershor 2011)

Llambro RUCI

Arra gungë apo nyja e koklavitur dhe e pazgjidhur e historisë së Himarës është greqishtja, që përdoret në Palasë, Dhërmi, Himarë. Në literaturën e bollshme të shkruar për këtë krahinë, nuk ka marrë dot përgjigje, dhe, kur janë parashtruar hipoteza, nuk ka qenë e mundur të argumentohet bindshëm si e kur ka hyrë ajo, çfarë shtrirjeje ka patur, pse është ruajtur vetëm në këtë areal-enklavë, krahas shqipes, pavarësisht nga presioni politik-administrativ e gjuhësor i shumicës shqipfolëse përreth në rrjedhë të shekujve, presion i drejtpërdrejtë apo i tërthortë si rrjedhojë e epërsisë numerike dhe politike.

1. Gjuha amtare e himarjotëve

Ndër përcaktimet e bëra në studimet e disa autorëve, që janë marrë posaçërisht me Himarën dhe gjuhët e përdorura në të, përcaktojnë si gjuhë amtare të Himarës shqipen, ndonëse pranojnë edhe ekzistencën e greqishtes; R. Memushaj: “...Banorët vendës të Himarës, Dhërmiut dhe Palasës janë dygjuhësh, me gjuhë amtare shqipen dhe greqishten”1, Sh. Demiraj: “...Gjuhë amtare e familjes është shqipja; vetëm në Himarë, Dhërmi e Palasë, krahas shqipes, përdoret edhe greqishtja”2, gjer te F. Bixhili: “Himara ka vetëm një gjuhë amtare, gjuhën shqipe, që kanë folur të parët e saj rrënjës dhe që ushtrohet nga pjesa dërmuese e banorëve të krahinës...”3.

Por Himara, pavarësisht këtyre përcaktimeve, ka një ndarje historike në tre fshatra greqishtfolëse (me gjuhë amtare greqishten: Palasë, Dhërmi, Himarë) dhe katër fshatra shqipfolëse (me gjuhë amtare shqipen:Vuno, Pilur, Kudhës, Qeparo), të cilat respektivisht kanë përdorur shqipen dhe greqishten si gjuhë komunikimi me të tjerët.

Gjeto Kola duke risjellë të gjalla mbresat e viteve kur ka qenë Kryemësues në Himarë (1926-1927): “Sikurse thamë ma parë Himara perbahet prej shtatë katundesh: Palasë, Dhermi, Vuno, Himarë, Pilur, Qeparo, e Kudhës. Prej ktyne, tre katunde: Palasa, Dhermi dhe Himara janë grekofolse, të tjerat shqipofolse.”4

Studiuesit e Himarës, kanë përdorur si argumente për shqiptarësinë dhe rrjedhimisht gjuhën amtare shqipe, edhe raportet apo letrat e misionarëve të Romës, që lëvruan arsimin dhe meshimin ortodoks në krahinë në shekujt XVI-XVIII.

Shaban Demiraj (po dhe studiues të tjerë) citon misionarët bazilianë: grekun Neofito Rodino, një prift tjetër me origjinë greke Giovanni Giuseppe De Camillis, si dhe arbëreshin Giuseppe Schiro. Nga Rodinosi përmend një ndodhi të përdorur nga gjithë historishkruesit e Himarës: përkthimin në shqip të Katekizmit nga Papa Dhimitri: “...Fakti që një misionar me origjinë greke e ndjeu të nevojshme që për të krishterët e krahinës së Himarës të përkthehej Katekizmi në gjuhën shqipe, është një dëshmi e qartë që tregon se të krishterët e asaj krahine ishin shqipfolës.”5

Në këtë arsyetim besoj se nuk është mbajtur parasysh një shkollë misionare ku nxënësit janë të trazuar të krishterë e myslimanë (“ed i Figliuoli ancora de Turchi”, pra të myslimanëve, raporton Schirói), vendas dhe të ardhur nga vise të ndryshme. Dhe dihet që ardhësit dinin vetëm shqip. Pra, problemi i gjuhës së shkollës, sidomos në Dhërmi apo në Himarë etj., nuk duhet identifikuar me gjuhën e shtëpisë; misionarët pranonin nxënës nga tërë provinca, jo vetëm p.sh. nga Dukati, Tragjasi, madje dhe nga disa (pesë) ditë udhë larg, mjafton që të arrinin qëllimin e përhapjes së fesë romane, ku shkolla, siç e thonë dhe vetë, është një mjet themelor për ngulitjen e besimit katolik.

Th. Papadhopulos shkruan për shkollën e Rodinosë: “Priste nxënës dhe nga vende të tjera, Delvinë, Vlorë, madje dhe nga Korfuzi (nga ku madje siç informon, e ftonin të hapte shkollë).6

Ndërsa Imzot Stanila, shprehet për punën e at De Camillisit në Himarë, ku hapi shkollë me një numër të madh nxënësish: “...Vepra e at De Camillis në fushën e mësimdhënies ishte kaq shumë e frytshme dhe e efektshme, sa emri dhe zotësia e tij si mësues u përhap mjaft shpejt në të gjithë rajonin dhe “kështu erdhën shumë të rinj nga Santi Quaranta (Dyzet Shenjtorët, Saranda), Vlicorresei, Nivizza (Nivica), nga Bicherni (Piqerasi), nga S. Basilio (Shën Vasili), Lucuvo (Lukovë), Crizzei, da Cuideti, që janë fshatra kryesore të kësaj province...”7

Padyshim që kur vjen puna për gjuhët, që përdoreshin në Himarë (shtatë fshatrat historikë të saj), është nevojshme të vlerësojmë dëshmitë e murgjve bazilianë, që vepruan për rreth dy shekuj në këtë krahinë, duke patur rezidencën, shkollat dhe kishat kryesisht në Dhërmi e Himarë, po dhe në Palasë, Vuno, Nivicë etj.

Ja një fragment nga raporti i misonarit Silvester Konstantin Sladi, i cili u shqyrtua në mbledhjen e Propagandës Fide më 15.9.1760: “Krahina e Himarës e ka marrë emrin nga përrenjtë (himárus, χειμάρους) e shumtë, që e përshkojnë. Është një krahinë ku u zhvillua një qytetërim i lashtë, gjë që dëshmohet edhe sot nga monedhat shumë të vjetra, që zbulojnë banorët kur lërojnë arat e tyre...

Njerëzit e bregdetit flasin greqishten e re dhe shqip, në brendësi shqip. Meshimi i tyre bëhet në greqishte të lashtë...

Misionarët i vlerësojnë sepse nxënë fëmijët e tyre. I çmojnë edhe ata që përcaktohen për klerikë sepse pa misionarët nuk mund të shugurohen analfabetë. Me banorët e krahinave malore nuk bëhet gjë se nuk gjendet askush që t’i mësojë (t’u japë mësim).”8

Në studimin e historianit Kristo Frashëri për Himarën, njoftimi i Aravantinosë për gjuhët e fshatrave të Himarës, konsiderohet i pasaktë, njëherësh edhe me njoftimin e misionarit arbëresh P. Skiro në një relacion dërguar Propagandës Fide.9

Në tabelën e P. Aravantinos ka disa të dhëna përmbledhëse për krahinën e Himarës, e cila përfshihet në qendrën administrative të Delvinës. Në radhën e fshatrave të krishterë himarjotë, që nis me Qeparoin dhe mbaron me Palasën, shënohet se nuk ka asnjë familje turke (myslimane), se emrat e këtyre vendbanimeve, përveç Kudhësit, që ka prejardhje nga shqipja, gjithë të tjerat kanë origjinë nga greqishtja. Në Qeparo, Vuno, Himarë dhe Dhërmi (Dhrimadhes), përveç kishave, ruhen dhe manastire. Qeparoi me 200 shtëpi, Kudhësi me 30 shtëpi, Piluri me 30 shtëpi, Vunoi me 150 shtëpi, përdorin gjuhët greqishte e shqipe. Ndërsa Himara 180 shtëpi, Dhërmiu 200 shtëpi, Palasa 80 shtëpi, përdorin gjuhën greke.10

Por le të shkëputemi nga Aravantinosi dhe t’u referohemi të dhënave të librit të Nilo Borgias. Ndër të tjera, në pyetësorin e mëposhtëm, flitet edhe për gjuhët e nevojshme, që duhet të njihnin misionarët për të kryer veprën e tyre didaskalike dhe meshtare në provincën e Himarës, greqishten dhe shqipen, sepse ishin gjuhët e “popujve” vendas, siç është paraqitur në tekstin e mëposhtëm:

Your browser may not support display of this image. Relacioni i dytë i P. Zassit

Relacion mbi misionin e Himarës në Epir bërë prej P. Zassit i Urdhrit të S. R. M. Vikar Apostolik i Provincës në fjalë, zgjedhur Kryep. i Durrësit prej vitit 1694 gjer në vitin 1699.

....................................

Sundimi dhe gjuha

Nr. 7. Janë nënshtetas të turkut për shkak të sundimit, por jetojnë të pakufizuar, pa ndonjë qeveritar të të quajturit turk.

Nr. 8. Gjuha e nevojshme për këta popuj janë greqishtja dhe shqipja.

Nr. 10. Vendet më të përshtatshme dhe kryesore për Misionin janë qytetet e Himarës dhe të Drimades.10

Your browser may not support display of this image. Dhe nëse ndër gjuhët e nevojshme për komunikim, greqishtja vendoset para shqipes, kjo duhet të merret parasysh kur studiohet periudha në fjalë me gjendjen politike, sociale, kishtare dhe gjuhësore që zotëronte në Himarë, Dhërmi etj.

Ndërsa po nga ky libër po shkëputim një pasazh nga relacioni i parë i misionarit arbëresh P. Skiro, i cili, paraqet gjendjen (etno)gjuhësore dhe politike të provincës së Himarës (bregdetare) Palasë-Lëkurës, që pas myslimanizmit të pjesës tjetër, është mbledhur tashmë në 14 fshatra:

Fillimisht kjo provincë, e cila motit ishte shumë e populluar me të krishterë, tani nuk ka më shumë se katërmbëdhjetë fshatra, që ushtrojnë ligjin e Krishtit në ritin grek (lindor): domethënë: Cimara (Himara) kryeqendra e provincës, Drimades (Dhërmiu) dhe Balasa (Palasa) të kombësisë greke (di natione greci); Egliates (Iliates, Ilias,), Vuno (Vuno), Caloghirates (Kallarati), Piluri (Pilur), Clapero (Qeparo), Pichierasi (Piqeras), Lúculo (Lukovë), S. Basili (Shën Vasil), Gudezzona (Hundëcova), Nivizza (Nivica) e Licunisi (Lëkurësi) të kombësisë shqiptare (di natione albanesi). 11

Por dhe në dy Relacione pasuese, sipas botimit në revistën “Roma e l’Oriente” (1912, 1913), Schirói përsërit njoftimin e mësipërm tashmë më 172912 dhe 173513.

Siç shihet e dhëna e Aravantinosë, cituar nga Kristo Frashëri, ka pararendës dhe përputhje të plotë me relacionin (raportimin) e Skirosë cituar nga Nilo Borgia. Dy njoftime identike, që ndahen nga një largësi kohe prej 127 vjetësh. Nëse janinjoti Aravantinos kishte prirje të greqizonte këto tre fshatra, misionari katolik Skiro, kishte mision të kundërt, sepse në këtë terren të vështirë përplaseshin interesat e dy kishave kundërshtare, asaj perëndimore me atë të lindjes, katolicizmit me ortodoksinë, Papatit me Patrikanën. Aq më shumë që at Skiroi është arbëresh, që ka studiuar në manastirin e Mezojusos në Sicili dhe di mirë shqipen, italishten dhe greqishten.

Dhe jo vetëm kaq, Skiroi, në 14 fshatrat e mbetura të krishtera të provincës së Himarës (nga fshatrat e mëposhtëm sot nuk ekzistojnë Hundëcova dhe Lëkurësi), bën një ndarje, që i ka rezistuar kohës gjer më 1990, mes fshatrave të Himarës aso kohe, 3 greqishtfolëse: Palasës (Balasa), Dhërmiut (Drimades), Himarës (Cimarra), dhe 11 fshatrave të tjerë shqipfolëse: Iliasi (Egliates), Vunoi (Vuno), Kallarati (Caloghirates), Piluri (Piluri), Qeparoi (Clapero), Piqerasi (Pichierasi), Lukova (Lúculo), Shën Vasili (S. Basili), Hundëcova (Gudezzona), Nivica (Nivizza) e Lëkurësi (Licunisi). E theksoj: gjer në vitin 1990, sepse me eksodin në masë në Greqi dhe ndryshimet e thella shpopulluese dhe populluese me ardhacakë, edhe në rajonin e Bregdetit, ka një gjendje që pas disa dekadash do të shikohet se ç’po ndodh në të vërtetë.

Kur shtrohet çeshtja e gjuhës në Himarë, autorë të ndryshëm përdorin argumentin e vetëm, një citim nga Liku, që në udhëtimin e tij në Himarë (u prit në shtëpinë e Zahojorgjit, të parit të fshatit Ο πρώτος του χωρίου»), më 11 janar 1805 në orën tre e gjysmë dhe të nesërmen “pas mëngjesit homerik” është larguar me barkë nga Palermoja në orën dy pasdite), në vend të na thotë se me ç’gjuhë bisedoi me himarjotët, përmend ç’i ka thënë një farë kont a Koto Gjikas në Korfuz.”14

Ky kontekst e lëkund mbështetjen mbi të cilën ngrihen arsyetimet e R. Memushaj, K. Frashërit, Sh. Demiraj etj., të cilët e shkëputin thënien e Likut nga vizita në më pak se 24 orë në Himarë dhe e paraqesin si dëshmi historike të pakundërshtueshme se greqishtja në kohën e tij nuk ishte gjuhë e familjes. Duket që Liku përdor në tekst thënien e Gjikës, në mungesë të kontakteve të drejtpërdrejta me banorët e fshatrave të tjera himarjote, për shkaqet, që i përshkruan ai vetë, si: “...politika e dyshimtë dhe qytetërimi i banorëve të Kerauneve, nuk do të më lejonin që unë të eksploroja më tej Himarën...”15

Liku vërtet nuk na thotë se ç’gjuhë flitej në Himarë, por na ka lënë një gjë të çmuar, përshkrimin e farave, fratrive kryesore (“pesë vëllazëri kryesore, që quhen parentie në italisht, ndërsa në greqisht fratries-φρατρίαις, një fjalë klasike që unë vështirë prisja ta gjeja në Shqipëri”), që përbënin Himarën e vitit 1805, të cilat emërtohen në greqisht: Liganates - Λυγανάτες; Cakanates - Τζακανάτες; Koykades - Κωγυκάδες (Kokygades - Κωκυγάδες, sipas K. Haxhiantoniut); Mazates- Μαζάτες; Kurkutadhes - Κουρκουτάδες (sipas K. Haxhiantoniut, ndërsa në botimin shqip të “Udhëtimeve...” shënohet vetëm emri në greqisht Κακουρτάδες, Kakurtadhes). Po ashtu edhe disa emra prijësish në “Udhëtime...”, fq. 97, 99, 100): Zaho Jorgji - në shënim paraqitet, sipas origjinalit: Ζαχαριας Γεοργιου [Zaharias Jeorjiu]; Zaharia Andruci, në shënim: - Ζαχαριας Ανδρούτζου [Zaharias Andrucu]; Gjon Tragini, në shënim: Tragynus - Ιωάνης Τραγύνους [Ioanis Trajynus]; Andrea Polo, në shënim: Polus - Ανδρέας Πόλους [Andreas Polus].

Pikërisht kjo tablo gjuhësore onomastike në greqisht, shkruar në tekstin origjinal në trajtën e emrave si më sipër, të nxjerr në dy përfundime të rëndësishme, që nuk mund të interpretohen ndryshe: se biseda dhe shënimet e Likut janë bërë në greqisht, dhe greqishtja ishte një gjuhë familjare në Himarë.

Eduard Liri, në ditarin e vet (1848-1849), rreth 43 vjet pas Likut, gjatë udhëtimit vajtje-ardhje në Himarë përmes Akrokerauneve, na sjell edhe një pasqyrë të përjetimit të drejtpërdrejt të gjuhës, që përdornin vendasit. Është një realitet tjetër nga sa përshkruhet nga Liku dhe vetëm në aq pak vjet sa për të shndërruar perceptimin e arealit gjuhësor. Gjendja e rrënuar social-ekonomike e fshatrave pas pushtimit të Aliut, nuk mund të sillte as karave me mallra tregtare, as emigracion, as ndikimin e shkollës dhe të kishave të gërmadhuara.

Dhe ai arrin në përfundimin: Për një person që e njeh mirë greqishten e re (të cilën këtu e flasin, ose të paktën e kuptojnë pothuaj të gjithë), do të ishte shumë interesante të udhëtonte nëpër Himarë dhe, duke qëndruar atje për një farë kohe, e duke grumbulluar histori të hollësishme të zakoneve të jetës së këtyre njerëzve primitivë. Ndërsa unë mund të kapja vetëm copëza informacioni përmes italishtes, që e flasin shumë burra vuniotë.” (Nënvizimi im, Ll.R.).16

Po ashtu Liri paraqet edhe një dëshmi në gur e jo nëpër raporte konsujsh dhe agjentësh të fuqive të huaja: “Në majë të rrëpirës ishte një shkëmb i veçuar, i mbuluar me shkrime në greqishte; e kam fjalën, me emra të kohëve tona të shkruara me alfabetin e greqishtes së re. “Tutti scrivono,” tha Anastasi, “scrivete anche voi!” , dhe meqë ky veprim nuk ishte se do t’ia prishte bukurinë shkëmbit, e shkrova dhe unë emrin tim në librin e vizitorëve të Qafës së Himarës, i vetmi anglez aty, dhe i vetëm do të mbetet për shumë kohë përpara se të ketë edhe të tjerë.”17

Por vihet re çuditërisht se përgjithësisht në studimet për Himarën, kur flitet për gjuhën apo etninë e himarjotëve, vetëm një citim i Likut me kontin e famshëm Gjika nga Dhërmiu, bën xhiron e të gjithë shkrimologëve, ndërsa dëshmive dhe shënimeve të Lirit u shmangen. Kur duhet të ndodhte e kundërta, mbasi E. Liri ka një përvojë personale në rrugën Vlorë-Himarë, ka bujtur në Tragjas, në Dukat, në Palasë, dhe në Vuno, si dhe ka drekuar në Dhërmi e Himarë, duke takuar e duke dëgjuar shumë njerëz të vendit dhe padyshim, nga nevoja e komunikimit, ka bërë edhe shtjellime për gjuhët, që përdoren në Himarë.

Gjeto Kola në një studim të gjatë “Himara”, që përfshin histori dhe tradita, etnologjinë, etimologjinë dhe gjuhën e shkollat e krahinës, lidhur me gjuhët që përdorin himarjotët shkruan:

Kemi thanë ma parë se tre prej ktyne katundevet janë grekofolse e janë Dhermi, Himarrë e Palasë...

Katundet Vuno, Qeparo, Pilur e Kudhës flasin nji gjuhë të kullueme; sidomos janë me famë Vunjotasit të cillët e flasin me nji elegancë të tejçuditshme. Dhjalekti i ktyne afrohet me ate të Gegnis. Porse edhe kta të fundit e dijnë greqishten, sikurse edhe ata të parët shqypen. Folë pergjithsisht, aty mund të gjejsh gjind qi flasin Anglisht, Frengisht, Italisht, Turqisht, Arabisht, e Rumanisht etj. etj.18

Një tjetër studiues nga Vunoi, Leonida Ndrenika, tre vjet përpara autorit të mësipërm, trajton po këtë problem kështu: “Vetëm 3 fshatra flasin një dialekt doriko-shqiptar (qyteti i Himarës, Dhërmiu e Palasa, emra që siç duket të Lelegëve, tribu pelasgjike. Në këto fshatra në çaste gëzimi këndohet në gjuhën shqipe dhe në çaste zie vajtohet duke thurur elegji (ligje) shqipe. Karakteri pelasgjik i gjithë rajonit është i qartë) ... Vërtet dialekti dorik i pranishëm në Himarë po themi se edhe toponimisht është dorik, por mbizotëron pellazgjishtja e pastër (shqiptare). Emra dorikë janë Pagá, Rodiná, Gjypé, Qeparó, Karé, Vísha, por emra shqiptarë janë me mijëra.” 19

(vijon)

No comments: