Saturday, February 11, 2012

Tekstet shkollore shqiptare kanë retorikë nacionaliste

Shqip online

Marrëdhëniet shqiptaro–greke vijojnë të mbeten regjistër mediatik vetëm sa i përket ekzistencës së problemeve. Kësaj radhe është teksti i librave shkollorë në Shqipëri ai që është bërë pjesë e një diskutimi parlamentar në Athinë, e për të cilën ministri i Jashtëm, Stavros Dimas, ka dhënë sqarime publike. Ai i është përgjigjur me hollësi një kërkese të deputetit Jorgos Kontogianis, të Partisë Aleanca Demokratike që drejtohet nga Dora Bakojanis, rreth angazhimit të shtetit grek për rishikimin e teksteve të Historisë dhe Gjeografisë në librat shkollorë në Shqipëri. Bëhet fjalë për evokimin në to si territore shqiptare, të rajoneve që sot janë pjesë hapësirës shtetërore greke e që mbeten në thelb objekt kontestimi historik.

“Ministria e Jashtme greke ka dijeni të plotë të përmbajtjes që kanë tekstet shkollore shqiptare sa i përket librave të historisë dhe gjeografisë. Nga ana jonë ia kemi bërë të qartë vazhdimisht palës shqiptare se, përdorimi në lëndët mësimore i retorikës nacionaliste që flet për territore shqiptare të paçliruara në Greqi dhe vende të tjera të rajonit, nuk bën gjë tjetër veçse minon përpjekjet për konsolidimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin reciprok”, - është shprehur ministri i Jashtëm i Greqisë, duke konfirmuar kështu se ky problem është prezent dhe se ai kushtëzon madje edhe qëndrueshmërinë e marrëdhënieve dypalëshe.


Çështja që ngrihet aktualisht në Parlamentin grek bart në vetvete disa paradokse. Kjo, pse mes dy vendeve që në vitin 1996 është nënshkruar Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit, në të cilin parashikohet zgjidhja me mirëkuptim e të gjitha mosmarrëveshjeve. Paradoksi qëndron në faktin se kërkesa vjen nga Partia e Bakojanis, e cila me qeverinë e tanishme shqiptare arriti, sikundër u shpreh ajo, “një fitore strategjike”, me ‘Marrëveshjen e Detit’, rrëzimi i së cilës nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë përcaktoi një thyerje në marrëdhëniet dypalëshe. Ndaj, edhe një kërkesë e shtruar në këtë kuadër mund të perceptohet si realiste vetëm nëse ajo paraprin parashikime jo shumë të mira për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe. Nga ana e vet, Dimas ka shtuar në sqarimin e vet se problemi i teksteve, i vështruar edhe si investim për krijimin e një klime pozitive, ka trajtimin e vet institucional përmes komisionit të përbashkët të ngritur me këtë qëllim.

“Të dy vendet kanë ngritur një Komision të Përbashkët Ekspertësh, i cili ka për detyrë të verifikojë përmbajtjen e të gjitha botimeve shkollore si dhe do të bëjë identifikimin e të gjitha problematikave që nuk përputhen me parimet e sotshme, në mënyrë që më pas të bëhet edhe korrigjimi i teksteve. Ky komision është i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Arsimit”, - është shprehur ai. Në terma konkretë, pretendimi i deputetit Kontogianis i referohet përmbajtjes së teksteve të Gjeografisë në librat shkollorë në Shqipëri, ku territore si Preveza apo Follorina, sipas tij, trajtohen si shqiptare. Më herët, që nga vdekja e himarjotit Aristotel Guma, pala greke në vijimësi, madje deri në nivel të ministrit të Jashtëm, ka folur për një rritje të frymës nacionaliste në Shqipëri, nga e cila ajo sheh jo vetëm një ngushtim të hapësirës për të komunikuar me Tiranën, por edhe farën e keqkuptimeve të reja.

No comments: