Sunday, March 25, 2012

Ne kujtim te himariotit te shquar Vangjel Llazari: Vullkani "Bregdet" në shpërthim

Vullkani "Bregdet" në shpërthim

(Nga aktivi i Himarës për pronat)

V.Lazeri, gazetar

Salla e kinemasë ishte plot e përplot, kishte edhe në këmbë. Doktorit të shkencave Polo Cakalli, që hapi e drejtoi me kulturë aktivin, nuk i erdhi radha të ulej në shesh.

- Ju lutem zotni, shumë mirë i thatë, por... lëreni të flasë edhe ai shoku.... Ju lutem, përmbahuni, prona - është jeta, identiteti, atdheu, për zemërimin ndaj hajdutëve të pronave tona, do vendosim bashkarisht ç'duhet të bëjmë... Ju lutem... ju lutem, lerini të flasin dhe të tjerët!

Kështu, nga fillimi deri në mbarim, drejtuesi u la kohë të lirë mbi 22 diskutimeve të thonë fjalën e tyre për mohimin, grabitjen e tjetërsimin e pronave, të mundit, djersës e gjakut të derdhur, për t'i bërë mbi gurë e për t'i mbrojtur me gjak në shekuj, nga breza të tërë.

Salla nuk u qetësua për asnjë minutë. Në atë zhurmë e acarim të paparë ndaj qeveritarëve e pushtetarëve vendorë, Polua, drejtuesi, dëgjoi nga larg: "Djalo... lermë dhe mua, jeto, të të thom ca fjalë!" Dhe shami e rroba të zeza për të rënët e mynxyrat, baraku i bregut, me mbi të 80-tat mbi supe, por pa rrudha e ballëlartë, nënë Harikli Bixha nga Dhërmiu, tha:... "More, ç'janë këto qeveri dhe mbi këto rripa vënë dorë, që kemi ngritur dheun ngarkuar me thasë, e ngjitëm lart e bëmë shkalla (tarraca), i mbollëm me ullinj e portokalle e i lulëzuam? Jazëk! Këta hajdutë që vijnë firi-firi, në det do t'i hedhim".

Dhe Aleksandra Zoto nga Vunoi, me kulturë, por edhe e indinjuar, plotësoi mendimin e tha: "Qeveritarët si lukuni, të ndihmuar nga rrugaçët e bashkisë së Himarës, u turrën mbi pronat tona për t'i shitur e pasuruar. Tre dynym që kisha në Jalë, dy njerëzit e Gramoz Ruçit po ngrenë vila. Kur vate burri im e tha, -"ajo është toka ime", kriminelët i treguan kallashnikovin e i thanë: do të ikësh, apo...? E pra, kjo qeveri është e hajdutëve, jo e bregasve të ndershëm, punëtorë, por edhe trima, prandaj"...

Nuk u ul fare i riu Spiro Fotiadhi nga Dhërmiu. Me duar, me gjeste, i revoltuar në kulm, sikur t'i kishte përpara qeveritarët hajdutë, thua se do t'i shqyente.

- Mirë more djalë, ke të drejtë, por...

- Çfarë por... ata të na marrin pronën, jetën, ne të rrimë? Ku është qeveria, pse bëhet ortak me hajdutët e jo me ne, punëtorët e ndershëm? Nuk do t'ia falim! Edhe Presidenti na premtoi. Pse nuk i detyron? Kushtetutën e ka.

Një shpërthim i vërtetë u ndie aty nga rreshti i dytë. Me mend, me argumente, i revoltuar, gazetari Ideal Serjani nga Sasai, tha: "Kush e lë të livadhisë pa fre në pronat tona, "Millosheviçin e Bregut", kryetarin e komunës Lukovë, Ferdinand Dhramin? Patjetër që prapa tij qëndrojnë kryetari i qarkut, prefekti me mbështetësin kryesor, deputetin e zonës Sabit Brokaj, që vjen, shkel, piketon e ngre fshatin turistik në Lumë-Bunec mbi pronat tona, të Piqerasit, Sasait, Lukovës. Ku e ka gjetur këtë forcë Ferdinand Dhrami, që u ndan tokë të prurëve nga ana e anës për interesa elektorale, apo Gramoz Ruçi, në Dhërmi e Sarandë? Mbahen nga ligji 7501, që ka nxjerrë shteti, i cili nuk ka titull pronësie, as për vete. Si na mbajnë pronën, dheun e babait, atdheun? Ferdinand Dhrami, bregasit nuk kanë vdekur, ata janë gjallë! Ka ardhur koha, ja vdekje, ja liri!"

Si uragan shpërtheu Kiço Qesari nga Qeparoi, përfaqësues i mbi 25 mijë emigrantëve bregdetarë në Athinë, ai tha: "Banda qeveritarësh me pushtetarët vendorë po grabisin pa pushim bregun. Ata po mbjellin farën e përçarjes, por bregasit janë të fortë si shkëmbi. Ky aktiv sot të piketojë goditjet ndaj hajdutëve qeveritarë. Ne nuk do rrimë në Greqi, do kthehemi në vendin tonë, ta lulëzojmë. Vaj halli po nuk na kthejnë pronat tona grabitësit qeveritarë! Bregun nuk e kanë mposhtur mbretëri e perandori të tëra. Le t'i vënë me mirë gishtin kokës! Presidenti të mbajë premtimin."

Diskutime të zjarrta e propozime konkrete për ditët që vijnë për kthimin e pronave të Zotit, bënë Kristaq Vera e Paskal Nesturi nga Palasa, të cilët propozuan që çdo fshat, me një komision të posaçëm, të penalizojë cilindo qeveritar nga qendra në bazë, që ka vënë dorë në pronat e veçanta e të përbashkëta të fshatit. Ata popozuan bashkëfshatarin e tyre Milo Petromilo, nënkryetarin e bashkisë Himarë, i cili ka vënë dorë në pronat e shumë fshatarëve të Himarës e më flagrantja, ka grabitur tokë edhe në varrezat e fshatit të tyre, Palasë. Koço Koka nga Qeparoi, duke treguar paudhësitë e bëra nga disa kryepleq në ndarjen e tokave, sipas ligjit famëkeq 7501 dhe vazhdimin edhe sot të grabitjeve të pronave të përbashkëta, i kanë acaruar shumë fshatarët. "Të mos të guxojë njeri të shkelë, se ne do t'iu tregojmë vendin!

Për kryetarn e komunës Lukovë, foli edhe arsimtari nga Shën Vasili Koço Vjero, i cili tha se "Ferdinandi u jep të ardhurve nga pronat tona, se pasurohet për vete". Ky duhet të penalizohet se ka vjedhur, kurse Petro Rondo nga Himara dhe të tjerë, akuzuan Lefter Xanin, punonjës kadastre në bashki, që ka kthyer 44 ha, nga kullotë në tokë bujqësore, për t'i ndarë e shitur sipas ligjit fashist 7501, që të bëjë regjistrimin e pronave me këtë bazë, për të përligjur vjedhjet. Këto ai do t'i vjedhë nga populli i Himarës, po nuk mblodhi mendjen. I revoltuar, por me mend foli edhe kryetari i shoqatës "Bregdeti", Sarandë, ing.Hitro Zhupa, i cili tha: "Kthimi i pronës të zotit, kushtëzon zhvillimin e bregdetit. Qeveria t'i bëjë mirë llogaritë me krahinën tonë!"

Metlli Shehu nga Borshi, i revoltuar tha: "Mjaft më me fjalë, premtime e mashtrime. Tashti duhet me veprimet konkrete, të fillojmë me bllokimin e rrugëve"{. Pas diskutimesh të shumta e të zjarrta, e mori fjalën edhe kryetari i PBDNJ-së për Himarën z.Vasil Bollano, i cili përmbledhtas tërhoqi vëmendjen:

- Për specifikën që ka krahina, qeveria duhet të legalizojë kthimin e pronës të zotit, sipas kadastrës së para vitit 1945.

- Rakordimet e fshehta të dokumenteve pa bazë kadastrën, janë tentativë për humbjen e identitetit të pronës private, me pasoja të rrezikshme.

- Unë solidarizohem me vendimet konkrete të këtij aktivi të mençur e burrëror të bregut.

Në atë shpërthim të sallës që sinjalizonte fundin, u pranua të thoshte fjalën e tij, si një përmbledhje konçize të atyre çka u thanë, z.Milto Nasti nga Lukova, i cili, sikur i vuri vulën të gjitha propozimeve të pjesëmarrësve, duke thënë: "Të paralajmërojmë më parë shtetin e qeverinë, që po nuk na kthyen pronat, ne do të bllokojmë rrugët nacionale gjatë korrikut!"

Duartrokitjet ishin miratimi i propozimeve unanime të kuvendit, që u konkretizuan si më poshtë:

Protestë paralajmëruese

Mbi moskthimin dhe vazhdimin e grabitjes të pronave në bregdetin Jon, Palasë-Sarandë



Drejtuar: Presidentit të Republikës, zotit Alfred Moisiu

Kryetarit të Kuvendit, zotit Servet Pëllumbi

Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Fatos Nano

Tiranë

Dyqind përfaqësuesit e popullit të 17 fshatrave të bregdetit Palasë-Sarandë, të mbledhur në Aktivin e Himarës më 14 qeshor, tepër të revoltuar, protestuan ashpër ndaj qeveritarëve të të gjitha niveleve dhe pushtetarëve vendorë, për moskthimin dhe vazhdimin e grabitjes së pronave të tyre të trashëguara.

Burra, gra dhe të moshuar, me lot në sy, të acaruar dhe të papërmbajtur në shkallën më të skajshme, shfaqnin me zë të lartë, me duar e me gjeste, urrejtjen ndaj qeverisë, që bën veshin e shurdhër dhe mban qëndrim indiferent e mospërfillës ndaj kërkesave e protestave të bregdetasve, që kanë ditur gjatë gjithë kohërave të nderojnë e respektojnë udhëheqjet e ndershme, por po me kaq ashpërsi, janë vërsulur e do të vërsulen edhe sot ndaj qeveritarëve mafiozë, që me ligjin 7501 dhe ligje të tjera çnjerëzore, grabisin e bëjnë biznes me pronat tona dhe pasurohen, kurse djemtë tanë rropaten nëpër botë për bukën e gojës.

Përfaqësuesit e popullit të bregdetit në Aktivin e Himarës, në zbatim të detyrave të Kuvendit Mbarëbregdetar e të mitingjeve masive të Himarës e Sarandës për zgjidhjen e problemit të pronës, që e çoi bregdetin në katastrofë të plotë dhe popullin e saj drejt shpërbërjes, paralamërojnë qeverinë:

Në qoftëse nuk legalizon vendimin e Kuvendit Mbarëbregdetar, që mbështetur në Kushtetutë, me konsensusin e shumicës, kuvendi i çdo fshati t'i kthejë pronën çdo trungu familjar, kulteve fetare dhe pronat e përbashkëta çdo fshati, sipas kadastrës së para vitit 1945, populli i bregdetit, si një trup i vetëm, do të zbatojë këto veprime:

1. Çdo fshat me një përfaqësi të organizuar, do të fillojë penalizimin e qeveritarëve, kryetarëve të bashkisë, komisioneve, kryepleqtë, kryetarët e komisioneve të tokave dhe punonjës kadastre që, duke shfrytëzuar poste e ligje të caktuara, kanë vënë e vazhdojnë të vënë dorë, me çfarëdo maske, mbi pronën private të çdo kategorie.

2. Çdo tentativë e qeverisë, Ministrisë së Bujqësisë, qarkut e prefekturës, apo pushtetit vendor: bashki, komunë, për të rekomanduar shifrat e pronave të shpërndara dhe grabitura, me totalin që figuron në kadastër, me qëllim që t'ia paraqesin si të rregullta për t'ia dorëzuar USAID-it për të bërë regjistrimin, pa vajtur prona e kadastruar para 1945 tek i zoti, do të ndalohet nga populli dhe do të ketë pasoja.

3. Nga fillimi i korrikut e në vazhdim, populli i bregdetit do të bllokojë rrugën nacionale Vlorë-Himarë-Sarandë, derisa qeveria të legalizojë kthimin e pronës private, sipas kadastrës së para vitit 1945.

U bëjmë thirrje presidentit, Kuvendit, qeverisë që me një mendje të kthjellët, përgjegjësi të shtetit ligjor, detyrimit Kushtetues dhe konventave ndërkombëtare të ratifikuara edhe prej tyre, të legalizojnë zgjidhjen e pronës pa kosto dhe eksese në bregdet, për t'i hapur rrugën e bllokuar për zhvillime turizmi, në dobi të popullit të bregdetit dhe të ekonomisë së vendit. Veprimet e kundërta do të kenë pasoja të paparashikuara nga bregdetasit tejet të revoltuar, për të cilat ju do të mbani përgjegjësi!

Përfaqësia e popullit të bregdetit në Aktivin e Himarës.

Më 14 qershor 2003

Shënim: Vendimet e Aktivit të Himarës do t'i bëhen të njohura Bashkimit Europian, SHBA-ve dhe forumeve të politikës ndërkombëtare, me përfaqësi në Republikën e Shqipërisë.

- Firmat e përfaqësuesve e aderuesve në vendimin e Aktivit të Himarës, ruhen në arkivin e shoqatës "Bregdeti"



Për kryesinë e Shoqatës AK "Bregdeti"

Kryetari

Vangjel Llazari

No comments: