Friday, April 27, 2012

Kokalari:Mos lejo Berishen të avancojë axhenden e tij egoiste

24 Prill, 2012, TemA

Kokalari i shkruan Clinton-it për takimin me Berishën: Mos lejo të avancojë axhenda e tij egoiste



Nga Gary Q. Kokalari
Zonja Sekretare,

Po ju shkruaj përpara takimit tuaj të planifikuar me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, javën tjetër në Uashington. Shpresoj se ju do keni mundësinë që në këtë takim të shtroni disa çështje të rëndësishme që ndikojnë në Shqipëri dhe në progresin e saj si demokraci.
Sa për sfond, gjatë shekullit të shkuar, unë dhe familja ime kemi luajtur një rol të rëndësishëm në formimin dhe drejtimin e organizatave të rëndësishme humanitare, fetare, kulturore dhe civile në komunitetin shqiptaro- amerikan. Të afërmit e mi në Shqipëri janë po ashtu të njohur sepse janë persekutuar nga regjimi brutal komunist në Shqipëri. Gjatë viteve kam bashkëpunuar me DASH në një seri iniciativash. Në vitin 1997 kam punuar me DASH për të kërkuar një zgjidhje për kaosin që pasoi rënien e skemave piramidale, një dështim për të cilin Sali Berisha mban përgjegjësi të plotë. Në vitin 1998, duke punuar me Richard Holbrooke, kam organizuar një seri takimesh mes ambasadorit Holbrooke dhe liderëve të komunitetit shqiptaro- amerikan në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konfliktin në Kosovë. Gjatë luftës së vitit 1999 kam shërbyer si një zëdhënës televiziv në mbështetje të vendimit të presidentit Klinton për të ndërhyrë në konflikt. Dhe me urdhër të ambasadës së Tiranës kam mbledhur fonde për çminimin e kufirit shqiptar me Kosovën.
Por gjithashtu e kam kundërshtuar DASH në një seri rastesh. Për shembull e kam kundërshtuar për mbështetjen e papërshtashme për New World Telecom, një kompani mashtruese që u ndalua të bënte biznes në Shqipëri si rezultat i ndërhyrjes sime. Po ashtu kam bërë presion mbi ambasadën e Tiranës për të hetuar plotësisht disa çështje të thyerjes së sigurisë në ambasadë, një problem që duhet të zgjidhet. Dhe qëllimisht e kam mbajtur DASH në errësirë kur kam punuar për të ekspozuar skandalin e AEY në faqen e parë të The New York Times.
Gjatë viteve kam pasur marrëdhënie të shumta me Sali Berishën, dhe të jem i hapur, besoj se ai është një gënjeshtar patologjik, i pamëshirshëm dhe nuk është veçse një diktator komunist i korruptuar. Përveç faktit që disa agjenci mbikëqyrëse e kanë përshkruar si një nga qeveritë më të korruptuara në botë, disa nga akuzat që i citohen shpesh Berishës përfshijnë vrasje, manipulim votash, pengim të drejtësisë dhe përpjekje për të shtypur fjalën e lirë. Nuk ka asnjë dyshim se rrënjët e problemeve politike me të cilat përballet Shqipëria janë tek Sali Berisha dhe ai është pengesa kryesore për progresin e vendit si demokraci.
Thënë këto, janë disa çështje të rëndësishme për marrëdhëniet Shqipëri- SHBA dhe për forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, që unë do tu sugjeroja të diskutonit me Berishën gjatë takimit tuaj si më poshtë:
1.Zgjedhjet e fundit në Shqipëri treguan përbuzjen që ka Berisha ndaj zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për të arritur objektivin e tij që të fitojë me çdo kusht, Berisha bleu vota, solli votues ilegalë nga Kosova dhe manipuloi hapur rezultatet zgjedhore. Sipas John Withers, ish- ambasadori amerikan në Shqipëri “Në shkallën e madhe të praktikave abuzive zgjedhore në Shqipëri, të dhënat trishtuese të zgjedhjeve të fundit flasin vetë. Gara për kryebashkiak në Tiranë ishte një farsë dhe, për të qenë i sinqertë, një turp për vendin”.
Për fat të keq, për shkak të vetëkënaqësisë së zyrtarëve të DASH, leksioni që Berisha mësoi nga ky episod ishte se ai mund të vjedhë zgjedhje dhe krimi do paguajë. Ju siguroj se Berisha është i vendosur që të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 me çdo kusht. Çfarë do bëni ju për të parandaluar Berishën që të kryejë aktin final të shkatërrimit të asaj që ka mbetur nga demokracia në Shqipëri në vitin 2013?
2.Katër protestues u vranë në Tiranë më 21 janar, 2011. Video e vrasjes së demonstruesve tregon se të paktën një protestues nuk përbënte asnjë rrezik kur u qëllua nga plumbat që vinin nga zyra e kryeministrit. Tani, ambasadori Arvizu me qëllim është përpjekur të minimizojë fajësinë e qeverisë së Berishës për këto vrasje duke vendosur qëllimisht një shkallë të lartë faji tek protestuesit e opozitës. Krahasuar me Pranverën Arabe dhe protestat e saj, kjo përfaqëson një standard të dyfishtë për politikat e jashtme të SHBA, për shkak se implikon SHBA-të që vendosin në mënyrë arbitrare se cilat protesta ndaj regjimeve autoritare janë të mira dhe cilat të këqija. DASH duhet të konsiderojë implikimet që mund të ketë kjo për marrëdhëniet e ardhshme të SHBA me Shqipërinë dhe të instruktojë Berishën në përputhje me rrethanat.
3.Ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta u gjykua së fundmi për akuzat për korrupsion pas publikimit të një videoje që tregonte qartë atë duke diskutuar për një ryshfet që priste të merrte. Mbrojtja e Metës ishte se videoja ishte modifikuar për të deformuar qëllimet e tij. Çdo person objektiv që sheh videon mund të bëjë një përcaktim për legjitimitetin e saj. Në fakt, ekspertët amerikanë të videos thanë se nuk ka ndërhyrje. Por Berisha dhe Meta ia dolën të manipulojnë gjykatësit në mënyrë që ata të rrëzonin poshtë gjetjet e ekspertëve amerikanë në favor të dëshmisë së ‘ekspertëve’ shqiptarë.
Të ulët dhe të kapur, këta gjyqtarë, nga më të mirët që mund të blejë paraja, vendosën se prova e videos nuk ishte legjitime dhe Meta u shpall i pafajshëm. Kjo është një parodi e drejtësisë dhe tregon mungesën e fortë të respektit për ligjin, dhe për më keq, përforcon mesazhin tek shqiptarët se krimi paguan. Gjatë një interviste dhënë së fundmi, ish- ambasadori John Withers komentoi çështjen e Metës si pason: “Me shumë trishtim kam ndjekur veprimet e gjykatës jo vetëm për gjyqin e Gërdecit, por edhe për çështjen e Metës, në të cilën drejtësia mohoi një provë të pakundërshtueshme”. Berisha duhet të qortohet për këtë sulm mbi themelet e zbatimit të ligjit.
4.Tragjedia e Gërdecit solli si rezultat vdekjen e 26 personave. Mihal Delijorgji, që kishte punishten e demontimit në Gërdec, njihet si mik i afërm i Shkëlzen Berishës, djalit të Sali Berishës, dhe është po ashtu i njohur i bijës së Berishës, Argitës, që shërben si avokate e Delijorgjit. Përpjekjet për të hetuar shkaqet e shpërthimit janë minuar vazhdimisht nga Berisha dhe ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i shpëtoi gjykimit nën mbrojtjen e Berishës. Për çudi, disa nga ata që janë dënuar për këtë ngjarje, shëtisin të lirë rrugëve. Më e keqja, gjenerali Luan Hoxha raportohet se është arratisur për në SHBA pas dënimit, përmes aeroportit të Tiranës mu nën hundën e zyrtarëve amerikanë dhe shqiptarë. Gjatë intervistës së tij, ambasadori Withers komentoi edhe mbi Gërdecin kur theksoi: “Qeveria shqiptare jo vetëm që e ka neglizhuar kërkimin e të vërtetës për Gërdecin, por në fakt ka ushtruar pushtetin për të mbajtur larg të vërtetën. Sulmet e përbindshme ndaj prokurorëve që hetonin këtë krim dhe sulmet ndaj gjykatës dhe medias, për të mbrojtur ata si ish- ministri i Mbrojtjes, Mediu, që mbajnë përgjegjësi në mos ligjore, morale për këtë tragjedi, tregojnë se qeveria ishte e vendosur për të mos lejuar të vërtetën të dalë në shesh”. Si është e mundur?
5.Siç u thashë, jam përgjegjës për ekspozimin e skandalit të AEY në The New York Times. Katër amerikanë të lidhur me AEY janë dënuar nga Departamenti i Drejtësisë për mashtrim të Departamentit të Mbrojtjes në shumën 300 milion dollarë dhe aktualisht po vuajnë dënimin. Për fat të keq, katër vite më vonë, zyrtarët e qeverisë së Berishës, që ndihmuan në këtë përpjekje për mashtrim me paratë e taksapaguesve amerikanë, nuk u hetuan kurrë falë përpjekjeve të Berishës për të mos lejuar asnjë hetim. AEY u ndihmua në këtë mashtrim nga Delijorgji, një partner në biznes i Shkëlzen dhe Argita Berishës. Si një taksapagues amerikan, që është i shqetësuar për abuzimet me fondet e qeverisë, ju kërkoj të adresoni këtë çështje me Berishën.
6.Sali Berisha ka përdorur autoritetet e taksave, policinë dhe mjete të tjerë në dispozicion për të heshtur ato zëra kritikë me regjimin e tij në media. Me urdhër të Berishës, mediat janë censuruar, gazetarët janë rrahur dhe gazetat janë mbyllur pasi kanë guxuar të flasin kundër tij. Këto janë përpjekje të vendosura për të shtypur fjalën e lirë dhe kjo sjellje e kthen Shqipërinë pas në periudhën e shtetit autoritar. Organizata si Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Reporterët pa Kufij kanë protestuar ndaj përpjekjeve të Berishës për të rrëzuar këtë shtyllë të shenjtë të demokracisë. Berishës i duhet thënë se SHBA nuk do e tolerojë këtë sjellje dhe se do mbështesë median.
Nuk jam i sigurt nëse është stili i ambasadorit Arvizu ose ka ndodhur diçka në strategjinë e DASH për Shqipërinë, por ka pasur një ndryshim të dukshëm me vendosjen e tij si ambasador. Disa spekulojnë se kjo është për shkak se Berisha ka shpenzuar një pasuri për lobistët, që njihen se kanë lidhje me administratën e tanishme, por unë shpresoj se ky është vetëm një supozim. Në rastin më të mirë, ambasadori mund të jetë vetëm duke u përpjekur të fusë fijen e perit në gjilpërë duke balancuar komentet e tij në lidhje me marrëdhëniet e qeverisë së Berishës me opozitën. Por më duket se në shumë raste të panevojshme, ambasadori Arvizu i ka dhënë Berishës përfitimin e dyshimit, veçanërisht në lidhje me vrasjen e katër protestuesve shqiptarë më 21 janar.
Zonja Sekretare, liderët shqiptarë e kanë mbështetur SHBA-në në nismat rajonale të sigurisë për shkak të dashamirësisë që kanë shqiptarët për vendin tonë. Mos e lejoni që kjo marrëdhënie e veçantë të minohet nga individë egoistë që janë të gatshëm të rrezikojnë këtë vullnet të mirë për të avancuar axhendat e tyre egoiste.

No comments: