Thursday, April 12, 2012

Pensionisti Withers dhe nargjileja turke

Ilir Yzeiri

Ne sot gjendemi pa shtet, domethënë me grushte shteti çdo ditë. Një të tillë e bëri Ministri i Mbrojtjes para disa ditësh, pa parlament, me demokraci të gërryer, pa identitet dhe ajo që është më e trishtueshmja opozita zgjedh për të mandatuar në KLD Ardian Vishën, avokatin e avokatëve të Ilir Metës që u shpall i pafajshëm, i Fatmir Mediut apo i turkut të kokainës. Ina Rama, nëpunësja e këtij shteti që gëzon autoritetin më të lartë në publik e “kryqëzon” kandidatin e opozitës Ardian Visha si një prokuror të paaftë dhe problematik. Nëse Ardian Visha fiton vendin për në KLD, kjo do të thotë se emërimet e gjyqtarëve dhe reformën në drejtësi do ta bëjë Ilir Meta, Fatmir Mediu dhe Sali Berisha. Po opozita, po klithmat e saj për korrupsionin në drejtësi? Një zhgënjim tragjik.

Ndërkaq ish-ambasadori Withers iu përgjigj Sali Berishës me një letër të hapur në të cilën deklaronte prerë se demokracia në Shqipëri është gërryer. Ai rendiste edhe shumë fakte të tjera të cilat këtë radhë i paraqitet në formën e pyetjeve retorike. Mirëpo ajo që bëri përshtypje në letrën e ambasadorit Withers ishte këmbëngulja e tij për të mos u tërhequr nga beteja me një njeri, me Sali Berishën, me gjithçka të mbrapshtë që përfaqëson kryeministri i Shqipërisë. Ish-ambasadori e pranon edhe vetë që unë jam një qytetar amerikan në pension. Nervozizmi i Sali Berishës sa herë që zoti Withers prononcohet në media është i justifikueshëm. Berisha nuk shqetësohet më prej askujt. Të gjithë i ka futur në thes. I vetmi problem i tij është “pensionisti” Withers. Përpjekja e Berishës për t’i shkëputur DASH-it një deklaratë ishte e vajtueshme dhe u duk sikur “ia mbylli” gojën “pensionistit” Withers. I qetë pas kësaj ndërmarrjeje, ai u nis në Azerbajxhan në fillim dhe në Turqi më pas.

Marrëzitë e tij dhe deklaratat prej deliranti për vëlla e gra shqiptare që adhurohen nga turqit, tashmë nuk përbëjnë asnjë lajm. Këtë radhë të dukej sikur ishte nën efektin e nargjilesë. Ne të gjithë e dimë që kemi në krye një kryeministër të sëmurë mendërisht. I vetmi ilaç mesa duket është “pensionisti” Withers i cili, për fatin tonë të mirë e pi kafen në baret rrotull Departamentit Amerikan të Shtetit.

No comments: