Tuesday, May 01, 2012

"Shqip"- promotore e nacionalizmit -nje artikull ndryshe: Alienimi nacionalist i politikës së shtetit shqiptar

Vala e nacionalizmit e përhapur në vazhdim të krizës ekonomike të viteve të fundit, prej disa vitesh duket se është bërë pjesë e pandashme e ligjërimit politik shqiptar. Vizita e kreut të Partisë Socialiste në Tuz të Malit të Zi për të takuar shqiptarët që banojnë atje tregon edhe një herë përparësinë që ka marrë dimensioni kombëtar në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Po kështu, krerët e AK-së e kanë vendosur aspektin nacionalist si epiqendër të diskurit të tyre politik. Nëpërmjet termave të tipit “tradhtar”, “serb”, ose “grek” kjo parti, e cila shihet si një inovacion i rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme duket se është vendosur tërësisht drejt spektrit nacional për t’iu drejtuar mbështetësve të tyre. Por a na duhet ky ligjërim nacionalist në një periudhë të tillë vështirësish ekonomike të shqiptarëve, ku liderët politikë në vend që të përqendrohen te punësimi i të rinjve, ndërtimi i spitaleve dhe shkollave në zonat e veriut të Shqipërisë, apo në përgjithësi fokusimit drejt një grupi të caktuar të stratifikimit social, të kenë luksin të kujdesen për problemet e shqiptarëve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë?

Duhet thënë se si fillesë e përhapjes së dozave të nacionalizmit të këtyre viteve ka qenë çështja e sovranitetit të Kosovës. Madje edhe ligjërimet e para nacionaliste të Aleancës Kuq e Zi ishin në vazhdim të zgjedhjeve të shkuara në Kosovë ku u evidentua një mbështetje masive nga ana e rinisë shqiptare për lëvizjen “Vetëvendosje”. Ansambli i madh festiv i 100-vjetorit të pavarësisë ka bërë që ligjërimi politik i lëvizjes “Vetëvendosje” në Kosovë të folklorizohet duke u zhveshur tërësisht nga konteksti për t’u paraqitur si një kategori ideologjike me një funksion tërësisht të tjetërsuar. Në qoftë se në Kosovë, nacionalizmi është shfaqur në formën e rezistencës ndaj politikave neoliberale të privatizimeve të shfrenuara, forcimit të identitetit kombëtar vazhdimisht të kërcënuar nga serbët, kërkimit në të shkuarën për vlera dhe forca që do ta ndihmojnë në shtrirjen drejt së ardhmes, në Shqipëri problemi është tërësisht i ndryshëm. Ajo çka është duke prodhuar ligjërimi nacionalist në këtë 100-vjetor është legjitimimi i gjendjes aktuale përmes devijimit nga realiteti social.

Teoricienët modernë të nacionalizmit theksojnë se propaganda nacionaliste është decizive në krijimin e identitetit dhe miteve kombëtare brenda një komuniteti të caktuar. Në momentin e formimit të këtij identiteti kombëtar, më pas është stratifikimi social ai që fortifikon imagjinatën kolektive të individëve si anëtarë të këtij komuniteti. Në këtë drejtim sot mund të thuhet se shteti shqiptar është predikati kryesor ku duhet të kërkohet identifikimi i miteve kombëtare të Kosovës. Ligjërimet politike në Kosovë të tipit “jemi një” shërbejnë pikërisht në ruajtjen e kësaj njëjtësie të pastër etnike mes dy shteteve, pavarësisht nga izolimi gati gjysmëshekullor mes këtyre dy komuniteteve. Sikurse thotë Benedict Anderson, kombet duhet të imagjinohen si të shtrira një herë e përgjithnjë në një territor të caktuar dhe tërësisht të ndryshme nga kombet fqinje (në këtë rast serbët). Në këtë drejtim, koncepti i kombit merr kuptim vetëm nëse përdoret si një formë rezistence ndaj një tjetër kombi, pra kombi nuk ka asnjë kuptim në vetvete dhe kuptimi i tij kushtëzohet vetëm nga dallimi prej kombeve të tjera. Në momentin që propaganda e shqiptarëve të Shqipërisë përdoret për të etiketuar njëri-tjetrin si “tradhtar”, “spiun të grekëve” apo si “agjent serb” vetë kuptimi i kombit kthehet në tautologjik (unë jam shqiptar, sepse jam patriot, çka nënkupton se unë jam shqiptar, sepse jam shqiptar) duke devijuar totalisht nga misioni i vërtetë i idealit nacionalist. Në qoftë se në Kosovë, sfida e madhe është ngritja e një shteti dhe institucioneve burokratike të pavarura nga ndërhyrja e të huajve (qoftë nga Serbia qoftë nga Eulex-i), në rastin e shtetit shqiptar kultivimi i miteve nacionaliste dëshmon pamundësinë politikëbërëse në emër të shtresave të ndryshme të shoqërisë duke përdorur diskurin nacionalist për të identifikuar të huajt si përgjegjës të gjendjes aktuale.

Në momentin që politikani i drejtohet “kombit” si një tërësi ku synon të përqendrojë votuesit e tij, në fakt ai i është drejtuar një tërësie abstrakte të paidentifikuar me ndonjë shtresë shoqërore të caktuar. Duke e ngritur kombin në pozitat e një predikati ideologjik gjithëpërfshirës, në fakt synohet të maskohet fakti që në fund të fundit politika nuk është duke iu drejtuar askujt në veçanti. Me fjalë të tjera aparatit ideologjik shtetëror i nevojitet herë pas here vendosja në krye të axhendës politike e aspektit kombëtar, sepse në këtë mënyrë stratifikimi social i shoqërisë: të pasurit, të varfrit, shtresat e mesme e humbasin krejtësisht dimensionin e tyre politik duke u kthyer thjesht në dekoracione që i vishen pas konceptit të të qenët “komb”. Rrjedhojë e këtij ligjërimi është fakti se nuk ka më asnjë pikë rëndësie nëse je i pasur, i papunë, i keqpaguar apo në kushtet e një varfërie ekstreme, kryesorja është që të dish të jesh shqiptar dhe i gjithë problemi yt pë0rfundon këtu.

Nëpërmjet nacionalizmit, shtetet kërkojnë një lloj religjioni qytetar (patriotizmin) që të luajë funksionin e një valvule që të jetë në gjendje të kontrollojë antagonizmat social në brendësi të shoqërisë dhe t’i depolitizojë ato totalisht si të tilla. Historia ka treguar se nacionalizmi si ideologji shfrytëzohet nga politikanët në momentet kur antagonizmat socialë bëhen të papërballueshëm. Kështu për shembull, ardhja e Hitlerit në pushtet përmes zgjedhjeve të rregullta dhe demokratike u shoqërua nga një propagandë nacionaliste intensive e tij për vite me radhë gjatë periudhës së depresionit të madh të viteve 1929-‘33. Po kështu, ligjërimi nacionalist i Millosheviçit në ish-Jugosllavi arriti kulmin e tij në krizën social-ekonomike që dërrmoi Jugosllavinë në fillim të viteve ‘90. Për këtë arsye, Slavoj Zizek me të drejtë pohon se antagonizmat nacionalistë (të tipit shqiptar-serb ose shqiptar-grek) në të vërtetë janë antagonizma falsë dhe se në fakt shpikja e tjetrit si një armik i jashtëm që rrezikon bashkekzistencën tonë paqësore, nuk është gjë tjetër veçse një rrjedhojë e mungesës së bashkekzistencës tonë paqësore. Kësisoj, armiqtë tanë sllavo-ortodoksë ose në rastin e perëndimit: armiqtë e tyre myslimanë, nuk janë gjë tjetër veçse tregues të plasaritjes që ekziston brenda vetë shoqërisë tonë apo asaj perëndimore. Kombi është feja që mban së bashku një shoqëri funksionalisht të diferencuar dhe socialisht të stratifikuar. Dimensioni nacionalist në vendin tonë po kthehet në mitin e radhës të periudhës së tranzicionit, në vazhdim të miteve të tilla si integrimi në BE, të cilat vazhdojnë të presupozojnë se problem ynë në fakt vjen nga jashtë dhe mund ta zgjidhim vetëm po të integrohemi në BE apo po të bashkohemi me Kosovën dhe të bëhemi një shtet i madh si territorialisht ashtu edhe ekonomikisht (a thua se e para domosdoshmërisht nënkupton të dytën). Ligjërimi i nacionalistëve dhe i partizanëve të integrimit europian sot janë dy anë të së njëjtës medalje, pasi funksioni i të dyve është zhvendosja e vëmendjes prej kontekstit social-politik dhe fabrikimit të një predikati mitik që kërkon të kompensojë pamundësitë reale në shoqërinë tonë. Për aq kohë sa shkaku i gjendjes tonë vazhdon të shihet nga jashtë territorit të shtetit shqiptar, politikanët do të vazhdojnë t’i dekorojnë mitet e “Shqipërisë Europiane” apo të “Shqipërisë se madhe” si të vetmet zgjidhje për ta konservuar atë realitet brutal në përditshmërinë e tij aspak heroike, që fshihet përtej maskës pro-europiane dhe asaj nacionaliste.

No comments: