Saturday, May 05, 2012

Ndonjehere gjen edhe artikuj realiste ne " Shekulli" rreth emigracionit shqiptar ne Greqi

Zgjedhjet në Greqi dhe emigrantët shqiptarë

Jordan Jorgji

Kjo e diel është një superditë për Bashkimin Evropian, pasi do të zhvillohen zgjedhje në dy vende anëtare të BE-së – Francë dhe Greqi – si dhe në Serbi, vend që aspiron integrimin evropian. Të tria vendet ndajnë si karakteristikë të përbashkët fuqizimin e forcave ekstremiste politike. Në Serbi, kandidati Nikoliç është përpara pro evropianit Tadiç, në Greqi një parti raciste (Agimi i Artë) pritet të hyjë në Parlament, ndërsa në Francë po një parti raciste shënon rezultat rekord, duke marrë 18% të votave në raundin e parë, për të vendosur më vonë mbi fatin e presidentit të ri. Një nga arsyet kryesore të fuqizimit të forcave politike ekstremiste është se qëndrimet e tyre bëhen më të pranueshme për opinionin publik, si rezultat i krizës ekonomike që po kalon Bashkimi Evropian. Evroskepticizmi gjen më shumë terren, ndërsa papunësia shënon shifra rekord, të ardhurat dhe rritja ekonomike tkurren si dhe imigracioni ilegal rritet. Ky i fundit duket se është bërë pika kryesore e retorikës, jo vetëm për forcat ekstremiste, por dhe për forcat kryesore politike.

Në Francë, përveç ekstremistes Marine le Pen, edhe Sarkozy dhe Hollande, ndajnë pika të përbashkëta referimi mbi përballimin e imigracionit ilegal. Në Greqi, situata është më serioze, duke baraspeshuar imigracionin ilegal me krizën më të rëndë ekonomike që po kalon ky vend. Imigrantët ilegalë, të cilët janë kryesisht nga vendet afrikane dhe ato arabe, filluan ose vazhduan të “dynden” në Greqi (dhe Itali) si pasojë e destabilitetit në vendet e origjinës. Me një popullsi sa 2% e popullsisë së përgjithshme të Bashkimit Evropian, Greqia pret rreth 90% të imigrantëve ilegalë që hyjnë në 27 vendet anëtare të BE-së. Kështu që, cilado parti politike të fitojë zgjedhjet e 6 majit në Greqi, përballja me imigracionin ilegal do të jetë përparësia kryesore, së bashku me përballimin e krizës ekonomike.

Emigrantët shqiptarë nuk janë problemi kryesor për Greqinë. Edhe pse disa prej tyre kthehen nga policia greke si ilegalë në kuadrin e operacioneve “fshesa”, këto operacione kanë më shume trajtë mediatike elektorale. Shënjestra kryesore e politikës greke janë emigrantët ilegalë që vijnë nga Afrika dhe Azia, pasi nuk është gjendur akoma një politikë funksionale për përballimin e imigracionit ilegal. Pjesa me e madhe e emigrantëve shqiptarë janë integruar në shoqërinë greke. Në zgjedhjet e fundit lokale në Greqi, shqiptarëve iu njoh e drejta e votës. Disa shtetas shqiptarë konkurruan si këshilltarë, ndërsa nuk mungojnë konkurrentet edhe për zgjedhjet parlamentare të 6 majit, kryesisht nga minoriteti grek.

Megjithatë, organizimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk është më i miri i mundshëm. Do të ishte mirë që përfaqësuesit e tyre të pasuroheshin me njerëz që janë kualifikuar në jetën intelektuale, kulturore si dhe atë të biznesit në shtetin helen, me qëllim që, në mënyrë graduale, emigrantët shqiptarë të përfitojnë elementet kryesore të një lobi, duke marrë pjesë në jetën publike greke dhe duke e influencuar atë. Çdo krizë sjell me vete edhe shanse, ndaj të cilave nuk duhet qëndruar indiferent.

No comments: