Tuesday, May 22, 2012

Studentet e mia

Postuar në: 
Nga Ilir Yzeiri

Vdekja tragjike e studenteve të degës gjuhë-letërsi të Universitetit “A.Xhuvani” më ka goditur rëndë. Ato ishin studentet e mia. Për një vit resht kam zhvilluar me atë kurs lëndën e letërsisë shqipe. Çdo të hënë nisesha nga Tirana me dëshirën më të madhe që të arrija në orën tetë në sallën e katit të parë për të zhvilluar mësim me këtë kurs. Kur vdekja vjen me gjithë pamjen e saj makabre, kur ajo shfaqet me të gjitha ngjyrat e zeza, kur ajo mbulon gjithë vendin me renë e saj të hirtë si këtë herë, asnjë fjalë nuk është e aftë që të ngushëllojë apo të qetësojë sidomos shpirtin e familjarëve të studenteve të mia. Por edhe unë, ashtu si shokët e shoqet e tyre, ashtu si kolegët e mi, ashtu si mijëra shqiptarë të përlotur anekënd vendit tim, e kam të vështirë të gjej një fjalë për t’u qetësuar. Studentet e mia kanë vdekur. Jeta e tyre u këput në mes atëherë kur ato sapo kishin kaluar të njëzetat. Morën me vete ankthe, ëndrra, imazhin e një bote të ngarkuar me stres, por edhe me ëndrra. Tani që po shkruaj këto radhë i sjell në mend portretet e tyre dhe fjala e parë që më vjen ndër mend është përunjësia. Studentet e mia ishin të urta, të përunjura, të përkushtuara, të bukura. Ato e dinin që do të zinin një vend normal në jetë dhe në këtë pikë më vjen ndërmend ai dyvargëshi i Kadaresë për mësueset e fshatit “të urta gjer në dhimbje/të thjeshta gjer në madhështi”. Kështu ishin studentet e mia. Tani që ato nuk janë më, tani që dheu i ftohtë do të mbulojë vështrimet e tyre gjithë dritë, unë rri e mendoj përsëri për vdekjen dhe me këtë rast dua të them se vdekja e tyre, vdekja e studenteve të mia është aq tragjike sa ajo nuk përmban asnjë ndotje sociale. Dje unë pashë me të vërtetë një popull të pikëlluar. Pas çdo vdekjeje, përveç dhimbjes, qëndron zakonisht e fshehur diku në skutën e errët të nënvetëdijes sonë të mbrapshtë edhe zilia për të përfituar prej saj, që shfaqet në formën e projektimit të fajit mbi një kundërshtar të caktuar. Vdekja tragjike e studenteve të mia është pa asnjë ndotje të tillë sociale. Ajo është vetëm tragjike, sepse këputi në mënyrë makabre jetën e studenteve që prisnin të diplomoheshin e të rifillonin jetën.
Të dashura studentet e mia, Denisa, Ermira, Aurora, Lindita, Joana, Elsa, Juliana, Fabiola, Eriola, Eranda, Dorina! Ne nuk do të takohemi më. Ju e ndërpretë rrugën dhe Zoti ju mori atëherë kur ju do të duhej të nisnit jetën. Humbja juaj është e pazëvendësueshme për të dashurit familjarët tuaj dhe për ne gjithashtu. Vdekja juaj na kujtoi edhe njëherë se jeta duhet jetuar me përunjësi, se vdekja dhe jeta janë aq pranë sa askush nuk e beson. Ju me vdekjen tuaj tragjike na bëtë më njerëzorë sot, por ju e mbushët me shumë trishtim këtë vend. Është e paimagjinueshme se si mund të vdesin në një ditë kaq shumë vajza. Mirëpo ky është fataliteti i jetës. Dhe unë që kam jetuar me ju për një vit të tërë nuk e kisha menduar kurrë se ato vështrimet tuaja, portretet tuaja, do të shuheshin një ditë dhe do të largoheshin. Unë ua mbaj mend vështrimin dhe të qeshurën tuaj. Kështu ju kujtojnë të gjithë. Edhe tani që ju do të ngjiteni në qiell, unë, por edhe ne të gjithë do t’ju sjellim ndërmend si engjëj. Do t’ju kujtojmë gjithmonë, por sidomos do t’ju sjellim ndërmend sidomos sa herë që do të kujtohemi se jeta dhe vdekja janë aq pranë sa askush nuk mund ta imagjinojë. As ju të dashurat studentet e mia.
Lamtumirë!

No comments: