Thursday, May 24, 2012

Të dedikohem një faleminderit, Greqi

I Dashur Niko,

Te pershendes dhe te falenderoj per shkrimin tend.U ke treguar te gjitheve se mirenjohja eshte nje cilesi e vyer e jona, si shqiptare.
Jam krenar qe te njoha dhe te falenderoj per bashkepunimin. Ti je nje gazetar i shkelqyer, qe di te fitosh zemrat e te tjereve me miresine tende, me sjelljen tende dhe respektin per te tjeret. Prandaj e kishe deren e hapur kudo, tek politika greke, tek perfaqesuesit e pushtetit lokal dhe tek komuniteti i shqiptareve.
Ti me njohe me njerezit e mrekullueshem te Bashkise te Anavisos, qe kishin bere aq shume per bashkeatdhetaret tane. Une e mbaj mend Stelen e vogel qe kishte ardhur nga Shqiperia pothuaj krejt e paralizuar dhe ata njerez te mire e ngriten ne kembe, pas gati tre vjetesh operacionesh shume te kushtueshme.
Une mbaj mend kur shkuam te dy ne takimin me grate e Anavisos qe kishin pergatitur mbi 200 pako per femijet e fondacionit te Znj. Liri Berisha.
Une mbak mend se me keta njerez te mrekullueshem ti mundesove te sillje me rastin e Dites tone Kombetare nje klase me mbi 30 nxenes nga kalivaci i Tepelenes.
Por , i dashur mik, ti beje nje pune te madhe per te bashkuar shqiptaret dhe per t’i ndihmuar.Ti beje shume per miqesine e dy popujve tane.
Me punen tende , na jepje vlera te gjitheve bashkeatdhetareve dhe une ndjehesha krenar kur lexoja shkrimet dhe intervistat e tua ne gazeta dhe revista te Greqise.
Te falenderoj per miqesine tone.
Te uroj mbaresi ty dhe familjes tende.

Me respekt,

Dr. Vili Minarolli
Ish ambasador i Shqiperise ne Greqi
2006- 2010

Të dedikohem një faleminderit, Greqi

Niko Ago*

Ishte Mars i 1992-shit kur vendosa të vij për herë të parë në Greqi. Edhe pse ende mjaft i ri në moshë, megjithatë pata arritur të martohesha. Lashë pas bashkëshorten dhe nisa peripecinë. Mbërrita në Kallambaka, bashkë me tim vëlla, pas tetë ditësh udhëtimi me këmbë. Nga dita e katërt, veç, udhëtimi u bë me njërën këpucë në dorë. Njëra këmbë që pata operuar kohë më parë, nuk kishte të njëjtën dëshirë me mua për udhëtim dhe u ënjt keqas.

Në Selanik mbërrita në orën 5 të mëngjesit me trenin që kisha marrë nga Larisa. Pasi kalova llahtarin që provova kur pashë dhjetëra taksi të rreshtuara, të cilat i mora për makina të policisë, u drejtova tek e para prej tyre. Doja të udhëtoja për në Dhrama dhe të vetmen adresë që kisha ishte një numër telefoni. 0521 25 648 shkruante letra që mbaja në dorë.

Shoferi, një mesoburrë rreth të 55-tave, me mjekër të bardhë dhe të gjatë, me një shirit zie në njërin krah, më bëri disa xhiro derisa ora shkoi 7 , orë kur nisej autobusi. Përpara se të më zbriste, pasi më zgjoi me dashamirësi prindërore nga një gjumë vdekjeje që më kishte zënë për aq kohë sa ai bënte udhëtime në qytet për ditën e punës (lodhja e tetë ditëve ishte e pamundur të mos triumfonte në të nxehtin e makinës), më dha një byrek të nxehtë me djathë, një kuti me lëng frutash dhe një paketë cigaresh. Bëra lëvizjen t’i jepja paratë, nga ato pak që disponoja. Më shkeli syrin, diçka më tha në greqisht (që natyrisht nuk e kuptova) dhe më bëri shenjë t’i vendos sërish në xhep. Për pak, autobusi do të nisej drejt qytetit që më vonë do të kthehej në atdheun tim të dytë, në atdheun e fëmijëve të mi dhe së fundi, edhe Itaka ime…

Nëse sot, pas 19 vjetësh që jetoj në Greqi, të cilën e konsideroj atdheun tim të dytë (dhe që shpesh pyes veten nëse termi i mësipërm nuk shpreh ndjenjat e vërteta për të dhe duhet ta quaj thjesht atdhe) dikë dua të gjej, ta përqafoj dhe ta falënderoj nga zemra, është ai njeri.

Por një “faleminderit” e kam edhe për Greqinë, që kaq shumë më ka dhënë gjithë këto vite, dhe kaq shumë më jep përditë, edhe pse dikur erdha pa më ftuar…

*Autori është gazetar shqiptar dhe veprimtar për të drejtat e njeriut në Greqi. Qeveria greke ka marrë vendim ta dëbojë për shkak se gjatë vitit 2007-2008 kur ai kishte një problem shëndetësor, nuk kishte rinovuar Librezën Shëndetësore.

No comments: